ATV

Kosova shkëlqen në Kupën Botërore WAKO, Nart Kastrati fiton argjendin dhe Art Dulaj bronzin

Written by

in

Kikboksierët e Kosovës, Nart Kastrati dhe Art Dulaj, kanë shënuar sukses në Kupën Botërore WAKO, duke fituar dy medalje në garën ndërkombëtare të mbajtur nga 13 deri më 18 tetor në Tashkent të Uzbekistanit.

Nart Kastrati u stolis me medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 81 kilogramë, pasi arriti deri në finalen e garës. Ndërkohë, Art Dulaj siguroi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 67 kilogramë, duke i dhuruar Kosovës një tjetër rezultat të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të kikboksit.

Sipas njoftimit të Federatës së Kikboksit të Kosovës, në këtë ngjarje të madhe sportive morën pjesë mbi 2.530 sportistë dhe anëtarë të delegacioneve nga më shumë se 48 shtete.

Kosova u përfaqësua nga një delegacion prej tre anëtarësh, i udhëhequr nga presidenti i Federatës së Kikboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, së bashku me dy garuesit, Nart Kastrati dhe Art Dulaj.

Presidenti i Federatës së Kikboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, e vlerësoi lart suksesin e dy sportistëve, duke theksuar rëndësinë e veçantë të medaljeve të fituara në Uzbekistan, shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Arritjet e Kastratit dhe Dulajt përbëjnë një tjetër dëshmi të paraqitjeve të sportistëve kosovarë në garat ndërkombëtare, duke e përfaqësuar vendin me dinjitet në një kompeticion me pjesëmarrje të gjerë.

Me medaljen e argjendtë të Nart Kastratit dhe atë të bronztë të Art Dulajt, Kosova e mbyll me sukses pjesëmarrjen në Kupën Botërore WAKO, duke shtuar dy medalje të reja në bilancin e saj sportiv ndërkombëtar.