ATV

Tag: Tobias Billstrom

  • Integrimi në BE dhe zotimet e dialogut, temë në vizitën e Billstromit

    Integrimi në BE dhe zotimet e dialogut, temë në vizitën e Billstromit

    Procesi integrues i Kosovës në Bashkimin Evropian ishte kryetemë në takimin e ministres për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, me homologun e saj suedez, Tobias Billstrom.

    Ministrja Gërvalla e vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën e Billstromit në Prishtinë, në cilësinë e përfaqësuesit të Presidencës Suedeze të Këshillit Evropian, një ditë pas nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët, nga 1 Janari 2024.

    “Natyrisht gjatë ditëve të ardhshme, javëve dhe muajve të ardhshëm, deri në atë kohë do të kemi një kampanjë të gjerë informuese, e cila do të tregojë se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi i vizave. Por në ndërkohë kemi të pranishëm ministrin Billstrom, si përfaqësues të Presidencës”, tha Gërvalla.

    Duke shmangur afatet, diplomati suedez tha se vendi i tij mbështet ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    “Ne mbështesim procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe përpjekjet për reforma lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ne po konsultohemi me të gjitha vendet anëtare të BE-së për rrugën përpara, si procedurë e rregullt”, tha ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom.

    Pasi tha se presidenca suedeze do ta mbajë Ballkanin Perëndimor lart në agjendë, Billstrom foli për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

    “Kam qenë i qartë edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, nëse zotoheni për një marrëveshje, ju duhet ta përmbushni atë. Kjo nënkupton që Serbia duhet të ndalen së penguari Kosovën, në anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Kjo është e qartë. Këshilli i Evropës është një shembull. Në anën tjetër, është mirë të shohim Kosovën t’i përmbushë zotimet e saj, duke formuar Asociacionin e komunave”, tha Billstrom.

    Krahas procesit integrues në BE, temë në takim ishte edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për çka ministrja Gërvalla tha se shpreson të ketë lëvizje pozitive.

    Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, takoi edhe presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv

  • Ministri i Jashtëm i Suedisë në Kosovë, pritet nga Gërvalla

    Ministri i Jashtëm i Suedisë në Kosovë, pritet nga Gërvalla

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom, raporton EO.

    Takimi është duke u zhvilluar në ndërtesën e MPJD-së. Të dy homologët pas takimit do të mbajnë konferencën e përbashkët për media.

    Billstrom do të pritet në takime të ndara edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.