ATV

Tag: QKUK

  • Policia po e heton rastin tragjik në QKUK

    Policia po e heton rastin tragjik në QKUK

    Policia e Kosovës ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të të rrethanave që karakterizojnë rastin e zjarrit në Klinikën e Psikiatrisë, si pasojë e të cilit humbi jetën një pacient ndërsa u helmuan pesë persona.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, derisa ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar në mesnatë.

    “Sot rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë ajo.

    Sipas Ahmetit, aktualisht Policia është e angazhuar në zbardhjen e plotë të rastit.

    “Aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, vijoi ajo.

  • Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje lidhur me rastin e zjarrit në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike, ku një pacient ka mbetur i vdekur. Nga QKUK bëhet e ditur se të helmuar kanë mbetur edhe pesë përsona, një paciente dhe katër punonjës shëndetësor.

    Sipas njoftimit, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngufatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.

    Po ashtu bëhet e ditur se një paciente tjetër dhe ekipi kujdestar i përbërë nga dy mjekë dhe dy infermiere kanë pësuar shenja të helmimit nga tymi, dhe të njëjtit kanë marrë ndihmë mjekësore.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin. Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente”, thuhet në njoftim.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

  • Prishtinë: Një shtëpi merr flakë në lagjen e spitalit

    Prishtinë: Një shtëpi merr flakë në lagjen e spitalit

    Një shtëpi në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka marrë flakë.

    Ekipet e zjarrfikësve janë shkuar në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin.

    Po ashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Policisë së Kosovës.

    Sipas burimeve të ATV-së, nuk ka njerëz brenda kësaj shtëpie, derisa nuk dihet çfarë e ka shkaktuar zjarrin./atvlive.tv/

  • Vetëm gjysma e QKUK-së monitorohet nga kamerat e sigurisë

    Vetëm gjysma e QKUK-së monitorohet nga kamerat e sigurisë

    Pak hapësira të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës monitorohen nga kamerat e sigurisë.

    Një ndër këto hapësira që mungojnë kamerat, është edhe pjesa e pranimit të pacientëve për shërbime mjekësore në Klinikën e ORL-së.

    Mosmonitorim ka edhe në barnatoren e Klinikës së Internos.

    Pacientët e familjarë të tyre thonë se Klinikat e QKUK-së, e sidomos barnatoret furnizuese të klinikave, duhet të kenë kamera të sigurisë, për t’i evidentuar parregullsitë.

    “Patjetër që duhet të rritet numri i kamerave të sigurisë, se çdo gjë mandej është nën përcjellje, e normal që gjërat vërehen më mirë”, thotë një familjar.

    “Jemi 5-6 të shtrirë në dhomë, jemi bërë si familje, por kamera të sigurisë duhet të ketë edhe nëpër dhoma”, tha Fahri Zeqiri, pacient .

    Madje, sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, menaxhmenti i ri i SHKUK-së duhet sa më parë të marrë vendim për vendosjen e kamerave të sigurisë, sidomos në disa pjesë që është më se e nevojshme.

    “Sa i përket mosmonitorimit të kamerave të sigurisë në QKUK, unë mendoj se është një problematikë me të cilën do të duhej të merrej menaxhmenti i ri i SHSKUK-së. Sepse nuk duhet të lejohet që në disa pjesë të mos ketë kamera të sigurisë”, tha Drizan Shala, njohës i fushës së sigurisë.

    Ndërkohë, drejtoria e SHSKUK-së, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se vetëm 50 % e hapësirave në QKUK, janë të monitoruara nga kamerat e sigurisë.

    “Në QKUK i kemi të mbuluara 50% të hapësirave, përfshirë hapësirat e brendshme dhe ato të jashtme. Klinikat që posedojnë kamera, i kanë të vendosura vetëm në korridore, sepse nuk lejohet të vendosen në hapësira ku ka pacientë. I kemi dy dhoma të monitorimit, të cilat monitorohen nga 1 punonjës i IT-së”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së SHSKUK-së.

    SHSKUK-ja ka bërë të ditur se në të ardhmen parashihet rritja e numrit të kamerave, gradualisht sipas planit të saj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • QKUK në kërkim të specialistëve

    QKUK në kërkim të specialistëve

    Më shumë se 93 mijë pacientë janë trajtuar vetëm gjatë vitit 2022 në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Ndërsa 38 mijë prej tyre kanë qenë nga Komuna e Prishtinës, ka njoftuar drejtori i kësaj klinike, Naser Syla.

    Syla ka thënë se vetëm 52 mijë pacientë janë pranuar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK, ndërsa pjesa tjetër e tyre kanë mundur të trajtohen nëpër QKMF ose Spitale Regjionale.

