ATV

Tag: te zhdukurit

  • Serbia vazhdon ta bllokojë procesin e gërmimeve për personat e pagjetur brenda territorit të saj

    Serbia vazhdon ta bllokojë procesin e gërmimeve për personat e pagjetur brenda territorit të saj

    Dyshimet për varreza masive i kanë në disa lokacione në Serbi. Por pala kosovare ende nuk po lejohet t’i fillojë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore, meqë Serbia po e bllokon procesin.

    “Ne i kemi disa lokacione të shënuara në Serbi që potencialisht janë të dyshimta për vendndodhjen e personave të zhdukur, mirëpo për momentin për shkaqe politike nuk kemi ende qasje në atë zonë”, tha Ditor Haliti, udhëheqës i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    Ndonëse, po bëhen një vit nga aneksi i Ohrit që specifikon se çështja e të zhdukurve duhet të trajtohet me urgjencë, Serbia nuk po e zbaton.
    Megjithatë, pala kosovare nuk po i ndal tentativat, ndonëse e shohin si sfidë të madhe.

    “Ka me dhjetëra dhe qindra kërkesa në vazhdimësi që procedohen nga ana e komisionit qeveritar të Kosovës dhe nga ana e delegacionit të Kosovës, por edhe grupit punues. Është gjithmonë shqetësuese dhe sfiduese qasja e Serbisë kundër këtij procesi, pra edhe në kuptim të moscaktimit të datave për të vazhduar gërmimet në lokacionet e tyre, por edhe në kuptim të mosofrimit të të dhënave nga arkivat e tyre”, deklaroi Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

    Sipas Garës, janë disa lokacione që Serbia qëllimshëm po i fsheh, ndonëse thotë se kanë kërkuar edhe nga ndërkombëtarët që të bëjë presion mbi Serbinë.

    “Ai grup punues ka arritur t’i identifikojë 16 varreza masive, deri më tani gjatë këtyre 25 viteve, ne kemi arritur t’i konfirmojmë vetëm 5 varreza masive në Serbi dhe pashmangshëm shtrohet pyetja se ku janë edhe 11 lokacione. Pra edhe kjo listë prej 11 lokacioneve, kërkesa për të mësuar këto lokacione, por edhe lista prej 8 lokacioneve që ke i kemi prezantuar në kuptim të kërkesave zyrtare”, shtoi tutje Gara.

    Së fundmi gërmime në territorin e Serbisë janë kryer vitin e kaluar, në afërsi të minierës së Shtavalit, por që nuk është gjetur ndonjë mbetje.

    Mbi dy dekada pas luftës, ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë personave./atvlive.tv/

  • Gara: Serbia i ndau mbetjet mortore në dy lokacione, me qëllim humbjen e gjurmëve – Ndihmuan imazhet satelitore të NATO-s

    Gara: Serbia i ndau mbetjet mortore në dy lokacione, me qëllim humbjen e gjurmëve – Ndihmuan imazhet satelitore të NATO-s

    Ndonëse shumë lokacione në territorin e Serbisë janë bërë gërmime për gjetjen e trupave të viktimave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të njëjtat ende figurojnë të papërfunduara edhe 24 vjet pas luftës, raporton Ekonomia Online.

    Fajtor për këtë po konsiderohet Serbia për mosbashkëpunim, ndërsa ndihmë në identifikimin e lokacioneve kanë dhënë bashkësia ndërkombëtare me ofrimin e pamjeve satelitore të kryera gjatë bombardimit të Serbisë nga NATO.

    Për zbardhjen e fatit të tyre, shpresë mbesin gërmimet e reja në lokacione që dyshohen për varreza masive.

    E krahas vrasjes, ka raste kur viktimat janë varrosur në dy lokacione të ndryshme, me qëllim të humbjes së gjurmëve.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dyshon se trupat tjerë të zhdukur me dhunë gjendjen në Serbi. Këtë e bazon në hapësirat e gërmimeve që janë kryer në Kosovë.

    “Përkundër gjetjeve gjatë vitit 2001 dhe zhvarrosjes të më shumë se 900 viktimave të luftës, prapë mbesin lokacione të papërfunduara për ne. Në rastet e identifikimit të viktimave të masakrave që janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, ne kemi ende viktima nga këto masakra që janë listën e personave të zhdukur. Pra pjesa më e madhe viktimave është gjetur në lokacionin në Batajnicë, në lokacionin e Petrovosello por kemi ende në listën e personave të zhdukur viktimave nga këto masakra dhe tash nëse ne po kryejmë gërmime brenda territorit të Kosovës dhe nuk po arrijmë t’i gjejmë mbetjet mortore të këtyre viktimave, atëherë pashmangshëm që adresa mbeten këto lokacione”, ka thënë Gara.

