ATV

Aro Muric shkëlqen ndaj Napolit, merr notën perfekte 10.0 pas paraqitjes madhështore

Written by

in

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muric, ka dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme në fanellën e Sassuolos, duke qenë vendimtar në barazimin 0:0 ndaj Napolit.

Gardiani dardan ishte protagonisti kryesor i skuadrës së tij, duke ia mohuar disa herë golin Napolit dhe duke i siguruar Sassuolos një pikë të rëndësishme përballë kampionëve italianë, ku aktivizohet edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.

Muric ishte në një ditë fantastike, duke regjistruar plot shtatë pritje, pesë prej të cilave pas goditjeve brenda zonës së rreptësisë. Përveç kësaj, portieri kosovar regjistroi edhe 16 rikuperime të topit, duke dëshmuar ndikimin e tij të madh në lojën e skuadrës.

Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vënë re nga platforma e statistikave “Sofascore”, e cila e vlerësoi me notën perfekte 10.0. Në anën tjetër, Amir Rrahmani u vlerësua me notën 7.4.

Kjo paraqitje vjen në një moment të rëndësishëm për Muricin, i cili gjatë javëve të fundit ishte përballur me kritika për shkak të disa paraqitjeve jo bindëse me skuadrën italiane. Madje, edhe trajneri i Sassuolos i kishte bërë thirrje publike që të reagonte dhe të rikthehej në nivelin e tij më të mirë.

Kohëve të fundit kishte pasur edhe raportime se Sassuolo mund ta shqyrtonte mundësinë e shitjes së portierit kosovar. Megjithatë, nëse Muric vazhdon me paraqitje të tilla, një skenar i tillë mund të bëhet gjithnjë e më pak i mundshëm.

Me pritjet e tij vendimtare ndaj Napolit, Muric ka dhënë një përgjigje të fortë ndaj kritikave, duke dëshmuar se mbetet një nga pikat më të rëndësishme të Sassuolos.