ATV

Tag: Ramë Buja

  • Profesori Ramë Buja nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga rektori i Kolegjit AAB

    Profesori Ramë Buja nderohet me titullin “Profesor Nderi” nga rektori i Kolegjit AAB

    Me titullin “Profesor Nderi” është nderuar profesori i Fakultetit të Administratës Publike, Ramë Buja, nga rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa. Titulli është ndarë me motivacion për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë si dhe merita të jashtëzakonshme për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    Tafa tha se përmes kësaj ceremonie shënohet një moment i rëndësishëm, ai i pensionimit të profesorit Ramë Buja dhe në anën tjetër vlerësohet puna e angazhimi që ka shfaqur në Kolegjin AAB, duke e falënderuar për kontributin e tij që ka dhënë për studentët.

    “Gjatë karrierës ju keni ndërtuar një biografi që nuk e ka çdokush, jeni bërë emër i njohur i arsimit, shkencës dhe emër historik. Asnjë histori e re nuk do të shkruhet as sot dhe as në të ardhmen pa emrin tuaj”, tha Tafa ndër të tjera për profesorin Buja.

    Ky i fundit nën emocione e cilësoi si privilegj të jashtëzakonshëm të qenurit bashkë me familjarët, miqtë dhe kolegët në ditën e pensionimit duke shtuar se kontributi i tij në arsim është gjëja të cilën e ka bërë me plot vullnet.

    “Arsimin e dua skajshmërisht, sepse nëse duam ta ndërtojmë shtetin përveç arsimit nuk ka ilaç tjetër. E falënderoj Kolegjin AAB pafundësisht për faktin se në asnjë moment nuk kanë kufizuar hapësirën time dhe kanë vlerësuar kontributin tim”, u shpreh profesori Buja.

    Edhe drejtori për Planifikim dhe Zhvillim në Kolegjin AAB, Petrit Bushi, shprehu mirënjohjet më të larta për Bujën, për të cilin tha se është model se si duhet të jetë një profesor.

    Familjarët uruan Bujën, ndërsa vëllau i tij Shukri Buja përmendi rolin e rëndësishëm që kishte ai në etapa të ndryshme jetësore për ta dhe shtetin në përgjithësi.

  • Ramë e Vrullim Buja promovojnë tre librat kushtuar demokracisë

    Ramë e Vrullim Buja promovojnë tre librat kushtuar demokracisë

    Kapituj të tërë dedikuar politikës e demokracisë. Baba e bir, Ramë Buja dhe Vrullim Buja, sot në ambientet e teatrit kamertal në kolegjin AAB, bënë promovimin e tre librave: “Ngarendja Politike”, “Sistemet Politike” dhe “Demokracia, Zhvillimi, Demonizimi”.

    Në recensionin e tij për librin “Ngarendja Politike”, dekani i fakultetit të Administratës Publike në Kolegjin AAB, Petrit Bushi, vlerësoi se ky libër do t’u shërbejë lexuesve të krijojnë një botëkuptim në raport me politikën.

    “Nisur nga vetë titulli profesorët kanë përfshirë të gjitha ato elemente që do t’i ndihmojnë lexuesit të krijojë një botëkuptim shkencorë mbi politikën”, tha Bushi.

    Edhe Ylber Aliu, profesor në fakultetin e Administratës Publike në Kolegjin AAB, në recensionin e tij dha vlerësime të larta për librin Demokracia, Zhvillimi, Demonizimi.

    “Lexuesit fillimisht do të gjejnë shpjegime për kornizën teorike të demokracisë dhe këto shpjegime më pastaj kombinohen edhe me gjetjet praktike. Një simbiozë e tillë reflektohet edhe nga bagazhi i njërit nga autorët, Ramë Buja”, tha Aliu.
    Dy autorët e librave thanë se ndihen të privilegjuar me vlerësimin e pjesëmarrësve.

    “Me thënë të drejtën nuk po e njoh Ramën sot, sepse më thatë aq fjalë të mira. Ndihem i privilegjuar dhe kam emocione, edhe pse jam pak në moshë s’duhet të kisha emocione”, tha Ramë Buja, autor i librit.

    Ndërkaq, në pjesën e fundit të ceremonisë, pjesëmarrësit shijuan edhe një koktej. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: