ATV

Tag: Prishtina International Theater Festival

  • Hapet thirrja për edicionin e tetë “Burbuqe Berisha”- PITF 2024

    Hapet thirrja për edicionin e tetë “Burbuqe Berisha”- PITF 2024

    Festivali Ndërkombëtar i Teatrove – Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” dhe Teatri AAB “Faruk Begolli” nga Prishtina, kanë hapur thirrjen për aplikim për të gjitha teatrot, kompanitë teatrore që të aplikojnë për projektet e tyre për pjesëmarrje në edicionin e tetë të PITF 2024,  i cili do të mbahet nga 20-26 Maj 2024.

    Lidhur me këtë, e ftuar në emisionin “Alarm”, në ATV ka folur drejtoresha artistike e këtij festivali, Doruntina Alshiqi.

    Alshiqi tha se edhe për këtë edicion ka interesim të lartë të aplikuesve nga vende të ndryshme të botës, derisa përmendi se pritet të ketë edhe risi të reja lidhur me këtë festival.

    “Ka pasur një interesim të madh ende pa e hapur aplikimi dhe jemi shumë të kënaqur që ka pasur kaq aplikime nga shumë teatro botërore të ndryshme që kanë apliku për këtë edicion. Besoj që për shikuesit do të jetë një ndër edicionet më të mira që kemi pasur ndonjëherë, sepse do të ketë edhe risi të reja, si për ndarjen e çmimeve, ashtu edhe tek pjesa se ku do të mbahen shfaqjet. Vlen të theksohet se ka pasur interesim edhe nga disa shtete jashtë Evropës, të tilla si Iraku, Koreja Jugore, Brazili, etj”, tha ajo.

    Ndryshe, ky festivali ka karakter garues, me një juri profesionale si dhe dy juri të veçanta të studentëve dhe të medias. Festivali shpërblen aktorin/aktoren më të mirë si dhe ndan Çmimin për shfaqjen më të mirë, ndërsa nuk ka kufizim të zhanrit.

    Qëllimi i festivalit është të prezantojë projektet teatrore me cilësi të lartë nga e gjithë bota dhe të shkëmbejë mendime, ide, plane dhe përvoja, si dhe bashkëpunimet e ardhshme në shkëmbimin e projekteve./atvlive.tv/

  • Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Hapet edicioni i shtatë i “Prishtina International Theater Festival”

    Sot fillon edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

    Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji, duke filluar nga ora 19:30 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

    Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Kroacisë, me shfaqjen “Rusalka” të regjisores Ivica Shimiç.

    Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

    Ndërsa, drejtori i ART Image, Ilir Bytyçi, tha se ky organizim ndërkombëtar dhe garues përbën shfaqje të cilat janë zgjedhur nga një komision profesional, duke shtuar se qëllimi kryesor është që Kosova të njihet në gjithë botën përmes artit dhe kulturës.

    Në konferencën për media foli edhe aktorja kroate e shfaqjes “Rusalka”, Buga Marija Simiç, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.

    Ajo tha se është hera e parë që vjen në Kosovë, ku po ndihet si në shtëpinë e vet për shkak të pritjes së ngrohtë në Kolegjin AAB.

    “Nuk patëm mundësi të shohim shumë gjëra, por nga ajo që pashë, ka një atmosferë të bukur që e dua midis të gjithëve, që është mikpritja nga njerëzit. Na pritën ngrohtësisht në aeroport dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë. Ky kompleks, nga ajo që kemi parë, është shumë impresionues. Ne thjesht po ecnim rreth tij, duket si një anije hapësinore. Pra, po ndjehem shumë e nderuar që jemi zgjedhur të jemi pjesë e festivalit. Është vërtetë një privilegj të jem në mes të të gjithë këtyre artistëve dhe të gjitha këtyre shfaqjeve të zgjedhura për këtë festival”, tha aktorja Buga Marija Simiç.

    Ajo tha se ky është festivali i parë ndërkombëtar në të cilën merr pjesë shfaqja “Rusalka” dhe se mezi pret të ndajë me publikun kosovar pjesë shumë të veçanta për shfaqjen dhe për teatrin të cilin e përfaqëson. /atvlive.tv