ATV

Tag: Visar Azemi

  • Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Qeveria Kurti nuk ka dije minimale, vizion, kapacitet e plan për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, duke iu referuar faturave të larta të energjisë elektrike.

    Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë, Visar Azemi tha se për shkak të pa aftësisë së qeverisë Kurti, qytetarët po detyrohen të paguajnë shifra marramendëse e të pa përballueshme të faturat e energjisë elektrike.

    Ai tha se kjo qeveri për tre vite nuk ka rritur për asnjë megavat kapacitetet e rigjenerimit të energjisë elektrike.

    Azemi potencoi se nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten dhe do të flisnin lidhur me këtë situatë, do ta quante atë “një mashtrues tipik e klasik”.

    Tutje, ai tha se kjo qeveri nuk ka përvojë për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, derisa shtoi se si LDK, janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë.

    Sipas tij, ndërtimi i centralit të gazit amerikan, rehabilitimi i centralit Kosova B, përqendrimi tek energjia e ripërtrishme, ulja e TVSh-së në zero për qind për faturat e energjisë elektrike, e të tjera do të ishin veprimet që do të kishte bërë LDK-ja për ta zgjidhur këtë çështje.

  • KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i në heshtje, ZRRE-ja duhet të vendosë për formën e kompensimit

    KEDS-i ende nuk është deklaruar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme, që e detyron atë t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për dëmin nga faturimi shtesë për katër komunat në veri, në vlerë 40.8 milionë euro, në periudhën 2012-2017.

    Zyra e Rregullatorit, e cila ka rreth dy javë kohë të caktojë formën e kompensimit, nuk ka dhënë detaje pos konfirmimit fillestar të pranimit të vendimit.

    Kompensimi në faturat e ardhshme, sipas ekspertit të energjisë Visar Azemi, është opsioni më i mundshëm.

    “Unë e shoh më reale që kjo kosto të shkëputet nga faturimi, pra të do të ketë minusim në faturat e energjisë elektrike për muajt në vazhdim. Kjo do jetë ndoshta situata më reale, jo të tërhiqen para kesh”, tha njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi.

    Pavarësisht se aktgjykimi i Supremes detyron KEDS-in ta bëjë kompensimin, sipas tij, fakti se faturimi ishte kryer me vendim të ZRRE-së mund të përfshijë edhe Qeverinë në diskutime.

    “Nuk mund të themi që gjithçka përfundon me këtë vendim të gjykatës dhe KEDS-i është i obliguar t’i paguaj ato. KEDS-it iu është dhënë kjo mundësi me anë të marrëveshjes që ka pasur me ZRRE-në. Tani ajo është hudhë poshtë, ato mjete duhet t’i kompensojë dikush”, tha Azemi.

    Për pesë vjet e tetë muaj, nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët e 34 komunave, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Në një llogaritje jozyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro. /atvlive.tv

  • Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

    Njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi, në një lidhje direkte në emisionin DIREKT në ATV, tha se vendimi i Gjykatës Supreme që KEDS të kompensojë konsumatorët, duke ua kthyer borxhin prej rreth 41 milionë eurosh për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë e Kosovës, transmeton atvlive.tv.

    “Ky vendim do ta nxisë një reagim tjetër sepse KEDS në këtë rast duhet t’i gjejë paratë dikah për t’i kthyer te qytetarët, ose për t’i kompensuar ata dhe këtu varet kryesisht nga vendimi të cilin do ta marrë Qeveria, në fakt me hapat e mëtejshëm me KEDS sepse këto para duhet të vijnë dikah. Një situatë e tillë e krijuar tani pretendon që ato mjete duhet të kthehen te qytetarët, duhet të kompensohen nga KEDS. Kjo i bie që KEDS të nxerrë nga kuleta e saj 41 milionë euro që do të regjistrohen si humbje për KEDS-in dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm ata ta zbatojnë një gjë të tillë, përkundër faktit se vendimi i Supremes është vendim i prerë”, tha Azemi.

    Ai tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i prerë, i cili duhet të zbatohet, ndërsa KEDS tani gjendet në një situatë të vështirë pasi që rrezikon falimentimin.

    “Kjo do e implikojë Qeverinë e Kosovës medoemos për të diskutuar, analizuar veprimet e mëtejshme sepse një vendim i Supremes duhet në fund të ditës të zbatohet dhe qytetarët duhet të kompensohen ashtu siç e ka dhënë verdiktin Supremja, por se nga do të vijnë këto mjete, nga do të vijnë këto para, ajo mbetet tash të shihet në KEDS dhe Qeverinë e Kosovës. Kjo mund edhe ta falimentojë kompaninë që është një situatë e re e krijuar dhe mund të jetë e tillë, por varet se çfarë disponimi do të ketë Qeveria e Kosovës”, tha Azemi.

    Kujtojmë se Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

    Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

    Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

    Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

    Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv