ATV

Tag: Veri

  • Granata dore e zollë, detaje nga sulmi në veri ku mbeti i vrarë një polic

    Granata dore e zollë, detaje nga sulmi në veri ku mbeti i vrarë një polic

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Lajmi është dhënë nga kryeministri Albin Kurti përmes rrjeteve sociale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore. Policia ka dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

    Sipas kronologjisë, ngjarja ka rrjedhur kështu: Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion, pa targa, dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhej, pasi e njëjta ishte bllokuar.

    Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

    Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

    Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

    Policia njofton se të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

    “Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor”, thotë policia.

  • Raportohet për një shpërthim në veri

    Raportohet për një shpërthim në veri

    Një shpërthim i fuqishëm ka dridhur mbrëmë në ora 12:50 veriun e Mitrovicës.

    Banorët e lagjes “Tre Rrokaqiejt” ku ndodhi shpërthimi thanë për “Mitropol” se ky ishte shpërthimi më i fuqishëm që ka ndodhur gjatë viteve të fundit dhe dyshimet janë se është hedhur një granatë dore.

    Mjeti shpërthyer u hodh në drejtim të një veture të tipit ‘Shkoda’ e cila është djegur dhe ka shkaktuar tym të madh, me ç’rast është larguar nga vendi ku u djegur pas rreth një ore, në ora 01:50.

    Sipas asaj që raportuan banorët, shpërthimi ka ndodhur tek vendi që njihet si ‘Qershija’, apo ‘Teqja e Vjetër’.

    Pas shpërthimit dhe djegies së veturës, ekipe të rendit publik dhe ekipe nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kanë dalë të patrullojnë në rrugët e veriut të Mitrovicës.

  • Situatë jostabile në veri të Kosovës, Borell ekziston rreziku që të ketë përshkallëzim të situatës

    Situatë jostabile në veri të Kosovës, Borell ekziston rreziku që të ketë përshkallëzim të situatës

    Situata në veri të Kosovës mund të përkeqësohet.

    Sidomos, pas zgjedhjeve në katër komunat në këtë pjesë të vendit dhe pas vendimit të Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut për hapjen e urës së Ibrit.

    Këtë thotë se e ka parasysh edhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borell, teksa pohon se po mundohen t’i bindin palët ta shmangin përshkallëzimin e situatës.

    “Zgjedhjet nuk ofrojnë një zgjidhje politike afatgjatë, përkundrazi kanë potencialin të çojnë në përshkallëzim dhe të minojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Kjo nuk është ajo që ne duam të ndodhë, por ekziston një rrezik i madh, dhe për këtë arsye unë u kam kërkuar të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje që u mundëson serbëve të Kosovës të kthehen shpejt në institucionet, nga të cilat u larguan në nëntor të vitit të kaluar”, tha Borell.

    Zgjidhje nuk u gjet mbrëmë në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

    Në këtë takim, krahas kthimit të serbëve në institucione, sipas njohësve të sigurisë, kërkesë tjetër ka qenë edhe largimi i njësisë speciale nga veriu.

    “Çështja e kërkesës së Borellit është pika e tretë e kërkesës së listës serbe që nga pjesa veriore të minimizohen strukturat e sigurisë së shtetit të kosovës, pra njësitë speciale të largohen dhe pika e kontrollit mbi urën e bistricës, ajo të mënjanohet dhe kështu do t’i mundësohet aktivizimi i grupeve kriminale dhe vazhdimi i aktiviteteve të tyre”, tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, sipas një deputeti opozitar, çdo lloj tensioni në veri është i orkestruar nga dy liderët, pasi ashtu fitojnë poenë politikë.

    “Mbijetesa në politikë, edhe e Vucicit edhe e Kurtit është përmes krizave që do të ketë vazhdimisht në politikë, sepse veriu është burimi i qëndrimeve të tyre pseudo-patriotike dhe patetizimi patriotik për t’u mbajtur në pushtet. Serbisë dhe Vucicit nuk i konvenon themelimi i asociacionit të cilin ata e pretendojnë, atë të 2015-tës”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

    Për tejkalimin e situatës së krijuar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Aleksandër Vucic ka përmendur se janë dhënë propozime të cilat, sipas tij, nuk janë pranuar nga kryeministri Kurti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Digjen tri vetura në veri

    Digjen tri vetura në veri

    Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela njoftoi se edhe tri vetura të tjera janë djegur në veri të vendit, herët në mëngjes.

    Vela përmes një postimi në Twitter tha se po targetohen qytetarët, për të cilët Serbia po konsideron se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

    “Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tre makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po targetojnë serbët lokalë që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Çdo autor do të dalë para drejtësisë!”, ka shkruar Vela.

  • Plagosja në veri, Policia e Kosovës: Dyshohet se një zyrtar policor u përfshi në këtë rast

    Plagosja në veri, Policia e Kosovës: Dyshohet se një zyrtar policor u përfshi në këtë rast

    Mbrëmë u raportua për një rast të një personi të plagosur nga përfshirja me armë zjarri në veri të Mitrovicës, rast ky, për të cilin pati reagime të shumta, ndër to kur në mediat serbe u tha se në këtë rast ishte përfshirë një zyrtar policor i Kosovës.

    Lidhur me këtë, Policia e Kosovës përgënjeshtroi mediat serbe, duke deklaruar se nuk ka plagosur asnjëri.

    Mirëpo pasditen e sotme Policia e Kosovës ka reaguar përsëri.

    Sipas një komunikate për media, Policia e Kosovës, njoftoi se pas hetimeve të pandërprera dhe angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, dyshohet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri, shkruan atvlive.tv.

    “Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”, thuhet në komunikatë.

    Po ashtu, bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

    Tutje, Policia njoftoi se për këtë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, për procedura të mëtejme penale.

    “Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi. Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”, përfundon komunikata./atvlive.tv/