ATV

Tag: Pasaporta e Kosovës

  • Për dy muaj 116 mijë kërkesa për t’u pajisur me pasaportë – Rritet interesimi edhe i qytetarëve në veri

    Për dy muaj 116 mijë kërkesa për t’u pajisur me pasaportë – Rritet interesimi edhe i qytetarëve në veri

    116 mijë qytetarë kanë aplikuar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për t’u pajisur me pasaportë brenda këtyre dy muajve, ndërsa interesim për marrje të pasaportës biometrike kanë shfaqur edhe qytetarët serb në veri të vendit. Kështu ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj.

    Camaj ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe pas liberalizimit të vizave, ka pasur mbi 1 mijë e 400 qytetarë nga komunat veriore që kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë. Ndërsa në total vetëm në katër komuna veriore, është rreth 7 mijë.

    Camaj ka mohuar pretendimet se ka mungesë të materialit, veçse telashet ishin shfaqur kohë pas kohe. Për këtë, fajin ia lë ndërrimit të lokacionit.

    “Kërkesat kanë qenë në rritje tani situata vetëm ka filluar me u stabilizu nga fundi i muajit shkurt në muajin janar janë diku rreth 71 mijë qytetarë që kanë aplikuar për pasaporta dhe në muajin shkurt diku rreth 45 mijë qytetarë që kanë pajisur për pasaporta”, tha Camaj.

    Materiali i nevojshëm për pasaporta tashmë nuk është edhe problematik pasi sipas Camajt, ka material të mjaftueshëm. Megjithatë për shkak të ndërrimit të lokacionit nga objekti i Gërmisë në Rilindje iu ka shkaktuar pak vështirësi derisa sistemi është stabilizuar.

    “Material kemi mjaftueshëm, linja e prodhimit është e tillë që i prodhon 2 mijë pasaporta në ditë, po presim nga muaji mars të ndërrojmë muajin e prodhimit dhe të rrisim kapacitetin. Vështirësi nuk kemi, kemi pasur dy ditë probleme pak me sistemin se i kemi bërë bartjen nga objekti i ‘Gërmisë’ dhe kemi kaluar në ‘Rilindje’ dhe kur ndërrojnë ato paraqesin probleme, por megjithatë prodhimi tani është stabilizuar”, tha Camaj për Ekonomia Online.

    Krahas interesimit për marrje të pasaportave në komunat tjera, interesim goxha të madh kanë shprehur edhe qytetarët në veri të vendit. Sipas Camajt, 7 mijë serb janë pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.

    “Edhe qytetarë të komunave veriore kanë shfaqur interes të madh për t’u pajisur me pasaporta të Republikës së Kosovës vetëm në muajin janar dhe shkurt në katër komuna veriore kanë aplikuar diku rreth 1 mijë e 400 qytetarë. Në total vetëm në katër komuna veriore janë të pajisur diku rreth 7 mijë qytetarë me pasaportë biometrike”, tha Camaj për Ekonomia Online.

  • Pas vendimit për liberalizim vizash, serbët e veriut duan pasaporta të Kosovës

    Pas vendimit për liberalizim vizash, serbët e veriut duan pasaporta të Kosovës

    “Po pres të më njoftojnë për të shkuar për ta marrë pasaportën e Kosovës”, thotë Nenadi nga Mitrovica e Veriut, i cili do që të udhëtojë pa regjim vizash.

    Vendimin për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës e mori pasi dëgjoi nga mediat se qytetarët e Kosovës do të kenë me siguri liberalizim vizash.

    Nenadi dëshiron të udhëtojë, sepse, siç thotë, ka shumë të afërm dhe miq në vendet perëndimore.

    “Nuk kam mundur, sepse nuk kam dashur… Si ta them pa u treguar i vrazhdë… jam shtypur me atë pasaportën e qendrës së koordinimit që është lëshuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Bashkëqytetari i tij, Zorani, thotë se nuk e njeh “pasaportën e Kosovës”.

