ATV

Tag: Ukshin Hoti

  • ​Krasniqi: S’do të zmbrapsemi duke kërkuar drejtësi për zhdukjen e dhunshme të Ukshin Hotit

    ​Krasniqi: S’do të zmbrapsemi duke kërkuar drejtësi për zhdukjen e dhunshme të Ukshin Hotit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar profesor Ukshin Hotin, në 24 vjetorin e zhdukjes së tij.

    Krasniqi ka deklaruar se nuk do të ndalen asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të tij.

    Ai ka shkruar se Ukshin Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare.

    “Asnjë fjalë. Asnjë lajm. Asnjë informatë. I munguar, sot e 24 vjet. I zhdukur dhunshëm nga duart e shtetit serb, natyrisht, me paramendim. Megjithatë, i munguar vetëm fizikisht, sepse, si veprimtar, intelektual e atdhetar, përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, Profesor Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai ka thënë se të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhimbje e përditshme.

    “Prandaj, ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të Profesor Hotit. Njëjtë si edhe për të gjithë 1617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë e të cilët figurojnë akoma të pagjetur. Sepse ata, të gjithë, janë plaga jonë e hapur. Janë dhembja jonë e përditshme”, ka shkruar ai në Facebook.

    Më 16 maj të vitit 1999, pas daljes nga qelia e Burgut të Dubravës, Ukshin Hoti zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

    Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga Masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshin Hoti ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

  • Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kurti: Zhdukja e Ukshin Hotit, krim i pazbardhur i Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zhdukja e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti është krim i pazbardhur i Serbisë.

    Duke kujtuar jetën dhe veprimtarinë e profesorit të së drejtës ndërkombëtare në 24-vjetorin e zhdukjes, Kurti tha se Ukshin Hoti mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij.

    “Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb ‘Patkoi’ për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës. Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjete sociale.

    Ai ka thënë se qeveria që e udhëheq nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe për të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia. Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, ka përfunduar Kurti.

    Pas torturave që i përjetoi si i burgosur politik nga regjimi serb, atdhetari dhe intelektuali Ukshin Hoti u lirua nga burgu në mes të luftës. Më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.