Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombit, Bahri Fazliu në përvjetorin e rënies.
Haradinaj ka thënë se Bahriu ishte trim e i vendosur deri në vetëmohim.
“Bahri Fazliu është njëri prej figurave më të ndritura të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Trim, guximtar e i vendosur deri në vetëmohim, Bahri Fazliu, 26 vjet më parë fitoi përjetësinë, duke u bërë shembull për rininë shqiptare, se si duhet Atdheu dhe si sakrifikohet për të.Lavdi veprës dhe rënies heroike të Bahri Fazliut. Përgjithmonë në kujtesën tonë historike!”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim e kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e Brestoc.
Haradinaj ka thënë se është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët, e ende nuk ka drejtësi për shumë masakra.
“Është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët ndërsa ende nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb, në civilë të pambrojtur”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qeveria do të duhej që sot të njoftonte një lajm të mirë për mësimdhënësit. Sipas tij, pushteti me arrogancën e numrave po punon prapa shpinës, duke cenuar të drejtat e punëtorëve të arsimit.
Në seancë plenare ai u shpreh se numër i madh i të rinjve janë duke u larguar nga Kosova, ku shtoi se duhet të përkrahen sipërmarrësit e rinj që një gjë e tillë të parandalohet. Në fillim të seancës plenare janë përshëndetur veteranët e arsimit, të cilët janë të pranishëm në Kuvendin e Kosovës, për çka Haradinaj tha se është hipokrizi.
“Në këtë ditë ka qenë e udhës me dhënë ndonjë lajm të mirë për mësuesit, mësimdhënësit. Nuk ka ditë më të duhur se kjo që me ardh pjesëtari i qeverisë për të njoftuar takimin e sotëm të qeverisë edhe me tregu se çka ka ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e mësimdhënësve. Nuk ka ndodhur kjo, normal që nuk ka ndodhur. Jo vetëm kaq, jemi hipokritë ne që rrahim shuplaka të gjithë për veteranët e arsimit, a në të njëjtën kohë përkrahim ndryshimet ligjore me ua heq vitet kontributdhënëse. Imagjinoni sa hipokrit jemi. Nuk po i përdori fjalët tjera, por jemi hipokritë. Kjo po ndodhë në Parlamentin e Kosovës, të dashur mësues po ju rrejmë me këto shuplaka”, deklaroi ai.
Veç kësaj, kreu i AAK-së shtoi se qeveria po punon me arrogancën e numrave prapa shpinës së mësimdhënësve.
“Po ashtu po punohet prapa shpinës me arrogancën e numrave, për ta ndryshuar kontratën individuale. Pra, për të ju cenuar të drejtat që i kanë të njohura me ligj mësimdhënësit. Nuk është në rregull kjo pafytyrësi e jona në këtë ditë”, shtoi Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh i shqiptarëve të Luginës në Kuvendin e Serbisë.
Haradinaj ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhje.
“Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, këtë të diel, më 17 dhjetor 2023 në Serbi, i bëj thirrje bashkëkombasve shqiptarë në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në vendbanimet e tjera në Serbi, që të dalin masovikisht në mënyrë që të ketë përfaqësim dhe mbrojtje të të drejtave qytetare dhe kombëtare”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se duhet përfaqësim sa më i madh në Kuvendin e Serbisë.
“Duke e ditur diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në të gjitha format nga regjimi serb, do të jetë shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh në Parlament, në mënyrë që të mbrohen interesat shqiptare dhe të njoftohet opinioni për padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve atje”, është shprehur Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut.
Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e 75-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
”Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut, dhe padyshim kujtojmë mbështetjen e miqve tanë në NATO në krye me ShBA që dënuan shkeljen e të drejtave ndaj popullit tonë”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë:
Sot, e gjitha bota shënon 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në vitin 1948, ky dokument monumental u miratua për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Për ne si vend, kjo datë është një kujtim i rëndësishëm, pasi përjetuam cenime serioze të të drejtave tona nga sisteme autoritare dhe okupatore. Edhe sot, pas 15 vitesh nga pavarësia dhe afër 25 vjetësh prej çlirimit, jemi të përkushtuar për mbrojtjen e këtyre vlerave për të siguruar që dinjiteti i çdo qenie njerëzore është i paprekshëm.
Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut, dhe padyshim kujtojmë mbështetjen e miqve tanë në NATO në krye me ShBA që dënuan shkeljen e të drejtave ndaj popullit tonë.
Sot, ne, si një shtet i pavarur e demokratik, vazhdojmë rrugën tonë drejt një të ardhmeje ku drejtësia dhe respekti ndaj të drejtave të njeriut janë të garantuara dhe mbrojtura si vlera themelore, duke përfshirë këtë Deklaratë në Kushtetutën tonë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit që ta aprovojnë një rezolutë me të cilën do t’i kërkohej qeverisë ta paraqesë kërkesën për anëtarësim në NATO.
Sipas tij, deputetët duhet të ndërmarrin vendime për ta ndihmuar sigurinë e vendit, raporton EO.
“Ne mund ta aprovojmë një rezolutë dhe t’i kërkojmë qeverisë që ta bëjë kërkesën për anëtarësim në NATO”.
