ATV

Tag: Serbia

  • Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

    Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me vendosjen e shumë njësive ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, thotë se “ne jemi gjithmonë të gatshëm, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vendin tonë”.

    Në një intervistë të dhënë për “Anadolu”, Maqedonci ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë-Turqi.

    Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.

    “Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.

    Sipas ministrit kosovar, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

    “Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu.

    Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

    Ministri Maqedonci tha se janë në fazën e dytë të realizimit të planit për transformimin e FSK-së në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve këmbësorike dhe luftarake për mbrojtjen e rajonit dhe se do të kalojnë në fazën e tretë dhe të fundit në vitin 2025 dhe në këtë kontekst, do të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, si dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake, deri në vitin 2028.

    Duke theksuar se aktualisht FSK-ja ka personel me rreth 4 mijë pjesëtarë, Maqedonci tha se në mesin e tyre janë 55 pjesëtarë turq të Kosovës.

    Ai tha se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të sigurisë kombëtare të Kosovës, shtuar thënë se kanë krijuar kapacitete mbrojtëse në përputhje me doktrinën e NATO-s dhe se të gjitha pajisjet dhe sistemet e armatimit i kanë blerë sipas standardeve të NATO-s.

    “Blerjet e armatimit janë të drejtuara në vendet e NATO-s, ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është pjesë e NATO-s. Kryesisht jemi fokusuar të bëjmë blerje nga vendet me të cilat kemi partneritet më të afërt, si SHBA, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”, theksoi ministri, duke nënvizuar se nga viti 2021 deri në vitin 2023 kanë ndarë mbi 200 milionë euro për blerjen e armëve dhe pajisjeve të ndryshme në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri.

    Kosova do të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Ministri Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.

    Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.

    “Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.

    Ne kemi “marrëdhënie të veçanta” me Turqinë në fushën ushtarake

    Maqedonci tha se ushtarët turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999 janë shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

    Ai tha se Kosova me Turqinë kanë “marrëdhënie të veçanta” në fushën ushtarake, bazuar në lidhjet kulturore dhe historike.

    “Ne në vazhdimësi kemi njësi dhe individë që i trajnojmë në Republikën e Turqisë. Kemi shumë ekipe të ushtrisë turke të cilat në Kosovë zhvillojnë trajnime të ndryshme për njësitë e FSK-së. Kemi gjithashtu raporte të shkëlqyera në aspektin e industrisë ushtarake, pra, më saktësisht të blerjeve ushtarake. Në këtë aspekt, për të rritur më shumë këtë bashkëpunim, në fillim të këtij viti nënshkruam një marrëveshje kornizë ushtarake me Republikën e Turqisë në Ankara bashkë me ministrin (Jashar) Gyler. Gjithë kjo mbështetje që Turqia ofron për kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë janë vërtet vitale që vendi ynë, më saktë Ministria jonë e Mbrojtjes dhe FSK, të kenë sot një nivel të lartë profesionalizmi dhe ndoshta të jetë ndër ushtritë më të zhvilluara në rajon në aspektin e gjithëmbarshëm”, theksoi ai.

    Duke folur për dronët “Bayraktar TB2”, që Kosova i bleu nga Turqia gjatë vitit të kaluar, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit me to janë duke vazhduar.

    “Njësitë e veçanta që merren me drejtimin e Bajraktarëve TB2, zhvillojnë aktivitete të ndryshme me ta dhe me të vërtetë ne i shohim si asetet kyçe të FSK-së”, theksoi ministri.

    Duke deklaruar se në inventarin e FSK-së kanë produkte turke si raketa kundërtank “Omtas” dhe automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetër, Maqedonci shtoi gjithashtu se do të blejnë nga SHBA-ja raketa kundërtank “Javelin”, për të cilat procesi ende po vazhdon.

    FSK-ja, e cila u themelua në vitin 2009 për të ofruar operacione për menaxhimin e krizave në Kosovë dhe përtej kufirit, për të shërbyer në operacionet e mbrojtjes civile në vend dhe në fatkeqësitë natyrore dhe emergjenca të tjera, filloi procesin e transformimit të saj në ushtri me ndryshime ligjore nga viti 2018. Procesi pritet të zgjasë 10 vjet.

