ATV

Tag: Seanca gjyqësore

  • Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot në Hagë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Në seancat e fundit dëshmitari i dhjetë dhe i njëmbëdhjetë të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë dhënë dëshmi dhe iu përgjigjën pyetjeve të Prokurorisë, Mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe gjykatësve.

    Trupi Gjykues shprehu shqetësimin për ritmin se si po ecin seancat në këtë çështje gjyqësore dhe u kujtoi palëve se është e panevojshme t’i pyesin dëshmitarët me hollësi për aspekte të pakontestuara.

    Ndryshe më 28 qershor, Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë.

  • Gjykimi ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”- Sot vazhdon seanca e mbyllur, nesër do të jetë publike

    Gjykimi ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”- Sot vazhdon seanca e mbyllur, nesër do të jetë publike

    Edhe sot në Speciale vazhdon procesi në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”, ndërsa dje është zhvilluar një tjetër seancë e mbyllur për publikun në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Dje dëshminë e ka vazhduar dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili është ballafaquar me pyetjet e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve.

    Ndërkohë ZPS-ja ka paralajmëruar që edhe seanca e të martës do të jetë e mbyllur, ndërsa deri tash, katër dëshmitarë janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun.

    Prokuroria ka thënë për ATV-në se të mërkurën seanca parashihet të jetë tërësisht publike.

  • Vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Vazhdon procesi gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Në këtë proces deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse, dhe në seanca pothuajse tërësisht të mbyllura për publikun.

    Dje pjesa më e madhe e seancës u mbajt e mbyllur për publikun, gjykatësi Smith shpjegoi se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim për dëshminë nga seanca e asaj date.

    Gjatë seancës së djeshme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë.

    Për muajin maj janë paraparë të zhvillohen dhjetë seanca.

  • Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

    Në Gjykatën Speciale në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara, seanca do të fillojë në ora 09:30, derisa do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë me radhë (me kodin 11), i cili do të i’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme dëshmitari me numër 11, ka thënë se në dhomën ku mbaheshin të mbyllur në fabrikën e metaleve në Kukës, janë urdhëruar që t’i japin shuplakë njëri-tjetrit.

    “Na kanë detyru shoqi-shoqit me i ra shuplakë sa të mujsh, sa ma shumë n’mujsh me i ra”, tha ai.

    Lidhur me atë se kush i ka detyruar për këtë, ai tha se “erdhën nja dy persona edhe një civil aty dhe na urdhërun me i ra shoqi-shoqit”.

    Paraprakisht, dëshmitari dha sqarime lidhur me incidentet që i kishin ndodhur atij, njëherë që ishte rrahur me shufër gome në pjesën e kraharorit, që e përshkroi se kishte pasur shumë dhimbje të madhe dhe herën e dytë pas disa ditësh që i kishin mavijosur syrin me grusht.

    “Ishte mëngjes, ora nuk e di përafërsisht 9 a 10, hynë tre persona dhe ma ulën kryet që mos me mujt me pa dhe nuk e di qysh veç kur e kom pa që syni m’u mshel, më ranë me grusht, fort më ranë me grusht, qashtu që m’u mshel syni ma nuk di gja, s’kom pa gjo’’, tha tutje ai.

    Dëshmitari tha se syri iu ishte nxirë dhe kishe pasur pak gjakderdhje dhe dhimbje të mëdha, duke thënë se edhe sot e asaj dite syri i loton shumë shpesh.

    Kurse, i pyetur nëse atë ditë i kishin thënë diçka, ai tha se ka dëgjuar vetëm zëra, duke thënë ‘‘shpiuna, tradhtarë’’, që sipas dëshmitarit ishte për personat në atë dhomë.

    Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

     

  • ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Seanca me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun. Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës. Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Pjetër Shala e ka ndjekur seancën përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit. Pas pauzës, seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë.

    Avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.

    Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Veldt-Foglia: Ju përmendet një ndërtesë me numrin 1, si një lloj burgu, a mund të na shpjegoni se si personat që mbërrinin aty në këtë shtabin e Kukësit që i qonin tek kjo ndërtesa me numrin 1, si mbërrinin aty, si arrinin aty, si vinin?

    Dëshmitari: Ata komandantët e mëdhenj i mblidhnin dhe i binin.

    Gjykatësja: Si vinin aty, në ç‘mënyrë? Me çfarë mjeti vinin?

    Dëshmitari: Komandantët e mëdhenj nëpër kampe i mblidhnin që ishin të dyshuar.

    Gjykatësja: Po vinin duke ecur në këmbë apo me ndonjë kerr, apo si vinin në çfarë mënyre, me çfarë mjetesh?

    Dëshmitari: Po me kerr, më duket nëpër kampe i mblidhnin edhe disa që vijshin si mobizilim i ushtrisë edhe ata i merrnin në pyetje.

    Gjykatësja: Ata njerëzit, personat, që i sillnin aty dhe i vendosnin tek ndërtesa numër 1, nga i dije ti, nga e kuptoje ti që ishin të dyshuar, siç na the dje, nga e mësove ti këtë?

    Dëshmitari: Kur i merrshin në pyetje disa i lëshojshin u mobilizojshin aty në ushtri”,është përgjigjur dëshmitari i mbrojtur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues.

    Në pyetjet e gjykatëses për personat që merreshin në pyetje si të dyshuar për bashkëpunëtorë me Serbinë, dëshmitari që mban numrin 10 tha se nuk i kishin duart e lidhura.

    Gjykatësja: Kur vinin aty tek shtabi, a ishe ti në gjendje për t’i dalluar, a e dije ti që ishin të dyshuar?

    Dëshmitari: Jo, jo, jo. Aty vijshin ata mobilizimin për ta bërë, atëherë këta komandantët e mëdhenj që dyshonin i qitshin në këtë ndërtesën numër 1, në dhoma, si të dyshuar.

    Gjykatësja: Ata njerëzit që merreshin nëpër kampe, siç the dhe i sillnin aty nga komandantët e mëdhenj me kerre, këta persona kur vinin aty i kishin duart e lidhura?

    Dëshmitari: Unë nuk i kam parë me duart e lidhura”, është përgjigjur ai në pyetjet e gjykatëses.

    Derisa i është kujtuar deklarata që ka dhënë, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar. Dhe prapë në seancë publike, dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

    Gjykatësja: Këta njerëzit që i sillnin aty, duart i kishin të lidhura?

    Dëshmitari: Zonja gjyqtare është mundësia që i kanë pasur, tash kam harruar se i binin aty në zyre, një herë i binin në zyre komandantët, tani i sjellshin në pavijonin numër 1. Me makinë e bijshin, por është mundësia që i kanë pasur duart (e lidhura), tash kam harruar unë.

    Gjykatësja: Në rregull, por këto fjalë ja ke thënë prokurorisë dhe tani po thua që mund t’i kesh harruar. Edhe kur ta lexojë unë, tani që po ta lexoj, a të kujtohet apo prapë se ke shumë të qartë?

    Dëshmitari: Prapë po them, ndoshta i kanë pasur… i qojshin në zyre komandantët. Nuk i zhdrypshin para portës aty ata që i vendosnin nëpër kampe. Ndoshta i kanë pasur duart lidhur se në makinë të vogël nuk i kam parë. Është edhe mundësia që i kam thënë prokurorisë”, ka thënë ai.

    Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

    Gjykatësi Zhilbir Biti ka pasur disa pyetje për kushtet ku mbaheshin këta persona.

    “Si për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë ka qenë. Se ku hajshim ne bukë edhe ata hajshin. Ka një ditë kishe, nga një ditë nuk kishe”, ka thënë ai.

    Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

    Ky është dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti ka dëshmuar nën masa mbrojtëse duke mbajtur të fshehur identitetin.

    Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11.

    Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Fillon dëshmia e dëshmitarit të 10-të kundër Pjetër Shalës

    Fillon dëshmia e dëshmitarit të 10-të kundër Pjetër Shalës

    Të hënën (1 maj) ka nisur dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë kundër Pjetër Shalës.

    Për ta intervistuar dëshmitarin, Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 3 orë kohë.

    Kjo dëshmi do të dëgjohet në tri seanca me nga 1 orë e 30 minuta kohë.

    Një pjesë e dëshmisë do të dëgjohet në seancë të mbyllur.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Sot vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Sot vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Gjatë ditës së sotme Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

    Seanca ndaj Pjetër Shalës pritet të nis nga ora 9:30 sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Gjatë ditës, tre dëshmitarë pritet të japin dëshmitë e tyre përmes video-lidhjes.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • ​Fillon dëgjimi i dëshmitarit të tretë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca mbahet e mbyllur

    ​Fillon dëgjimi i dëshmitarit të tretë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca mbahet e mbyllur

    Në seancë të mbyllur për publikun ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit ndërsa Jakup Krasniqi po e përcjellë këtë proces përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë.

    Para se dëshmitari të arrijë në gjykatore, trupi gjykues ka bërë të ditur se do të lëshojë një urdhër me gojë, për komentet lidhur me pyetjet që dje gjykatësit i kanë bërë dëshmitarit në fund të seancës.

    Përmes këtij urdhri, ai ka theksuar se turpi gjykues e ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

    Por, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe, ka kërkuar leje që të përfundojnë parashtrimin e tyre dhe më pas të kërkohen argumentet e trupi gjykues.

    “Do të kërkonim leje që të përfundonim parashtrimin tonë pastaj të kërkonim argumentet me gojë të gjykatës, para se të merret ndonjë vendim, kjo është një çështje që i përfshinë të gjithë dëshmitarët por sidomos dëshmitarët ‘viva voce, besoj që kemi goxha dëshmitarë ‘viva voqe që do të fillojnë seancën e radhës dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe do të donim të kishim mundësi të dorëzonim një kërkesë të përbashkët për trupin gjykues dhe pastaj të nxirrni urdhrin me gojë lidhur me këtë:, ka thënë Kehoe.

