ATV

Tag: Serbi

  • Pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Gucati: Shmangni udhëtimet nëpër territorin e Serbisë

    Pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Gucati: Shmangni udhëtimet nëpër territorin e Serbisë

    Pas arrestimit të një tjetër ish-ushtarit të UÇK-së, Mithat Llozhani, nga autoritetet serbe, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka bërë thirrje që veteranët, familjet e dëshmorëve dhe qytetarët të shmangin udhëtimin nëpër territorin e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

    Gucati ka paralajmëruar se ndalimet, sipas tij, po bëhen mbi bazën e listave dhe verifikimeve nga ana e Serbisë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka paraqitur versionin zyrtar të Beogradit, duke deklaruar se arrestimi është bërë nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile.

    “Kemi bërë një apel veteranëve sidomos, familjeve të dëshmorëve, mos i bini nëpër territorin serb se duke parë këto listat që i ka Serbia, tash në dorë që i ka ndërru, tani duke bërë verifikim, vetëm duke i ndalë pjesëtarët e UÇK-së. Edhe a i ndalë pjesëtarët e UÇK-së vetëm me tregu pak forcën që unë e bëj këtë punë. Ka këtë mundësi me i ndalë njerëzit, një vit, dy vjet apo sa po i ndalin nëpër burgje. Tani, unë nuk e di deri kur duhet me u bind veteranët, apo te kur duhet me u vetëdijësu, ne duke bërë apel. Ne i kemi përbetu në Zot, mos shkoni nëpër territor të Serbisë. As qytetarë është mire mos me i ra, se lëre më pjesëtarë të UÇK-së me i ra nëpër territorin serb me shku asajde”, tha ai.

    Ai ka shtuar se ndalimet, sipas tij, po krijojnë stres të madh për familjet dhe po i japin argumente Serbisë.

    “Tash le qe familja në stres, e është vetë në stres, po nuk është e hijshme me i dhënë argumente shtetit serb me shku asajde. Edhe me të blloku, tash një Zot e di kur i lirojnë ata. Unë e di që e ka angazhuar një avokat ai, dje e kam dëgjuar përmes mediave elektronike dhe kam dëgjuar që është ndalë një pjesëtar i joni. Ai djali ka qenë në Shqipëri një kohë të shkurtër, ka bërë disa ushtrime, po me rëndësi veteran është i UÇK-së. Nuk po muj me thanë që s’është. Është veteran, se ka qenë në uniformë. Kështu është saktë informacioni që e kam, veç e di që është pjesëtar i UÇK-së. E di edhe unë e lypa në listat e organizatës së veteranëve, është pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

    Në vazhdim, Gucati ka shprehur keqardhje për familjen e të ndaluarit dhe ka ngritur shqetësime lidhur me kartelën e veteranit.

    “Më vjen keq, më së pari për familjen e tij, për fëmijët e tij, për atë, pse hyn nëpër territor të Serbisë. Edhe më e keqja, po flitet, nuk jam i sigurt, gjithmonë po flas në bazë mediave, që atij ju paska zënë edhe kartela e veteranit në xhep. Kartela nuk i vynë në Gjermani, as në Kroaci a s’ka kund. Pse kartelën me veti? Kështu që më vjen keq nëse ju ka zënë dhe kartela në xhep, unë jam shumë keq për atë. Kështu që unë ju bëj apel edhe veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve mos bien pre e ktyne, e kësaj rrugës famëkeqe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke rënë në grackat e Serbisë”, tha ai.

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mithat Llozhani, është arrestuar dje nga autoritetet serbe në kufirin mes Serbisë dhe Koracisë dhe derisa po udhëtonte nga Gjermania drejt Serbisë.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka dhënë versionin zyrtar të autoriteteve serbe lidhur me arrestimin dhe ndalimin e Mit’hat Lozhanit, i cili sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) është ndaluar vetëm pse në xhep i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit.

    Daçiq ka deklaruar se Lozhani është arrestuar në Pikën Kufitare të Batrovcit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

    Kujtojmë që më 21 janar të këtij viti, është liruar 77-vjeçari Haziri Haziri i cili ishte arrestuar më 8 shtator të 2025-ës në Merdare, po ashtu nën pretendime për krime lufte.

  • Shpërthen zjarri në një fabrikë në Serbi, vdes një person ndërsa lëndohen katër të tjerë

    Shpërthen zjarri në një fabrikë në Serbi, vdes një person ndërsa lëndohen katër të tjerë

    Një fabrikë në Serbi është përfshirë nga flakët ditët e sotme, ku ka humbur jetën një person dhe katër të tjerë janë plagosur.

    Ngjarja ka ndodhur në fabrikën e Krushevcit “Trajal” ku ndodhi një shpërthim në objektin për prodhimin e shiritit të derivateve, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 09:00 dhe ekipet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin.

    Personat e lënduar janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm në Krushevc. Tre persona janë trajtuar në repartin e kirurgjisë në gjendje të vetëdijshme, ndërsa një i lënduar është trajtuar në Qendrën Emergjente./Top Channel

  • Në Serbi sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale

    Në Serbi sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale

    Serbia mban të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

    Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej orës 07:00 deri në 20:00.

    Të hapura do të jenë 8.273 qendra votimi.

    Këto janë zgjedhjet e pesta që organizohen në Serbi prej vitit 2012, dhe mbahen vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

    Zgjedhjet e së dielës do të monitorohen nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet e mbajtura deri më tani.

    Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.

    Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.

    Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.

    Vuçiq, dhe aleatët, hedhin poshtë këto akuza.

    Disa sondazhe publike e nxjerrin partinë e Vuçiqit si fituese të zgjedhjeve, në rendin e dytë koalicionin e partive opozitare, dhe të tretën, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, që është partnere në koalicion me SNS-në.

    Serbët në Kosovë do të udhëtojnë për të votuar

    Serbët e Kosovës do të mund të votojnë vetëm për Kuvendin e Serbisë.

    Ata do të duhet të udhëtojnë drejt Serbisë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk do të zhvillohet në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

    Ata do të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Qeveria e Kosovës ka kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

    Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë, shkruan REL.

    Thirrje shqiptarëve në Serbi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

    Shqiptarët e Luginës garojnë këtë herë me dy lista.

    Në përbërjen e kaluar parlamentare, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar./REL

  • Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist

    Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur akt terrorist sulmin e së enjtes afër Beogradit, ku u vranë tetë persona.

    “Është një akt në të cilin komunitetet tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu”, tha Vuçiq, në një konferencë për media, të premten.

    Nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, mbetën të plagosur 14 persona, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

    Sipas njoftimit, sulmuesi i dyshuar U.B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati.

    Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin, të enjten vonë.

    “Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.

    Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.

    Presidenti serb Vuçiq, pas këtij sulmi, përmendi disa masa sigurie që do t’i ndërmarrë qeveria përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.

    “(Kjo do të bëhet), në mënyrë që prindërit të ndjehen të sigurt. Do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 për qind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 për qind, besoj”, tha Vuçiq.

    Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

    Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren.

    Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.

    Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.

    Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

    Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

    Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit./REL/

  • Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Tjetër sulm masiv në Serbi, arrestohet i dyshuari

    Autoritetet serbe kanë arritur që ta arrestojnë 21-vjeçarin e dyshuar për sulmin masiv të mbrëmshëm ku mbetën të vrarë tetë persona dhe u plagosën 13 të tjerë në fshatin Dubonë.

    Siç raporton RTS, i dyshuari është arrestuar në afërsi të fshatit Kragujevcit.

    Sulmi raportohet të ketë ndodh rreth orës 23:00, teksa sipas ministrisë së Brendshme të Serbisë, sulmuesi qëlloi një grup njerëzish me një armë automatike dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

    Kujtojmë se sulmi i mbrëmshëm është i dyti i këtij lloji pasi të mërkurën një fëmijë 13-vjeç dyshohet se la të vdekur tetë fëmijë dhe rojen e një shkolle në Beograd.

    Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë

  • ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    ​Sulmi tragjik në Serbi, Kurti shpreh ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, pas sulmit të armatosur në Beograd të Serbisë.

    Kurti po ashtu ka uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit.

    “Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, ka shkruar ai në Twitter.

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

    Shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq ka deklaruar se janë duke u bërë hetime për ndriçimin e rastit.

    Sipas njohurive, siç ka treguar Miliq, 14-vjeçari veprën penale e kishte planifikuar që një kohë të gjatë.

  • Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë.

    Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (14), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia, por pa dhënë detaje për motivin e sulmit.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës.

    Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës.

    Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

    Të gjitha rrugët përreth shkollës, që ndodhet në qendër të Beogradit, janë të bllokuara, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq.

  • Beograd: Nxënësi vret rojën e shkollës, plagosë edhe mësuesen e shokët e klasës

    Beograd: Nxënësi vret rojën e shkollës, plagosë edhe mësuesen e shokët e klasës

    Në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit sot në mëngjes rreth orës 8:00 ka pasur të shtëna me armë zjarri, kur njëri nga nxënësit ka qëlluar disa herë në drejtim të shokëve të klasës dhe personelit të sigurisë.

    Sipas informacioneve të para nga mediat serbe, ka mbetur i vrarë roja i shkollës si dhe është plagosur rëndë mësuesja e historisë dhe ka disa nxënës të lënduar të tjerë.

    RTS shkruan se mësuesja dhe tre fëmijët janë pranuar në Qendrën Emergjente në Beograd dhe të gjithë kanë plagë me armë zjarri në zonën e gjoksit.

    Nxënësit e tjerë janë evakuuar dhe shumica e fëmijëve ndodhen jashtë të cilët po kontaktojnë me prindërit e tyre përmes telefonit.

    Policia ka arrestuar të miturin e dyshuar, nxënës i klasës së shtatë, i cili siç dyshohet ka qëlluar disa herë me armën e babait të tij.

    Siç mësohet jozyrtarisht, fëmijët fillimisht kanë menduar se dikush ka hedhur fishekzjarre dhe sipas pretendimeve të nxënësve të pranishëm, autori i ngjarjes i identifikuar si K.K. që qëlloi kurrë nuk kishte problem me askënd.

    Nxënësit thonë se ka qenë i qetë dhe i tërhequr dhe se pesë minuta para përfundimit të orës së mësimit ka hyrë dhe ka nisur të qëllojë.

    Sipas raporteve, jo të gjithë fëmijët e braktisën shkollën sepse disa mësues i mbyllën fëmijët në klasa.

    Te shkolla ka një prezencë të shtuar të policisë si dhe të autoambulancave.Horror në Beograd, nxënësi vret rojën e shkollës dhe plagos mësuesen e shokët e klasës