ATV

Author: ATVLive

  • Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë nisin nesër agjërimin

    Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë nisin nesër agjërimin

    Rreth një e katërta e popullsisë së botës do të nisin një ditë ndryshe më 11 mars, pasi lindja e diellit do ti gjejë duke agjëruar.

    Besimtarët myslimanë do të nisin muajin e Ramazanit, muaji më i shenjtë i kalendarit islamik. Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor Islam, zgjat nga 29 ose 30 ditë, dhe konsiderohet si periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet.

    Gjatë Ramazanit, besimtarët çdo ditë nuk do të konsumojnë ushqime ose pije, si dhe duhet të shmangin çdo sjellje negative të njeriut duke nisur që nga lindja e diellit e deri në perëndimin e tij.

    Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për tu solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin me to. Gjatë Ramazanit, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira.

    Por muaji i Ramazanit nuk ndryshon vetëm rutinën e personave që agjërojnë, por edhe shumë të tjerëve, të kësaj feje ose jo. Shumë njerëz solidarizohen me sakrificën që myslimanët bëjnë, duke qenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre kundrejt agjëruesve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët që nuk agjërojnë kanë krijuar një rutinë duke mos konsumuar ushqim para tyre, organizuar dreka pune, mirëkuptimi në shumë situata, dhe shumë veprime të tjera.

    Me anë të këtyre veprimeve amerikanët dhe shumë persona në shtete të ndryshme të botës, tregojnë mirëkuptimin e tyre me personat që e bëjnë atë sakrificë.

  • SHBA-ja nis një anije me pajisje për ndërtimin e portit në Gazë

    SHBA-ja nis një anije me pajisje për ndërtimin e portit në Gazë

    Një anije e ushtrisë amerikane që po bart pajisje për ndërtimin e një porti të përkohshëm në Gazë është nisur drejt enklavës palestineze, tri ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, bëri publike planet për të rritur dërgesat e ndihmës përmes detit në Gazë, ku qindra mijëra palestinezë po përballen me uri.

    Hapja e korridorit detar, së bashku me hedhjen e ndihmave nga ajri nga SHBA-ja, Jordania dhe të tjerët, tregojnë alarmin në rritje lidhur me krizën humanitare në Gazë dhe po ashtu paraqet një shmangie nga kontrollet tokësore që Izraeli u bën dërgesave të ndihmës.

    Izraeli ka mirëpritur dërgesat detare dhe tha se do të inspektojë anijet me dërgesa të nisur drejt Gazës në një zonë afër Qipros. Numri i anijeve që hyjnë në Gazë brenda ditës ka qenë nën 500, sa hynin në enklavë para se të niste lufta në tetor, për shkak të kufizimeve izraelite dhe çështjeve të sigurisë.

    Ndërkaq, Biden ka rritur kritikat ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Udhëheqësi amerikan tha se beson që Netanyahu “po e lëndon më shumë Izraelin sesa po e ndihmon Izraelin” në mënyrën se si ai po i qaset luftës kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që tashmë është në muajin e gjashtë.

    Biden tha se mbështet të drejtën e Izraelit për t’iu kundërpërgjigjur Hamasit pas sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, por tha se Netanyahu “duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi jetës së të pafajshmëve që po humbet për shkak të veprimeve që po ndërmerren”.

    Në kuadër të përpjekjeve për të rritur ndihmën humanitare dhe për të ndërtuar portin e përkohshëm, ushtria amerikane bëri të ditur se anija Gjeneral Frank S. Besson është larguar nga baza e Marinës në Virxhinia “më pak se 36 orë pasi presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë ndihmë humanitare për Gazën përmes detit.

    Anija mbështetëse logjistike “po bart pajisjet e para për krijimin e portit të përkohshëm për të dërguar furnizimet jetike humanitare”, u tha në njoftim.