“Duhet të krijohet një komision parlamentar për NATO-n dhe një agjendë parlamentare për me i bindë vendet skeptike që të ecim përpara”.
102 milionë euro më shumë do t’i ketë shteti në dispozicion vitin e ardhshëm.
Mirëpo, sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, rritja në krahasim me shkallën e inflacionit praktikisht është zvogëlim.
Haradinaj thotë se projekt-buxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfërisë.
“Projektbuxheti me parametrat nuk është zhvillimor, por stagnues. Rritja minimale praktikisht është shkurtim i buxhetit, duke marrë parasysh inflacionin që është dhe që do të vijë. Rritja e koeficientit për vitin e ardhshëm nuk është rritje dhe investimet kapitale nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik”, tha Haradinaj.
Ndërsa, sipas deputetit Pal Lekaj, plani i ndarjes së buxhetit tregon dështimet e Qeverisë. Sipas tij, përsëri nuk do të realizohen projektet kapitale.
“Siç e dini, buxhetit për vitin 2024 është 3 miliardë dhe e ka ndryshuar strukturën dhe ato projekte që kanë qenë, janë bartur për vitin 2024 dhe këtu është dështimi i Qeverisë Kurti”, tha Lekaj.
Për kryetarët e sindikatave, Qeveria duhet të punojë në rritje të koeficientit për paga.
“Është ironike dhe këmbëngulëse dhe me ngritjen e koeficientit prej 110 eurosh, ngritja e pagës për mësimdhënësit do të jetë 28 apo 29 euro…”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.
“Në buxhetin e tanishëm, neve sindikatave po na bën me dije se as në vitin 2024 nuk do të kemi marrëveshje kolektive”, tha kryetari i SPSP-së, Jusuf Azemi.
Derisa, Qeveria ka miratuar para dy javëve projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro, AAK-ja ia ka kujtuar asaj se nuk i ka realizuar shumë premtime të dhëna.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar Raportin e Komisionit Europian për Kosovën, duke i quajtur të gjeturat si shumë shqetësuese.
Sipas tij, performanca e qeverisjes është e vlerësuar dobët si dhe është përmendur edhe çështja e korrupsionit.
Sa i përket çështjes që Kosova nuk ka marrë rekomandimin për nisjen e negociatave, ai tha se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në marrëdhëniet me BE-në dhe për shkak të sanksioneve.
“Është pritur që vlerësimi do të jetë me mjaftë çështje që janë shqetësuese për vendi edhe janë adresuar shumica e këtyre shqetësimeve. Pra, performaca e qeverisjes është e vlerësuar dobët e po ashtu ka shumë fenomene të cilat janë identifikuar veç e veç. Ju e cekët çështjen e korrupsionit, por ka edhe shume çështje të tjera”, tha ai.
“Ju jeni në dijeni që ne jemi të ndëshkuar nga BE-ja. Kemi sanksione edhe financiare ekonomike politike. E kuptohet, pra, Kosova nuk është se ka ecur përpara, por ka ecur prapa në marrëdhëniet me BE-në edhe e ato reflektojnë edhe në këtë raport dhe fatkeqësisht edhe pasojat e atyre marrëdhënieve i kemi në jetën e përditshme”, tha ai./EO/
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në 34-vjetorin e rënies.
Haradinaj ka thënë se Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat.
“Pa asnjë dyshim, Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj.
Statusi i plotë i Haradinajt:
Ndër breza nuk kanë rreshtur përpjekjet e shqiptarëve për liri. Ato ishin të forta e të vendosura.
Sot, në 34-vjetorin e rënies, kujtojmë e nderojmë dy heronjtë e kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Ata i takojnë brezit të hershëm të lëvizjeve për liri, i atdhetarëve që ranë për çlirimin e Kosovës. Pa asnjë dyshim, Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare.
Lavdia u takon të rënëve në secilën etapë të historisë sonë të lavdishme!
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka përshëndetur hapat e ndërmarrë nga kryeministri Albin Kurti të enjten në Bruksel, pasi u shpreh i gatshëm ta nënshkruajë edhe Marrëveshjen Bazë, edhe draftin e ofruar për Asociacionin.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se të enjten Kosova ka bërë një hap të madh në rrugën e saj përpara.
“Dje Kosova ka bërë një hap të madh përpara. Kryeministri Kurti e ka vendos Kosovën në pozicion të duhur pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë të humbur në dialog”, ka thënë Haradinaj.
“Besoj që edhe presidenti Macron ndihet mirë. Kosova i ka mbajtur fjalët. I ka mbajtur fjalët kryeministri Kurti. Udhërrëfyesi i Ohrit është konfirmuar dje me gatishmërinë për zbatim. Lus BE-në që të vazhdojë me liberalizimin e vizave sepse qytetarët e kanë merituar këtë me kohë”, ka thënë kreu i AAK-së.
Qëndrime të kundërta nga AAK-ja lidhur me zhvillimet në procesin dialogues kanë mbajtur partitë e tjera opozitare.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu tha se kryeministri Kurti dje i ka bërë “dëm të pariparueshëm funksionimit të shtetit të Kosovës”.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e kritikoi Kurtin për pranimin e Asociacionit për të cilin tha se “u vranë njerëz në këtë vend”.