ATV

Tag: Twitter

  • Musk u thotë “lamtumirë zogjve”, vendos ta ndryshojë logon e Twitter-it

    Musk u thotë “lamtumirë zogjve”, vendos ta ndryshojë logon e Twitter-it

    Pronari i rrjetit social Twitter, Elon Musk, ka thënë të dielën se po mendon ta ndryshojë logon e platformës, duke shkruar: “Së shpejti do t’i themi lamtumirë markës Twitter dhe, gradualisht, të gjithë zogjve”.

    Në një postim në Twitter, në orët e para të së dielës, miliarderi ka shtuar: “Nëse një logo mjaftueshëm e mirë me X publikohet sonte, do ta përdorim në mbarë botën që nesër”.

    Musk ka publikuar një pamje të një iksi duke ndriçuar, dhe më pas në një audiobisedë në Twitter Spaces është përgjigjur me “po”, kur është pyetur nëse logoja e Twitter-it do të ndryshojë.

    “Kjo është dashur të ndodhë shumë kohë më parë”, është shprehur ai, raporton Reuters.

    Nën udhëheqjen e trazuar të Muskut, që kur e bleu Twitter-in në tetorin e vitit të kaluar, kompania e ka ndryshuar emrin e biznesit në X Corp, duke pasqyruar vizionin e miliarderit për të krijuar një “super aplikacion”, sikurse WeChat i Kinës.

    Uebsajti i Twitter-it thotë se logoja e rrjetit, që paraqet një zog të kaltër, “është pasuria jonë më e njohur”.

    “Prandaj e mbrojmë aq fort”, thuhet më tej aty.

    Zogu është zëvendësuar përkohësisht në prill nga qeni Shiba Inu i kriptovalutës Dogecoin, duke nxitur rritjen e vlerës së saj në treg.

    Kompania është përballur me kritika të gjera nga përdoruesit dhe nga profesionistët e marketingut, kur Musk njoftoi në fillim të këtij muaji se Twitter do të kufizonte se sa “cicërima” në ditë do të mund t’i lexonin përdoruesit.

    Kufizimet ndihmuan në rritjen e rrjetit rival, Threads, në pronësi të Meta Platforms, i cili regjistroi 100 milionë përdorues brenda pesë ditëve pas lëshimit për përdorim të gjerë.

    Telashi më i fundit i Twitter-it ishte një padi e paraqitur të martën, që pretendon se kompania u ka borxh të paktën 500 milionë dollarë ish-punonjësve të saj, pas largimit të tyre nga puna.

    Që kur Musk e bleu Twitter-in, kompania ka larguar nga puna pothuajse gjysmën e punonjësve të saj, për të reduktuar kostot./rel

  • Twitter humbet gati gjysmën e të ardhurave nga reklamat që nga blerja e Elon Musk

    Twitter humbet gati gjysmën e të ardhurave nga reklamat që nga blerja e Elon Musk

    Twitter ka humbur pothuajse gjysmën e të ardhurave të tij nga reklamat, ka zbuluar pronari i këtij rrjeti social, Elon Musk, i cili e bleu atë për 44 miliardë dollarë (rreth 39 miliardë euro) tetorin e kaluar.

    Sipas mediave të huaja, ai tha se kompania nuk kishte parë rritjen e të ardhurave që pritej në qershor, por shtoi se korriku ishte “pak më premtues”.

    Ndryshe, Elon Musk shkarkoi rreth gjysmën e stafit prej 7,500 të Twitter-it kur mori detyrën në vitin 2022 në një përpjekje për të ulur kostot.

    Në anën tjetër, aplikacioni rival Threads tani ka 150 milionë përdorues, sipas disa vlerësimeve.

    Lidhja e integruar me Instagram i jep automatikisht Threads, platformës së projektuar nga Meta, qasje për dy miliardë përdorues të mundshëm.

    Kujtojmë se në fillim të këtij muaji Twitter vendosi të kufizojë sa tweet-e mund të lexojnë përdoruesit e tij.

    Kështu, ishte bërë e ditur se përdoruesit e paverifikuar mund të lexojnë 1,000 cicërima, dhe përdoruesit e verifikuar 10,000 në ditë, një lëvizje për të cilën thuhet se ka “hutuar” reklamuesit.

    Ai pasoi përpjekjet për të shtyrë përdoruesit drejt Twitter Blue, shërbimi i tij i abonimit me pagesë.

    Ndërkohë, Linda Yaccarino, më parë drejtuese e reklamave në NBCUniversal, u angazhua si CEO në qershor – një lëvizje që sugjeron se shitjet e reklamave janë ende një prioritet për Twitter.