ATV

Tag: ZRRE

  • Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    E mërkura e 27 Marsit ishte afati i fundit për zbatim të vullnetshëm të aktgjykimit për kompensimin e konsumatorëve nga 34 komuna për dëmin e shkaktuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike, si mbulesë për veriun.

    Aktgjykimi i vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese, obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji që të detyrojë KEDS-in që t’u kthejë konsumatorëve shumën shtesë të faturuar “në afat prej 15 ditësh nga momenti i pranimit të aktgjykimit, nën pasojat e ekzekutimit me detyrim”.

    Në ZRRE përsëritën se janë duke punuar për gjetjen e një forme të përshtatshme, dhe në pajtim me ligjin, për kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.

    Edhe pse e vlerëson vendim të drejtë, juristi Valdet Hoxha vlerëson se zbatimi mund të marrë më shumë kohë për shkak të ndërlikueshmërisë.

    “Por, një vendim i tillë është vështirë i implementueshëm, sepse ka specifika të veçanta dhe nuk dihet shuma e saktë e cila i është ngarkuar qytetarit, në këtë rast konsumatorëve shqiptarë. Por, besoj në vullnetin e mirë të ZRRE-së dhe KEDS-it për t’i kompensuar qytetarët. Në të kundërtën kam frikë se qytetarët do të detyrohen, që përmes padive individuale dhe angazhimit të ekspertëve financiarë t’i realizojnë të drejtat e tyre përmes gjykatës kompetente”, deklaroi avokati Valdet Hoxha.

    Ekspertë të sektorit energjisë kanë përmendur të paktën tri forma: kompensimin direkt në fatura; përshtatjen në tarifa; dhe, subvencionimin nga Qeveria.

    Nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët nga 34 komuna, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët nga Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kjo ndryshoi më 2017, kur barra i kishte kaluar KOSTT-it.

    Në një llogaritje jo-zyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro./atvlive.tv/

  • KESCO kërkon ngritje të tarifave për energji elektrike, ZRrE-ja pritet të vendosë në mars

    KESCO kërkon ngritje të tarifave për energji elektrike, ZRrE-ja pritet të vendosë në mars

    Kompania kosovare për furnizim me energji elektrike – KESCO – i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit ngritje të serishme të tarifave.

    Në aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin tarifor 2024-25, për mbulimin e të cilave barrën kryesore e kanë konsumatorët fundor, KESCO ka kërkuar që Rregullatori t’i aprovojë të hyra më ta larta sesa aktualet.

    Mes tjerash në arsyetimin e rritjes eventuale te kostove, kjo kompani përmend propozimin e KEK-ut për rritje të çmimit të furnizimit me shumicë në 31.5 euro për megavat orë.

    “Pa paragjykuar arsyeshmërinë e ofertës, me aplikimin e çmimeve të propozuar nga KEK kostot për konsumatorët fundor do të rriten për 6 milion €, apo një rritje prej 2% të MAR”, thuhet në aplikimin e KESCO-s.

    Në kontekstin e rritjes së kostove, KESCO flet për ndikimet e nevojës për import të energjisë.

    Pas shqyrtimit të aplikimeve të pranuara nga KESCO, KEDS dhe KOSTT, Zyra e Rregullatorit për Energji duhet të përpilojë raportin konsultativ i cili do të qartësojë nëse një kërkesë e tillë do të përfillet.

    Në KESCO nuk u përgjigjën lidhur me këtë çështje. Por, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, e vlerëson të dëmshme ngritjen eventuale të tarifave.

    “Sa pashë kostoja u rritë për shkak të importit. Sa i përket përballueshmerisë, duhet të bëhet analizë. E vetmja formë që nëse vërtetohet se tarifa nuk është e përballueshme, është subvencionimi i tarifës. Por kjo është me rrisk të lartë, sepse nënkupton se është rritje artificiale, që nënkupton se në të ardhmen ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm të tregut”, thotë Bujupi.

    Ai nuk përjashton mundësinë e që ZRrE-ja të refuzojë këtë kërkesë.

    “Është mirë të pritet vendimi i ZRRE-së. në të kaluarën KESKO ka prezantuar koston e tyre, por ZRRE ka vendosur ndryshe. Kështu, pas vendimit të ZRRE-së shpjegohet rritja e tarifave”, shtoi tutje ai.

    Vendimi përfundimtar nga Rregullatori pritet të nxirret para fundit të muajit Mars.
    Në dy shqyrtimet e fundit, 2022 dhe 2023, janë ngritur tarifat e energjisë./atvlive.tv/

  • KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj ka dalur me një reagim në të cilin thotë se ZRRE është keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar dhe bizneseve duke legjitimuar vjedhjen përmes faturave.

    Sipas KMDLNJ-së, ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë, referuar çështjes së pagesës së faturave të rrymës nga ana e banorëve të veriut.

    Për më shumë, ja reagimi i plotë:

    ”ZRRE, pas përfundimit të luftës, që nga koha kur u themelua ishte keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar si dhe i bizneseve duke përligjur vjedhjen klasike përmes fryerjes së faturave me ç’rast e pësonin paguesit e rregullt të energjisë elektrike ndërsa përfitonin qytetarët e veriut të Kosovës që deri më sot nuk e kanë paguar asnjë cent për rrymën e shpenzuar.

    Mjetet e grumbulluara përmes veprës penale (vjedhjes përmes fryrjes së faturave) ndaheshin për strukturat paralele në veri ku lulëzonte biznesi me kryptovaluta dhe kultivimi i lëndëve narkotike për çka duhej një sasi e madhe e rrymës. Pas ankesave të shumta të qytetarëve, KMDLNj–ë ka reaguar rregullisht për të sinjalizuar këtë plaçkitje të kundërligjshme duke kërkuar që të ndërpritet me këtë praktikë të mbrapshtë dhe të bëhet zhdëmtimi i qytetarëve për dëmet e shkaktuara.

    Fillimisht nga ZRRE dhe Operatori mohohej ky veprim i kundërligjshëm deri në kohën kur edhe Avokati i Popullit bëri një reagim duke e dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni përkatës parlamentar pati konstatuar se ka shkelje mirëpo nuk kishte bërë asgjë ta ndërpresë plaçkitjen dhe të propozojë masa kundër keqbërësve. Përveç kësaj, të gjitha qeveritë e pasluftës përfshirë edhe qeveritë Kurti 1 dhe Kurti 2 kanë ndarë mjete të konsiderueshme, dhjetëra miliona euro brenda një viti kalendarik për ta paguar rrymën për veriun e Kosovës.

    Qytetarët e veriut të Kosovës përveç rrymës nuk kanë paguar as faturat e ujit, mbeturinave e as tatimin në pronë e që nuk i paguajnë as sot e kësaj dite. KMDLNj në një takim pati kërkuar nga kryeministri Haradinaj që të ushtrojë autoritetin dhe ta ndërpres pagesën e rrymës për veriun e Kosovës sikur që qytetarët e Kosovës, pagues të rregullt të kompensohen për dëmet e shkaktuara. Ishte një lëvizje e vogël por që shpejtë u harrua duke vazhduar me praktikën e vjetër, pagesën e rrymës për veriun nga Buxheti i Kosovës ndërsa fryrja e faturave ishte ndërprerë.

    Së fundi Gjykata Supreme e Kosovës mori vendim që ZRRE të urdhërojë operatorin aktual të energjisë elektrike të kompensojë qytetarët e dëmtuar për mjetet e plaçkitura dhe Rregullatori i Energjisë Elektrike për të fituar kohë, me një mentalitet prej kusari që e kishte përdorur gjatë tërë këtyre viteve, po përpiqet të gjejë mënyra të shmangë pagesën e kompensimit duke deklaruar se për faktin se nuk e kanë të qartë se si duhet të kompensohen qytetarët, e kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën kërkohen sqarime se si do të kompensohen qytetarët.

