ATV

Tag: Valon Syla

  • Sulmuesve të gazetarit Valon Syla iu ndërpritet paraburgimi, lihen në arrest shtëpiak

    Sulmuesve të gazetarit Valon Syla iu ndërpritet paraburgimi, lihen në arrest shtëpiak

    Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që të dyshuarve L.D., K.H., dhe O.K., për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, t’ua ndërpresë masën e paraburgimit dhe t’ua zëvendësojë me masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

    Ajo tha se gjyqtari i procedurës paraprake sot ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtëve i është caktuar masa e arrestit shtëpiak deri më 12 korrik 2023.

    “Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 12.05.2023 ka marr Aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, ashtu që të njëjtëve ju është zëvëndësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, arresti shtëpiak vazhdohet deri me datën 12.07.2023, tha Gashi.

    Zëdhënësja Gashi tha se gjykata ka detyruar policinë që ta verifikojë zbatimin e masës ndaj tre të dyshuarve.

    “Të pandehurit L.D, K.H dhe O.H janë njoftuar nga gjykata se konform nenit 181 pika 5 të KPPRK-së, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – masën e paraburgimit, nëse të njëjtit nuk e respektojnë masën e shqiptuar – arrestin shtëpiak. Gjykata ka detyruar Policinë e Kosovës, ta verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, të njoftohet gjyqtari i procedurës paraprake në këtë çështje penale. Masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, iu është caktuar në bazë të nenit 181 lidhur me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 të KPPRK-së”, tha Gashi.

    “Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”, përfundoi Gashi.

  • Naim Tërnava flet për sulmin ndaj Valon Sylës dhe për flamurin kombëtar

    Naim Tërnava flet për sulmin ndaj Valon Sylës dhe për flamurin kombëtar

    Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i pyetur rreth sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla, ka thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me fenë islame.

    Tërnava ka thënë se BIK është jetë kundër çfarëdo lloj dhune dhe kujdestare e fjalës e lirë, raporton Ekonomia Online.

    “Një duhet ditur dhe kuptuar që të gjithë Kurani është libër hyjnor i të Madhit Zot. I zbritur tek Muhamedi Alejhi Selam ai Kuran në mënyrë decidive shkruan nuk ka dhunë në fe dhe nga kjo kuptojmë se islami lufton çdo formë të dhunës qoftë ajo dhunë fizike dhunë psikologjike, verbale, materiale çfarëdo natyre qoftë ajo”.

    “Bashkësia Islame e Kosovës është dhe do të jetë kundër çfarëdo lloj dhune, qoftë asaj fizike që është e shprehur, ndaj kujtdo qoftë ajo. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi, do të përkrahë, do të jetë kujdestare e fjalës e lirë. Bashkësia Islame e Kosovës respekton dhe nderon mendimin ndryshe”, tha tutje Tërnava.

    Ndërsa, duke komentuar deklaratat e imamëve për simbolet kombëtare dhe flamurin, Tërnava ka thënë se ato janë simbole identifikimi e kombëtare.

    “Unë jam Myfti i Republikës dhe gjithherë bazohemi edhe në librin tonë të shenjtë Kuranin. Flamuri është një shenjtëri në fenë islame”.

    “Flamuri ka qenë dhe mbetet simbol identifikimi, përkatësisë tonë kombëtare dhe duhet ngulitur thellë në mendjen tonë. Ngase për flamurin tonë se në kontekstin me flamur kuptojmë vendin, kuptojmë ardhmërinë, është një pasqyrë në të cilën ne e shohim veten”, tha Tërnava.

  • Avokati Yll Zekaj ngre shqetësimin e madh, sulmet ndaj gazetarëve po rriten nga viti në vit

    Avokati Yll Zekaj ngre shqetësimin e madh, sulmet ndaj gazetarëve po rriten nga viti në vit

    Avokati i avokat i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Yll Zekaj, në një intervistë dhënë për emisionin DIREKT në ATV, ka ngritur një shqetësim të madh për sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë, duke thënë se këto sulme, po rriten nga viti në vit, transmeton atvlive.tv.

    Ai tha se sulmi ndaj gazetarit Valon Syla ishte sulm kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, liri këto të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

    “Shteti i Kosovës nuk po e gjen forcën dhe mundësinë që t’i sigurojë këto liri që formalisht janë të garantuara me aktet më të larta juridike, por në praktikë shteti po dështon që t’i mbrojë gazetarët nga sulmet e një pas njëshme me të vetmin qëllim që është kryerja e punës së tuyre apo informimi i publikut rreth ngjarjeve që ndodhin në vend”, tha Zekaj.

    Sipas tij, jo vetëm ndaj gazetarit Syla, por sulme të një pas njëshme po ndodhin edhe ndaj gazetarëve të tjerë dhe kjo ekskluzivisht lidhet me profesionin që gazetarët e ushtrojnë.

    Zekaj tha se është shqetësuese fakti se numri i sulmeve ndaj gazetarëve po rritet nga viti në vit.

    “Ne, veç nëse e zbërthejmë në numra rastin e sulmeve ndaj gazetarëve, shohim që çdo vit kemi numër më të madh të rasteve të sulmit ndaj gazetarëve. Nëse bëjmë një krahasim ndër vite, në vitin 2020 kemi patur 24 raste të sulmit ndaj gazetarëve, në vitin 2021 me 29 raste, në vitin 2022 kemi përfunduar vitin me 33 raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Kjo po tregon që shteti i jonë nuk po arrinë të qesë para përgjegjësisë sulmuesit e me dënime adekuate do t’i jepin një përgjigje që gazetarët nuk guxojnë të preken gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, tha avokati Zekaj. /atvlive.tv

  • Shefja e UNMIK-ut dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Syla

    Shefja e UNMIK-ut dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Syla

    Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh dënoi sulmin fizik të raportuar ndaj gazetarit Valon Syla nga persona të panjohur deri më tani në orët e vona të së martës.

    UNMIK-u njofton se çdo sulm ndaj lirisë së fjalës së lirë është i papranueshëm.

    “PSSP Ziadeh pret një hetim të plotë dhe të drejtë për t’i sjellë autorët para drejtësisë dhe për të siguruar që të drejtat e njeriut mbrohen. Sulmi ndodhi vetëm një javë pas vizitës së Raportueses Speciale të OKB-së për Lirinë e Opinionit dhe Shprehjes, Irene Khan, e cila u kërkoi autoriteteve të Kosovës t’i japin përparësi hetimeve dhe ndjekjeve penale të sulmeve kundër gazetarëve. PSSP Ziadeh i uron gazetarit të lënduar shërim të shpejtë”, thuhet në komunikatën e UNMIK-ut.

  • Latifi: Sulmi ndaj Valon Sylës është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet

    Latifi: Sulmi ndaj Valon Sylës është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet

    Profesori universitar, Blerim Latifi, ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

    Latifi ka thënë se 24 orë në ditë i promovojnë nëpër studio televizive dhe faqe portalesh vahabët e talebanët shqipfolës.

    “Për secilën çështje të shoqnisë dhe shtetit i kanë bërë pika reference njerëzit pa edukatë qytetare, pa kulturë e dituri moderne, por me botëkuptime agresive mesjetare. Të tillët sot mund t’i shohësh veç në mediat e Kabulit dhe Tehranit. Madje të tillët i kanë shndërru në superstarë të sferës publike. E pastaj çuditen pse ndodhë dhuna kundër atyre që, duke besu se jetojnë në një shoqëri europiane e liberale, e ushtrojnë të drejtën për të pasur mendim kritik mbi ta, por edhe të drejtën demokratike për t’i bërë subjekte komedie”, ka shkruar ai.

    Latifi tha se nëse nuk nuk jeni hipokritë, nuk duhet të çuditeni fare, sepse aty ku talebanët dhe vahabët e diktojnë opinionin publik dhe kufijtë e lirisë së shprehjes, aty, mos sot nesër, do ta keni edhe përgjakjen e sferës publike.

    “Sulmi mbi Valon Sylën është paralajmërim i kësaj. Është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet, që pastaj të shpallet i dështuar ky shtet dhe mbi dështimin e tij të justifikohet rikthimi i Serbisë”, ka shkruar ai.

  • Ministrja e Drejtësisë dënon sulmin ndaj Valon Sylës: I papranueshëm dhe i dënueshëm

    Ministrja e Drejtësisë dënon sulmin ndaj Valon Sylës: I papranueshëm dhe i dënueshëm

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit dhe opinionistit, Valon Syla.

    Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haxhiu doli në një konferencë për media, ku tha se liria e shprehjes është e garantuar me kushtetutë.

    Ajo shtoi se sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe të dënueshme.

    “Dua të shpreh indinjatën tonë për sulmin e mbrendshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valo Sylaj. E dënojmë ashpër një veprim të tillë të dënueshëm. Sulmi që ka ndodhur mbrëmë është i papranueshëm dhe i patolerueshëm po ashtu siç e përmenda është edhe i dënueshëm. Urojmë që organet si Policia, prokuroria dhe gjyqësia ta bëjnë punën e tyre me seriozitetin më të lartë dhe jo vetëm ndaj këtij rasti, por ndaj të gjitha rasteve kur ka sulme ndaj gazetarëve. Iu urojmë shërim të shpejt gazetarit dhe opinionistit Valon Sylaj”, ka thënë Haxhiu.

  • Abdixhiku: Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë

    Abdixhiku: Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, siç dhe ka kërkuar dhe angazhimin e institucioneve të rendit për vënien para drejtësisë të sulmuesve.

    Në një reagim për media, Abdixhiku ka thënë se angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit.

    “Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë – shtylla thelbësore të vet demokracisë. Angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit. Prandaj sulmi ndaj gazetarit Syla është sulm ndaj këtij angazhimi. Ftoj organit e rendit dhe drejtësisë të gjejnë sulmuesit dhe të njëjtit t’i vënë para vet drejtësisë.”, ka thënë Abdixhiku.

    Mbrëmë vonë, gazetari dhe opinionisti, Valon Syla është sulmuar nga tre persona.

    Syla, i cili ishte pjesë e emisionit Pressing në një debat që lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.

    Tre persona e kanë përcjell Sylën deri te Bregu i Diellit e më pas e kanë sulmuar. Për pasojë, Syla ka pësuar lëndime të lehta në kokë.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për shtyp në orët e vona ku ka dënuar ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

    AGK ka kërkuar hetime urgjente për këtë rast.

    Reagime kishte edhe nga politikanë të Kosovës.

  • Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dënon sulmin ndaj Sylës, kërkon hetime profesionale

    Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dënon sulmin ndaj Sylës, kërkon hetime profesionale

    Për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla, ka reaguar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

    Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias e ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarit Syla, i cili u sulmua fizikisht nga tre persona të panjohur duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Po ashtu kjo Qendër i bën thirrje autoriteteve në Kosovë që të zhvillojnë hetime në mënyrë të pavarura e profesionale.

    “I bëjmë thirrje autoriteteve kosovare, që në mënyrë profesionale dhe të pavarur të zhvillojnë hetimet, në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë.”

  • Gëzim Kelmendi kërkon dënimin e Valon Sylës për nxitje të urrejtjes ndër fetare

    Gëzim Kelmendi kërkon dënimin e Valon Sylës për nxitje të urrejtjes ndër fetare

    Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi ka komentuar sulmin e djeshëm ndaj gazetarit Valon Syla ku ka thënë se sulmuesit dhe vet Valon Syla duhet të dënohen.

    Ai ka thënë se e ka dënuar dhunën menjëherë, por pasi ka lexuar postimet e Sylës ka kërkuar dënim për të dy palët.

    Kelmendi ka thënë se Syla duhet të dënohet për nxitje të urrejtjes fetare.

    Ky është postimi i tij:

    Dënim për Valon Sylën dhe për sulmuesit e Valon Sylës!

    Me të kuptuar se sonte ishte sulmuar fizikisht gazetari dhe analisti Valon Syla, unë nuk hezitova aspak dhe menjëherë e dënova dhunën dhe kërkova që autorët të dënohen.

    Por, sapo lexova postimin e Valonit ku ai ishte tallur me Pejgamberin tonë të dashur Muhamedin a.s.s dhe Pejgamberin tjetër tonë të dashur Isën a.s.s.

    Bile tallja tij kishte shkuar edhe më larg dhe më keq, ZOTIT i kishe përshkruar grua- Marien dhe për djalë- Isën a.s.s.

    Kështu që unë kërkoj që të dyja palët ta marrin dënimin e merituar në bazë të ligjeve dhe

    Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    1.Valon Syla të dënohet për nxitje të urrejtjes ndër fetare.
    2. Autorët e sulmit fizik mbi Valon Sylën ta marrin dënimin e merituar.

    Shoqëria jonë kultivon një kulturë dhe bashkëjetesë të mirëfilltë ndërfetare shumëshekullore dhe këtë duhet ta ruajmë edhe në ardhmen.
    Gëzim Kelmendi

  • Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla, po zhvillohen hetime në mënyrë intensive.

    Përmes një komunikate, Prokuroria njoftoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria bëri të ditur se hetimet janë duke vazhduar, derisa të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.

    “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Kujtojmë se mbrëmë rreth orës 22:29, në rrugën “Ilir Durmishi” në Prishtinë, gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht nga tre persona deri më tani të panjohur e të cilët pas aktit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

    Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta, me ç’rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar hetime urgjente./atvlive.tv/