    Krahas vrasjes e zhdukjes me dhunë, forcat serbe janë munduar edhe t’i asgjësojnë trupat e pajetë të shqiptarëve. Gara ka përmendur një rast kur viktima është gjetur në dy lokacione.

    “Në rastin e varrezës masive në Rudnicë, kemi zhvarrosur mbetje mortore të 54 viktimave në masakrën e Rezallës, një viktimë e masakrës së Çikatovës dhe nga rasti i Zabeli i Ultë i Drenasit. Ndërsa në rastin e Kishevakut, janë zhvarrosur mbetje mortore të 9-të viktimave, përfshirë 7-të identifikime të reja për 7-të persona që vazhdonin të ishin në listën e personave të zhdukur nga masakra e Rezallës dhe dy raste ribashkimi me viktimat e zhvarrosur në Rudnicë. Pra e njëjta viktimë është gjetur në dy varreza masive si pasojë të veprimeve të palës serbe që t’i asgjësojnë edhe kufomat e viktimave për asgjësimin e gjurmëve të krimit. Prandaj edhe përkundër rezultateve në vitin 2014 në Rudnicë dhe gjatë viteve 2020-21 në Kizhevakë, rasti i Rashkës prapë mbetet rast i papërfunduar për ne”, u shpreh Gara për EO.

    E ndihmë në identifikimin e lokacioneve kanë dhënë edhe imazhet satelitore të kryera gjatë bombardimeve nga NATO. Gara përmend rastin kur imazhet satelitore kapin pamjet e punimeve në një lokacion që dyshohet se janë varrosur viktima të luftës së fundit në Kosovë.

    “Kruciale në saktësimin e lokacioneve kanë qenë imazhet satelitore, ku mbi bazën e këtyre pamjeve shihej saktësisht ndryshimi i sipërfaqes së dheut gjatë kohës luftës. Pra në një kohë kur Serbia bombardohej nga NATO-ja për të ndalë gjenocidin në Kosovë, sigurisht që është e pakuptueshme që të punohej në një gurore gjatë muajit prill-qershor të 99-ës dhe arsyeja e punëve në atë gurore ka qenë pikërisht varrosja e kufomave të viktimave të luftës së vrarë nga masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë”, u shpreh Gara.

  • Haxhiu: Me nënshkrimin e deklaratës, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera në Kosovë

    Haxhiu: Me nënshkrimin e deklaratës, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera në Kosovë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konsideron se me nënshkrimin e deklaratës për të pagjeturit në Bruksel, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Për herë të parë çështja e personave të zhdukur po trajtohet me prioritet dhe seriozisht nga qeveria e republikës së Kosovës. Nënshkrimi i deklaratës për të zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë”, tha ajo.

    Haxhiu, në Kuvend, tha se me nënshkrimin e kësaj deklarate Serbia po ashtu obligohet që të japë informacione për varreza masive.

    “Për herë të parë përmes një dokumenti zyrtar Serbia pranon për krimin e bërë dhe obligohet të jap informacione për varreza masive që po i mbanë qytetarët tanë. Po ashtu obligohet të mos pengoj gërmimet siç ka ndodhur në vazhdimësi – me atë deklaratë pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës dhe qytetarët tanë”.“Për mua është e papranueshme që një deputet i kuvendit, zonja hoxha thotë që Serbinë nuk e obligon ky dokument, e pranueshme pasi kjo është ajo që Serbia dëshiron të dëgjojë që të mos obligohet nga një deklaratë që e ka nënshkruar presidenti i Serbisë”, u shpreh Haxhiu.

  • Borrell flet pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Borrell flet pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dalë me një deklaratë zyrtare pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi.

    Borrell e njeh rëndësinë e kësaj marrëveshje të cilën ai e konsideron si shumë të rëndësishme në vazhdën e vazhdimit të dialogut.

    Kjo është deklarata e plotë e tij:

    Sot, nën Lehtësimin e BE-së, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë rikonfirmuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur, për t’i afruar vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme.

    Të dyja palët e kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë të përbashkëta për të lehtësuar situatën e familjeve të prekura dhe të komunitetit më të gjerë.

    Ata kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK). Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur, ata kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur.

    Ata janë zotuar gjithashtu të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, në nivel të Kryenegociatorëve.

    Nga 6.065 rastet e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, 1.621 mbeten të pazgjidhura. Më shumë se njëzet vjet më vonë, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, të pavetëdijshëm për vendndodhjen e të dashurve të tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre ashtu si shoqëria në përgjithësi.

    Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të vendeve të varrimit të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kujtimet po zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t’u hetuar.

    Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur.