ATV

Author: A.M.

  • Okan Buruk e telefonon Vedat Muriqin-Galatasaray synon transferimin e sulmuesit

    Okan Buruk e telefonon Vedat Muriqin-Galatasaray synon transferimin e sulmuesit

    Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, dëshiron me çdo kusht transferimin e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi dhe tashmë ka nisur kontaktet për ta bindur që t’i bashkohet klubit turk gjatë afatit kalimtar të verës.

     

    Sulmuesi prizrenas po kalon një sezon fantastik me RCD Mallorca, ku ka realizuar 22 gola në 35 ndeshje në La Liga, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane.

     

    Sipas mediumit turk Fanatik, Buruk e ka telefonuar personalisht Muriqin dhe i ka shprehur dëshirën për ta parë me fanellën e Galatasaray sezonin e ardhshëm. Marrëdhënia e mirë mes tyre daton nga koha kur bashkëpunuan te Çaykur Rizespor.

     

    Raportohet se edhe Muriqi është i hapur për një rikthim në futbollin turk, aty ku më parë kishte shkëlqyer me Fenerbahçe.

     

    Megjithëse transferimi i tij nuk lidhet drejtpërdrejt me situatën e Mauro Icardi, interesimi i madh i Burukut për Muriqin lë të kuptohet se trajneri turk po mendon për ndryshime në repartin ofensiv të skuadrës nga Stambolli.

     

    Kujtojmë që Vedat Muriqi ka realizuar 22 gola në La Liga këtë sezon për Mallorcan,duke konfirmuar formën e lartë me skuadrën e cila po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll.

  • Dukagjini fiton Kupën e Kosovës pas një finaleje dramatike ndaj Ferizajt

    Dukagjini fiton Kupën e Kosovës pas një finaleje dramatike ndaj Ferizajt

    Dukagjini është fitues i Kupës së Kosovës, pasi në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e mposhti Ferizajn me rezultat 2-1, në një ndeshje të mbushur me emocione, tensione, vendime nga VAR-i dhe një gol spektakolar që vendosi trofeun.

    Dy skuadrat e nisën takimin me kujdes, por loja u hap pas minutës së 15-të. Dukagjini kaloi në epërsi në minutën e 17-të, kur Altin Mërlaku realizoi një supergol për rezultatin 1-0.

    Ferizaj reagoi shpejt dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 23-të me golin e Kushtrim Shabanit, duke e kthyer finalen në një duel të hapur dhe shumë luftarak.

    Në pjesën e parë nuk munguan polemikat. Në minutën e 37-të, Ferizaj kërkoi penallti pas një ndërhyrjeje në zonë, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari Genc Nuza vendosi se nuk kishte shkelje për penallti.

    Ferizaj pati edhe një rast të mirë në fundin e pjesës së parë, kur Haxhimusa gjuajti me kokë pranë shtyllës në minutën 45+5’, ndërsa gjyqtari akordoi tetë minuta shtesë.

    Edhe pjesa e dytë solli tension dhe vendime të rëndësishme. Në minutën e 63-të, Nuza fillimisht akordoi penallti për Dukagjinin, por pas konsultimit me VAR-in u konstatua se ndërhyrja kishte ndodhur jashtë zonës dhe vendimi u ndryshua.

    Situata u vështirësua për Dukagjinin në minutën e 70-të, kur Erlis Xhemajli u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua, duke e lënë ekipin me dhjetë lojtarë.

    Megjithatë, momenti vendimtar i finales erdhi në minutën e 75-të. Hekuran Berisha realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga rreth 50 metra, duke e paraboluar portierin McKenzie dhe duke kaluar Dukagjinin në avantazh 2-1.

    Deri në fund, Ferizaj tentoi ta shfrytëzonte epërsinë numerike, por Dukagjini u mbrojt me disiplinë dhe arriti ta ruajë rezultatin.

    Në kohën shtesë, tensionet kulmuan kur kapiteni i Ferizajt, Haxhimusa, u ndëshkua me karton të kuq. I irrituar nga vetëm katër minutat shtesë, një rast i diskutueshëm në zonë dhe përjashtimi i kapitenit, Ferizaj e braktisi fushën disa minuta para fundit të takimit.

    Pas rreth dhjetë minutash ndërprerje, skuadra ferizajase u rikthye në fushë dhe ndeshja vazhdoi deri në fund.

    Në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” ishin të pranishëm edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, si dhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu.

    Me këtë triumf, Dukagjini e mbyll sezonin me suksesin më të madh në historinë e klubit në Kupën e Kosovës, ndërsa Ferizaj, pavarësisht rrugëtimit të shkëlqyer deri në finale, mbetet pa trofe dhe e përfundon sezonin me zhgënjim, pas rënies nga elita e futbollit kosovar.

  • Finalja e Kupës së Kosovës ndërpritet mes tensioneve, Ferizaj lëshon fushën në protestë

    Finalja e Kupës së Kosovës ndërpritet mes tensioneve, Ferizaj lëshon fushën në protestë

    Finalja e Kupës së Kosovës mes Ferizajt dhe Dukagjinit është shoqëruar me tensione të mëdha në minutat e fundit të ndeshjes, pasi skuadra e Ferizajt ka lëshuar fushën në shenjë proteste ndaj vendimeve të gjyqtarit Genc Nuza.

    Në momentin e ndërprerjes, Dukagjini ishte në epërsi 2-1. Altin Mërlaku kaloi ekipin e tij në avantazh në minutën e 17-të, ndërsa Kushtrim Shabani barazoi shifrat vetëm gjashtë minuta më vonë. Golin e fitores së përkohshme për Dukagjinin e realizoi Hekuran Berisha në minutën e 75-të me një supergol nga rreth 50 metra.

    Sipas raportimeve nga stadiumi, revolta e lojtarëve të Ferizajt nisi pasi gjyqtari i katërt sinjalizoi vetëm katër minuta shtesë, vendim që irritoi skuadrën ferizajase duke konsideruar se pjesa e dytë kishte pasur shumë ndërprerje dhe vonesa.

    Situata u tensionua edhe më shumë pas një aksioni të diskutueshëm në zonë, ku Ferizaj kërkoi penallti, por gjyqtari Nuza nuk e akordoi dhe nuk e rishikoi rastin në VAR, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga lojtarët.

    Kapiteni i Ferizajt, Haxhimusa, protestoi fuqishëm ndaj arbitrit dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja. Pas këtij vendimi, situata eskaloi dhe lojtarët e Ferizajt vendosën ta braktisin fushën.

    Për momentin mbetet e paqartë nëse ndeshja do të vazhdojë apo do të mbyllet me vendim zyrtar nga organet kompetente. Gjithçka pritet të varet nga raporti i gjyqtarit dhe procedurat disiplinore të Federatës së Futbollit të Kosovës.

  • Cristiano Ronaldo feston titullin e parë në Arabinë Saudite-Al Nassr shpallet kampion

    Cristiano Ronaldo feston titullin e parë në Arabinë Saudite-Al Nassr shpallet kampion

    Cristiano Ronaldo më në fund ka festuar titullin e shumëpritur të kampionit në Arabinë Saudite.

    Al Nassr u shpall zyrtarisht kampion i Arabisë Saudite pas fitores bindëse 4-1 ndaj Damac në xhiron e fundit të kampionatit.

    Sadio Mane hapi serinë e golave pas një asistimi nga Joao Felix, ndërsa Kingsley Coman realizoi golin e dytë për vendasit.

    Megjithatë, Damac riktheu shpresat për një moment kur Sylla shënoi nga pika e bardhë për rezultatin 2-1. Por, ndryshe nga përballja e kaluar ndaj Al Hilal, këtë herë Cristiano Ronaldo nuk lejoi befasi.

    Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” realizoi dy gola të bukur për ta vulosur triumfin 4-1 dhe për t’i siguruar Al Nassr-it titullin e kampionit.

    Ky është trofeu i parë i Ronaldos në futbollin saudit, ndërsa ylli portugez do të synojë një tjetër sukses pas një muaji, kur me Portugalinë do të kërkojë triumfin në Kupën e Botës.

  • Ousmane Dembélé konfirmon qëndrimin te PSG: Do të jem këtu edhe sezonin e ardhshëm

    Ousmane Dembélé konfirmon qëndrimin te PSG: Do të jem këtu edhe sezonin e ardhshëm

    Ousmane Dembélé i ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij te Paris Saint-Germain, duke konfirmuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe sezonin e ardhshëm.

    Ylli francez ishte vënë në qendër të diskutimeve për shkak se ende nuk ka arritur marrëveshje me “Parisienët” për rinovimin e kontratës, pasi raportohet se kërkon një rritje të konsiderueshme page. Megjithatë, Dembélé e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga “Parku i Princave”.

    “Ka 100 për qind shanse që të jem te PSG sezonin e ardhshëm”, deklaroi fituesi i Topit të Artë gjatë paraqitjes si mysafir special në emisionin “Rothen s’enflamme”.

    Sulmuesi francez theksoi se ndihet shumë mirë në klub dhe se marrëdhëniet me të gjithë janë pozitive.

    “Kam ende dy vite kontratë. Gjithçka po shkon shumë mirë në klub. Ndihem shumë mirë me të gjithë, qoftë me stafin, lojtarët, presidentin apo me pjesën tjetër të klubit”, u shpreh ai.

    29-vjeçari nuk e përjashtoi as mundësinë e rinovimit të kontratës në të ardhmen.