    “Ajo që kanë marrë ata, është e turpshme. Nuk do ta merrja kurrë pasaportën e tyre, pra atë të Kosovës, edhe me çmimin që nuk dal kurrë prej vendit”, thotë Zorani.

    Parlamenti Evropian ka miratuar më 18 prill vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, në bazë të të cilët qytetarët e vendit do të mund të udhëtojnë lirshëm në 27 shtete të Evropës, që përbëjnë zonën Schengen.

    Një ditë më vonë, akti ligjor i BE-së për liberalizimin e vizave është nënshkruar po ashtu në Parlamentin Evropian.

    Vendimi për lëvizje të lirë pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, por regjimi i vizave do të vazhdojë të mbetet në fuqi për ata qytetarë të Kosovës që pasaportat i marrin nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Për këta qytetarë nuk ka vlejtur kurrë as liberalizimi i vizave për Serbinë, i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2009.

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, Thijs Reuten, u pyet të mërkurën nga gazetarët në Strasburg nëse liberalizimin e vizave do të mund ta gëzojnë edhe serbët, të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.

    “[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.

    Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizim vizash, tha se të gjithë shtetasit serbë të Kosovës, që ende nuk janë të pajisur me pasaporta kosovare, do të kenë afat prej tetë muajsh t’i marrin ato, para se vendimi për vizat të hyjë në fuqi.

    Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në lidhje me pajisjen e qytetarëve serbë me pasaporta të Kosovës, janë këto:

    E ndikuar nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.

    “Duhet t’i besojmë vendit tonë, Serbisë”

    Zorani, i cili jeton në Mitrovicë të Veriut, beson se do të gjendet zgjidhje edhe për pasaportat e Administratës Koordinuese, të cilat i lëshon Serbia.

    “Unë mendoj se do të vijë zgjidhja, njerëzit le të jenë të durueshëm, ne duhet të besojmë në vendin tonë – Serbinë”, shprehet ai.

    Darkoja, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut, thotë se nuk është i gatshëm ta nxjerrë pasaportën e Kosovës, por nuk pret as nga Serbia që ta zgjidhë çështjen e pasaportave të lëshuara nga Administrata Koordinuese.

    “Gjithçka është gënjeshtër. Madje, edhe shteti ynë – Serbia – nuk është shumë i sjellshëm me ne. Edhe nënë, edhe njerkë, kryesisht njerkë”, thotë Darkoja.

    Për këto arsye, ai thotë se nuk udhëton.

    “Ne nuk duam të jemi qytetarë të kësaj ‘kuazi-republike’”, thotë ai.

    Bojan Milletiq, në anën tjetër, thotë se nuk e di se çfarë do të bëjë për çështjen e pasaportës.

    “Nuk kam ndonjë qëndrim për këtë, por do të shoh, do të mendoj, pse jo”, shprehet ai.

    Zoran Millenkoviq thotë se, me siguri, nuk do ta marrë pasaportën e Kosovës. Ai pret zgjidhje nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohen në Bruksel.

    “Do të bëhet diçka që ne serbët ta kemi atë pasaportë serbe, ndoshta. Nuk e di tani, gjithçka varet se si do të na trajtojnë ata nga Serbia”, thotë ai.

    Edhe pse vetë nuk dëshiron të ketë pasaportë të Kosovës, ai beson se njerëzit, gjithnjë e më shumë, do të fillojnë të marrin dokumente udhëtimi që i lëshon Kosova.

    “E njëjta gjë ka ndodhur edhe me letërnjoftimet. Duam t’i nxjerrim, nuk duam t’i nxjerrim. Në fund i kanë nxjerrë të gjithë, 90 për qind, nëse jo më shumë”, thotë Millenkoviq.

    Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.

    Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, dhe ata përjashtohen nga lëvizja pa viza.

    Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar liberalizimin e vizave.

    Para kësaj, shtetasit serbë me banim në Kosovë i kanë marrë pasaportat në Drejtoritë e Policisë, të cilat Beogradi zyrtar i ka zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.

    Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse konsideron se ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”. /REL/