ATV

Tag: Rrahman Jasharaj

  • Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në intervistë për Ekonomia Online, ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Kurti e ministrave të tij.

    Sipas Jasharajt, kryeministri Albin Kurti e ministrat Arbërie Nagavci e Hekuran Murati, janë fajtor për gjendjen në të cilën gjendet arsimi.

    “Nga përvoja që kam sindikale shumë e gjatë, ministri Hekuran Murati e them publikisht se është njëri nga fajtorët kyç, sepse ai po harron që përveç se është ministër i Financave dhe Trasnfereve është edhe i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga vet ky fakt ai duhet të jetë flamurtar, ta nxis dialogun, të krijoj kushte edhe kur Qeveria thotë jo, të insistoj që të ketë dialog me sindikatën. Këtë detyrë e ka ministri. E në vend të kësaj ai e ka bllokuar edhe punën e këshillit ekonomik-social, ku ulen me ligj tri palët: Sindikatat, Qeveria dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe merren vesh për kërkesat”, u shpreh Jasharaj.

    Madje, kryesindikalisti akuzon ministrin Murati për përpjekje për t’i shuar sindikatat në vend. Thotë se ka gënjyer e ka shpifur ndaj sindikatave në vend. Fajtor e konsideron edhe për vlerën e koeficientit të pagave.

    “Ai (Hekuran Murati) bëri çmos edhe 5, 6 muaj pas vendimit për koeficientin. Ai u deklarua që në qershorin e vitit të kaluar se ngritja e koeficientit do jetë vetëm pesë euro nga 105 në 110 euro dhe konsiderojmë si njërin nga faktorët kyç, edhe për ligjin e pagave, edhe për koeficientin e ulët edhe për deklaratat e tij kundër SBAShK-ut, deklarata shpifëse, gënjeshtra e pa asnjë argument. E konsiderojmë fajtor edhe për tendencën për t’i shuar sindikatat ngase tërë anëtarësinë qe e kishim të regjistruar në bazë të ligjit për arsimin sindikal ai e ka shlyer në tërësi për t’i zhdukur dhe shpiku platformën E-Kosova duke i obliguar njerëzit se nëse duan të jenë në sindikatë të regjistrohen në E-Kosova, i cili bie që është portal i shtetit dhe paramendojeni njerëzit regjistrohen për të mos u shuar sindikata në një portal të shteti në vend që të jetë ajo që e thotë ligji se një anëtar regjistrohet për sindikatën e vet e jo në një portal shtetëror”, deklaroi Jasharaj.

    Krahas problemeve me shtetin, Jasharaj e sheh problematike edhe një fakt tjetër. Atë të largimit të mësimdhënësve nga Kosova. Jasharaj thotë se tash e sa kohë, mësimdhënësit kanë filluar t’i marrin pushimet njëvjeçare pa pagesë, duke u larguar në vendet perëndimore për një jetë më të mirë.

    “Te ne zakonisht mësimdhënësit në të kaluarën më shumë të vogël e kanë shfrytëzuar një të drejtë që u takon me ligj të punës por me mirëkuptimin e DKA-ve për shkaqet e natyrave të ndryshme u është lejuar pushimi një vjet, mirëpo ky numër na shqetësoi sepse kishim informacione se është shtuar ky numër. 300 mësimdhënës para liberalizmit të vizave (kanë marrë pushim pa pagesë njëvjeçare) dhe konsiderojmë se ky numër është rritur por neve na habit dhe na ka habitur në atë kohë se pse Drejtoritë e Arsimit dhe MASHTI nuk thanë asnjë fjalë. Së paku të na demantojnë neve, urojmë që as numri 300 e as numri 600 të mos jetë i tillë sepse ne këto informacione nuk i kemi zyrtare, ngase ata nuk kërkojnë leje tek ne por në DKA-të dhe unë mendoj se ministrja Nagavci ish dashtë me i mbledh DKA-të të dhe të na demantoj dhe ne do të gëzoheshim nëse thotë se nuk është as 300 as 600 por një numër më i vogël”, deklaroi tutje Jasharaj.

  • ​SBAShK: Mësimdhënësve t’u njihet përvoja si kontributdhënës në vitet e 90-ta

    ​SBAShK: Mësimdhënësve t’u njihet përvoja si kontributdhënës në vitet e 90-ta

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBAShK) ka kërkuar që Ligji për Skemat Pensionale të ndryshohet në mënyrë që mësimdhënësve t’u njihet përvoja si kontributdhënës qysh nga vitet e 90-ta.

    Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për KosovaPress ka deklaruar se punonjësit e arsimit janë të pakënaqur me ndryshimin e ligjit për skemat pensionale. Sipas Jasharaj me këtë ndryshim të gjithë mësimdhënësve puna në vitet e 90-ta nuk do t’u numërohet si pension, por vetëm si numër.

