ATV

Tag: Velipojë

  • Vjeshta në Velipojë, plazhi plot me turistë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut

    Vjeshta në Velipojë, plazhi plot me turistë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut

    Edhe pse jemi në fund të muajit shtator, Velipoja vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në veri të vendit.

    Plazhi i gjatë, moti i ngrohtë dhe deti i pastër kanë bërë që pushuesit të mos i ndahen ende bregdetit shkodran. Përveç vizitorëve vendas, një numër i madh pushuesish ka mbërritur edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë ditë relaksi pranë detit.

    “Velipoja është më e mira në botë, me tërë të mirat. I dëshiroj çdo të mirë atyre që po na bëjnë respektin këto ditë. Na kanë pritur shumë mirë,” tha një pushuese.

    “Unë prej disa vitesh vij këtu. Boll e ndiej veten të lirë. Nuk kam frikë. Ajo është më kryesorja. Kemi respekt prej krejt,” u shpreh një tjetër pushuese për RTSH.

    Ky fluks në fund të sezonit tregon se Velipoja po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të qëndrueshëm turistik, ku sezoni i verës po zgjatet përtej muajit gusht, duke i dhënë gjallëri ekonomisë dhe jetës së zonës.

     

  • Plazhi i Velipojës, mrekullia e veriut të Shqipërisë

    Plazhi i Velipojës, mrekullia e veriut të Shqipërisë

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një prej rubrikave eksploruese në këtë emision është rubrika “Ku me shku n’det”, në të cilën çdo ditë për shikuesit sjellin nga një reportazh nga plazhet më të bukura shqiptare.

    Në emisionin e mbrëmshëm, ekipi i ATV-së bëri një vizitë në Velipojë.

    30 kilometra nga qyteti i Shkodrës, sot një nga qendrat turistike më të vizituara në pjesën veriore shqiptare.

    Është fshati Velipojë, një nga vendet më tërheqëse për turistët.

    Plazhi i Velipojës me ujin e tij të pastër dhe të kthjellët ndërthuret me gjelbërimin e pishave që pushtojnë gjithë bregdetin. Peizazhi i tij i bukur e bën për vete pushues të shumtë çdo vit.

    Për pushuesit, plazhi i Velipojës ofron rehati dhe siguri, madje për shumë nga ta, ky plazh mbetet i preferuari.

    Ekipi i ATV-së ka qëndruar në këtë vend turistik, ku ka takuar turistë të shumtë që kishin ardhur për të kaluar ditën nga qytete të ndryshme si të Kosovës, ashtu edhe viset e tjera shqiptare dhe diaspora në përgjithësi.

    “Jam nga Malësia e Madhe e Shkodrës. Jam me banim në Norvegji, po bëj rreth 32 vite që jam atje. Jam shumë i mirëpritur në zonën time, kam kënaqësi të madhe që të jetoj, të vij e të punoj këtu, megjithëse kam shumë vite që jam andej”, thotë një pushues. /atvlive.tv

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë: