ATV

Tag: SBASHK

  • 600 mësimdhënës kërkuan pushim pa pagesë në gjysmëvjetor, SBAShK-u ngre shqetësimin për ikjen e mësimdhënësve nga vendi

    600 mësimdhënës kërkuan pushim pa pagesë në gjysmëvjetor, SBAShK-u ngre shqetësimin për ikjen e mësimdhënësve nga vendi

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) ka ngritur shqetësimin se rreth 600 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, në mënyrë që të largohen nga vendi. Nga Instituti EdGuard, thonë për Ekonomia Online se ky pushim pa pagesë nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me emigrimin e mësimdhënësve.

    Sipas këtij Institutit, këto statistika mund të nxirren vetëm nga komunat dhe Ministria e Financave pas përfundimit të pushimit pa pagës.

    Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, ka thënë se para fillimit të vitit shkollor 2023-2024 në Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë bërë kërkesë mbi 300 mësimdhënës për pushim pa pagesë. Sipas saj, këtë pushim shumica prej tyre e kanë marrë me qëllim që të largohen nga Kosova dhe të shkojnë ta gjejnë veten diku në shtetet e ndryshme të Evropës.

    Sipas saj, ky numër është rritur pas liberalizimit të vizave. Në gjysmë-vjetorin  e dytë të vitit shkollor 2023/24 afër 600 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë.

    “Po para fillimit të vitit shkollor 2023-2024 kërkesë në Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë bërë mbi 300 mësimdhënës për pushim pa pagesë dhe ata kryesisht kanë bërë këto kërkesa me qëllim që të largohen nga Kosova dhe ta gjejnë veten diku në shtetet e ndryshme të Evropës. Mirëpo me liberalizimin e vizave tani kur po fillon gjysmë-vjetori  i dytë i vitit shkollor 2023/4 ky numër është rritur, që sipas informacioneve që i kemi nga mësimdhënësit është diku 500 apo 600 mësimdhënës për këtë vit”, ka thënë ajo.

    Shala ka thënë se ka edhe mësimdhënës që fare pa bërë kërkesa në Drejtoritë Komunale po largohen nga vendi, për të cilën tha se ky është një alarm shumë shqetësues.

    “Qoftë ata që kanë bërë kërkesë në drejtoritë komunale për pushim pa pagesë apo kemi tani edhe mësimdhënës që fare pa bërë kërkesa në Drejtoritë Komunale po largohen nga vendi ynë duke shkuar në shtetet e ndryshme të Evropës. Cka ky është një alarm shumë shqetësues ngase në një të ardhme të afërt nëse vazhdon ky trend i ikjes së mësimdhënësve nga Kosova shkollat tona do mbesin pa mësimdhënës të gjuhë shqipe”, ka thënë ajo për EO.

    Ndërsa drejtor i Institutit EdGruard, Rinor Qehaja, ka thënë se nuk beson që marrja e pushimit pa pagesë nga mësimdhënësve ka ndonjë relacion të drejtpërdrejt me emigrimin jashtë vendit.

    Sipas tij, këto statistika mund të nxirret vetëm nga komunat dhe Ministria e Financave dhe atë pas përfundimit të pushimit pa pagës.

    “Nuk besoj që pushimi pa pagese që po mirren nga një numër i mësimdhënësve ka ndonjë relacion të drejtpërdrejt me emigrimin jashtë vendit. Kjo është statistikë e cila mund të nxirret vetëm nga komunat dhe Ministria e Financave dhe atë pas përfundimit të pushimit pa pagës. Në fund të ditës është kategori e pushimeve që i takon ligjërisht çdo mësimdhënësi dhe çdo nëpunës tjetër publik”, ka thënë ai.

    Qehaja është shprehur se në vend janë mbi 2000 mijë mësimdhënës që janë tepricë brenda sistemit arsimor, dhe se pa marrë parasysh situatave nuk ka ndonjë mundësi që të cenohet procesi mësimor.

    “Profesioni i mësimdhënësit fatmirësisht ende vazhdon të jetë shumë atraktiv për punmarrje. Unë rikujtoj që kemi një numër jashtëzakonisht të madh të të diplomuarve që presin për rekrutim në mësimdhënie. Në të njëjtën kohë rikujtoj që kemi mbi 2000 mijë mësim dhes që janë tepricë brenda sistemit arsimor, kështu se në secilin rast nuk vlerësoj që ndonjë lëvizje eventuale në karrierë mese mësimdhënëse dhe ndryshim të vendeve të punës, mund të cenoj pastaj procesin mësimor”, është shprehur Qehaja.

  • ​SBASHK: 400 mësimdhënës me sëmundje të rënda detyrohen të punojnë

    ​SBASHK: 400 mësimdhënës me sëmundje të rënda detyrohen të punojnë

    Rreth 400 mësimdhënës të sëmurë rëndë vazhdojnë të punojnë në institucione arsimore, për shkak se ende nuk është gjetur një zgjidhje e përshtatshme për ta. Kështu thonë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), derisa kërkojnë nga qeveria aktuale tu mundësojnë atyre pagën e plotë dhe t’i zëvendësojnë me kuadro të reja. Ndërkaq, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë quajnë fatkeqësi faktin që mësimdhënësit me sëmundje të rënda detyrohen të dalin në punë, për mos ta humbur vendin e punës.

    Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, për KosovaPress thotë se kërkesa e tyre vazhdon të jetë që mësimdhënësit e sëmurë rëndë të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë.

    “Vazhdimisht e kemi shtruar edhe çështjen e punëtorëve me sëmundje të rënda në sistemin arsimor që nga çerdhet në universitet, ngase e kemi konsideruar se shteti ka obligim edhe njerëzor ndaj tyre ngase këta njerëz me këto sëmundje, kanë punuar më vite në arsim mirëpo sëmundja e ka bërë të vetën dhe ata nuk janë më në gjendje të japin kontributin e kërkuar… Kërkesa jonë ka qenë dhe mbetet që këta njerëz të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë, arsyeja është humane ngase shpenzimet për shërimin e sëmundjeve të tyre janë tejet të mëdha dhe ata po i dërguam në ndonjë pension të vogël ata do t’i dëmtojmë dyfish”, thotë Jasharaj.

    Jasharaj thotë se në bazë të të dhënave të mbledhura del se janë rreth 400 mësimdhënës me sëmundje kronike të angazhuar nëpër çerdhe e deri në universitete.

    “Zgjedhja më meritore dhe më humane do të ishte që këta të lirohen nga procesi mësimor, në vend të tyre të aktivizohen kolegët që janë në pritje, që janë të papunësuar dhe kanë kryer shkollim të mjaftueshëm për sistemin arsimor… Në bazë të analizave që i kanë bërë të tjerët dhe shënimet i kanë dhënë DKA-të para disa viteve, ishte një numër pak më i vogël, mirëpo në diskutimet me MASHT-in dhe DKA-të kemi arritur një përfundim që ky numër mund të jetë 400. Kemi insistuar që të merret një numër mbase pak më i madh në mënyrë që kur të ndahet buxheti mos të ndodhë që të kemi buxhet për një numër më të vogël e pastaj t’ia bëjmë të padrejtë ndonjërit prej tyre”, vijon ai.

    Jasharaj potencoi se përveç sëmundjeve të rënda, mësimdhënësit kanë probleme me dëgjim, shikim dhe harresë për shkak të moshës, duke përfshirë edhe sëmundjet e zemrës, që sipas tij mund të vijnë edhe si pasojë e presionit në punë.

    Ai shtoi se SBASHK-u nuk ka mundësi që të kontribuojë në lidhje me këta mësimdhënës.

    Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati për KosovaPress thotë se marrin kërkesa të vazhdueshme nga kjo kategori e mësimdhënësve për mbështetje, derisa shton se kjo temë duhet të trajtohet më seriozisht që nga niveli qeveritar.

    “Ka shumë mësimdhënës që kanë kërkuar mbështetje nga komuna, por edhe nga ministria për të bërë zgjidhje për shkak të sëmundjeve të ndryshme që i kanë. Jemi munduar si komunë që të fillojmë me implementimin e disa politikave që i jep pushim me pagesë këtyre rasteve. Fatkeqësisht, mundësitë buxhetore të cilat i kemi dhe po i lejon thesari për momentin janë shumë të limituara, sepse ne funksionojmë me një numër të përgjithshëm të stafit arsimor që e kemi në sistem. Gjithsesi, Është një temë tepër e rëndësishme që mendoj se duhet të trajtohet seriozisht, që nga niveli qeveritar pastaj edhe komunat ta implementojnë, sepse është fatkeqësi që ne i detyrojmë mësimdhënësit të cilët kanë sëmundje të rënda të dalin ën punë dhe të mbajnë mësimin dhe të vijojnë mësimin që mos ta humbasin vendin e punës”, thotë Musmurati.

    Musmurati thotë se në komunën e Prishtinës kanë pranuar rreth 20 kërkesa nga mësimdhënësit e sëmurë, për t’iu gjetur zgjidhje dhe për t’iu ofruar mbështetje.

    “Atyre iu takon pushimi shëndetësor, ashtu siç iu takon të gjithë tjerëve, por për ditë të tjera shtesë ka pasur raste që është dashur t’i refuzojmë për shkak se orët do të humbnin për fëmijët. Kështu që është diçka për të cilën duhet të punojmë më shumë, prej nivelit qendror ta gjejmë një zgjidhje. Pastaj edhe ne si komuna të angazhohemi që të implementojmë me saktësi… Kërkesat vijnë gjatë gjithë vitit, janë ad hoc nuk po më kujtohet një numër i saktë, diku kanë qenë rreth20 kërkesa, po them dallon prej vitit në vit, ka shumë faktorë që ndikojnë, që jo domosdoshmërish i plotësojnë kërkesat që janë me udhëzues të ministrisë po që ne pastaj ulemi dhe i shqyrtojmë”, potencon Musmurati për KosovaPress.

    Ndërkaq, lidhur me këto kërkesa, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë përgjigjur duke thënë se për vitin 2023 nga Grandi specifik i arsimit parauniversitar janë ndarë gjithsej 1,700,000.00 euro për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore.

    “Në prill të vitit të kaluar, MASHTI ka nxjerrë një udhëzues për zëvendësimin dhe pagesën e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore. Qëllimi i këtij udhëzuesi është të ndihmojë Drejtoritë Komunale të Arsimit për marrjen e vendimit për zëvendësimin dhe pagesën e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore nga buxheti i ndarë me Ligjin e buxhetit. Sipas këtij Udhëzuesi, zëvendësimin e bëjnë DKA-të, sepse punësimi i mësimdhënësve është në kompetencën e komunave. Për vitin 2023 nga Grandi specifik i arsimit para universitar janë ndarë gjithsej 1,700,000.00 euro për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it përmes e-mailit. /KP

  • SBASHK ka një paralajmërim për Nagavcin: Ka tendencë për të na përçarë, mos u mundoni kot

    SBASHK ka një paralajmërim për Nagavcin: Ka tendencë për të na përçarë, mos u mundoni kot

    SBASHK-u ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit.

    Në reagimin e tyre sërish kanë theksuar se MASHT-i ka bërë vendim të gabuar për tekstet shkollore, ku sipas tij, ka sjell shqetësim te punëtorët e arsimit.

    “Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut Ministrja Nagavci, në vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj”, thuhet në reagim.

    SBAShK ka edhe një paralajmërim për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    “Ministre mos u mundoni kot se sindikatën tonë u munduat ta shuani, por SBASHK ishte dhe mbetet sindikatë e punëtorëve të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete dhe do të vazhdojë të jetë zë i tyre sepse ata janë bashkë e në SBASHK”, thuhet tutje.

    Deklarata e plotë:

    Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut duke ju uruar juve dhe gjithë nxënësve për vitin e ri shkollor ju falënderoj që kësaj radhe nuk kishit kërkesa për veprime sindikale dhe kjo na jepte shpresë se ky vit shkollor do të ketë fillim dhe rrjedhë të mbarë, por MASHTI u kujdes që kjo të mos ndodh duke sjell vendim të gabuar për tekstet shkollore, vendim ky që ka krijuar shqetësime e stres të punëtorët arsimorë në mësimin shqip, por dhe te kolegët tanë në mësimin në gjuhën boshnjake e turke.

    Të nderuarit mësimdhënëses të Kosovës ju keni qenë të përkushtuar në misionin e shenjtë të edukimit e arsimit të brezave nëpër vite e dekada dhe keni kaluar me sukses pengesat që na krijuan të tjerët. Ju lus që të angazhoheni maksimalisht e të kontribuoni aq sa mundeni që pajisja me tekste shkollore të bëhet në mënyrën më të mirë të mundur e sidomos për nxënësit që vijnë nga familje me gjendje më të rënduar ekonomike.

    Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut Ministrja Nagavci, në vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj. Ajo, si duket, ka besuar se do të jep rezultate plani i saj dhe i ministrit Murati se duke krijuar pengesa, që nuk ndodhin në as një vend demokratik të botës, punëtorët e arsimit nuk do të regjistrohen si sindikalistë në e-Kosova dhe kështu do të shuhet SBASHK-u. Por, Nagavcit nuk ia paskan treguar lajmin se SBASHK-u nuk u shua, por vazhdon rrugëtimin me unitet të plotë e me shumë angazhime në shërbim të arsimit dhe do ta ngrit zërin në emër të anëtarësisë.

    Pra, Jasharaj përfaqëson mijëra e mijëra anëtare e anëtarë të SBASHK-ut që nga çerdhet e deri në universitete. Zonja Nagavci me tendencën për të krijuar përçarje deklarohet se ky vendimi i ri për tekstet shkollore qenka edhe në shërbim të mësimdhënësve. Ajo, mbase ka menduar se kështu i kursen nga lodhja e ndarjes se teksteve shkollore për nxënësit e tyre, por ata nuk e duan këtë kujdes sepse me kënaqësi e të lumtur e kanë kryer këtë veprim duke i parë të gëzuar nxënësit për tekstet e reja shkollore. Sa është kujdesur e kujdeset Nagavci për punëtorët e arsimit u pa kur i gëzohej angazhimit të Qeverisë për ndëshkim me ndalim pagash pse punëtorët e arsimit kishin qëndruar arsyeshëm në grevë. Dhe kur u bënte presion edhe me inspektorë që të mbajnë mësim për të kompensuar orët e humbura në grevë. Ministre mos u mundoni kot se sindikatën tonë u munduat ta shuani, por SBASHK ishte dhe mbetet sindikatë e punëtorëve të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete dhe do të vazhdojë të jetë zë i tyre sepse ata janë bashkë e në SBASHK.

  • SBAShK: Mund të mosmjaftojnë 80 € për libra, çmimet ka gjasa të rriten

    SBAShK: Mund të mosmjaftojnë 80 € për libra, çmimet ka gjasa të rriten

    Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), po konsideron mjetet e ndara nga Ministria e Arsimit mund të mosmjaftojnë për t’i blerë librat nga prindërit, tha nënkryetarja e këtij institucioni, Vjollca Shala.

    Ajo pohoi se do të ketë probleme edhe me mënyrën e aplikimit në platformën e-Kosova. Shala pohoi se duke pasur parasysh që tani shitja e librave do të bëhet me pakicë shtëpitë botuese e librarit do t’i ngrisin çmimet.

    “Edhe e dëgjuam dje Ministrin e Arsimit se kishte bërë një subvencionim të mjeteve për tekstet mësimore, librat dhe mjete të tjera mësimore që ishte në shumën prej 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, ndërsa plus 30 euro për ata që janë nga klasa e gjashtë deri në klasën e nënte. Duke pasur parasysh që librat me pakicë tani natyrisht që ka mundësi që shtëpitë botuese dhe librarit t’i ngrisin çmimet. Ne akoma nuk e dimë saktë se sa do të kushtoj një libër, ende nuk e dimë saktë se a do të jenë të mjaftueshme ajo shumë apo jo”, tha ajo.

    Ajo po ashtu theksoi se problem tjetër për këtë formë të pajisjes me tekste shkollore do të jetë edhe mungesa e librarive në komuna, pasi sipas saj, në një pjesë të komunave librarit janë mbyllur, raporton EO.

    “Natyrisht që kjo pjesë do të jetë kogja e vështire, unë personalisht e kam bërë hulumtim e platformës e-Kosova për të aplikuar për këtë subvencionim mirëpo gjatë procesit të hyrjes e pashë se ka probleme nga se ndoshta edhe numri i madh i atyre që dëshirojnë të aplikojnë për këtë subvencionim tani më është shumë i lartë dhe herë pas here kjo faqe po bllokon, nuk po ka mundësi ti qasen atyre. Përveç kësaj problematike natyrisht që ka probleme edhe të tjera ngase kemi prind që nuk kanë njohuri për të hyrë në këtë platformë”.

    “Pastaj kemi prind që nuk kanë qasje në internet. Gjithashtu edhe nëse subvencionohen këto mjete do të ketë probleme edhe nëpër librari ngase kemi komuna që nuk kanë librari fare, pastaj do të krijohen tollovi për blerje të librave ngase ka mbetur një kohë shumë e shkurtë. Mund të ketë edhe ngritje të çmimeve të librave nga njëra librari në librarin tjetër, pasta do të ketë hutime të prindërve se cilin libër duhet ta blejnë, cila shtëpi botuese”, tha ajo.

    Në platformën e-Kosova është publikuar linku në të cilin prindërit mund të aplikojnë për subvencionim të teksteve shkollore për fëmijët nga klasa 1-5.

    Ministria e Arsimit të enjten mbrëma ka njoftuar se do të ndajë 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.

  • ​Licencimi i mësimdhënësve, MAShTI dhe SBASHK-u ende të ndarë

    ​Licencimi i mësimdhënësve, MAShTI dhe SBASHK-u ende të ndarë

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) është duke përgatitur një pako të ndryshimeve legjislative, në të cilën parashihet licencimi i mësimdhënësve. Por kjo iniciativë po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), pasi që kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performancës.

    Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit pakoe ndryshimeve legjislative, do të ndikojë në cilësi të mësimdhënies dhe të mësimnxënies.

    Përmes një përgjigje me shkrim, nga MAShTI bëjnë të ditur se në kuadër të draftit UA për lincencimin e mësimdhënësve parashihen tri nivele të licencave, të cilat vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar. Sipas Ministrisë, në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë.

    “MASHTI është duke përgatitur një pako të ndryshimeve legjislative të cilat ndikojnë në cilësi të arsimit përkatësisht mësimdhënies dhe mësimnxënies. Në kuadër të kësaj pakoje është edhe draft-UA, për licencimin e mësimdhënësve. Grupi punues ka hartuar draftin për këtë udhëzim dhe shumë shpejtë do të fillojë diskutimi i gjerë me mësimdhënës për këtë pako ligjore… Ky draft UA parasheh 3 nivele të licencave (licenca e karrierës, licenca e avancuar dhe licenca e përhershme). Kalimi nga një licencë në tjetrën realizohet përmes vlerësimit të performancës-i brendshëm dhe i jashtëm dhe vlerësimit që pritet të organizohet nga MASHTI. Në rast se mësimdhënësi kalon nga licenca e karrierës në licencën e avancuar, parashihet edhe një shtesë në pagë. Këto nivele të licencave vlejnë vetëm për arsimin parauniversitar. Zbatimi i këtyre niveleve të licencës do të fillojë pas finalizimit të kuadrit ligjor”, bëri të ditur MASHTI përmes një përgjigje me shkrim.

    Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj deklaroi për KosovaPress se do ta kundërshtojnë me të gjitha metodat testimin e mundshëm me shkrim për mësimdhënësit në vend.

    Sipas tij, SBASHK-u insiston që të shtohet numri i inspektorëve profesionalë që ata të shkojnë shkollë më shkollë, klasë më klasë dhe të shohin nga afër punën që bënë mësimdhënësi tha Jashari.

    “SBASHK-u kurdo që është përdorur si me qëllim ashtu edhe pa qëllim nga institucionet termi test me shkrim, për dituri apo njohurinë e mësimdhënësve që moti ka qëndrim, të cilin e mbron edhe tani, test për njohuritë e mësimdhënësve nuk ka pasur, nuk ka të tilla edhe nuk do të ketë asnjëherë. Ne do të marrim të gjitha angazhimet që të mos ndodh kurrë me të vetmen arsye, sepse e konsiderojmë si degradim dhe nënçmim për arritjen dhe shkollimin që kanë bërë mësimdhënësit, sepse ata në Fakultetin e Edukimit janë testuar dhjetëra herë, janë pyetur mësimdhënësit dhe me diplomë ata dëshmojnë se individi i caktuar është i përgatitur për sektorin e arsimit”, tha ai.

    Kundër vlerësimit me shkrim (testimit) të mësimdhënësve shprehen edhe nga Instituti EdGuard.

    Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Rinor Qehaja, tha për KosovaPress se ka një strukturë aktuale të vlerësimit të performancës.

    “Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është i domosdoshëm mirëpo vlerësimi sipas legjislacionit aktual sikurse në atë të rishikuar nuk parasheh testimin e mësimdhënësve si instrument të vetëm, ajo që është më e rëndësishme është që të ketë një vlerësim të vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve jo testim të tyre, mësimdhënia është shumë komplekse dhe shumë e ndjeshme për tu vlerësuar ose gjykuar me një test të vetëm… Testimi si instrument i vetëm, padyshim që jemi kundër, edhe nga një këndvështrim statistikor në terma të validitetit dhe besueshmërisë mungon në të tilla, mirëpo më e rëndësishme për neve është të kemi një strukturë aktuale të vlerësimit të performancës që parasheh vetëvlerësim nga mësimdhënësi, vlerësim nga drejtori i shkollës, vlerësim të jashtëm nga inspektorati, dhe vlerësim portofolit, pra kjo është ajo çka na thotë ligji aktual që në secilin rast dëshirojmë ta kemi të rishikuar dhe të përditësuar për ta gjetur atë modalitetin ideal që na siguron një vlerësim të sigurt dhe të besueshëm në performancën e secilit mësimdhënës”, ka theksuar ai.

    Në Programin për vlerësim ndërkombëtar PISA, në vitin 2019, Kosova është renditur e treta nga fundi, në rezultatet e publikuara nga programi për vlerësimin ndërkombëtar të studentëve, PISA.

    Kosova është vendin e 77-të për cilësi të dobët në arsim, nga 79-të vende të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.