    Blerje tipike e kohës.

    ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovës dhe praktikuesi më i madh i diskriminimit për faktin se qytetarët e Kosovës nuk i trajton si konsumatorë që duhet të paguajnë për rrymën e shpenzuar por i keqtrajton ekskluzivisht në baza etnike dhe sipas oportunitetit politik. Blerja e kohës nënkupton se qytetarët do të lodhen nga kërkesa e tyre e drejtë për kompensim dhe se kjo çështje pas një kohe do të harrohet.

    Caktimi i modalitetit të kompensimit, dinamika e kompensimit i futë qytetarët në një labirint burokratik dhe përfitues të vetëm këtu do të jenë, ZRRE, si organizatë e strukturuar kriminale si dhe Operatori aktual që pamëshirshëm i plaçkitë konsumatorët përmes rritjes së çmimit të rrymës në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të mëdha të natyrës ekzistenciale.

    Reduktimet e paralajmëruara që po arsyetohen se janë shkaku i prishje në fakt është se rryma po iu shitet vendeve të rajonit që po kanë mungesë të energjisë elektrike.

    KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kërkojnë kompensim përmes padive individuale dhe të mos heqin dorë nga realizimi i kësaj të drejte që me vendimin e saj ua ka njohur edhe Gjykata Supreme e Kosovës. KMDLNj –ë do t’i përkrahë qytetarët e Kosovës që kërkojnë kompensim sikur që kërkon përgjegjësi ligjore për abuzuesit me të drejtat e njeriut përmes plaçkitjes së buxhetit familjar në dobi të një pale tjetër, qytetarëve të veriut të Kosovës”.

  • Del raporti i ZRRE – zbulohet pse u dënua KEK me 3.2 milionë euro

    Del raporti i ZRRE – zbulohet pse u dënua KEK me 3.2 milionë euro

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka gjobitur me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Vendimi është marrë të premten, në seancën e IV-ët të Bordit për këtë vit.

    “Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE.

    Në raportin e zbuluar nga ZRRE, zbulohet se KEK ka nënshkruar Kontratë Kornizë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrarne d.o.o” e cila nuk ka pasur licencë që i njihet në Kosovë.

    “KEK ka nënshkruar Kontrata Kornizë me ndërmarrjet tё cilat nuk janë tё licencuara nё Kosovё, respektivisht nuk i njihet licenca e lёshuar nga vendet pёrkatёse, sipas parimit tё reciprocitetit. Bazuar nё kёtё tё gjetur, KEK nuk ka vepruar nё pajtueshmёri me neni 28, par.1 dhe par. 2 dhe neni 30, par.1 tё Ligjit pёr Rregullatorin e Energjisё, neni 32, par.3 tё Ligjit për Energjinë Elektrike, neni 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 tё Rregullave tё Tregut, neni 8, par. 1 tё Procedurёs pёr Tregtimin e Energjisё Elektrike”, thuhet në raportin e ZRRE.

    Sipas raportit, bazuar në legjislacionin në fuqi, aktiviteti i furnizimit dhe tregtimit me energji elektrike mund të ushtrohen vetëm me Licensë të lëshuar nga ZRRE për subjektet juridike që janë të regjistruara në Kosovë, duke përfshirë edhe mundësinë që sipas parimit të reciprocitetit këto aktivitete të lejohen edhe pa Licensat e ZRRE-së.

  • KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i ende nuk është deklaruar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme, që e detyron atë t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për dëmin nga faturimi shtesë për katër komunat në veri, në vlerë 40.8 milionë euro, në periudhën 2012-2017.

    Zyra e Rregullatorit, e cila ka rreth dy javë kohë të caktojë formën e kompensimit, nuk ka dhënë detaje pos konfirmimit fillestar të pranimit të vendimit.