    Biden bëri njoftimin për portin e përkohshëm të enjten gjatë fjalimit drejtuar kombit. Njoftimi nga udhëheqësi amerikan erdhi pas paralajmërimeve të Kombeve të Bashkuara për përhapjen e urisë në mesin e 2.3 milionë palestinezëve në Gazë, pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

    Që nga sulmi fillestar i Hamasit në jug të Gazës në tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë, Izraeli ka kryer ofensivë tokësore dhe ajrore në enklavën e rrethuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga ofensiva janë vrarë mbi 30.000 persona, shumica gra dhe fëmijë.

    Gaza nuk ka infrastrukturë të porteve. Fillimisht, SHBA-ja planifikon të përdorë Qipron, e cila po ofron një proces të kontrolleve të anijeve të mallrave, në të cilin proces do të përfshihen edhe zyrtarët izraelitë. Ky proces shmang kontrollet e sigurisë në Gazë.

    Shumica e banorëve të Gazës tani janë persona të zhvendosur brenda vendit dhe enklava po përballet me pengesa në dërgesat e ndihmës humanitare në pikat e kontrolleve kufitare tokësore./Radio Evropa e Lirë/

  • Ambasadori Hovenier uron Ramazanin: Uroj që ky muaj t’ju sjellë dritë, paqe dhe begati

    Ambasadori Hovenier uron Ramazanin: Uroj që ky muaj t’ju sjellë dritë, paqe dhe begati

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Përmes një postimi në “X”, ambasadori amerikan ka uruar që ky muaj të sjellë dritë, paqe dhe begati.

    “Me rastin e Ramazanit, ju uroj të gjithëve që e kremtojnë muajin e shenjtë në Kosovë dhe në mbarë botën. Uroj që ky muaj t’ju sjellë dritë, paqe dhe begati”, ka shkruar Hovenier.

    Besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë edhe ata në Kosovë nesër do të nisin muajin e shenjtë të Ramazanit, ku për 30 ditë ata do të agjërojnë.

  • Kurti tregon datën e fillimit të Olimpiadës Matematike Evropiane për vajza

    Kurti tregon datën e fillimit të Olimpiadës Matematike Evropiane për vajza

    Albin Kurti ka thënë se viti 2025, do të jetë viti i matematikës në Kosovë.

    Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se nga 11 deri më 17 prill 2025, do të mbahet Olimpiada e Matematikës Evropiane për Vajza – EGMO 2025.

    “EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj. Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet jo-evropiane që marrin pjesë si mysafirë”, ka shkruar Kurti.

    Kryeministri ka falënderuar komunitetin e matematikanëve shqiptarë, Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe të gjitha organizatat e tjera për angazhimin e tyre të pandërprerë në promovimin dhe avancimin e matematikës në Kosovë.

    “EGMO 2025 do të organizohet me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, komunitetit të matematikanëve shqiptarë, Shoqatës Matematikanëve të Kosovës dhe organizatave e donatorëve të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti.

  • Ndalohet një person në Leposaviq, tentohej të fus mallra pa dokumentacione

    Ndalohet një person në Leposaviq, tentohej të fus mallra pa dokumentacione

    Njësia policore të shtunën në Leposaviq ka ndaluar një furgon që drejtohej nga një person në të cilin kishte të ngarkuara mallra të ndryshme, për të cilët nuk kishte dokumentacion.

    Sipas raportit të Policisë, thuhet se i dyshuari me furgon kishte hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia përmes rrugëve ilegale.

    Policia ka bërë të ditur se në konsultim me prokurorin i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i është dorëzuar doganës.

    “Qirkoviq, Leposaviq / 09.03.2024 – 22:10. Njësia policore ka ndaluar një furgon që drejtohej nga i dyshuari kosovar në të cilin kishte të ngarkuara mallra të ndryshme (qeramika, radiatorë për nxemje, motosharrë, birra, disa bidonë me benzinë, etj) për të cilat nuk kishte dokumentacion. Gjatë legjitimimit është kuptuar se i dyshuari me furgon kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia përmes rrugëve ilegale. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i është dorëzuar doganës”, thuhet në raport.

  • Sekretari i Federatës së Boksit: Donjeta e arriti normën olimpike duke mposhtur kampione bote e evropiane

    Sekretari i Federatës së Boksit: Donjeta e arriti normën olimpike duke mposhtur kampione bote e evropiane

    Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, e ka siguruar normën e parë olimpike në histori të boksit të Kosovës.

    Sekretari i Federatës së Boksit të Boksit, Latif Demolli në një prononcim të shkurtër për Klankosova.tv ka thënë se ishte rrugë e mundimshme për Donjetën.

    Ishte rrugë e mundimshme ku pas 4 dueleve me kundërshtare jashtëzakonisht të forta dhe kampione bote e Evrope Donjeta luanesha me zemër dhe punë, përkushtim dhe vullnetin për fitore arriti ta realizoj dëshirën dhe të fitojë normën Olimpike për Paris 2024”, u shpreh Demolli.

    Përndryshe, Sadiku e siguroi kualifikimin në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, pasi e mposhti italianen, Alessia Mesiano.

  • Radojçiq takohet me ‘pretendentin’ për kryeministër të Serbisë

    Radojçiq takohet me ‘pretendentin’ për kryeministër të Serbisë

    Udhëheqësi i grupit terrorist serb, që kreu sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator në veri të Kosovës, Milan Radojçiqi është fotografuar në takim me Marko Djuriç.

    Djuriç është njëri ndër emrat e përfolur për kryeministrin e ardhshëm të Serbisë.

    Ka shërbyer si ambasador i Serbisë në SHBA, në periudhën 8 tetor 2020 deri më 3 korrik 2021.

    Si dhe ka qenë drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, për shtatë vite.

  • Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

    Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

    Mbi 300 raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë. Ndërkaq, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind. Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë tek gratë, tek meshkujt është ai i mushkërive.

    Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, në një intervistë për KosovaPress thotë se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencon se pritet që në fillim të muajit majit të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.

    Kurtishi përmend disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e rasteve me këtë sëmundje malinje, duke përfshirë ata gjenetikë, të ambientit të jashtëm, moshën, gjininë e të tjerë.

    Përveç këtyre, Kurtishi tregon se në gjatë muajit prill ose në fillim të muajit maj pritet që të përfundojnë punimet në Klinikën e Onkologjisë, për çka thotë se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

    Krahas kësaj, drejtori i kësaj klinike thekson se do të bëhet edhe dixhitalizimi i shërbimeve, me ç’rast do të sigurohen informatat të sakta mbi aktivitete që zhvillohen në këtë klinikë.Kurtishi potencon se shumë shpejtë planifikohet të bëhet përgatitja më e sofistikuar e ilaçeve të cito statikëve, e cila sipas tij do ta rrisë në maksimum sigurinë e ilaçit dhe të dozimit.

    Ndër të tjera, profesionisti i shëndetësisë, Ilir Kurtishi potencon se shqetësues mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avansuara të sëmundjes.

    Ai shton se faktorët gjenetikë, ata të ambientit të jashtëm, mosha , gjinia e të tjera ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të reja me kancer.Renovimi i Klinikës së Onkologjisë ka filluar në fund të muajit tetor të vitit 2023. Ndërkaq, tani pacientët mund të marrin shërbimet onkologjike brenda objektit të Mjekësisë Sportive./kp/

  • Tre të plagosur në Gjakovë, i dyshuari në arrati

    Tre të plagosur në Gjakovë, i dyshuari në arrati

    Të paktën tre persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit në orët e para të së dielës në Gjakovë.

    Zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj, ka thënë për KOHËN se të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe gjendja e tyre është stabile.

    Të shtënat me armë zjarri kanë ndodhur brenda një lokali rreth orës 00:10.

