ATV

Tag: Sanksion

  • Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Samiti i G7 në Hiroshimë, pritet t’i vendosen sanksione të reja Rusisë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në samitin e Grupit të Shtatë (G7), në Hiroshimë, këtë fundjavë për të ushtruar presion të ri mbi Rusinë nga një qytet që është sinonim i tmerreve që shkakton lufta bërthamore.

    Zelensky do të marrë pjesë në takim të dielën, që është dita e tretë dhe e fundit e samitit, thanë dy zyrtarë të përfshirë në aranzhimet për samitin e G7-ës.

    G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

    “Gjëra shumë të rëndësishme do të vendosen atje dhe prandaj presidenti jonë do të jetë i pranishëm, që është absolutisht thelbësore për të mbrojtur interesat tona”, tha për televizionin shtetëror Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

    Pjesëmarrja e Zelenskyt, së bashku me thirrjet e tij për mbështetje të shtuar për Ukrainën në konfliktin e saj me Moskën, pritet të shtojë presionin te vendet e G7-ës për të vepruar më me urgjencë.

    Udhëheqësit e G7-ës tashmë pritet të shpallin sanksione të reja kundër Rusisë dhe të shtojnë bashkëpunimin për kundërvënie ndaj Kinës.

    Duke u paraqitur si kombet më të pasura të botës në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, demokracitë e G7-ës janë sfiduar gjithnjë e më shumë nga Kina si një fuqi politike në rritje dhe një Rusi e paparashikueshme.

    Britania tha se do të shpallë një ndalim të diamanteve ruse dhe importeve të metaleve nga Rusia duke përfshirë bakrin dhe aluminin. Britania do të sanksionojë gjithashtu 86 persona dhe kompani të tjera të afërta me Putinin.

    Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se Evropa do të kufizojë gjithashtu shitjet e diamanteve ruse.

    Shtetet e Bashkuara do të shtojnë 70 subjekte në listën e zezë të eksporteve dhe do të zgjerojnë autoritetin e sanksioneve në 300 subjekte, si dhe sektorë të rinj të ekonomisë ruse, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.

    “Do të dëgjoni një deklaratë të fuqishme uniteti, fuqie dhe përkushtimi në përgjigjen tonë ndaj luftës së agresionit të Rusisë”, tha zyrtari. “Do të shihni hapa të rinj të ndërmarrë për të izoluar ekonomikisht Rusinë dhe për të dobësuar aftësinë e saj për të bërë luftë.”

    Qëllimi i përbashkët i këtyre shteteve është zvogëlimi i varësisë nga eksportet ruse të energjisë dhe kufizimi i aksesit të saj në sistemin financiar ndërkombëtar.

    Rusia ka thënë se është e gatshme të përdorë arsenalin e saj bërthamor për të mbrojtur “integritetin e saj territorial” nëse është e nevojshme.

    Më herët të premten, udhëheqësit e G7 vendosën kurora me lule në Hiroshima, një qytet që, së bashku me Nagasaki, u shkatërrua nga një sulm bërthamor i SHBA-së 78 vjet më parë që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

    Kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili përfaqëson Hiroshimën në dhomën e ulët të parlamentit të Japonisë, tha se zgjodhi qytetin për samitin për të përqendruar vëmendjen në kontrollin e armëve.

  • BE-ja propozon rund të ri sanksionesh ndaj Rusisë

    BE-ja propozon rund të ri sanksionesh ndaj Rusisë

    Brukseli i ka propozuar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian rundin e 11 të sanksioneve lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, sanksione që synojnë të parandalojnë shmangien e ndëshkimeve paraprake.

    “Kjo paketë do të përqendrohet në zbatimin e sanksioneve, efektivitetin e tyre dhe si të parandalohet shmangia e sanksioneve”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

    Pjesë e paketës së sanksioneve që KE-ja ka propozuar synojnë ndaljen e eksporteve të teknologjisë së ndjeshme të tetë kompanive kineze, nën dyshimet se këto kompani po shesin teknologji të tillë në Rusi, raporton AFP, që ka parë një dokument të paketës së re të sanksioneve.

    Ambasadorët e BE-së të mërkurën do të takohen për të nisur bisedimet për rundin e ri të sanksioneve.

    Të 27 shtetet e bllokut evropian kanë goditur Moskën me sanksione të paprecedentë që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.

    Por, shumë diplomatë evropianë kanë thënë se blloku evropian është afër arritjes së limitit, sa i përket masave të gjera që të gjitha anëtarët mund të pajtohen që t’i vendosen Moskës.

    Brukseli tani po përqendrohen që të mbyllen zbrazëtirat ligjore në paketat e sanksioneve që veçse janë vendosur.

    BE-ja dëshiron që të godasë eksportet e teknologjisë së ndjeshme që bëhen nga shtetet e treta për në Rusi. Ky lloj i teknologjisë mund të përdoret për fushëbetejë, sikurse janë mikroçipat.

    Zyrtarët evropianë janë ankuar se shtetet, përfshirë Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe ish-shtetet sovjetike në Kaukaz dhe Azinë Qendrore, po përballen me sanksione ndaj disa mallrave që ata importojnë.

    Në listën e sanksioneve të propozuara nga blloku, për kufizim të eksporteve, janë edhe Armenia, Irani, Uzbekistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Si pjesë e propozimit të ri, BE-ja po synon që të përmirësojë mënyrën se si ndëshkon shtetet që tentojnë të shmangin sanksionet.

    Blloku po synon që të krijojë një mekanizëm që do të lejonte kufizimin e eksporteve të disa mallrave nga shtetet e treta, që dyshohen se i shërbejnë Rusisë./REL/