Gjilani ka triumfuar në derbin ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në kuadër të javës së 13-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke arkëtuar tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.
Skuadra gjilanase e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 11-të. Arjol Bllaca përfitoi nga asistimi i Ardian Limanit dhe realizoi për 1-0.
Malisheva reagoi menjëherë në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 47-të, Valmir Nafiu, pas asistimit të Rimal Haxhiut, shënoi për 1-1, duke rikthyer baraspeshën.
Mysafirët patën mundësinë e artë për ta përmbysur rezultatin në minutën e 73-të, kur fituan një penallti. Megjithatë, Valmir Nafiu nuk arriti ta shfrytëzonte këtë rast, pasi portieri Marijan Coric u tregua i shkëlqyer duke ia pritur goditjen nga pika e bardhë.
Ky rast i humbur u kushtoi shtrenjtë mysafirëve, pasi vetëm pesë minuta më vonë Gjilani riktheu epërsinë. Në minutën e 78-të, Arjol Bllaca realizoi golin e dytë personal për rezultatin 2-1.
Vendasit vazhduan të sulmonin dhe në minutën e 87-të shënuan edhe golin e tretë. Kësaj radhe Bllaca ishte në rolin e asistuesit, duke shërbyer për Bleart Tolajn, i cili realizoi për 3-1.
Malisheva nuk u dorëzua dhe në minutën e 92-të arriti ta ngushtonte epërsinë në 3-2 përmes Xhemajl Ibishit. Megjithatë, koha nuk mjaftoi për mysafirët që të shmangnin humbjen.
Me këtë fitore, Gjilani shkon në kuotën e 22 pikëve dhe ngjitet në pozitën e katërt në tabelën e klasifikimit.
Në anën tjetër, Malisheva mbetet në vendin e dytë me 27 pikë, dy më pak se liderja Prishtina, e cila ka 29 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