    “Rinovim? Do ta shohim. Nëse klubi më ofron kontratë, do të qëndroj dhe do të jem i lumtur këtu. Shpresoj që gjithçka të vazhdojë kështu”, përfundoi Dembélé

  • Republika Çeke publikon listën për miqësoren ndaj Kosovës

    Republika Çeke publikon listën për miqësoren ndaj Kosovës

    Republika Çeke e ka bërë publike listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen miqësore ndaj Kosovës.

    Kosova në fund të këtij muaji do të jetë mysafire e çekëve, të cilët po përgatiten për kualifikimet dhe paraqitjet drejt Kupës së Botës 2026.

    Federata çeke tashmë ka zbuluar emrat e lojtarëve të grumbulluar, ku në listë bëjnë pjesë edhe tre futbollistë të Hoffenheimit: Vladimir Coufal, Robin Hranac dhe Adam Hlozek. Ata janë bashkëlojtarë me futbollistët kosovarë Leon Avdullahu, Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.

    Në anën tjetër, lista e Kosovës pritet të publikohet në ditët në vijim. Mbetet të shihet nëse përzgjedhësi Franco Foda do t’u besojë lojtarëve kryesorë apo do t’u japë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj në këtë përballje miqësore.

  • Napoli intensifikon kontaktet me Masimiliano Allegrin-Antonio Conte pranë largimit

    Napoli intensifikon kontaktet me Masimiliano Allegrin-Antonio Conte pranë largimit

    Raportimet në Itali po shtohen se Massimiliano Allegri është në listën e ngushtë të Napolit për ta zëvendësuar Antonio Conten, ndërsa drejtori sportiv Giovanni Manna thuhet se ka udhëtuar drejt Milanos për një takim me trajnerin italian.

    Conte ka lënë sinjale të forta se do të largohet në fund të sezonit, ndërsa “Sky Sport Italia” raporton se në qendrën stërvitore të klubit është organizuar edhe një barbecue, që është interpretuar si një lloj “lamtumire” për trajnerin.

    Edhe pse Maurizio Sarri mbetet një nga kandidatët kryesorë për stolin e Napolit, zërat për Allegrin po rriten me shpejtësi. Dy palët kishin pasur kontakte edhe verën e kaluar, përpara se Conte të vendoste të vazhdonte aventurën e tij me klubin napolitan.

    Me tensionet në rritje te Milani dhe pasigurinë rreth projektit sportiv, Napoli po tenton seriozisht ta bindë Allegrin të transferohet në “Stadio Diego Armando Maradona”.

    Sipas “Corriere della Sera”, presidenti Aurelio De Laurentiis e ka dërguar Giovanni Mannan në Milano, ku gjatë ditëve të fundit është zhvilluar një darkë me Allegrin për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.

    Manna dhe Allegri njihen mirë nga periudha kur kanë punuar së bashku te Juventusi, ndërsa oferta e Napolit raportohet të jetë e ngjashme me atë të verës së kaluar: një kontratë dyvjeçare.

    Në anën tjetër, Milani mbetet i interesuar për Allegrin, por trajneri kërkon garanci konkrete në merkato përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij.

    Sipas raportimeve, Allegri nuk është i gatshëm të vazhdojë nëse Zlatan Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani do të vazhdojnë të kenë ndikim dominues në strategjinë sportive të klubit.

  • FIFA po shqyrton zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 66 ekipe

    FIFA po shqyrton zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 66 ekipe

    Skena më e madhe e futbollit mund të jetë pranë transformimit më radikal deri më tani, pasi propozime të reja për zgjerimin e Kupës së Botës 2030 janë rikthyer në tryezën e FIFA-s.

    Pavarësisht se turneu i vitit 2026 tashmë është zgjeruar në 48 përfaqësuese, drejtuesit e futbollit botëror po diskutojnë një hap edhe më të madh: kalimin në një format me 66 ekipe.

    Teksa bota e futbollit po përgatitet për Kupën e Botës së parë me 48 skuadra, e cila do të mbahet në Amerikën e Veriut, FIFA po mendon edhe më larg. Sipas mediumit spanjoll AS, propozimi për zgjerimin e Botërorit 2030 në 66 ekipe ka marrë vrull të konsiderueshëm gjatë javëve të fundit.

    Ideja u sugjerua fillimisht nga CONMEBOL, me synimin për të rritur aksesin në nivelin elitar të futbollit botëror. Ajo që dikur konsiderohej si një propozim tepër radikal, tashmë po merret seriozisht nga disa federata anëtare të FIFA-s.

    Hierarkia e FIFA-s, e udhëhequr nga Gianni Infantino, po e sheh zgjerimin si një mënyrë për të promovuar përfaqësim më të madh dhe pluralitet në futbollin ndërkombëtar. Infantino e ka përshkruar shpesh Kupën e Botës si një festë globale, ndërsa një format me 66 skuadra do t’u ofronte vendeve që nuk kanë marrë pjesë kurrë më parë në Botëror një mundësi më reale për kualifikim.

    Me edicionin e vitit 2026 që pritet të sjellë debutues si Kepi i Gjelbër, Curacao, Uzbekistani dhe Jordania, dëshira për një listë më të gjerë pjesëmarrësish po rritet edhe brenda vetë FIFA-s.

    Kupa e Botës 2030 aktualisht është planifikuar të organizohet kryesisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshje simbolike do të zhvillohen edhe në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai.

    Megjithatë, një zgjerim i tillë do të sillte sfida të mëdha organizative dhe do të ushtronte presion të jashtëzakonshëm mbi infrastrukturën dhe logjistikën e turneut.

    Edhe pse plani zyrtar mbetet ende në 48 ekipe, FIFA nuk pritet ta finalizojë plotësisht strukturën organizative deri pas finales së Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet më 19 korrik

  • Neymar pëson një tjetër lëndim te Santos, por pritet të jetë gati për Brazilin

    Neymar pëson një tjetër lëndim te Santos, por pritet të jetë gati për Brazilin

    Superylli brazilian Neymar ka pësuar një tjetër goditje në aspektin e lëndimeve te Santos, vetëm disa ditë pasi u përfshi në listën e kombëtares së Brazilit për Kupën e Botës 2026.

    Sulmuesi u diagnostikua me një problem në pulpë, duke ngritur menjëherë shqetësime për gatishmërinë e tij për turneun që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut. Santos ka konfirmuar se Neymar po vuan nga një lëndim i lehtë në pulpë, pasi testet mjekësore zbuluan një edemë 2-milimetra në pulpën e djathtë. Problemi u njoftua të mërkurën nga departamenti mjekësor i klubit.

    Koha nuk është ideale për 34-vjeçarin, i cili vetëm së fundmi është rikthyer në grumbullimin e Brazilit pas një rikuperimi të gjatë nga dëmtimi i rëndë në gju që pësoi në vitin 2023. Neymar tashmë ka munguar në përballjen e Santosit në Copa Sudamericana ndaj San Lorenzos dhe pritet të mungojë edhe në ndeshjen e ardhshme të kampionatit kundër Gremios.

    Sulmuesi është në garë me kohën për t’u rikuperuar para se të paraqitet në grumbullimin e Brazilit më 27 maj. Si Santos, ashtu edhe Federata Braziliane e Futbollit (CBF), po e monitorojnë nga afër progresin e tij.

    Rodrigo Zogaib, shefi i ekipit mjekësor të Santosit, këmbënguli se lëndimi nuk konsiderohet serioz dhe shprehu besimin se Neymar do të jetë i gatshëm për Brazilin javën e ardhshme.

    “Neymar ka një lëndim të lehtë në pulpë, një edemë. Por, sipas planifikimit tonë, progresi i tij do ta lejojë të jetë i gatshëm javën e ardhshme, kur do t’i bashkohet kombëtares”, deklaroi ai.

  • Jurgen Uldedaj mbron titullin botëror IBO ndaj sfiduesit të pamposhtur Muhsin Cason

    Kampioni shqiptar i IBO-së, Jurgen Uldedaj, do të përballet me sfiduesin e pamposhtur Muhsin Cason në një nga duelet më të mëdha të vitit në kategorinë cruiserweight.

    Boksieri shqiptar do të rikthehet në ring më 30 maj për ta mbrojtur titullin botëror IBO në një duel që pritet të tërheqë vëmendjen e gjithë botës së boksit. Ndeshja do të zhvillohet në OVO Arena Wembley në Londër, në një event që organizatorët e kanë cilësuar si një nga përballjet më të forta të vitit në kategorinë cruiserweight. Të dy boksierët hyjnë në ring me objektiva të mëdha dhe me presion të lartë mbi supe.

    Jurgen Uldedaj vjen në këtë duel pas paraqitjeve të fuqishme që e çuan drejt titullit botëror, duke u shndërruar në një nga emrat më të përfolur në arenën ndërkombëtare të boksit profesionist. Ai synon të mbajë titullin dhe të konfirmojë dominimin e tij në kategorinë cruiserweight.

    Nga ana tjetër, Muhsin Cason konsiderohet një kundërshtar tepër i rrezikshëm. Ende pa humbje në karrierën e tij profesionale, Cason ka ambicien për të rrëmbyer titullin në një nga skenat më prestigjioze të Evropës, duke premtuar një duel spektakolar dhe plot emocione për fansat e boksit.

    Ky përballje pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të vitit në boks, ku dy boksierët më të mirë të kategorisë cruiserweight do të luftojnë për dominimin absolut.