ATV

Tag: OSBE

  • Raportimi dedikuar Heroit Afrim Bunjaku, OSBE-ja ndan mirënjohje për autorin e emisionit “N’frekuencë me Robin”

    Raportimi dedikuar Heroit Afrim Bunjaku, OSBE-ja ndan mirënjohje për autorin e emisionit “N’frekuencë me Robin”

    Departamenti për Siguri dhe Rend Publik i misionit të OSBE-së në Kosovë ndau mirënjohje për autorin e emisionit “N’Frekuencë me Robin” të ATV-së, Robert Bojaj, për raportimin dedikuar heroit Afrim Bunjaku dhe familjes së tij, referuar zbulimit të “stolit përkujtues” në nderim të rreshterit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.

    “Ishte transmetimi juaj, fjalët tuaja të mira, shpirti juaj që media është zëri i njerëzve për të gjithë njerëzit, në ngjarjen që i dha më shumë jetë zbulimit të stolit dhe respektit”, thuhet mes tjerash në mirënjohjen e nënshkruar nga drejtori i departamentit, Edward Thomas Anderson.

    Në mirënjohje, po ashtu, përmendet rëndësia e simbolikës së stolit në akademi, si një ulëse e cila do të shërbejë për kujtuar ata që, pavarësisht kushteve e rrethanave, sakrifikuan në detyrë me qëllimin që të tjerët të ndihen të sigurt.

     

  • OSBE rekomandon: Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit

    OSBE rekomandon: Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit

    Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka publikuar raportin e fundit në të cilin thuhet se përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ndërsa edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.

    Sipas kësaj, duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë.

    “Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit. Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur, thuhet në njoftim.

    “Raporti përfundon me rekomandime specifike të shënjestruara për palët më kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake”.

    Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.

    Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet.

  • Davenport kërkon të mos “prishen” zgjedhjet në veri

    Davenport kërkon të mos “prishen” zgjedhjet në veri

    Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë – OSBE bëri thirrje për zgjedhje paqësore dhe demokratike, për kryetarë dhe asamble, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të dielën.

    Në një intervistë për ATV-në, ambasadori Michael Davenport tha se është shumë e rëndësishme të shmanget çfarëdo incidenti i dhunshëm dhe të mos ketë përpjekje për të prishur procesin demokratik zgjedhor.

    “Mendoj se është e rëndësishme që votuesve t’u jepet mundësia ta hedhin votën e tyre dhe ajo të bëhet në mënyrë paqësore, të zakonshme, qetësisht. Shpresoj që procesi të ecë pa probleme. Siç thashë, i dëshiroj KQZ-së sukses në drejtimin e këtyre zgjedhjeve dhe që ato të mos pengohen në asnjë mënyrë, të jenë të zakonshme dhe paqësore. Mendoj se ky është prioriteti kryesor”, tha Davenport.

    Ambasadori Davenport foli edhe për mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 Prillit.

    “Do të ishte e preferueshme që të gjitha komunitetet të merrnin pjesë plotësisht. Të dyja, si kandidatët për zgjedhje, ashtu dhe votuesit, por kjo është zgjedhja që është bërë. Do të jetë e rëndësishme teksa shkohet përpara, që megjithatë interesat dhe pikëpamjet e të gjitha komuniteteve po merren parasysh dhe po merren nën të drejtën e të gjithëve të mbrohen dhe kjo është fondamentale. Një demokraci funksionale, po, ka të bëjë me zgjedhjet demokratike, por është gjithashtu edhe për atë se si shoqëria funksionon dhe si të drejtat e të gjithëve respektohen, po ashtu, ndërmjet zgjedhjeve”, theksoi Davenport.

    OSBE-ja do të ketë vetëm rol monitorues, dhe jo vëzhgues, në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. /atvlive.tv