ATV

Tag: Spanja

  • Spanja urdhëron heqjen e 53,000 apartamenteve turistike nga Airbnb dhe Booking

    Spanja urdhëron heqjen e 53,000 apartamenteve turistike nga Airbnb dhe Booking

    Autoritetet spanjolle urdhëruan platformat e njohura si Airbnb dhe Booking.com të fshijnë nga lista më shumë se 53,000 apartamente turistike, pas zbulimit të parregullsive në tregun e qirave afatshkurtra.

    Qeveria tha se do t’i konvertojë këto shtëpi në qira të përhershme për të lehtësuar krizën e banesave.

    “Do të kërkojmë heqjen e 53,000 apartamenteve turistike nga platformat për shkak se nuk i plotësojnë rregullat, në mënyrë që ato të bëhen banesa me qira për të rinjtë dhe familjet në këtë vend,” tha Kryeministri Pedro Sánchez në Málaga.

    Sipas Sánchez, këto janë prona që kanë aplikuar për një numër regjistrimi — i detyrueshëm që nga 1 korriku — por nuk e kanë marrë atë për shkak se nuk kanë plotësuar kërkesat ligjore.

    Ka veçanërisht shumë raste në Sevilla, Marbella, Barcelona, Málaga dhe Madrid.

    Spanja është një nga vendet më të vizituara të Evropës. Mijëra njerëz kanë protestuar kundër turizmit masiv në vend muajt e fundit.

    Shumë e lidhin mbiturizmin dhe rritjen e qirave të pushimeve me mungesën e banesave të përballueshme.

  • Bislimi: Spanja tashmë i njeh pasaportat e Kosovës, qytetarët mund të udhëtojnë pa viza

    Bislimi: Spanja tashmë i njeh pasaportat e Kosovës, qytetarët mund të udhëtojnë pa viza

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë të ditur se Spanja njeh pasaportat e Republikës së Kosovës.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza dhe drejt këtij shteti evropian, i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit tonë.

    “DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra, mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa më 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, shkruan Bislimi.

    Ndryshe, DG HOME, Departament i Komisionit Evropian, është përgjegjës për migracionin dhe çështjet e brendshme.

  • Në Spanjë temperaturat arrijnë në 40 gradë

    Në Spanjë temperaturat arrijnë në 40 gradë

    Spanja është duke u përballur me një mot jashtëzakonisht të nxehtë prillin e këtij viti, ku temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë celsius në disa pjesë të vendit.

    Shërbimi kombëtar i motit i Spanjës tha se temperaturat do të “arrijnë vlerat tipike të verës” në pjesën më të madhe të vendit.

    Në orën tre të pasdites, në Kordobë ishte 38.7 gradë ndërsa në Sevilje, 37,8 gradë.

    Agjencia Shtetërore Meteorologjike tha se temperaturat ishin “jashtëzakonisht të larta” për muajin prill për shkak të një mase ajri shumë të ngrohtë dhe të thatë që vinte nga Afrika e Veriut.

    Qeveria spanjolle ka kërkuar fonde emergjente nga Bashkimi Evropian për të mbështetur fermerët dhe blegtorët në qendrat bujqësore të vendit.

    Aktualisht, 27% e territorit spanjoll është klasifikuar si në një thatësirë “emergjente” ose “alarm”, sipas Ministrisë së Tranzicionit Ekologjik, derisa rezervat ujore janë në 50% të kapacitetit kombëtar.

  • Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

    Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

    E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”, raporton REL.

    “Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

    Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

    Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

    Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

    Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

    Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

    Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

    Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

    Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

    Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./REL/