ATV

Tag: Salih Mustafa

  • Sot mbahet seanca e Apelit në rastin kundër Salih Mustafës

    Sot mbahet seanca e Apelit në rastin kundër Salih Mustafës

    Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara sot mban seancën në çështjen ndaj Salih Mustafës. Sipas njoftimit të Speciales, gjykimi do të mbahet nga ora 13:30 deri në 17:10.

    Salih Mustafa pretendohet se ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’).

    Aktakuza e ngarkon atë për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në fshatin Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022 dhe deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

    Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

    Në këtë çështje ishin 8 viktima pjesëmarrëse. Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023: Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

    Më 2 shkurt 2023, Mbrojtja e Mustafës njoftimin (konfidencial) për apel kundër Aktgjykimit. Versioni i redaktuar i fundit i dosjes së korrigjuar të apelit të Mbrojtjes u dorëzua më 15 shtator 2023. Seanca e apelit është caktuar të mbahet më 26 dhe 27 tetor 2023.

  • ​Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit

    ​Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, e ka dorëzuar dosjen e apelit kundër aktgjykimit të shpallur më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Me një vendim të shkallës së parë, Gjykata Speciale e kishte shpallur atë fajtor për krime të pretenduara të luftës duke e dënuar më 26 vjet burgim.

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të gjykatës, bëhet e ditur se dosjet e përgjigjeve do të dorëzohen në qershor.

    “Salih Mustafa dorëzoi dosjen e apelit kundër aktgjykimit të shpallur më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Versionin e redaktuar publik të dosjes së korrigjuar të apelit, të dorëzuar më 2 maj, mund ta gjeni këtu. Më 5 maj 2023, paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht kërkesën e ZPS-së dhe të mbrojtësit të viktimave për zgjatjen e afatit dhe i autorizoi që të dorëzonin dosjet e përgjigjeve ndaj dosjes së apelit të Mbrojtjes deri më 5 qershor 2023”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Salih Mustafa është dënuar më 26 vjet heqje lirie, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, që është nga shtatori i vitit 2020.

    Prokuroria pretendon se i njëjti ka kryer krime lufte dhe akuzat që rëndojnë mbi të janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme, ndërsa ai është shpallur fajtor për pikën 1, 3 dhe 4.

    Gjykimi ndaj Mustafës kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe janë mbajtur seanca në 52 ditë.

    Tetë persona janë pranuar si viktima në këtë proces gjyqësor, dhe trupi gjykues e ka caktuar shumën prej 207 mijë euro për dëmshpërblimin të tyre.

    Në gjykimin kundër Mustafës janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

    Shumë nga dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Në fillim të këtij procesi, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

    Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

  • Kush do t’i paguajë dëmshpërblimet që i kërkon Specialja?

    Kush do t’i paguajë dëmshpërblimet që i kërkon Specialja?

    Qeveria e Kosovës nuk duket se ka ndonjë plan konkret për kompensimin e mundshëm të viktimave në rastin e Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Speciale në Hagë.

    Kjo gjykatë, përmes një vendimi të marrë më 6 prill, e urdhëroi Mustafën që të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktima nga ky proces.

    Megjithatë, gjatë shpalljes së vendimit u bë e ditur se Mustafa ka deklaruar se nuk posedon mjete për të paguar zhdëmtimin.

    I gjendur në këtë situatë, trupi gjykues në Gjykatën Speciale theksoi nevojën “për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos Kosovën”.

    REL-i pyeti më 18 prill Gjykatën Speciale nëse ka marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me vendimin e saj për zhdëmtimin e viktimave, por zyrtarë të saj mohuan se kanë pranuar ndonjë informacion.

    Si parashihet zhdëmtimi i viktimave brenda Gjykatës Speciale?

    Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

    Atje gjykohen krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Në ligjin, përmes të cilit është krijuar kjo gjykatë, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.

    Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës.

    Në rastin e Salih Mustafës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.

    A mund ta paguajë buxheti i Kosovës zhdëmtimin e viktimave të Mustafës?
    Sipas legjislacionit aktual, mundësia e kompensimit të plotë të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës është e vogël.

    Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë në lidhje me atë se si mund të bëhet kompensimi i këtyre viktimave dhe në përgjigjen e marrë me shkrim thuhet se çështjen e kompensimit të viktimave të krimit e mbulon ligji aktual për këtë çështje.

    Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.

    Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve.

    Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.

    Vendimi i Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave në rastin e Mustafës ka paraparë shuma nga 2 mijë deri në 80 mijë euro për secilën nga tetë viktimat.

    Me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë, Ministria e Drejtësisë nuk e komentoi faktin se ligji aktual nuk i mbulon shumat e zhdëmtimit që janë urdhëruar tashmë nga Gjykata Speciale.

    As Zyra për Komunikim e Qeverisë së Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë çështje.

    Organizatat joqeveritare me mendime të ndryshme lidhur me zhdëmtimin
    Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), që merret me drejtësinë tranzicionale, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave.

    “FDHK e konsideron këtë urdhër si një avancim në realizimin e së drejtës së kompensimit të viktimave”, thuhet në deklaratën publike të kësaj organizate të datës 7 prill.

    Kjo organizatë, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të ofronin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

    Bekim Blakaj, drejtor i FDHK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompensimi i viktimave të krimeve të luftës është shumë i rëndësishëm, por shton se kompensimi do të duhej të bëhej për të gjitha viktimat – edhe përtej juridiksionit të Gjykatës Speciale.

    “Nëse do të duhej të krijohej një fond për kompensimin e viktimave të krimeve të luftës, të cilat janë vërtetuar nga kjo gjykatë [Gjykata Speciale], nuk do të ishte e drejtë që t’i përfshinte vetëm viktimat që vërtetohen nga Dhomat e Specializuara [në Hagë]”, thotë Blakaj.

    Por, sipas Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë, Gjykata Speciale “nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kompensojë këto viktima”.

    Sipas kësaj organizate joqeveritare, fondi për pagesën e viktimave do të duhej të krijohej nga buxheti i vetë Gjykatës Speciale, e jo të bëhet ngarkesë shtesë në buxhetin e Kosovës.

    Rikujtojmë se Gjykata Speciale financohet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera kontribuuese.

    Sipas raportit të kësaj gjykate të publikuar në vitin 2021, ky institucion përgjatë viteve 2016-2020 ka pasur një buxhet prej më shumë se 150 milionë eurosh.

    Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër, që u ka garantuar të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

    Ministria e Drejtësisë nuk i tregoi shifrat e fundit për shpenzimet për të akuzuar, por, sipas disa llogaritjeve të mëhershme, kjo shumë i kalon 13 milionë euro.

    Në proces është edhe gjyqi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.

    Si është bërë zhdëmtimi i viktimave të luftës në rajon?
    Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.

    Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.

    Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

    Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.

    Sipas një raporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

    Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat.

    Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.

    Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.

    Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh.