ATV

Author: A.P.

  • Blenard Azizaj, figura qendrore e mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën” më 21 nëntor

    Blenard Azizaj, figura qendrore e mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën” më 21 nëntor

    Më 21 nëntor, në Teatrin e AAB-së në Fushë Kosovë, KultPlus sjell edicionin e tetë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, me balerinin dhe koreografin shqiptar me famë ndërkombëtare Blenard Azizaj si figurë qendrore të këtij viti. Ngjarja nis në ora 20:00.

    Ky format, i njohur për vlerësimin e artistëve shqiptarë që veprojnë jashtë vendit, këtë edicion i ndan çmimin “Ta zbardhi ftyrën” Azizajt, i cili vjen në Kosovë pas suksesit të madh në Angli me shfaqjen “Balkan Erotic Epic” të Marina Abramović, ku ai jo vetëm ka performuar, por edhe ka realizuar koreografinë.

    Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka theksuar se pavarësisht karrierës së tij të shkëlqyer në Gjermani, Francë, Zelandë të Re, Meksikë, Hong Kong, Brazil e Angli, kjo është hera e parë që Azizaj prezantohet para publikut kosovar. Nga janari 2026 ai nis një tur ndërkombëtar me të njëjtën shfaqje.

    Mbrëmja ndahet në dy pjesë: fillimisht një bashkëbisedim me artistin dhe më pas një performancë e tij ekskluzive për publikun kosovar.

    “Ta zbardhi ftyrën” njihet për sjelljen e disa prej emrave më të suksesshëm shqiptarë në botë, ndërsa mbështetet nga MKRS, RTK, AMC dhe Labi Wine.

  • Turjan Hyska flet me emocion për Orindën: “Mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë, por më zgjodhi mua”

    Turjan Hyska flet me emocion për Orindën: “Mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë, por më zgjodhi mua”

    Producenti i njohur Turjan Hyska ka rrëfyer disa nga fjalët më të ndjera për bashkëshorten e tij, Orinda Huta, gjatë intervistës në “The Dalina Show”. Ai tregoi se Orinda është një forcë e qetë në jetën e tij dhe një grua me ndikim të jashtëzakonshëm në familje.

    “Orinda di të më shfazojë mua. Po t’i dojë qejfi, ma heq qarkun dhe s’ma heq njeri tjetër. Ajo është qetësia ime, një grua me fuqi shëruese,” tha Turjani, duke shtuar me humor se Orinda e kishte zgjedhur atë në një periudhë kur ai kishte rrogën vetëm 800 mijë lekë. “Mund ta kishte bërë jetën më të lehtë, por më zgjodhi mua dhe nuk u shkëput kurrë.”

    Në vijim, ai foli me admirim për rolin e Orindës në familje: “Sa herë që pyes Orindën për një vendim, ajo nuk më ka bërë asnjëherë të ndihem i zvogëluar. Në çdo moment stresi më ka dhënë besim dhe forcë. Është një shtyllë për mua, një kuptim i plotë i fjalës ‘familje’. Ajo është kisha ime.”

    Duke reflektuar mbi marrëdhënien e tyre, Turjani përfundoi: “Ajo nuk ka nevojë për mua, unë jam plus për të. Por mendoj se kam nevojë për të. Gruaja është krijesa më e bukur që ekziston, e fortë dhe e thellë, edhe në anët e saj të errëta.”

  • PriFest sjell “Moving Cinema” në Suharekë me dy filma të Aulona Selmanit

    PriFest sjell “Moving Cinema” në Suharekë me dy filma të Aulona Selmanit

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë PriFest, në bashkëpunim me Javën e Filmit në Suharekë, do të sjellë nismën “Moving Cinema” në qytetin e Suharekës me shfaqjen e dy filmave të metrazhit të mesëm të regjisores Aulona Selmani.

    Ngjarja do të mbahet më 15 nëntor 2025, në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”, në orën 19:00, me hyrje të lirë për publikun.

    Në program janë përfshirë dy filma të vlerësuar në edicionet e fundit të PriFest:
    “Si në Vaj” (Zvicër/Kosovë), fitues i edicionit të 15-të në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm. Filmi ndjek historinë e Nadies, një vejushë e re që përballet me kontrollin e kunatave të saj, ndërsa një autoportret nga e kaluara e detyron të përballet me të vërtetat e jetës së saj. Rolin kryesor e luan aktorja Ilire Vinca.
    – “And The Wind Weeps” (Zvicër/Kosovë), fitues i edicionit të 16-të, trajton historinë e Dautit, një të mbijetuari të një masakre që për 20 vite përgatitet për të dëshmuar në Hagë, ndërsa përballet me kujtimet dhe dhimbjen e humbjes së djalit dhe vëllait.

    Përmes “Moving Cinema”, PriFest synon të sjellë filmat fitues në qytete të ndryshme të Kosovës, duke afruar publikun me kinemanë dhe duke promovuar artin filmik vendas dhe ndërkombëtar në mbarë vendin.

  • Mbyllet me sukses edicioni i parë i “Netëve të Filmit Shqiptar” në Prishtinë

    Mbyllet me sukses edicioni i parë i “Netëve të Filmit Shqiptar” në Prishtinë

    Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka përmbyllur edicionin e parë të “Netëve të Filmit Shqiptar”, një nismë kulturore që nisi në shtator dhe solli gjatë vjeshtës disa nga filmat më të njohur të kinemasë shqiptare.

    Në kuadër të këtij cikli u shfaqën filma si “Përrallë nga e Kaluara” dhe “Vdekja e Kalit”, që ngjallën emocione të forta dhe rikthyen nostalgjinë për artin shqiptar klasik. Projekti u konceptua si një urë mes brezave, duke përfshirë edhe nxënës të shkollave të Prishtinës që patën mundësinë të njohin trashëgiminë filmike shqiptare.

    Mbrëmja e fundit u mbyll me komedinë ikonike “Kapedani”, e cila solli atmosferë të ngrohtë dhe duartrokitje të shumta në sallë.

    Ambasadori Petrit Malaj falënderoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë, Kino Armatën dhe publikun për mbështetjen, duke theksuar rëndësinë e promovimit të kinemasë shqiptare si pjesë e identitetit dhe kulturës sonë të përbashkët.

  • “The Devil Wears Prada 2” vjen pas 20 vitesh: Meryl Streep, Anne Hathaway dhe Emily Blunt rikthehen në pistën e modës

    “The Devil Wears Prada 2” vjen pas 20 vitesh: Meryl Streep, Anne Hathaway dhe Emily Blunt rikthehen në pistën e modës

    Pas pothuajse dy dekadash, një nga filmat më të njohur të viteve 2000 po rikthehet me vazhdimin e shumëpritur. Disney ka konfirmuar se “The Devil Wears Prada 2” është në zhvillim dhe do të bashkojë sërish Meryl Streep, Anne Hathaway, Emily Blunt dhe Stanley Tucci në rolet e tyre ikonike.

    Filmi i ri do të tregojë fundin e karrierës së Miranda Priestly-t, në një kohë kur revistat e modës po përballen me ndikimin e mediave digjitale. Miranda do të përballet me ish-asistenten e saj Emily Charlton, tashmë një drejtuese e fuqishme në industrinë e luksit, duke sjellë një përballje mes brezave dhe pushtetit.

    Në kastin e filmit janë shtuar edhe emra të rinj si Simone Ashley, Lucy Liu, Justin Theroux, B.J. Novak dhe Pauline Chalamet.

    “The Devil Wears Prada 2” do të dalë në kinema më 1 maj 2026. Filmi origjinal, i publikuar në vitin 2006, u bë një sukses i madh dhe u nominua për dy çmime Oscar, përfshirë atë për Meryl Streep si aktorja më e mirë.

  • Adele debuton në filmin e Tom Ford: “Cry to Heaven” sjell këngëtaren në botën e kinemasë

    Adele debuton në filmin e Tom Ford: “Cry to Heaven” sjell këngëtaren në botën e kinemasë

    Këngëtarja e famshme britanike Adele do të bëjë debutimin e saj të parë si aktore në filmin e ri të Tom Ford, ish-stilistit të modës që tashmë njihet edhe për krijimet e tij në kinematografi. Sipas raportimeve të BBC, filmi mban titullin “Cry to Heaven” dhe pritet të jetë një nga projektet më të bujshme të vitit të ardhshëm.

    Në këtë film, Adele do të luajë përkrah disa prej emrave më të njohur të kinemasë botërore, përfshirë Nicholas Hoult, Aaron Taylor-Johnson, Colin Firth, Paul Bettany dhe Owen Cooper, ylli i serialit “Adolescence”.

    “Cry to Heaven” është një përshtatje e romanit të vitit 1982 nga Anne Rice, e njohur për veprat me tematikë të errët dhe dramatike. Ngjarja zhvillohet në shekullin XVIII dhe rrëfen historinë e këngëtarëve meshkuj të kastruar që ruanin zërin e tyre të lartë për skenat e operës në Venecia një botë ku arti, ambicia dhe tragjedia përplasen në mënyrë madhështore.

    Tom Ford do të jetë regjisor, producent dhe skenarist i filmit, ndërsa detajet për rolin që do të luajë Adele ende nuk janë zbuluar. Në kastin mbresëlënës përfshihen gjithashtu Ciarán Hinds, George MacKay, Mark Strong, Hunter Schafer dhe Thandiwe Newton.

    Pas përfundimit të koncerteve të saj në Las Vegas, Adele kishte paralajmëruar një pushim të gjatë nga muzika, ndaj ky projekt shënon një rikthim surprizë këtë herë në një tjetër formë arti.

    Ndërkohë, Tom Ford, i njohur për sukseset “A Single Man” (2009) dhe “Nocturnal Animals” (2016), ka konfirmuar se do t’i kushtojë 20 vitet e ardhshme kinemasë pas largimit nga industria e modës, pasi në vitin 2022 ia shiti markën e tij kompanisë Estée Lauder për 2.8 miliardë dollarë.

    Filmi “Cry to Heaven” pritet të nisë xhirimet së shpejti, ndërsa fansat e Adele mezi presin ta shohin ikonën e muzikës në një rol tërësisht të ri dhe sfidues në botën e filmit.

  • Filmi “HANA” me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Goa, Indi

    Filmi “HANA” me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Goa, Indi

    Filmi artistik “HANA”, me regji të Ujkan Hysajt dhe skenar të Fadil Hysajt, do të ketë premierën e tij botërore në edicionin e 56-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Goa (IFFI), një ndër festivalet më prestigjioze në botë dhe i certifikuar si festival i kategorisë A nga FIAPF.

    “HANA” është përzgjedhur në kategorinë zyrtare të garës për çmimin “ICFT–UNESCO Gandhi Medal Award”, një vlerësim që u jepet filmave që pasqyrojnë idealet e UNESCO-s për paqen, tolerancën dhe dialogun ndërkulturor. Filmi do të shfaqet më 23 nëntor 2025, ku në premierë do të jetë e pranishme edhe aktorja e njohur Ilire Vinca, një nga rolet kryesore të filmit.

    Në qendër të tregimit është Sara, një aktore që i bashkohet një programi të Art Terapisë në një Qendër Rehabilitimi për Gratë në Kosovë, me synimin për t’i ndihmuar të mbijetuarat të kthejnë dhimbjen në art. Por ndërsa ajo përfshihet në historitë e grave, përballet edhe me plagët e saj të pashëruara dhe me identitetin e dytë që e ndjek – Hana.

    Në rolet kryesore të filmit interpretojnë: Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi, Ermin Bravo, si dhe aktorët Teuta Ajdini, Fatlume Bunajku, Agron Shala, Lumije Muçaj Sopi, Xhevdet Doda, Shpend Xani, Xhejlane Godanci, Bislim Muçaj, Nazmije Sylejmani, Daniela Markaj dhe Euron Kadriu.

    Ekipi artistik përfshin: Ujkan Hysaj (regji dhe montazh), Fadil Hysaj (skenar), Kushtrim Koliqi (producent), Almir Djikolli (drejtor fotografie), Memli Kelmendi (muzikë origjinale), Mentor Berisha (dizajn skene), Alma Krasniqi (kostume), Labinot Sponca (dizajn zëri) dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë.

    Filmi është prodhuar nga “AJO Pictures”, me mbështetje nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe me kontributin e Komunës së Prishtinës, Shoqatës “Progresiva”, Okarina Choir, EtnoVillage Kukaj, dhe shumë institucioneve të tjera që ndihmuan në realizimin e projektit.

    “HANA” sjell një histori të thellë njerëzore për plagët e heshtura, fuqinë e artit dhe procesin e shërimit, duke vendosur sërish kinemanë kosovare në vëmendjen e botës.

  • Luana Vjollca “pushtohet” nga trëndafilat, surpriza romantike që ndez rrjetin sërish!

    Luana Vjollca “pushtohet” nga trëndafilat, surpriza romantike që ndez rrjetin sërish!

    Moderatorja dhe producentja e njohur Luana Vjollca ka përjetuar sërish një moment magjik, teksa pallati ku ajo jeton është mbushur plot me trëndafila të kuq, duke krijuar një skenë që duket sikur ka dalë nga një film romantik.

    Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra buqeta gjigante, të vendosura me kujdes në çdo cep të ambientit një spektakël lulesh që ka bërë ndjekësit të mbeten pa fjalë.

    Kjo nuk është hera e parë që Luana përjeton një surprizë të tillë. Edhe më herët, ajo është befasuar në mënyrë të ngjashme, duke shtuar kureshtjen për admiruesin misterioz që duket se nuk kursen asgjë për t’i dhuruar asaj momente të paharrueshme.

    Në “Instagram”, Luana ka ndarë pamje nga surpriza pa zbuluar detaje për autorin e gjestit por romanca dhe misteri mjaftuan për të ndezur sërish rrjetin.