    Marrë parasysh numrin e madh të pacientëve nga qyteti i Prishtinës, për Sylën është tregues i qartë për nevojën e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

    “Sa i përket vitit të kaluar në Klinikën Emergjente ka qenë shumë e ngarkuar. Nëse flasim për disa standarde që janë të përcaktuara nga OBSh-ja në Qendrën Emergjente që kryhet trajtimi terciar dhe një vend me 2 milionë banorë, maksimumi duhet t’i ketë 20 mijë pacientë brenda vitit. Kurse gjatë vitit të kaluar në klinikën tonë kanë defiluar afër 93 mijë pacientë. Prej një stafi mjekësor nga 23 specialistëve që janë aktualisht dhe prej 18 specializantëve dhe prej 68 teknikëve të kuadrit të mesëm. Pra kjo tregon sa është e ngarkuar Qendra Emergjente”.

    “Por çka është një paradoks prej këtyre 93 mijë pacientëve, 38 mijë prej tyre kanë qenë nga Komuna e Prishtinës, që e tregon më së mirë nevojën për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, tregon sa i mungon Prishtinës spitali i qytetit, ku e dimë që është i vetmi qytet në Kosovë që nuk ka spital, edhe të gjithë pacientët vijnë në QKUK”, u shpreh Syla.

    Këtë Klinikë, thotë Syla e vizitojnë edhe pacientë me sëmundje të lehta. Thotë se pacientët kërkojnë të marrin shërbime që jepe edhe nëpër QKMF.

    “Është me rëndësi që prej këtyre rasteve që janë prezantuar gjatë vitit , pra pacientë që me të vërtetë kanë pasur nevojë për me ardh në QKUK e që janë pranuar për trajtim të mëtutjeshëm në qendrën tonë, janë afër 52 mijë pacientë, kurse pjesa tjetër nuk kanë pas nevojë me ardh fare nevojë këtu. Këtu vijnë raste të cilat për një trajtim banal, pra për një tension të lartë të gjakut, dhe ka raste kur ne mbesim pa u marr me raste tjera më të rënda sepse atij pacienti ne duhet t’i japim shërbim”.

    Syla foli edhe për nevojën me staf shtesë, ku aktualisht i nevojiten edhe 39 specialistë të Mjekësisë Emergjente

    “Në Qendrën Emergjente i kemi 25 specialistë që 23 prej tyre punojnë me ndërrime. Për momentin mua më duhen edhe 39 specialistë të Mjekësisë Emergjente që me mbërri minimumin e standardëve botërore. Sipas standardeve botërore në 100 mijë banorë duhet me qenë 14.9 specialistë të emergjencës, ndërsa ne në 2 milionë banorë i kemi 2.6 specialistë”, thotë Syla.

    E sa i përket pajisjeve shëndetësore, Syla thotë se klinika që ai e drejton qëndron shumë mirë. Njëjtë thotë se qëndron edhe me barna esenciale e me aparatura.

    “Qendra Emergjente gjithherë ka qenë në nivel të pajisjeve shëndetësore, terapisë dhe listës esenciale, ka qenë në nivel. Çdo ministër që e ka udhëhequr MSh-në primare e ka pas Qendrën Emergjente. Arsyet janë të shumta për nga numri i pacientëve, mandej është faza e parë kur pacienti takohet me një trajtim mjekësor, dhe nëse neve na mungon diçka, atëherë çka më tutje. Kështu që gjithmonë është përpjekur që qendra jonë me qenë në nivel e furnizuar me barna dhe me aparatura. Kemi aparatura të cilat janë vjetërsuar, mirëpo është funksionale”, u shpreh Syla.

  • Pulmologjia në QKUK pa ventilim e klimatizim

    Pulmologjia në QKUK pa ventilim e klimatizim

    Baki Sokoli, që vuan nga një sëmundje kronike, tash e disa ditë është i hospitalizuar në klinikën e Pulmologjisë të QKUK-së.
    Sfidë për atë është mungesa e ajrosjes, pasi në dhomën ku është i shtrirë nuk ka ventilim e as klimë.

    “Është dashur të ketë ventilim, do të ishte shumë më e lehtë për ne të shtrirë që jemi këtu”, tha Baki Sokoli, pacient.

    Të njëjtin shqetësim e ka edhe pacientja Xhevahire Mustafa nga Prishtina.

    “Është shumë shqetësuse, ishalla po përmirësohet e po rregullohet ky problem”, tha Xhevahire Mustafa, paciente.

    Derisa thotë se kanë bërë disa herë kërkesa në institucione për vendosjen e ventilimit dhe klimatizimit, Kreu i kësaj klinike, Musa Hoxha, e pranon se mungesa e tyre ndikon edhe te gjendja shëndetësore e pacientëve.

    “Me ventilim nuk është punuar, në klinikën e Pulmologjisë nuk ka ventilim edhe pse është më se e nevojshme për pacientët. Andaj duhet të ketë në të gjitha repartet”, tha drejtori i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Musa Hoxha.

    Lidhur me këtë çështje, ShSKUK-ja i ka thënë ATV-së se së shpejti do të investohet në rregullimin e kësaj çështjeje në Pulmologji.

    “Në kuadër të investimeve që do të bëhen këtë vit në infrastrukturë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, do të investohet edhe në Klinikën e Pulmologjisë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

    Sipas tyre, investime të njëjta do të realizojnë edhe në klinika të tjera të QKUK-së. /atvlive.tv