ATV

Tag: Parlamenti Evropian

  • Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Osmani do t’i adresohet Parlamentit Evropian

    Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në Strasburg të Francës ku gjatë ditës së sotme do të ketë një adresim në Parlamentin Evropian, hera e parë që një president i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.

    Osmani do të pritet fillimisht nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, shkruan KosovaPress.

    Pjesë e delegacionit të Kosovës janë edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit, Fahrije Hoti, që vuajtjen nga vrasja e burrit nga regjimi serb e kthehu në forcë dhe u shndërrua në frymëzim për të gjitha gratë me Koperativën “Krusha”, Blerta Basholli, producent, Egzon Syla ndër ushtarakët më të suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hana Qerimi, ndërmarrëse, si dhe Liudmyla Makei, gazetare ukrainase që aktualisht është e strehuar dhe punon në Kosovë.

    Adresimi i presidentes Osmani para eurodeputetëve është planifikuar për në ora 11:30, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë për media.

    Osmani ka mbërritur në Strasburg gjatë së martës ku ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.

    Më pas ka pasur edhe një pritje për përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit të Evropës, ku në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Kjo vizitë e presidentes vjen në kohën kur në tri komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan situata është e tensionuar pas protestave të dhunshme ku serbët të organizuar nga Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, sulmuan Policinë e Kosovës dhe KFOR-in duke lënë të plagosur 6 policë dhe mbi 30 ushtarakë te misionit të NATO-s në Kosovë.

    Gjithashtu, edhe pas paraqitjes së planit prej pesë pikash nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Bashkimi Evropian është në përgatitje të sanksioneve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, sidomos pas zhvillimeve të ditës së martë.

  • Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën e Serbinë

    Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën e Serbinë

    Përmes dy rezolutave vjetore, Parlamenti Evropian u bëri ftesë Kosovës e Serbisë që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve, duke përfshirë njohjen e ndërsjellë.

    Raportet përkatëse, Serbinë e kritikojnë për mospërshtatje të politikave me Bashkimin Evropian në qëndrimet karshi Rusisë. Por, për të njëjtën çështje vlerësohet Kosova.

    “Qeveria e Kosovës ka marrë qëndrime të qarta duke dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe duke u rreshtuar me deklaratat dhe sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ne e mirëpresim këtë përkushtim të qartë me vlerat dhe qëndrimet e BE-së”, tha komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.

    Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, foli për arritjet që ka bërë Kosova, por edhe hapat që duhet të ndiqen tutje.

    “Kosova vazhdon t’i dëshmojë kapacitetet e saj demokratike duke pasur një peizazh politik pluralist, i cili demonstrohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Peizazhi mediatik është gjithashtu i devijuar në krahasim me shtetet e tjera në rajon, por megjithatë është e rëndësishme që gazetarët mbeten të pavarur. Janë arritur rezultate të rëndësishme në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mbarë Kosovën”, tha Von Cramon.

    Megjithatë, u identifikuan edhe mangësi në disa reforma.

    “Ne gjithashtu do të donim të shihnim një ritëm më të shpejtë të reformave, duke përfshirë Kuvendin, që ka një rol kritik për të luajtur në avancimin e agjendës së qeverisë drejt BE-së. Ne mirëpresim përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit”, tha komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.

    Raporti për Kosovën, pro të cilin votuan 452 deputetë, u bën thirrje Spanjë, Greqisë, Rumanisë, Qipros dhe Sllovakisë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

    Këtë kërkesë e pati edhe një deputet austriak, derisa ai spanjoll tregoi pse kjo nuk ka ndodhur ende.

    “Ju bëj qartë thirrje që të mos e mbani bllokimin tuaj. Ju vetëm po e inkurajoni Serbinë dhe rrjedhën e saj të konfliktit. Dhe nëse kjo nuk është ajo që dëshironi, më në fund njiheni Kosovën si shtet të pavarur që është”, tha deputeti nga Austria, Thomas Waitz.

    “Fatkeqësisht, ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, disa prej tyre siç është Spanja, nuk e njeh për arsye që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me Katalonjën. Ata nuk duan të njohin ligjshmërinë e një deklarate të njëanshme të pavarësisë”, tha deputeti nga Spanja, Carles Puigdemont.

    Përveç gjetjeve, në Parlamentin Evropian u diskutua marrëveshja e Ohrit, e cila sipas Oliver Varhelyit, obligon shtetet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet, ndërsa draft-propozimin e quajti pikënisje për diskutime të mëtejme, deri në themelimin e asociacionit.

    Raportet e sipërpërmendura, ishin të fundit për të dyja shtetet nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, meqë rreth muajit maj apo qershor të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

    Parlamenti Evropian miraton raportet për Kosovën dhe Serbinë

    Parlamenti Evropian miratoi dy rezoluta vjetore për Kosovën dhe Serbinë, “përmes së cilave u bëhet ftesë të dyja vendeve që të jenë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve dhe ky normalizim duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”.

    Për raportin për Kosovën votuan 452 deputetë, 87 ishin kundër dhe 76 abstenuan.

    Këto janë raportet e fundit vjetore për Kosovën dhe Serbinë nga përbërja aktuale e Parlamentit Evropian, pasi në fund të majit apo në fillim të qershorit të vitit 2024 do të mbahen zgjedhjet evropiane.

    Tekstet e raporteve për Kosovën dhe Serbinë paraprakisht ishin miratuar në Komisionin për politikë të jashtme, ndërkaq tani atyre iu shtuan disa amendamente të propozuara, që morën shumicën e votave të deputetëve evropianë.

    Në raportin për Kosovën përsëritet ftesa për pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë, shkruan Rel. Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Në tekstin e raportit po ashtu përshëndetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Aty, po ashtu, mirëpritet përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Të gjitha këto porosi janë pjesë e rezolutës së propozuar dhe u dëgjuan po ashtu nga shumë deputetë gjatë debatit që u zhvillua të martën mbrëma në seancën plenare të Parlamentit.

    Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, u shpreh e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

    “Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, tha ajo gjatë debatit.

    Në Rezolutën për Serbinë u shpreh keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

    Gjatë debatit për Serbinë pati shumë deputetë që kërkon nga Beogradi që të shprehet qartë rreth aspiratave për integrime në BE dhe që këtë orientim ta dëshmojë duke mbështetur edhe sanksionet ndaj Rusisë. U dëgjua nga disa deputetë që Serbia po e bën të kundërtën, se në vend që të rrisë përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, po e zvogëlon atë.

    Deputetja kroate, Zheljana Zovko nënvizoi se nga 65 për qind që ka qenë vitin e kaluar, përshtatja e Serbisë me politikën e jashtme të bllokut evropian ka rënë në 45 për qind.

    Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – gjatë debatit, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon kërkoi që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet dhe që procesi i normalizimit të vizave të përfshijë njohjen e ndërsjellë.

    Ajo po ashtu kërkoi po ashtu që serbët në veri të Kosovës të kthehen në institucionet kosovare.

    Serbët në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin në targa të ligjshme të Kosovës të makinave që bartnin targa ilegale serbe.

    Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se kusht për kthimin e serbëve në institucione është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

    Ndryshe, rezolutat e Parlamentit Evropian kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare.