ATV

Tag: Shqipëri

  • Nga SHBA në fermë? Salih Buzhala “MagicSal” përflitet si konkurrent në “Ferma VIP 3”

    Nga SHBA në fermë? Salih Buzhala “MagicSal” përflitet si konkurrent në “Ferma VIP 3”

    Magjistari shqiptar Salih Buzhala, i njohur me emrin artistik MagicSal, është një nga emrat që po përfliten për t’iu bashkuar edicionit të tretë të reality show-t “Ferma VIP”, që pritet të nisë më 27 mars.

    MagicSal, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka fituar popullaritet përmes performancave të tij magjike dhe prezencës në rrjetet sociale. Ai ishte përfolur më herët edhe si një nga emrat potencialë për “Big Brother VIP Kosova 4”, megjithatë një gjë e tillë nuk u konfirmua.

    Reality show “Ferma VIP” rikthehet këtë pranverë me sezonin e tretë, nën moderimin e Arbana Osmanit. Formati, i cili ndërthur jetën në fermë me sfida fizike dhe dinamika mes personazheve të njohur, ka arritur të tërheqë vëmendje të madhe të publikut në dy edicionet e para.

    Në këtë spektakël, konkurrentët vendosen në një ambient rural, ku përballen me punët e përditshme të fermës dhe sfida të ndryshme. Kujtojmë se fitues i edicionit të parë u shpall Dijonis Biba, ndërsa në sezonin e dytë triumfoi këngëtari Big Basta.

    Edicioni i tretë pritet të sjellë risi, sfida të reja dhe situata të papritura, megjithatë lista zyrtare e konkurrentëve ende nuk është bërë publike.

    Përveç MagicSal, në media janë përfolur edhe disa emra të tjerë si Indri Shiroka, i njohur për rolin e tij në filmin “Pasaporta” të regjisorit Eduart Grishaj, si dhe Inida Gjata (Zhaku), e cila vitin e kaluar ishte pjesë e formatit në rolin e opinionistes. Po ashtu, përmendet edhe balerini Ilir Shaqiri, i cili mund të ketë një rol drejtues në fermë.

    Në prapaskenë, si pjesë e stafit të produksionit përmenden emra si Eraldo Rexho dhe Zefina Hasani, ndërsa raportohet se disa ish-pjesëtarë të ekipit të “Big Brother Albania” mund t’i bashkohen këtij projekti.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga produksioni për pjesëmarrjen e MagicSal apo të emrave të tjerë, duke lënë gjithçka në kuadër të spekulimeve që vijojnë të qarkullojnë në media dhe rrjete sociale.

  • Sëmuret avokati, shtyhet vendimi për kalimin në gjykim të dosjes “Meta”

    Sëmuret avokati, shtyhet vendimi për kalimin në gjykim të dosjes “Meta”

    Seanca e parë paraprake e parashikuar për këtë të enjte në GJKKO, në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, për arsye shëndetësore.

    Në sallë u paraqit e bashkëpandehura Monika Kryemadhi ndërsa seanca e radhës u caktua për në datën 9 tetor.

    Kjo dosje, që ndodhet në fazën paraprake, po gjykohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila më herët ka kërkuar dorëheqjen nga çështja, por kërkesa e saj u refuzua nga gjyqtari Erion Bani, njëherazi zëvendëskryetar i GJKKO.

  • Qeveria shqiptare synon paga më të larta: 500 € minimale, 1,200 € mesatarja

    Qeveria shqiptare synon paga më të larta: 500 € minimale, 1,200 € mesatarja

    Prezantohet nesër, më 18 shtator, në një seancë maratonë në Kuvend, programi qeverisës për legjislaturën e re.Programi në fjalë, që do të prezantohet nga vetë kryeministri Edi Rama, përfshin objektiva afatshkurtra dhe afatgjata në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë tek punësimi, rritja e pagave dhe kthimi i emigrantëve.

    Pjesë nga programi:

    • Transformojmë shërbimet e punësimit me sistem të zgjuar orientimi karriere dhe platformë të dedikuar për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri.
    • Ulim papunësinë e përgjithshme në 6% deri në 2030 dhe papunësinë e të rinjve nën 15%.Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta.Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €.
    • Garancia Rinore ofron punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi.Forcojmë barazinë në paga dhe politikat aktive për punësimin e grave.

    • Zgjerojmë modelin dual të arsimit profesional në partneritet me biznesin dhe certifikim ndërkombëtar të kualifikimeve.

    • Deri në 2030, 1 në 3 nxënës ndjek arsimin profesional; shkollat profesionale kthehen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.
    • Garantojme kushte të barabarta pune, trajtim dinjitoz, sistem social të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
    • Vijojmë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e pensioneve, duke siguruar kushte të barabarta pune dhe mbrojtje sociale të plotë për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
    • Ndërtojmë programe të dedikuara për diasporën për rikthim të talenteve, transferim expertise dhe ndërmjetësim punësimi në sektorët prioritarë.
  • Legalizohet marihuana në Shqipëri por vetëm për këto qëllime

    Legalizohet marihuana në Shqipëri por vetëm për këto qëllime

    Pas seancës maratonë me debate, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

    Ligji u miratua me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

    Me debate në Kuvend, opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me procedurë të përshpejtuar në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

    Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha.

  • Clinton në Shqipëri, do të nderohet me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”

    Clinton në Shqipëri, do të nderohet me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”

    Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton sot do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë.

    Clinton dhe delegacioni që e shoqëron, sipas njoftimit do të mbërrijë në Tiranë, pasdite. Në orën 19:00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

    Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Rama dhe Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

    Në orën 19:05, kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë presidentin Clinton të marrë çmimin e akorduar.

    Ndërsa, në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.