    “Nuk kemi pasur qasje kur është punuar në ndryshimin e skemave pensionale të financuara nga shteti. Ato fjalë që kanë qenë ne i kemi duartrokitur duke menduar sepse edhe jemi angazhuar që përveç punëtorëve të arsimit, që ligji që ishte aktual u ka pranuar vitet e 90-ta vite kontributdhënëse, duke u bazuar në faktin se ata edhe në atë kohë kanë punuar dhe e kanë mbrojtur sistemin arsimor shqip. Duke u bazuar në një vendim të Hekuran Muratit kemi analizuar se këto ndryshime nuk janë bërë për të mirë, për të keq e veçmas për punëtorët e sektorit të arsimit, të pensionuarit por edhe ata që do të pensionohen, ngase vitet 90-ta ndryshimeve të ligjit e largon që e përcakton sa vite kontribut dhënëse i’u njihen punëtorëve të arsimit që kanë punuar. Vitet 90-ta tani më edhe atyre edhe neve na numërohen vetëm si numra, ndërsa përshkallëzimi dhe vlera e pensionit bazohet vetëm në vitet që kinse të punësuarit paskan dhënë kontribute gjatë ekzistimit të krahinës autonome të Kosovës”, potencoi Jasharaj.

    Jasharaj tregoi se si sindikatë kanë paraqitur ankesën e tyre tek Avokati i Popullit dhe se presin që kjo çështje të adresohet te Gjykata Kushtetuese në mënyrë që e gjithë puna e mësimdhënësve të vlerësohet si pension.

    “Kemi pas takime me Avokatin e Popullit dhe i kemi adresuar këto ankesa tona. Problem tjetër është dhe viti 2001 deri në vitin 2002 kur ka filluar trusti pensional nuk janë përfshirë, kanë mbetur në vakuum dhe se këto vite duhet pranuar si kontributdhënëse, njerëzit duhet të dalin me pensionin e merituar e jo vetëm për një javë dhe një muaj të humbin këtë të drejtë. Jemi të bindur se Avokati Popullit do të dërgojë në Kushtetuese çështjen dhe prapë do të obligojë qeverinë që të përmirësojë këto lëshime që të njihen si vite kontribuuese vitet e 90-ta. Ne nuk kemi faj pse dikush nuk e krijoj në atë kohë as trustin e as ndonjë sistem tjetër për të ndal kontributin për ato vite”, tha Jasharaj.

  • Jasharaj: Do t’i drejtohemi deputetëve, kërkojmë vlerën e koeficientit 130 euro

    Jasharaj: Do t’i drejtohemi deputetëve, kërkojmë vlerën e koeficientit 130 euro

    Për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) vlera e koeficientit duhet të jetë 130 euro.

    Kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj për Front Online ka thënë që do t’i drejtohen deputetëve në mënyrë që t’i plotësohet kjo kërkesë e tyre.

    “Ne tani jemi duke bashkëbiseduar me sindikatat tjera do ta kemi një takim të kryesisë ekzekutive dhe bashkërisht do ta punojmë një shkresë me të cilën do t’i drejtohemi deputetëve edhe të pozitës edhe të opozitës që ata ta ngrisin çështjen dhe meqënëse po afrohemi fundit të vitit dhe do të bëhet planifikimi i ligjit të buxhetit për vitin e ardhshëm do të kërkojmë që deputetët të angazhohen që vlera e koeficientit të ngritët. Do të bëjmë angazhime që të ketë lëvizje të koeficientit së paku të jetë 130 euro vlera”, deklaroi ai.

    Jasharaj ka kërkuar që të takohet edhe me zyrtarët e Qeverisë, mirëpo ai thotë që nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    Ai thotë që qasja e pushtetit, krijon tensione.

    “As kryeministri, as ministri Murati e as zonja Nagavci nuk i janë përgjigjur kërkesave tona të arsyeshme që të takohemi, dhe të bisedojmë dhe ata po harrojnë që në këtë mënyrë dhe kjo qasje e gabuar ndaj sindikatave krijon tensione, krijon dhe pakënaqësi, të cilat edhe nëse nuk ka grevë ato pakënaqësi ekzistojnë”, deklaroi ai.

    Ngritja e vlerës së koeficientit, sipas kryesindikalisiti Rrahman Jasharaj thotë që do të duhej të bëhej për hir të Policisë së Kosovës.

    Kjo për shkak që sipas tij, policët po përballen me sfida.

    “Qeveria do të duhej ta ndjente obligim dhe moral që për hir të Policisë së Kosovës ta bëjë këtë ngritje të vlerës së koeficientit, sepse kjo Polici po përballet përditë me sfida të kohës dhe është duke qëndruar në nivelin më të lartë të detyrës, për atë po them edhe mos e bëftë për të tjerët, le ta bëjë për hir të Policisë së Kosovës dhe pastaj ajo vlerë të vlejë për të gjithë”, thekson ai.

  • Jasharaj: Mësimdhënësit të mos i largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë tekste shkollore

    Jasharaj: Mësimdhënësit të mos i largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë tekste shkollore

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj ka kërkuar nga të gjithë mësimdhënësit që të mos largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë tekste shkollore.

    Jasharaj në tryezën e organizuar nga AAK, ku po diskutohet për tekstet shkollore, tha se ka disa zëra që disa mësimdhënës po u bëjnë presion nxënësve lidhur me tekste shkollore, transmeton Telegrafi.

    “Paska ndonjë mësimdhënës që po iu bën presion nxënësve, që nëse nuk kanë tekste shkollore se do t’ largojnë nga ora. Të bëjmë apel, që mësimdhënësit e Kosovës të mos i largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë mjete shkollare. Uroj të mos kemi situata të tilla më”, u shpreh ai.

    Gjatë diskutimit, Jasharaj tha se ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci po vazhdon të mbajë inat ndaj SBASHK-ut, duke mos i takuar që shtatë muaj.

    “Ta ngrisni zërin, jo për tekstet por për arsimin, gjithë këto të meta po ndodhni pasi që Nagavci është duke mësuar qasjen e gabuar të kryeministrit Kurti, që t’i nënçmojë sindikatat dhe të mos flas me ta. Masht nuk po na pyet asgjë, ka shtatë muaj që Nagavci nuk na takon dhe gjuan fjalë nga anash”, tha mes tjerash ai.

  • Jasharaj: Eksperimenti i ministres Nagavci për rimbursimin e teksteve shkollore, doli të jetë i gabuar

    Jasharaj: Eksperimenti i ministres Nagavci për rimbursimin e teksteve shkollore, doli të jetë i gabuar

    Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, tha se eksperimenti i Qeverisë për rimbursimin e teksteve shkollore doli të jetë i gabuar dhe po e cënon fillimin e mbartë të vitit shkollor.

    “Kam qenë nga njerëzit më të lumtur kur kam marrë raporte nga komunat se kolegët e mi, pra punëtorët e arsimit, nuk kanë kërkesa për ndonjë veprim sindikal dhe kemi shpresuar se vitin shkollor 2023/2024 më në fund do ta fillojmë mirë e mbarë, por dy konferenca me mediat e zonjës Nagavci treguan se kjo nuk do të ndodhë. E kam fjalën te eksperimenti i gabuar për tekstet shkollore, ngase buxheti i Kosovës duhet ndarë me kohë për libra dhe na ishte thënë fillimisht se do të kemi nëpër shkolla libra 1-5 dhe mësimdhënësit do të gjenden disi me tekstet e vitit të kaluar 6-9.Ky eksperiment doli të jetë i gabuar dhe po e cënon fillimin e mbartë të vitit shkollor”, u shpreh Jasharaj.

    Ai thotë se ka edhe informacione nga terreni se libraritë janë të mbushura me plot prindër, për shkak se në qyteza të vogla nuk ka librari dhe për blerjen e librave, prindërve iu është dashur të drejtohen nëpër qytete të mëdha.

    “Kjo ka mund të mos ndodhë dhe arsyetimi se po ruhet buxheti e po bëhet transparencë nuk qëndron ngase po bëhet rimbursimi, siç është thënë, dhe prindërit janë në dy halle. Halli i parë për të parë a po bëhet rimbursimi për të shkuar atje nëse dinë të aplikojnë për të shkuar te bankomatet për të pritur, pastaj për të shkuar në librari dhe kemi mijëra prindër që janë në gjendje tepër të vështirë ekonomike, kemi prindër që nuk kanë fare xhirollogari, lexova në media se paska edhe raste që i kanë xhirollogaritë e bllokuara fatkeqësisht, por edhe ata që nuk kanë fare xhirollogari dhe tani sidomos këta që punojnë në sektorin privat, po edhe në publik do ta kenë vështirë të shkojnë nga komuna apo qyteza e tyre për të pritur në radhë për të marrë libra, aq më keq zonja Nagavci ka deklaruar se prindërit duhet të komunikojnë me mësimdhënësit për të parë se shkolla e caktuar për të cilat libra është orientuar dhe pra e kemi një vit shkollor që fillon me vështirësi”, tha Jasharaj.

    Sipas tij, problemi më i madh qëndron në mungesën e gatishmërisë së ministres Nagavci për t’u takuar e komunikuar me SHBASHK-un.

    “Unë e di se mësimdhënësit e di se edhe DKA-të, shkolla përgjegjësi kanë bërë gjithë përgatitjet teknike brenda mundësive të veta dhe ky eksperiment nuk është dashur të ndodhë dhe po nëse kanë menduar ta bëjnë është dashur të dihet që në maj, por atë që po e them në emër të SBASHK-ut, problemi më i madh qëndron në mungesën e mirëkuptimit, gjegjësisht mungesën e gatishmërisë së zonjës Nagavci për t’u takuar, për të komunikuar me SBASHK-un që janë përfaqësues të tërë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë”, u shpreh Jasharaj. /atvlive.tv

    Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë: