ATV

Tag: Qeveria “Kurti 3”

  • Çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës

    Çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës

    Kryeministri Albin Kurti në ekspozenë e tij para deputetëve, ka paraqitur një sërë premtimesh për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke vënë theks të veçantë në forcimin e mbrojtjes, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e rolit të Kosovës në rajon.

    Një nga zotimet kryesore është investimi prej 1 miliard eurosh në mbrojtje gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas tij, këto mjete do të shërbejnë për forcimin e aleancave strategjike, rekrutimin e ushtarëve të rinj dhe shumëfishimin e numrit të oficerëve. Po ashtu, ai ka premtuar funksionalizimin e fabrikës së municionit, zhvillimin e industrisë ushtarake vendore dhe prodhimin e dronëve luftarakë “Made in Kosova”, duke synuar rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe vetëqëndrueshmërisë së vendit në fushën e sigurisë.

    Në planin e politikës së jashtme, Kurti ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të vazhdojë përmes dialogut konstruktiv dhe kreativ, mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Ai ka nënvizuar se ky proces shihet si rregullim i marrëdhënieve mes dy shteteve sovrane, pa ndërhyrje në çështjet e brendshme, duke premtuar se qeveria do të mbrojë dhe zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në çdo pjesë të territorit të Kosovës.

    Kurti ka konfirmuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme për Procesin e Berlinit dhe për tregun e përbashkët rajonal, mbi parimet e barazisë dhe përfaqësimit të barabartë. Sipas tij, fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për paqen dhe sigurinë, ndërsa qeveria do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që veprojnë mbi bazën e respektit të ndërsjellë.

    Kurti ka thënë se në mandatin e ardhëm për herë të parë, Bruto Produkti Vendor për kokë banori në Kosovë do ta tejkalojë vlerën prej 10,000 eurosh.

    Në aspektin social, ai ka premtuar vazhdimin e politikave për zvogëlimin e pabarazisë, duke përmendur mbështetjen për lehonat dhe nisjen e projektit “Superpuna për gratë”. Ky projekt parasheh që për çdo grua të punësuar, qeveria të subvencionojë pagën minimale prej 500 eurosh për gjashtë muaj. Gjithashtu, është premtuar mbështetje shtesë për gjyshërit që kujdesen për fëmijët, me nga 100 euro shtesë mujore mbi pensionin bazë, me synim forcimin e familjes dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

    Të mërkurën pas konstituimit të Kuvendit është mbajtur edhe seanca për formimin e Qeverisë.

    Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur edhe kabinetin e tij qeverisës. Ndryshe prej mandatit të kaluar, ky kabinet do t’i ketë 19 ministri, katër më shumë se kabineti i kaluar.

  • Kamberi uron Kurtin: Qeveria e re ta vendosë çështjen e Luginës së Preshevës lart në agjendën e saj

    Kamberi uron Kurtin: Qeveria e re ta vendosë çështjen e Luginës së Preshevës lart në agjendën e saj

    Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, për mandatin e ri, si dhe për përbërjen e re qeveritare.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shprehur mbështetjen e tij, duke uruar që ky mandat të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm, me arritje konkrete për qytetarët e Kosovës.

    Kamberi ka theksuar rëndësinë e forcimit të drejtësisë, zhvillimit ekonomik, rritjes së sigurisë dhe përshpejtimit të integrimit euro-atlantik, i cili tutje ka nënvizuar gjithashtu pritshmërinë që Qeveria e re ta vendosë çështjen e Luginës së Preshevës në krye të agjendës së saj, përmes dialogut me Serbinë, bashkëpunimit rajonal dhe angazhimit ndërkombëtar për reciprocitet dhe simetri në respektimin e të drejtave të minoriteteve.

    Në përfundim, ai i ka uruar suksese ekzekutivit të ri, duke theksuar se pret që qeveria të punojë me vendosmëri për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Kosovës.

    “Suksese qeverisë së re. Le të punojë me vendosmëri për të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë kufijve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar në fund Kamberi.

  • Albin Kurti votohet për kryeministër, merr mandatin e tretë

    Albin Kurti votohet për kryeministër, merr mandatin e tretë

    Albin Kurti dhe kabineti i tij ka marrë votat e nevojshme për qeverinë e re të Kosovës.

    Deputetët dhanë 66 vota pro qeverisë së re të Albin Kurtit.

    Ndërsa kjo do të jetë përbërja e kabinetit të Kurtit:

    Albin Kurti, Kryeministër

    Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Jashtëm

    Donika Gërvalla, Zëvendëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë

    Fikrim Damka, Zëvendësministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim

    Hekuran Murati, Ministër i Financave

    Andin Hoti, Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare

    Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes

    Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

    Lulëzon Jagxhiu, Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit

    Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë

    Hajrulla Çeku, Ministër i Arsimit dhe Shkencës

    Saranda Bogujevci, Ministër i Kulturës

    Elbert Krasniqi, Ministër Administrimit të Pushtetit

    Blerim Gashani, Ministër i Sportit

    Fitore Pacolli, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

    Armend Muja, Ministër i Bujqësisë

    Dimal Basha, Ministër i Infrastrukturës

    Mimoza Kusari, Ministre e Tregtisë

    Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë

    Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim

    Rasim Demiri, Ministër për Zhvillim Rajonal