    Kompensimi në faturat e ardhshme, sipas ekspertit të energjisë Visar Azemi, është opsioni më i mundshëm.

    “Unë e shoh më reale që kjo kosto të shkëputet nga faturimi, pra të do të ketë minusim në faturat e energjisë elektrike për muajt në vazhdim. Kjo do jetë ndoshta situata më reale, jo të tërhiqen para kesh”, tha njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi.

    Pavarësisht se aktgjykimi i Supremes detyron KEDS-in ta bëjë kompensimin, sipas tij, fakti se faturimi ishte kryer me vendim të ZRRE-së mund të përfshijë edhe Qeverinë në diskutime.

    “Nuk mund të themi që gjithçka përfundon me këtë vendim të gjykatës dhe KEDS-i është i obliguar t’i paguaj ato. KEDS-it iu është dhënë kjo mundësi me anë të marrëveshjes që ka pasur me ZRRE-në. Tani ajo është hudhë poshtë, ato mjete duhet t’i kompensojë dikush”, tha Azemi.

    Për pesë vjet e tetë muaj, nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët e 34 komunave, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Në një llogaritje jozyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro. /atvlive.tv

  • Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi, në një lidhje direkte në emisionin DIREKT në ATV, tha se vendimi i Gjykatës Supreme që KEDS të kompensojë konsumatorët, duke ua kthyer borxhin prej rreth 41 milionë eurosh për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë e Kosovës, transmeton atvlive.tv.

    “Ky vendim do ta nxisë një reagim tjetër sepse KEDS në këtë rast duhet t’i gjejë paratë dikah për t’i kthyer te qytetarët, ose për t’i kompensuar ata dhe këtu varet kryesisht nga vendimi të cilin do ta marrë Qeveria, në fakt me hapat e mëtejshëm me KEDS sepse këto para duhet të vijnë dikah. Një situatë e tillë e krijuar tani pretendon që ato mjete duhet të kthehen te qytetarët, duhet të kompensohen nga KEDS. Kjo i bie që KEDS të nxerrë nga kuleta e saj 41 milionë euro që do të regjistrohen si humbje për KEDS-in dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm ata ta zbatojnë një gjë të tillë, përkundër faktit se vendimi i Supremes është vendim i prerë”, tha Azemi.

    Ai tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i prerë, i cili duhet të zbatohet, ndërsa KEDS tani gjendet në një situatë të vështirë pasi që rrezikon falimentimin.

    “Kjo do e implikojë Qeverinë e Kosovës medoemos për të diskutuar, analizuar veprimet e mëtejshme sepse një vendim i Supremes duhet në fund të ditës të zbatohet dhe qytetarët duhet të kompensohen ashtu siç e ka dhënë verdiktin Supremja, por se nga do të vijnë këto mjete, nga do të vijnë këto para, ajo mbetet tash të shihet në KEDS dhe Qeverinë e Kosovës. Kjo mund edhe ta falimentojë kompaninë që është një situatë e re e krijuar dhe mund të jetë e tillë, por varet se çfarë disponimi do të ketë Qeveria e Kosovës”, tha Azemi.

    Kujtojmë se Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv

  • Supremja vendos që KEDS të kompensojë konsumatorët – Vendimi u mor në mars, por u publikua vetëm pas kërkesës së ATV-së

    Supremja vendos që KEDS të kompensojë konsumatorët – Vendimi u mor në mars, por u publikua vetëm pas kërkesës së ATV-së

    Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    Me aktgjykimin e shkallës më të lartë, vërtetohet se ZRRE-ja jashtëligjshëm u vendosi qytetarëve të 34 komunave barrën për katër komunat në veri.

    ATV ka siguruar vendimin e Gjykatës Supremes, me të cilin e detyron KEDS-in që t’ua kthejë konsumatorëve 40.8 milionë euro, për faturimin shtesë prej 3.5% për në katër komunat më shumicë serbe në veri – në periudhën 2012-2017.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv