Edicioni i shtatë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vend, Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” 2023, ka përmbyllur me suksese të shumta festivalin që për shtatë ditë ishte edhe epiqendra e kulturës në kryeqytet.
Në një ceremoni madhështore të ndarjes së çmimeve të organizuar në bashkëpunim më Kolegjin AAB, Art Image dhe ATV, kjo natë ishte e paharruar sidomos për garuesit e këtij edicioni që vinin nga: Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
Ndërsa para fillimit të ceremonisë, të pranishmit ndjekën shfaqjen e fundit garuese të PITF2023, “Arbri” nga Teatri Oda.
Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi u shpreh e lumtur që ky edicion përfundoi me sukses, duke theksuar se ishte një garë e ngushtë për jurinë.
Edicioni i sivjetmë ka shënuar gjithsej shtatë shfaqje nga vendi, rajoni dhe bota, shfaqje këto të gjitha në programin garues.
Këtë vit çmimin kryesor të PITF 2023, çmimin për aktorin më të mirë në rolin kryesor e gëzoi aktorja nga Kroacia, Buga Marija Simiç.
Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2023):
Çmimi “Best Play: Student Choice” – “Arbri” – Kosovë
Çmimi “Best Play: Media Choice” – “Arbri” – Kosovë
Çmimi “Best Supporting Actor” – Ard Islami, “Club Albania”, Kosovë
Çmimi “Best Director” – Fatos Berisha “Club Albania”, Kosovë
Sonte mbahet nata e pestë e PITF me shfaqjen “Lungs” e regjisorit Dimche Nikolovski nga Teatri i Dramës nga Maqedonia e Veriut e cila do zbres në skenën e Teatrit Kamertal nga ora 20:00.
Kjo shfaqje do të përcjell katër shfaqjet e ditëve paraprake të PITF, ndërsa regjisori Nikolovski dhe aktorët Dimitrija Doksevski e Jasmina Vasileva patën fjalë të mëdha për organizimin duke e vlerësuar si “një nga festivalet më të mira të teatrit në Evropë”.
Ata shtuan se mezi presin të dalin në skenë dhe janë tejet të lumtur që do të performojnë para audiencës kosovare. Sa u përket pritshmërive thanë se kjo varet nga aktorët se sa do të jenë të ndërlidhur me publikun por dëshira e tyre ishte që të fitojnë çmimin kryesor të festivalit.
Pas shfaqjes afterparty do të filloj në ora 21:00 ku të pranishmit do argëtohen me DJ Shendi.
Prishtina International Theatre Festival po vazhdon suksesshëm edicionin e saj të shtatë me radhë, që ka filluar që nga data 22 maj.
Për të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës, mrëmë u dha shfaqja “Club Albania” me regjinë e Fatos Berishës.
Në konferencën e mbajtur me drejtoreshën e festivalit, Doruntina Alshiqi, u mirëprit regjisori i shfaqjes nga Kosova, Fatos Berisha.
“Sot do të vazhdojmë me një shfaqje tjetër, me shfaqjen e Fatos Berishës “Club Albania”, që vjen nga Teatri Kombëtar i Kosovës e që do të jetë në sallën në teatrin “Faruk Begolli”, edhe po i mirëpresim të gjithë ata që dëshirojnë me ardhme pa një komedi të zezë mund të themi ashtu edhe me shiu përgjatë kësaj nate”, tha Alshiqi.
Aty u dhanë detajet e shfaqjes ku regjisori e përshkruan si një komedi të zezë, e cila hedh dritë mbi aktualitetin e një shoqërie, e cila prej vitesh është në ndihen e reflektimit.
“Realisht, bazuar në komedinë e njohur të Andon Zakon Çajupit të pas vdekjes, por që e kemi mbindërtu, pra duke marrë për bazë atë tekst, dramaturgu Shpetim Selmani e ka bërë një lloj dramatizimi te këtij teksti dhe realisht, nga një komedi, siç ishte e Çajupit, doli një komedi e zezë. E kemi ngjyrosë pak me të tonë e zeza, por duke qenë si motiv shfaqja e Çajupit, flet për realitetin tonë, pak për neve, përmes një grupi të aktorëve, të cilët mundohen me bo shfaqjen e Çajupit edhe përmes personazheve të aktorëve, ata përveç që janë aktorë janë edhe njerëz, qytetarë, edhe kanë hallet e tyre, edhe përmes fatit të tyre e shohim si me thanë një shoqëri të tërë. Kur shihet shfaqja, është e kapshme, e lehtë. Ka situata komike, pastaj bëhet ma e errët, por si proces nuk ka qenë i lehtë, sepse ka qenë një punë me shumë drafte të shkruara të tekstit edhe mënyra ka qenë pak si të themi, si një lloj punëtorie, ku gjithkush prej ekipit ka pasë mundësi e të drejtë me kontribu për shfaqjen, me dhanë ndihmën e vet”, tha regjisori Fatos Berisha.
Teatri Faruk Begalli në Kolegjin AAB mblodhi pasionantët e teatrit që nga ora njëzetë.
Për dy orë të plota, gjashtë aktorët e shfaqjes kosovare, sollën shumë të qeshura për publikun.
“Për mua ishte hera e parë që luajta në këtë skenë, u ndiva mirë edhe dhe dhanë të drejtën tash vonë e kam marrë vesh që emri i festivalit është në emrin e Burbuqe Berishës. Me Burbuqen kemi ba shumë shfaqje edhe sonte mu duk që ia dedikuam diqysh asaj edhe bash ke ndjenjë e mirë. Në fakt kjo premierën e ka pasë tash e disa muaj shfaqja, nëse nuk gaboj, në nëntor veç bëhet një vit që e kemi luajt për shfaqjen në Teatrin Kombëtar. Po them për shkak të respektit ndoshta të emrit të festivalit që ia ka lanë Burbuqes edhe që e kemi pasë kolege edhe në teatër atje, e vendosëm kështu edhe me kënaqësi e luajtëm në këtë skenë edhe ke një publik shumë i mirë. Gjithë është ndjenjë e mirë me luajtë një shfaqje të caktume me një skenë të re ku s’e ke luajtë asnjëherë edhe po më vjen mirë që kjo pjesë e Prishtinës e ka edhe një skenë teatrore, është shumë mirë”, tha aktori Armend Smajli.
“Publiku ke shumë i mirë, shfaqja është pritë mirë. Ne, në fakt e kemi që prej nëntorit shfaqen repertor dhe na bjen nga katër-pesë herë në muajt me e me shfaqë, kështu gjë ato emocionet e fillimit veç i kemi kry, por natyrisht që secila herë është ndjenja e përgjegjësisë, publiku është tjetër, tash jemi edhe në festival ,që është njëfarë përgjegjësie e dyfishtë, po ke publik shumë i mirë dhe kaluam jashtëzakonisht mirë”, tha aktorja Teuta Krasniqi.
Ajo tha se nuk është e lehtë me e mbajt shfaqen dy orë dhe publiku mos me ndje monotoni.
“Me thënë të drejtën vetë pak probleme me zë kam pasur, kështu që kur je në skenë, gjithmonë thojmë që edhe kur jemi të sëmurë, e ke e ka skena njëfarë magjie që të shënosh. Kështu që unë për ato dy orë u ndjeva shëndosh, veç ia nisa me vazhdu me i ndi pak pasojat, mirëpo e mira e shfaqjes është që me të vërtetë e ka një një kontinuitet, që të paktën ashtu thonë publiku, pavarësisht sa është e gjatë nuk kalon në monotoni dhe kjo besoj që është e rrallë, sepse dy orë është me të vërtet me qenë në komoditetin e shtëpisë, tu hangër e t’u pi, e t’u ia lëshu zanin sa dushe, është pak e gjatë e lëre më, me qenë në teatër, por kjo është magjia e skenës”, tha aktorja Teuta Krasniqi.
Edhe aktori Armond Morina, tha se si për shfaqjen ashtu edhe për aktorët, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja në një festival ndërkombëtar.
“Shumë kënaqësi me marrë pjesë në festivale edhe për ne aktorë janë shumë të rëndësishme festivalet ndërkombëtare, se mos me e pa vetëm vetveten, domethënë ishin edhe trupa të tjera, jo turqit, që ishin nga Shqipëria, tash vjen Maqedonia e Veriut edhe për atë e përgëzoj festivalin, sepse me i bë shtatë edicione, festivali i teatrit është shumë i kushtueshëm, se duhet me ardhë skenografia, trupat, është shumë më vështirë se çdo festival tjetër. Është shumë i rëndësishëm, ne sidomos që kemi qenë si shoqëri e mbyllur, më në fund po hapemi. Është e vetmja dritare ku mundemi me pa edhe kultura tjera. Ne e dimë që teatrot tona janë në kushte shumë jo të volitshme, Teatri Kombëtar ende ka me shku renovim. Jemi duke improvizu me një me një skenë të vogël. Këtu skena ishte e dinjitetshme dhe ke shumë kënaqësi me luajtë. I patë reagimet e publikut, ata e kënaqen me autokritikën se një shoqëri nëse don me qenë i shëndoshë duhet, kur e kritikojmë shtëpinë tonë më së pari, jemi shumë më të shëndetshëm me kritiku edhe fenomenet tjera”, tha aktori Armond Morina.
Sipas publikut, përmes komedisë u tregua realiteti shqiptar dhe nevoja për ndryshime në shoqërinë tonë.
“Më erdh mirë që e pash shfaqjen në këtë festival edhe ajo që më ka fascionu edhe ajo që kam pritë realisht, është loja e mrekullueshme e aktorëve. Ka pasë kohë që Armendin s’e kemi pa në skenë, ka qenë brilant së bashku me krejt kolegët tjerë. Mendoj një punë e jashtëzakonshme e Fatas Berishës edhe një shfaqje me të vërtet e gjatë, por e cila për në asnjë moment nuk u bë monotone edhe me shumë mesazhe për ata që duan ta kuptojnë”, tha Linda Shala, e cila kishte ardhur ta shikojë shfaqjen.
Pas shfaqjes, të pranishmit patën mundësinë të shijojnë muzikën e përgatitur nga Dj Nird, ndërkaq të premten, në ditën e pestë të këtij edicioni, do të jepet shfaqja garuese “Lungs” nga Maqedonia e Veriut që nga ora 20:00. /atvlive.tv
Me një konferencë për media nisi dita e dytë e Prishtina International Theater Festival, ku edhe u prezantua shfaqja e dytë në radhë në kuadër të edicionit të shtatë.
Fituesja e çmimit për aktoren më të mirë në vitin 2021 në PITF, Burcu Görek, edhe kësaj radhe do të jetë pjesë e këtij festivali por me një shfaqje tjetër.
“Marrja e çmimit si aktorja më e mirë ishte shumë e rëndësishme për mua dhe Dilarën, sepse ju si staf i festivalit, nuk keni bërë dallim mes gjinive, mes grave e burrave. Ndërsa këtë vit, ne presim prapë diçka të mirë. Nuk e di akoma si do të shkojë, mirëpo unë gjithmonë them se do të jem prezente këtu mjafton, sepse sa i përket çmimeve nuk e di se çka mund të fitojmë, por gjithsesi do të jemi të lumtura thjesht si pjesëmarrëse”, tha aktorja Burcu Görek në konferencën për media.
Shfaqja turke e “Boxes” mblodhi artdashës në Teatrin Kamertal në Kolegjin AAB.
Drama solli emocione të mëdha e gërshetuar me copëza komedie, ku në bosht kryesor pati marrëdhëniet njerëzore, veçanërisht ata që zhvillohen midis dy të huajve.
Gjatë gjithë shfaqjes, hulumtohen temat e cenueshmërisë, lidhjes njerëzore dhe mënyrat e papritura, në të cilat njerëzit mund të gjejnë gjuhën e përbashkët, pavarësisht dallimeve të tyre.
Loja e tre aktorëve u duartrokit nga publiku derisa ata u shprehen të jenë të lumtur me pritjet dhe komentet pozitive që morën pas shfaqjes.
“Unë po ndihem shumë mirë dhe takimi me këtë audiencë ishte diçka shumë e mirë, sepse reagimi i tyre më bëri të ndihem shumë e gjallë, andaj po ndihem kaq mirë”, tha aktorja Burcu Görek pas shfaqjes.
Burcu Görek
“Po ndihem shumë i relaksuar, sepse para shfaqjes isha shumë i emocionuar mirëpo pasi përfundoi, gjithçka ishte në rregull dhe çliruese”, tha aktori Ekremcan Arslandağ.
Ekremcan Arslandağ
“Puna e pandalshme dhe motivimi nga ana e regjisorëve na ka bërë që të arrijmë kiminë që e transmetuam sonte tek ju. Ne i ndjekim rregullat e duam njëri-tjetrin, edhe pse ne të tre jemi takuar për herë të parë në këtë projekt, nuk jemi njohur me herët. Emrin shfaqjes “Boxes” e kemi vendosur në fakt së bashku, por ne mendojmë se kutitë janë diçka që ne fshehim në brendësi, diçka që ndodhet brenda nesh si njerëz dhe thjesht e hapin njëjtë si kutitë kur zbulojmë diçka të thellë në vete, andaj kutitë në shfaqje zbulojnë diçka të tillë. Personazhi sapo është shpërngulur në një shtëpi të re, një fillim të ri në një festë mikpritëse dhe është shumë e mirë për të që të fillojë atje me një person të ri që në të ardhmen mund të jetë i dashuri i saj. Skenat me festën, pirjen e duhanit, pijet dhe puthjet janë shumë të zakonta shumë normale, janë diçka që shumica prej nesh mund ta kenë përjetuar dhe në teatër mund ta bësh kot ndryshe nga filmat”, tha aktorja Burcu Görek.
“Unë e dua Prishtinën edhe është shumë e bukur. Kam qenë edhe para dy viteve këtu kur kemi fituar çmimin si aktoret më të mira dhe ka të njëjtën pamje të bukur si atëherë”, tha aktorja Dilara Gul.
Ndërsa regjisorët Balim Kar dhe Semih Degirmenci thanë se ia kanë arritur qëllimit të tyre për ta sjellë shfaqjen në mënyrë sa më origjinale.
“Ne kemi punuar së bashku për dy vite tashmë kështu që jemi një ekip tash e shumë kohë, andaj të punuarit bashkë na erdhi shumë lehtë. Në fakt ka qenë ideja e tij të cilën e kemi adaptuar nga një shfaqje tjetër që quhet “Beginning”, ndërsa Burcu e ka shkruar dhe e ka përshtatur duke punuar bashkë me neve”, tha regjisorja Balim Kar.
Balim Kar
“Unë e kam pyetur Balimin se a dëshiron të punojmë bashkë dhe ajo më tha po, kështu që së bashku filluan të gjenim aktore për shfaqjen edhe pse në fakt Burcu na ka gjetur neve dhe na kërkoi të krijojmë shfaqjen bashkë si një e re dhe besoj që ishte e mirë për ne, në përgjegjësi”, tha regjisori Semih Degirmenci.
Semih Degirmenci
“Ne ishim shumë të lumtur sonte. Absolutisht, ata bënë një punë të mrekullueshme. Ishte një performancë e mrekullueshme dhe jemi shumë krenare me ta”, tha regjisorja Balim Kar.
“Ishte hera e parë që kjo shfaqje u dha para publikut, të cilët ishin shumë të mirë dhe ndanë me neve energjinë dhe gëzimin e tyre”, u shpreh regjisori Semih Degirmenci.
“Simboli i titullit “Boxes” ka të bëjë për fillimet e reja dhe për njerëzit shumë të vetmuar që krijojnë një lidhje brenda natës. Është një koncept që e kam pëlqyer shumë” , tha regjisorja Balim Kar.
“Ky titull ka të bëjë me idenë kur lëviz diçka nga vendi i vjetër dhe fillon diçka të re, me energji të re, të takosh dikë të mirë me të cilën krijon lidhje të mira”, tha regjisori Semih Degirmenci.
Me muzikë u mbyll suksesshëm nata e dytë e PITF2023, derisa nata e tretë do të vazhdojë me shfaqjen mysafire nga Shqipëria “Now You See Her”, me regji të Klaudja Piroli, duke filluar nga ora 20:00, po ashtu në Teatrin Kamertal brenda objektit të Kolegjit AAB. /atvlive.tv
Me një ceremoni solmene, në ambientet e Teatrit Kamertal në Kolegjin AAB, ka nisur edicioni i 7-të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.
Njëri nga organizatorët kryesor të PITF2023, drejtori Ilir Bytyçi, tha se ky festival i cili është me karakter ndërkombëtar, i vetmi në Kosovë, këtë edicion ka tejkaluar të gjitha pritshmeritë për nga numri i të interesuarve për pjesëmarrje.
“Siç e dini ky festival është me karakter ndërkombëtar, është kompetitiv dhe është i vetmi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, dhe vazhdon të jetë i tillë. Veçania e këtij edicioni të 7-të, është se janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë e aplikacioneve. Kemi marrë aplikacione nga e mbarë bota. Komisioni e ka pasur një punë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e vetëm 7 prej tyre, të cilat do të keni mundësinë t’i ndiqni nga sot e në vazhdim”, tha Bytyçi.
Edhe drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se këtë edicion të PITF ka pasur aplikacione nga e mbarë bota, nga Brazili, Tunizia e shumë shtete të kontinenteve të tjera.
“Ka qenë e vështirë për komisionin me i përzgjedhë shfaqjet pasi që po shohim që edicion pas edicioni, po kemi kultura të ndryshme, shtete të ndryshme të cilat po aplikojnë për të qenë pjesë e PITF, po përmend disa shtete, kemi pasur të interesuar nga Brazili, nga Tunizia e që veç se po na bëjnë krenarë që të vazhdojmë tutje që me edicionet e radhës të marrin shfaqje edhe nga kontinentet e tjera të botës”, tha Alshiqi.
Ajo tha se realizimi i këtij edicioni nuk do të ishte i mundur pa financimin e ART Image si financuesi kryesor, mbështetjen e Kolegjit AAB si dhe punën e një ekipi të tërë tash e disa muaj rresht.
Ceremonia hapëse e festivalit u pasua me shfaqjen e parë, “Rusalka” nga Kroacia, e cila u dha sonte në orën 20:00 në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB. Me regjisor Ivica Šimić shfaqja “Rusalka” impresionoi publikun me personazhet që trajtonin temën e një ëndrre të personazhit të arrinte të bëhej një këngëtare e operës por që duhej të ndiqte hapat, vështirësitë e sfidat. Gjithashtu duke përbërë një perspektivë psikologjike se secili duhet të jetë vetëvetja pavarësisht paragjykimeve nga të tjerët. Publiku nderoi aktoret me duatrokitje dhe mirënjohje.
Këtë edicion do të ndahen katër çmime për fituesit e PITF2023:
-Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin kryesor;
– Çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rolin dytësor;
– Çmimin për regjinë më të mirë;
– Çmimin për shfaqjen më të mirë.
Për ndarjen e çmimeve, vlerësimet do t’i japin tri juri:
Juria qendrore profesionale e festivalit që sivjet përbëhet, nga:
– Ibrahim Berisha, shkrimtar dhe publicist;
– Bislim Muçaj, aktor;
– Zijad Meheiç, producent.
Juria e medias:
Lumira Kelmendi, RTK
Xhejlane Terbunja, aktore dhe
Erona Salihu, ATV.
Do të jetë edhe juria e studentëve që vijnë nga Kolegji AAB dhe Universiteti i Prishtinës, e që do të japin vlerësimin e tyre për çmimin “Shfaqja më e mirë”.
PITF2023 do të pasurohet edhe me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, dega Pikturë, të cilët do të realizojnë 7 piktura me tematika të shfaqjeve konkurruese të këtij festivali.
Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve në natën finale.
Në natën e dytë të PITF do të jepet shfaqja “Boxes” nga Turqia me regji të Balım Kar dhe Semih Değirmenci, duke filluar nga ora 20:00. /atvlive.tv
Sot fillon edicioni i 7-të i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtar në Kosovë, që organizohet nga ART Image në bashkëpunim me Kolegjin AAB.
Edicioni i 7-të i festivalit “PITF 2023” do të mbahet nga 22 maji, duke filluar nga ora 19:30 me hapjen solemne, dhe do të vazhdojë deri më 28 maj, në teatrin Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB në Prishtinë, kur edhe zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Organizatorët e festivalit, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit Prishtina International Theater Festival këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Kroacisë, me shfaqjen “Rusalka” të regjisores Ivica Shimiç.
Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se risi në këtë festival do të jetë pjesëmarrja e trupave teatrale nga Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
Ndërsa, drejtori i ART Image, Ilir Bytyçi, tha se ky organizim ndërkombëtar dhe garues përbën shfaqje të cilat janë zgjedhur nga një komision profesional, duke shtuar se qëllimi kryesor është që Kosova të njihet në gjithë botën përmes artit dhe kulturës.
Në konferencën për media foli edhe aktorja kroate e shfaqjes “Rusalka”, Buga Marija Simiç, shfaqje kjo me të cilën sonte nis festivali.
Ajo tha se është hera e parë që vjen në Kosovë, ku po ndihet si në shtëpinë e vet për shkak të pritjes së ngrohtë në Kolegjin AAB.
“Nuk patëm mundësi të shohim shumë gjëra, por nga ajo që pashë, ka një atmosferë të bukur që e dua midis të gjithëve, që është mikpritja nga njerëzit. Na pritën ngrohtësisht në aeroport dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë. Ky kompleks, nga ajo që kemi parë, është shumë impresionues. Ne thjesht po ecnim rreth tij, duket si një anije hapësinore. Pra, po ndjehem shumë e nderuar që jemi zgjedhur të jemi pjesë e festivalit. Është vërtetë një privilegj të jem në mes të të gjithë këtyre artistëve dhe të gjitha këtyre shfaqjeve të zgjedhura për këtë festival”, tha aktorja Buga Marija Simiç.
Ajo tha se ky është festivali i parë ndërkombëtar në të cilën merr pjesë shfaqja “Rusalka” dhe se mezi pret të ndajë me publikun kosovar pjesë shumë të veçanta për shfaqjen dhe për teatrin të cilin e përfaqëson. /atvlive.tv