    Megjithatë, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se thënë se trupi gjykues i ka dëgjuar parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit dhe Selimit dje, sa i takon pyetjeve të bëra nga trupi gjykues për dëshmitarin e dytë të ZPS-së.

    “Nuk është e përshtatshme për gjykatësit që të shohin deklarata të papranuara të dëshmitarëve për të nxjerrë pista të reja hetimi. Gjykata e Apelit të Kosovës ka konstatuar që një dokument që është diskutuar me dëshmitarin nga trupi gjykues, nuk ishte autentik dhe mbrojtja do të ketë drejtën të rifillojë pyetjet e veta bazuar në pyetjet që janë drejtuar dëshmitarit, deklaratat e mëparshme të dëshmitarit që shërbejnë dhe janë edhe baza e pyetjeve nga trupi gjykues ishin edhe në listën e prezantimeve për këtë dëshmitar”, ka thënë ai.

    Ai ka theksuar se trupi gjykues kur bënë pyetje nuk kufizohet vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin.

    “Trupi gjykues i bëri pyetje dëshmitarit dje lidhur me pjesë të transkriptove të intervistave që dëshmitari i kishte dhënë ZPS-së dhe që ZPS i kishte përfshirë në prezantimet e veta dhe që janë përdorur disa herë nga ekipet e mbrojtjes kur bënë kundërpyetjet veta. Për më tej, i paraqet apo i bënë pyetje dëshmitarit lidhur me një dokument që ishte i përfshirë në listën e prezantime të ZPS-së. Po ashtu, mbrojtja bëri të qartë njoftimin e vet sa i takon relevancës së këtyre dokumenteve apo provave të dëshmitarëve në fjalë dhe e dini se këto dokumente mund të diskutoheshin nga dëshmitari. Asnjë cenim nuk u shkaktua lidhur me këto pyetje. Trupi gjykues nuk kufizohet kur u bën pyetje dëshmitarëve vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin. Fushëveprimi i pyetjeve gjyqësore është i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm në një fushë të caktuar, sipas rregullës 127 3, gjykatësi në do fazë mund t’i drejtojë pyetje dëshmitarit”, ka thënë Smith.

    Smith ka thënë se palët nuk duhet të supozojnë se trupi gjykues ka bërë ndonjë paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme.

    Ai gjithashtu ka bërë të ditur se turpi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit.

    “Trupi gjykues kërkon në përputhje me rregullën 137 (2) të vlerësohen lirisht të gjitha provat që janë dorëzuar paraprakisht për të përcaktuar pranueshmërinë dhe rëndësinë e tyre në përfundim të gjykimit. Palët kujtohen të mos supozojnë se trupi gjykues ka bërë një paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme në lidhje me këto. Sa i takon autenticitetit, turi gjykues duhet, sipas rregullës 138, të sigurojë që çdo provë e pranuar të jetë autentike. Paragrafi 47 i urdhrit mbi zhvillimin e procesit gjyqësor parashikon që palët mund ta kundërshtojnë një provë materiale, ta bëjnë këtë kundërshtim të qartë në momentin kur kjo provë kërkohet që të pranohet si provë. Trupi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit dhe këtë do ta bëjë në kohën e duhur”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe se trupi gjykues duhet të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Sipas tij, Kodi i procedurës penale në Kosovë përcakton që krahas provave të propozuara nga palët dhe palët e dëmtuara, trupi gjykues ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të nevojshme dhe të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

    “Trupi gjykues rikujton se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Trupi gjykues duhet të gjykojë dhe funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe burimeve të tjera që janë përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji. Trupi gjykues nuk ka juri, ata janë të mbështetur në fakt dhe në ligj dhe janë gjykatës profesionistë që në mënyrë që të dalin me konstatimet e duhura mund të ndërmarrin të gjitha hapat që gjykohen të nevojshme për të zbuluar të vërtetën, për të bërë këtë turpi gjykues në bazë të nenit 40(9) pika 6 e ligjit, urdhëron nxjerrjen e dëshmive krahas atyre që janë mbledhur paraprakisht apo janë prezantuar para trupit gjykues nga palët”, ka thënë ai.

    Pas përfundimit të këtij urdhri, prokurorja Silvia D’Ascoli ka kërkuar që të merret vendim lidhur me një kërkesë të cilën ka theksuar se e kanë përcjellur përmes postës elektronike, por këtu seanca ka vijuar me redaktime dhe pastaj e mbyllur për publikun.

    Dëshmitari i cili mban kodin W04421 është dëshmitari i tretë i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve.

    Përveç një pjesë të shkurtë të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

  • Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.

    Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.

    Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.

    Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

    Në faqen zyrtare të DhSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

    Kujtojmë se që nga fillimi i javës së kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Seancat janë duke u mbajtur të mbyllura për publikun.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.