ATV

Tag: Trazira

  • Vrasja e adoleshentit në Francë, 150 të arrestuar pas protestave të dhunshme

    Vrasja e adoleshentit në Francë, 150 të arrestuar pas protestave të dhunshme

    Policia e Francës ka arrestuar 150 persona në natën e dytë të protestave në Paris. Qytetarët e revoltuar ndaj vrasjes së 17-vjeçarit Nahel nga policia, kanë dalë mbrëmjen e së mërkurës në protesta të dhunshme.

    BBC raportoi se në Nanterre, ku u qëllua për vdekje 17-vjeçari, policia hodhi gaz lotsjellës ndaj grupeve që gjuanin gurë dhe dogjën kazanët e mbeturinave dhe automjetet.

    Në një tjetër periferi të Parisit, një autobus thuhet se u zbraz nga pasagjerët përpara se t’i vihej flaka.

    Ndërtesat publike u sulmuan edhe në Toulouse, Lyon dhe Lille, ndërsa policia u sulmua me gurë, shishe dhe fishekzjarre.

    Qeveria franceze e kupton rrezikun që kjo situatë mund të kalojë shpejt në trazira të përhapura, të nxitura nga zhgënjimet e gjata mbi pabarazinë dhe sjelljen e policisë.

    Vrasja e Nahel shkaktoi zemërim të madh te qytetarët, nga presidenti Emmanuel Macron deri te futbollisti Kylian Mbappe.

    Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi fill pas ngjarjes, duke thënë se “asgjë nuk justifikon vdekjen e një të riu”.

    “Dëshiroj të shpreh ndjenjat e të gjithë kombit për atë që ka ndodhur dhe vdekjen e të riut Nahel, dhe t’i tregoj familjes së tij solidaritetin tonë dhe përzemërsinë e kombit. Ne kemi një adoleshent që është vrarë. Është e pashpjegueshme, e pafalshme,” tha ai, duke shtuar se çështja u referua menjëherë në gjykatë, ku ai shpreson që drejtësia “do të bëjë punën e saj shpejt”.

    Nahel M. Ishte ndaluar nga policia rrugore, derisa ai po ngiste një makinë të llojit Mercedes. Policia fillimisht kishte thënë se kishte qëlluar adoleshentin, pasi ai ishte nisur me makinë drejt tyre, por këto deklarata janë në kontradiktë me disa video që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.

    Në videot e publikuara shfaqen dy policë duke qëndruar pranë makinës së tyre të parkuar, teksa njëri prej zyrtarëve i drejton armën shoferit. Më pas dëgjohet një e shtënë, teksa makina që po ngiste adoleshenti, lëvizë për një kohë të shkurtër dhe më pas përplaset.

  • Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

    Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

    Protesta dhe trazira shpërthyen në rajonin e Parisit, pasi policia qëlloi për vdekje një 17-vjeçar, i cili, siç u tha, nuk ndaloi kur u urdhërua nga policia rrugore.

    Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset.

    Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha se videoja e shpërndarë në mediat sociale, është “jashtëzakonisht tronditëse”.

    Adoleshenti, i identifikuar si Nael M., vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës.

    Oficeri që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje.

    Nael M. është personi i dytë që vritet këtë vit në Francë nga të shtënat e policisë në trafik. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në këtë mënyrë.

    Vrasja e Nael M. nxiti një seri protestash mbrëmjen e së martës në Nantere – zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti.

    Disa makina dhe kosha plehrash u dogjën, ndërsa stacione të autobusëve u shkatërruan.

    Së paku 24 persona u arrestuan pas trazirave./REL/