    “Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën ‘Fan Stilian Noli’ në Gjakovë, ku për pasojë tre persona kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, ka thënë Elezaj.

    Ai ka shtuar se janë duke kryer procedurat e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit dhe kapjen e të dyshuarit.

    Më tej është bërë e ditur se në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Abazi përmend “pazare” për pronën afër Manastirit të Deçanit në këmbim të anëtarësimit në KiE

    Abazi përmend “pazare” për pronën afër Manastirit të Deçanit në këmbim të anëtarësimit në KiE

    Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë se pranimi i marrëveshjes së Brukselit, e ka fundosur politikisht kryeministrin Albin Kurti. Thekson se moszbatimi i kësaj marrëveshjeje, ka plasaritur edhe raportet me ndërkombëtaret.

    Abazi përmend edhe një “pazar” ndërmjet kryeministrit Albin Kurti në lidhje me pronën afër Manastirit të Deçanit, si këmbim për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    “Si pasoj e këtyre taktizimeve të cilat po flas, pra mos mbajtja e zgjedhjeve në veri të vendit, moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksin në Ohër, raportet në Bashkësinë Ndërkombëtare janë të për keqësuara deri në sanksione, dhe kjo është problem në vete, edhe përbrenda partneritetit strategjik që kemi edhe që duhet të kemi me Bashkësinë Evropiane për anëtarësim në NATO dhe BE por tani po e shihni edhe këtë çështjen e fundit që në mënyrë të heshtur Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri Kurti po pranon bartjen e pronës në pronësi të kishës si shkëmbim të një anëtarësimi në Këshillin e Evropës, gjë që po të ishin parti tjera do bëhej kaos i madh në Kuvend dhe në hapësirën publike”, thotë Abazi.

    Abazi ka hedhur akuza të rënda në drejtim të ish-shefit të tij të dikurshëm. Thotë se ka ardhur në pushtet duke kundërshtuar Asociacionin të cilin e ka pranuar së fundmi. E ky fakt sipas Abazit ka prodhuar edhe pakënaqësi brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Normalisht me pranimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit në Oher tani më flitet për një periudhë jashtëzakonisht të vështire për Kosovën, sepse insistimi në bazë është implementimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe në bazë të këtyre marrëveshje për këtë qeveri dhe për kryeministrin Kurti është një ‘ecje nëpër gjak’, sepse është ardhur në pushtet me kauzën kundër Asociacionit, dhe tani duhet të zbatojë Asociacionin dhe normalisht kjo shtrëngon situatën deri në një përplasje e cila veç po vërehet edhe përbrenda Vetëvendosjes por edhe në raport me publikun sepse kur vjen në pushtet me kauzën kundër Asociacionit dhe e pranon zbatimin”, thotë tutje Abazi.

    E nënshkrimin e marrëveshjes për de-eskalim të situatës në veri, ish-zëvendëskryeministri e quan përfundim të pozitës së Kosovës sa i përket negocimit. Thotë se nga këto veprime, partia në pushtet po synon t’i kapitalizojë për vota në zgjedhjet e ardhshme.

    “Mendoj që kjo gjë tani më është e ditur, këto janë taktizme nuk ka strategji për dialog fare, nënshkrimi i marrëveshjes për deeskalim në Bratislavë e ka përfunduar pozitën e Kosovës në mundësinë e negocimit. Insistimi që bëhet nga SHBA dhe BE janë insistime përbrenda një kornize të sigurisë jo të normalizimit të marrëdhënieve. Jo të njohjes së Kosovës por të largimit të mundësisë së konfliktit në Ballkan me justifikim që Kosova nuk po i realizon premtimet e veta. Kjo e vendos Kosovën në një raport jashtëzakonisht të rëndë dhe të vështir me BE-në dh SHBA-në, rrjedhimisht nuk shoh që mund të ketë dalje të lehtë në këtë situatë përveç se tentimit për kapitalizim populist për vota për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Abazi.