ATV

Tag: Thjis Reuten

  • Reuten: Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë

    Reuten: Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, duke folur për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist në veri, tha se është e qartë cila palë po destabilizon situatën, duke kërkuar nga BE-ja që ta ndëshkojë Serbinë.

    “Pavarësisht kritikave të shumta për muaj të tërë nga ana e Parlamentit, sanksione janë vendosur vetëm ndaj Kosovës dhe jo ndaj agresorit, shkakut kryesor të destabilizimit dhe provokimeve që kemi parë prej kohësh”, deklaroi Thijs Reuten.

    Reuten ishte i qartë në kërkesën e tij, duke thënë se Bashkimi Evropian duhet ta ndëshkojë Serbinë.

    “BE duhet të braktisë politikën katastrofale të pajtimit me Vuçiqin, sepse nuk po funksionon. Sa herë Vuçiq është kthyer nga Brukseli në Beograd dhe me krenari ka treguar se nuk ka firmosur gjë, Komisioneri Varhelyi i ka shkuar në derë me 600 milionë euro! Kjo duhet të marrë fund!”, tha ai, në një intervistë me Alice Taylor në podcastin e Inside Albania.

    Për Reuten, është me rëndësi rikthimi në tryezën e dialogut, por vetëm pasi të jenë ndalur provokimet.

    “Çdo gjë që ndodhi, jo vetëm gjatë javës së shkuar por edhe në muajt pas Marrëveshjes së Ohrit, hyn në listën e gjatë të provokimeve. Duhet krijuar atmosfera e duhur që palët të ulen në një tryezë sërish dhe të punojnë për normalizimin”, nënvizoi Reuten.

    Eurodeputeti holandez kritikoi edhe marrëdhënien e afërt mes Serbisë dhe Rusisë.

    Sipas tij takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus në Beograd, vetëm një ditë pas sulmit të Banjskës, është tregues se presidenti serb nuk e merr seriozisht Bashkimin Evropian.

  • Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

    Në prill të këtij viti u përmbyll i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën me marrjen e vendimit nga institucionet e Bashkimit Europian dhe me publikimin në gazetën zyrtare. Qytetarët tanimë po presin 1 janarin e vitit të ardhshëm që të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

    Për procesin e pritur gjatë sërish u krijua një drojë se mund të preket. Një deklaratë e presidentit francez Emmanuel Macron ktheu prapë në diskurs të opinionit heqjen e mundshme të vizave për shkak të politikave ndërmjet Kosovës e Serbisë.

    “Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët”, kishte thënë Macron në një fjalim para ambasadorëve francezë.

    Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, i cili ishte raportues në Parlamentin Europian për liberalizmin e vizave të Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express thotë se nuk kanë marrë ndonjë sinjal mbi këtë çështje.

    “Kur bëhet fjalë për hyrjen në fuqi të regjimit të ardhshëm pa viza për Kosovën nga 1 janari 2024 e tutje, nuk kemi marrë asnjë sinjal se është në rrezik”, tha ai.

    Rastet kur hiqen vizat për një shtet nga BE janë ekstreme dhe aktualisht Kosova nuk është në këto rrethana. Këtë po e thotë edhe Reuten, i cili tha se kjo s’mund të thotë rastësisht.

    “Ne nuk jemi ekspertë për procedurën e heqjes së vizave dhe ndoshta kjo është diçka që duhet të shikohet me Komisionin Europian. Ne e dimë se revokimi i vizave individuale është i mundur vetëm në kushte të caktuara dhe nuk mund të ndodhë rastësisht”, tha eurodeputeti holandez.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani dje paralajmëroi mbi pasojat që mund të ndodhin në rast se ndodh kjo në të vërtetë.

    “Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”, tha Osmani dje.

    Çfarë tha fjalë për fjalë Macron për Kosovën, Serbinë dhe rishikimin e politikës për vizat?

    Në fjalimin e tij para krerëve të misioneve franceze nëpër botë, presidentit francez kur i ka ardhur radha që të flasë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka potencuar se Franca do të vazhdojë të jetë vigjilente sa i përket këtij rajoni.

    “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

  • Reuten: ETIAS duket se s’do të jetë funksional deri më 1 janar 2024

    Reuten: ETIAS duket se s’do të jetë funksional deri më 1 janar 2024

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka thënë se ishte i befasuar me kushtin që i ishte vënë Kosovës me sistemin ETIAS.

    Reuten tha ETIAS nuk duket të jetë funksional deri më 1 janar, por ai tha se kushti nëse ETIAS-i është funksional apo jo më herët nuk do të përdoret.

    “Dhe, për këtë ka qenë e rëndësishme që të kishim një datë të fundit në marrëveshje dhe duke i parë zhvillimet për rreth implementimit të ETIAS-it, me gjasë do të presim atë datë”, është shprehur Reuten pas nënshkrimit të vendimit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Ai më tej tha se sistemi ETIAS ishte kusht i shtuar pa nevojë në negociata dhe ishte për të shtyrë kohën.

  • Nuk ka liberalizim për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

    Nuk ka liberalizim për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia

    Raportuesi i vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, Thjis Reuten, është pyetur për ata serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Beogradi nëse me to mund të udhëtojnë lirshëm pas vendimit për liberalizimin e vizave.

    Ai tha se kjo s’mund të ndodhë meqë ligji është i qartë që në zonën Schengen mund të udhëtojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës.

    “Legjislacioni është i qartë – është për pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare. Dhe për ata që jetojnë në Serbi, ata tashmë janë të liruar nga viza. Vendimi është formuluar goxha me kujdes. Qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm”, tha Reuten.

  • Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Parlamenti Europian sot ka miratuar dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Eurodeputeti holandez Thjis Reuten, i cili është raportues për vizat e Kosovës në PE, pas këtij miratimi tha se më në fund e realizuan një premtim të vonuar për Kosovën.

    “Parlamenti Europian jep dritën jeshile përfundimtare për udhëtimin pa viza në BE për Kosovën. Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Europës! Tani mund të hapim kapitullin tjetër duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët europiane”.

    Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshill të Evropës. Votimi për Liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.

    Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit./atvlive.tv