    Një gjë mbetet e padiskutueshme: Luana Vjollca e di si të bëjë bujë edhe pa thënë asnjë fjalë mjafton një dhomë e mbushur me trëndafila për ta bërë internetin të shpërthejë nga komentet dhe admirimi.

  • Vince Gilligan sfidon realitetin me “Plur1bus”: një satirë tronditëse për fundin e ndërgjegjes njerëzore

    Vince Gilligan sfidon realitetin me “Plur1bus”: një satirë tronditëse për fundin e ndërgjegjes njerëzore

    Pas suksesit monumental të “Breaking Bad” dhe “Better Call Saul”, krijuesi Vince Gilligan rikthehet me një seri krejt ndryshe dhe provokuese: “Plur1bus”, një prodhim i Apple TV+ që trajton me ironi të errët temën e lumturisë kolektive dhe zhdukjes së individualitetit.

    Titulli, një lojë me moton amerikane “E pluribus unum” (“Një nga shumë”), përmban simbolikën e humbjes së “njëshit” të vetvetes për hir të bashkimit total. Në këtë botë të krijuar nga Gilligan, një rirregullim gjenetik alien kthen njerëzit në një entitet të vetëm, ku mendimet, emocionet dhe dëshirat janë të përbashkëta. Rezultati? Të gjithë janë të lumtur dhe pikërisht kjo është katastrofa.

    Në qendër qëndron Carol Sturka, e interpretuar nga Rhea Seehorn, një shkrimtare cinike që përballet me faktin se është personi i fundit në Tokë me vetëdije individuale. Ndërsa partnerja e saj dhe mbarë njerëzimi shndërrohen në një masë të buzëqeshur e të bindur, ajo lufton për të shpëtuar njerëzimin nga “lumturia e detyruar”.

    Gilligan krijon një univers që ngjan njëkohësisht absurd dhe filozofik një përzierje mes “Black Mirror”, “X-Files” dhe satirave të Stanley Kubrick. Në një nga skenat më simbolike, mbledhja e 13 të mbijetuarve në “Air Force One” rikujton shtetet themeluese të SHBA-së, duke e kthyer moton “E pluribus unum” në një paradoks të së tashmes, ku bashkimi total shkatërron vetëdijen individuale.

    Seriali përzien komedinë e zezë, reflektimin ekzistencial dhe kritikat ndaj epokës së inteligjencës artificiale, duke ngritur pyetje të thella për natyrën e mendimit të lirë dhe “pozitivitetin toksik” të shoqërisë moderne. Ngjyrat e Gilligan-it mbeten simbolike: e verdha, dikur ngjyrë rreziku, këtu përfaqëson lumturinë e rreme dhe pushtimin emocional të masave.

    “Plur1bus” pritet të zgjerojë kufijtë e tregimit televiziv, duke u bërë një pasqyrë e frikshme e botës sonë të lidhur, ku të gjithë ndjejmë njësoj, mendojmë njësoj dhe buzëqeshim pa arsye. Një satirë filozofike që dëshmon se Vince Gilligan vazhdon të mbetet një nga zërat më të mprehtë dhe më vizionarë të televizionit modern.

  • Sukses i madh për kinemanë kosovare: “Me fjalë tjera” shpallet fitues në MedFilm Festival në Romë

    Sukses i madh për kinemanë kosovare: “Me fjalë tjera” shpallet fitues në MedFilm Festival në Romë

    Filmi i gjatë artistik “Me fjalë tjera”, me regji dhe skenar të Val Jasharit dhe prodhim të Valmira Hysenit, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në MedFilm Festival në Romë, duke fituar çmimin kryesor në kategorinë Med WIPS (Works in Progress). Ky vlerësim prestigjioz përfshin edhe një shpërblim financiar prej 10 mijë eurosh, që do të ndihmojë në përfundimin e projektit.

    Ky është një nga momentet më të rëndësishme për kinemanë kosovare në skenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se krijuesit e rinj nga Kosova po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në festivalet evropiane. Filmi është prodhim i WaveMaker Films, në bashkëprodhim me Live Production, dhe mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra e Filmit e Malit të Zi.

    Aktualisht, “Me fjalë tjera” ndodhet në fazën e post-produksionit, ndërsa përfundimi i tij pritet në gjysmën e parë të vitit 2026. Me këtë fitore, projekti e vendos Kosovën edhe një herë në hartën e krijimeve filmike që po tërheqin vëmendjen ndërkombëtare, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja dhe suksese të tjera në të ardhmen.

    Një fitore që tregon se fjalët, kur shndërrohen në art, mund të tejkalojnë kufijtë.