ATV

Tag: Parlamenti Europian

  • ​Parlamenti Evropian kritikon Serbinë për afërsi me Rusinë

    ​Parlamenti Evropian kritikon Serbinë për afërsi me Rusinë

    Parlamenti Evropian, përmes një raporti për Serbinë, të miratuar të mërkurën në Komisionin për Politikë të Jashtme, ka kritikuar edhe një herë Serbinë për afërsi me Rusinë dhe për refuzimin që të përshtatet me qëndrimet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

    Për më tepër deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar edhe kushtëzimin e ndihmës financiare të BE-së për Serbinë me qëndrimet e saj ndaj Rusisë, shkruan REL.

    Në veçanti, shprehet zhgënjim për faktin se Serbia vazhdon të jetë një prej vendeve të vetme të rajonit dhe ndër të paktat në botë, të cilat nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë. Në këtë mënyrë, këto vende kanë vazhduar t’i refuzojnë kërkesat që të përshtaten edhe sanksionet, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë prej kur ka nisur agresioni i saj ndaj Ukrainës.

    Përmes amendamenteve që janë votuar, Parlamenti Evropian ka shprehur edhe shqetësim për emërimin e ish-ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, për shef të Shërbimit të Zbulimit të Serbisë, BIA, pasi që ai konsiderohet të jetë i afërt me Moskën dhe person “i njohur për retorikën kundër Bashkimit Evropian”.

    Në raport përmendet se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, se kjo është një zgjedhje strategjike e Serbisë, prandaj ajo edhe duhet të sillet në përputhje me këtë qëndrim dhe t’i mbështesë vlerat evropiane.

    Në raport thuhet se është e papranueshme që Serbia të përshtatet me “regjimin luftënxitës autokrat të Rusisë”.

    Ndonëse përshëndetet fakti se Serbia i ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku dënohet agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, shprehet keqardhje për refuzimin që të mbështeten edhe sanksionet.

    Në këtë dokument shprehet keqardhje për sjelljen e përgjithshme të Serbisë, e cila disa aspekte të politikës së jashtme i ka tërësisht në kundërshtim me qëndrimet e BE-së.

    Në raportin për Serbinë thuhet se përparimi në rrugën e integrimeve evropiane do të varet nga suksesi në reforma, përshtatja me politikën e jashtme dhe nga normalizimi i raporteve me Kosovën.

    Po ashtu, kërkohet që të normalizohen raportet me Kosovën, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë.

    Raporti për Serbinë është miratuar në Komisionin përkatës parlamentar me 43 vota në favor, gjashtë kundër dhe pesë abstenime. Raporti tash shkon për debat dhe miratim edhe në seancë plenare. Ndërsa pritet të jetë në rend dite në seancën e 9 majit.

  • U miratua raporti për Kosovën në Komisionin e Parlamentit Evropian

    U miratua raporti për Kosovën në Komisionin e Parlamentit Evropian

    Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot raportin për Kosovën dhe amendamentet e paraqitura nga deputetët për këtë raport.

    Drafti i raportit është prezantuar nga Viola Von Cramon-Taubadel, që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian(PE), ndërsa në këtë raport janë paraqitur mbi 300 amendamente nga deputetë të ndryshëm.

    Raporti për Kosovën është miratuar me 44 vota për, 8 kundër dhe 3 abstenime.

    Raporti përmban pikat e përgjithshme ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë. Me këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik. Ndërkaq, përshëndetet edhe vendimi i shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, i cili proces është përmbyllur të martën më 25 prill kur vendimi edhe është botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së, pasi më herët është nënshkruar nga Parlamenti dhe Këshilli i BE-së.

    Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vjet që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt. Së fundmi, është arritur pajtimi edhe mes PE-së dhe Këshillit të BE-së për këtë çështje.

    Një thirrje që Parlamenti Evropian e ka përsëritur secilin vit në raportet për Kosovën, është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe. Kjo është thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

    “Fton vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, që ta bëjnë një gjë të tillë”.

    Pikërisht për këtë pikë janë paraqitur shumë amendamente, sidomos nga deputetët nga Spanja dhe vendet tjera që nuk e njohin Kosovën, duke tentuar që referencat për shtetësi të Kosovës të hiqen nga raporti.

    Sa i përket situatës në Kosovë, në tekst thuhet se Kosova pa pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe u bën ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrë më shumë veprime për t’u përballur me sfidat gjatë rrugëtimit evropian.

    Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi që do të arrijë për sundimin e ligjit, të drejtave themelore dhe normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Gjithashtu, PE-ja mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë në programin e Partneritetit për paqe të NATO-s.

    Në këtë tekst, po ashtu, përshëndetet përkushtimi për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e Gjyqësorit në Kosovë që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.

    Keqardhje shprehet për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t’i japin fund praktikës së abstenimit.

    Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë në tekst përshëndetet fakti se në Kosovë “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por shprehet shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shqetësim ngrihet për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore.

    Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili do të forconte besimin e ndërsjellë.

    Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, shkruan Rel.

    Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Nga BE kërkohet që ta bëjë më dinamik procesin e zgjerimit duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

    Deputetët e Parlamentit Evropian përmes propozimeve për amendamente kanë kërkuar që të forcohet roli i BE-së në rajon.

  • Nesër vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Nesër vendimi i fundit për liberalizimin e vizave

    Parlamenti evropian të martën do mbajë seancën përfundimtare, mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

    E marta sipas analistëve, nënkupton fundin e një epoke mbylljeje për kosovarët.

    “Nesër është faktikisht faza e fundit e vendimmarrjes, dhe duke qenë se deri më tani ka pasur disa faza nesër pritet të jetë një formalizim ose validim i gjithë ati procesi që ka zgjatë për vite të tëra”, tha Lirim Krasniqi nga organizata “GERMIN”.

    Ani pse Kosova shumë herë dha myzhde për liberalizim, pas seancës së nesërme thuhet se nuk do ketë kthim mbrapa.

    “Nga momenti i votimit nesër nuk ka më kthim mbrapa sepse periudha e mëtejme është vetëm formalitete siç është nënshkrimi i marrëveshjes, publikimi në gazetën zyrtare, d.m.th. nuk ka vendimmarrje pas ditës së nesërme”, tha Krasniqi.

    E qytetarët mezi e presin një vendim të tillë, teksa thonë se lëvizjen pa viza e kanë merituar qysh moti.

    “Është bo tepër ne jemi të diskriminuar në krahasim me krejt popujt, paramendoni ata që kanë bo krime janë shpërblyer me liberalizim ndërsa ne si viktima jo”, tha Xhafer Berisha, qytetar.

    “Mendoj që Kosova moti e ka meritu, kushtet i ka plotësu moti, por tash puna e politikes nuk e di”.

    Por ka edhe nga ata që e shohin pak më ndryshe këtë proces.

    “Duhet me kuptu se një pjesë e madhe po mendon që veç ka me shku me udhëtu në të gjitha vendet e botës, por liberalizimi mundet me qenë 180 ditë ose 3 muaj edhe ato viza munden me qenë që mos me pas të drejtë me punu”, tha Arian Mustafa, qytetar.

    Në rast se parlamenti evropian i jep dritën jeshile liberalizimit, qytetarët e Kosovës pritet që të udhëtojnë lirshëm nga janari i 2024-tës. /atvlive.tv

  • Votimi në Parlamentin Europian për vizat javën tjetër

    Votimi në Parlamentin Europian për vizat javën tjetër

    Procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave për Kosovës është pothuajse në fazën e fundit. Parlamenti Europian ka planifikuar datën 18 prill për të votuar tekstin për të cilën u morën vesh vendet e BE’së.

    Shtetet anëtare që hezitonin më shumë për të hequr izolimin u bindën që Kosova s’duhet të jetë shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që përballet me një regjim të tillë. Procesi u zhbllokua nga Këshilli i Ministrave të BE-së, e cila pasoi me hartimin e një teksti për të cilën ranë dakord shtetet anëtare.

    Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së nga 1 janari i vitit 2024. Në fillim, në marrëveshje si afat u caktua nëntori i 2023-ës, por kjo u kushtëzua nga Franca me funksionimin e sistemit ETIAS. Sidoqoftë, ky shans humbi meqë ETIAS do të vonohet.

    Për çështjen e vizave të Kosovës, Parlamenti Europian pati edhe më parë në vitin 2018.

    Pas votës në PE, janë edhe pesë hapa para se përfundimisht të hyjë në fuqi vendimi:

    – Ambasdorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

    – Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

    – Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian

    – Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi

    – Liberalizimi i vizave hyn në fuqi

    Që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale.

    Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, vendi i të cilit ishte ndër më skeptikët, u caktua raportues për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Europian. Në një prononcim për Express më herët, Reuten kishte thënë se më nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes dhe se kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024.

    “Kjo do të thotë që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”.

    Për këto zhvillime në BE, qeveritarët në Kosovë morën meritat. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se përmirësimi i sundimit të ligjit nga Qeveria Kurti është arsyeja.

    “Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me radhë”, kishte thënë ai pasi ambasadorët e BE-së e miratuan tekstin për vizat.

    Për vonesën e BE-së kishte ironizuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, që pas miratimit nga ambasdorët e uroi edhe BE-në për këtë.

    “Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”.