  • 25 vjet nga masakra në Izbicë

    25 vjet nga masakra në Izbicë

    Sot bëhen 25 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

    Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

    Sot 25 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

    Me rastin e 25-vjetorit të masakrës në Izbicë, Komuna e Skenderajt do të organizojë sot tubim përkujtimor në Kompleksin Përkujtimor në Izbicë, duke filluar nga ora 10:00.

  • Serbia vazhdon ta bllokojë procesin e gërmimeve për personat e pagjetur brenda territorit të saj

    Serbia vazhdon ta bllokojë procesin e gërmimeve për personat e pagjetur brenda territorit të saj

    Dyshimet për varreza masive i kanë në disa lokacione në Serbi. Por pala kosovare ende nuk po lejohet t’i fillojë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore, meqë Serbia po e bllokon procesin.

    “Ne i kemi disa lokacione të shënuara në Serbi që potencialisht janë të dyshimta për vendndodhjen e personave të zhdukur, mirëpo për momentin për shkaqe politike nuk kemi ende qasje në atë zonë”, tha Ditor Haliti, udhëheqës i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    Ndonëse, po bëhen një vit nga aneksi i Ohrit që specifikon se çështja e të zhdukurve duhet të trajtohet me urgjencë, Serbia nuk po e zbaton.
    Megjithatë, pala kosovare nuk po i ndal tentativat, ndonëse e shohin si sfidë të madhe.

    “Ka me dhjetëra dhe qindra kërkesa në vazhdimësi që procedohen nga ana e komisionit qeveritar të Kosovës dhe nga ana e delegacionit të Kosovës, por edhe grupit punues. Është gjithmonë shqetësuese dhe sfiduese qasja e Serbisë kundër këtij procesi, pra edhe në kuptim të moscaktimit të datave për të vazhduar gërmimet në lokacionet e tyre, por edhe në kuptim të mosofrimit të të dhënave nga arkivat e tyre”, deklaroi Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

    Sipas Garës, janë disa lokacione që Serbia qëllimshëm po i fsheh, ndonëse thotë se kanë kërkuar edhe nga ndërkombëtarët që të bëjë presion mbi Serbinë.

    “Ai grup punues ka arritur t’i identifikojë 16 varreza masive, deri më tani gjatë këtyre 25 viteve, ne kemi arritur t’i konfirmojmë vetëm 5 varreza masive në Serbi dhe pashmangshëm shtrohet pyetja se ku janë edhe 11 lokacione. Pra edhe kjo listë prej 11 lokacioneve, kërkesa për të mësuar këto lokacione, por edhe lista prej 8 lokacioneve që ke i kemi prezantuar në kuptim të kërkesave zyrtare”, shtoi tutje Gara.

    Së fundmi gërmime në territorin e Serbisë janë kryer vitin e kaluar, në afërsi të minierës së Shtavalit, por që nuk është gjetur ndonjë mbetje.

    Mbi dy dekada pas luftës, ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë personave./atvlive.tv/

  • Në Serbi sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale

    Në Serbi sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale

    Serbia mban të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

    Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej orës 07:00 deri në 20:00.

    Të hapura do të jenë 8.273 qendra votimi.

    Këto janë zgjedhjet e pesta që organizohen në Serbi prej vitit 2012, dhe mbahen vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

    Zgjedhjet e së dielës do të monitorohen nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet e mbajtura deri më tani.

    Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

    Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

    Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

    Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

    Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

    Serbët në Kosovë do të udhëtojnë për të votuar

    Serbët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm për Kuvendin e Serbisë.

    Ata do të duhet të udhëtojnë drejt Serbisë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk do të zhvillohet në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

    Ata do të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë, shkruan REL.

    Thirrje shqiptarëve në Serbi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

    Shqiptarët e Luginës garojnë këtë herë me dy lista.

    Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar./REL

  • Haxhiu: Kurti në pika të trasha na njoftoi për Asociacionin: Po punohet në padinë për gjenocid ndaj Serbisë

    Haxhiu: Kurti në pika të trasha na njoftoi për Asociacionin: Po punohet në padinë për gjenocid ndaj Serbisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se në mbledhjen e Këshillit të Vetëvendosjes, kryeministri Albin Kurti të gjithë anëtarët i ka njoftuar në pika të trasha për draftin e Asociacionit.

    Haxhiu tha se Kurti “është partner serioz” dhe se ka konsideratë për kërkesat e ndërmjetësve të dialogut. Ministrja tha se sa për Kurtin “teksti mund të jetë publik që prej dje”, por shtoi se “kjo nuk mund të ndodh dhe për këtë arsyet i ka përmendur kryeministri”.

    “Kryeministri Kurti,  është partner serioz që i trajton me respekt por edhe më konsideratë partnerët. Ai e ka ekipin e tij për dialog më të cilin ndanë dokumente të cilat kanë nevojë të vlerësohen por edhe të komentohen, konsultohet më Presidenten e Kosovës, dhe kryetarin e Kuvendit të cilët janë krerë të republikës së Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

    “Unë si ministre e Drejtësisë jam gjithmonë në dispozicion, në mbledhjen e fundit të LVV na ka njoftuar në vija të trasha në propozimin Evropian Amerikan, para seancës në raportim në kuvend ka paralajmëruar edhe grupin parlamentar të cilët I ka njoftuar më mbarëvajtjen e takimit të 21 tetorit, dhe qëndrimin e Kosovës në lidhje më këtë ka pasur debat edhe ne kuvendin e Kosovës, sa për kryeministri Kurti, teksti mund të jetë publike prej dje, por kjo nuk mund të ndodhë dhe për këtë arsyet i ka përmendur Kryeministri Kurti”.

    Ai foli edhe për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, për të cilën tha se po punohet por që nuk mund të jap më shumë detaje.

    Përderisa për Kodin Civil se nuk është proceduar në Kuvend për shkak se nuk duan të mos të votohet si në herën e parë, raporton EO.

    “Padia për gjenocid është në planin qeverisë është duke punuar. Për shkak të ndjeshmërisë s’mundemi me nda detaje. Po të kishte vullnet politik për adresimin e krimeve që Serbia i ka bërë në Kosovë. Në raport me dëmet e shkaktuara do të jetë në përgjegjësi të Institutit”.

    “Kodi Civil është vullnet i Qeverisë që atë ta kalojmë. Do e marrim përsipër në ministri që të ju njoftojmë për këtë Kodin Civil.  Nuk e kemi proceduar në Kuvend sepse nuk duam të ketë si herën e kaluar. Qasja e opozitës është e pajustifikueshme”.

  • Pritet të debutojë për Malin e Zi në ndeshje zyrtare përballë Serbisë, ja çfarë thotë lojtari i Ballkanit

    Pritet të debutojë për Malin e Zi në ndeshje zyrtare përballë Serbisë, ja çfarë thotë lojtari i Ballkanit

    Kapiteni i Ballkanit Edvin Kuç ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin në ATV.

    Mesfushori i lindur në Tuz së fundmi ka marrë ftesë nga kombëtarja e Malit të Zi për t`i përfaqësuar ngjyrat e kësaj kombëtare.

    Lexo po ashtu:Edvin Kuç: Prisja ftesë nga Kosova, por Gliha me la pa shpresa

    E ndeshjen e parë zyrtare për kombëtarën e Malit të Zi, 29 vjeçari pritet ta ketë përballë kombëtarës së Serbisë me datën 17 tetor.

    Më poshtë mund të shikoni se çfarë deklaroi lojtari për këtë takim./ATVLIVE.TV 

  • Sulmi në veri, Kurti i bën thirrje Serbisë të ndërpresë nxitjet për dhunë

    Sulmi në veri, Kurti i bën thirrje Serbisë të ndërpresë nxitjet për dhunë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke komentuar sulmin e mbrëmshëm të ndërtesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut, ka thënë se fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua, por mund të kishte ndodhur lehtësisht.

    Kurti ka shkruar në Twitter se sulmi ka ndodhur me dy granata dore, duke shkaktuar dëme në veturat e afërta.

    “I bëj thirrje Serbisë që menjëherë të ndërpresë nxitjet për dhunë para se të humbasin jetë”, ka shkruar ai.

    Policia e Kosovës konfirmon se nuk ka të lënduar, përveç dëme materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare policore.

  • Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

    Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa ka konfirmuar lirimin e tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga Serbia, ai ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi.

    Kurti ka shkruar se ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe si i tillë duhet qortuar.

    “Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Kurti.

    Më 14 qershor, tre policë kufitar të Kosovës ishin rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit tonë.

    Lirohen tre policët e rrëmbyer nga Serbia

  • Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hedh poshtë akuzat nga Brukseli dhe Uashingtoni.

    Ai mendon se Serbia duhet të përgjigjet.

    Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë më të tensionuara se në vitet e mëparshme. Uashingtoni paralajmëron se kriza mund të përshkallëzojë në një konflikt rajonal, ndërsa Bashkimi Evropian po kërcënon Kosovën me sanksione. Kështu e përshkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung” gjendjen aktuale.

    Gazetari Tobias Tzick u shpjegon lexuesve gjermanë se “përpjekjet ndërmjetësuese të BE-së dhe SHBA-së kanë për qëllim të bindin Prishtinën që të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi duhet ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në muajin mars ka paraqitur një draft me kushtet kryesore: “Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, zoti Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të”.

    “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”

    “Kur e takoj zotin Vuçiq”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”.

    Vërejtjes së gazetarit gjerman se diplomatët perëndimorë e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet: “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.

    Më pas kryeministri shton se i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive “për të shmangur skenat triumfuese”. Por shton ai, “kryetarët e bashkisë duhet të shkojnë në zyrat e tyre – apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”

    “Perëndimi do të arrijë të kundërtën”

    Kryeministri i pyetur se si e vlerëson faktin se “Bashkimi Evropian e kërcënon Kosovën me sanksione, ndërsa është jashtëzakonisht i butë ndaj Beogradit”, Kurti përgjigjet: “Miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi”. Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë”.

    Gazetari gjerman thekson se, “sipas një interpretimi, BE-ja dhe SHBA-ja duan të përdorin politikën e tyre me qëllime të mira për të ndarë Vuçiqin nga lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe kështu ta lidhin atë më afër vetes”. Kryeministri i Kosovës vlerëson se “diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”. Prandaj, thotë ai, “duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta”.

    “Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet”

    “Nuk kemi arritur shumë”, thotë Albin Kurti për dialogun e deritanishëm: “Pas disa orë bisedimesh për marrëveshjen bazë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep) Borell më 18 mars deklaroi: “Ne kemi një marrëveshje.” Dhe më 24 prill, z. Vuçiq deklaroi në konferencën për shtyp se e pranon marrëveshjen vetëm si koncept dhe jo si përmbajtje. Më vonë ai ka njoftuar Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin se synon të zbatojë vetëm disa pjesë të marrëveshjes”, thotë Kurti.

    Dhe së fundi, në pyetjen se a është i mundur besimi i vërtetë mes tij dhe Beogradit, duke pasur parasysh se si lider studentor ka qenë në burg në Serbi për një kohë, Albin Kurti përgjigjet se “nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”. /DW

  • Vazhdojnë të mbesin të bllokuara rrugët në drejtim të tri pikave kufitare me Serbinë

    Vazhdojnë të mbesin të bllokuara rrugët në drejtim të tri pikave kufitare me Serbinë

    Ministria e Punëve të Brendshme, saktësisht Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar bën të ditur se vazhdojnë të jenë të bllokuara pikë-kalimet kufitare Jarinjë, Merdarë dhe Bërnjak.

    Kështu bën të ditur Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdarë, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova.

    Protestuesit kanë bllokuar gjithashtu pikën kufitare në Bërnjak. Nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave.

    “Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

    Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/