ATV

Tag: OKB

  • Raporti i OKB-së: Kriza e nëntorit në veri, më e rënda në Kosovë që një dekadë

    Raporti i OKB-së: Kriza e nëntorit në veri, më e rënda në Kosovë që një dekadë

    ekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka përpiluar një raport mbi aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimet të ndërlidhura me to, që nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023.

    Bazuar në këtë raport, kriza e nëntorit të vitit 2022 që u zhvillua pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, se do të fillojë shqiptimin e gjobave ndaj shoferëve që vozitin veturat e tyre me targa të jashtëligjshme, ishte më e rënda në Kosovë për më shumë se 10 vite.

    Në fund të vitit të kaluar, detyrat e Misionit në lidhje me Mbështetjen e Dialogut “iu transferuan Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”.

    Ky raport i është dorëzuar në përputhje me rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, me të cilën Këshilli themeloi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të raportojë në intervale të rregullta për zbatimin e mandatit të tij.

    Ky raport është i bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm mbi aktivitetet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë nga 16 shtatori 2022 deri më 15 mars 2023.

    “Gjatë periudhës raportuese gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është përkeqësuar; përkeqësimi filloi në fillim të nëntorit me dorëheqjen masive të pothuajse të gjithë serbëve të Kosovës nga policia, gjyqësori dhe administrata publike (përfshirë zyrtarët e zgjedhur) në katër komunat në veri të lumit Ibër dhe kulmoi në një përleshje të armatosur tre-javore me barrikada të ngritura në lokacione të shumta. Kjo ishte kriza më e rëndë e këtij lloji në Kosovë për më shumë se një dekadë”, vijon raporti.

    Gjithashtu, në raport potencohet se situata e shtyu Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë që të përforcojë përkohësisht njësinë e saj të rregullt policore “duke vendosur një njësi policore të formuar rezervë dhe të rrisë patrullimin e saj zbulues në veri të Kosovës në koordinim me homologët e Kosovës dhe Forcën e Kosovës”.

    “Kështu, Misioni e rriti dukshëm praninë dhe dukshmërinë në veri të Kosovës. Në ndërkohë, Misioni vazhdoi të kryejë detyrat e tjera operative, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit policor, mjekësisë ligjore dhe mbështetjes për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

    Po ashtu, raporti sqaron se “Misioni vazhdoi monitorimin e rasteve dhe gjykimeve të përzgjedhura, me fokus të veçantë në zhvillimet që ndërlidhen me incidentet ndër-komunitare dhe të sigurisë në mbarë Kosovën”.

    “Misioni publikoi raportin e tij të tretë sistematik dhe tematik të monitorimit të drejtësisë, ndihmoi autoritetet e Kosovës në zhvillimin strategjik afatmesëm dhe organizoi disa seminare. Pas përkeqësimit progresiv në nëntor dhe dhjetor, Misioni rriti monitorimin e situatës së sigurisë dhe sundimit të ligjit në të gjitha aspektet e saj, me fokus në veri të Kosovës”.

  • Ambasadorja amerikane në OKB: Kosova dhe Serbia urgjentisht ta zbatojnë marrëveshjen

    Ambasadorja amerikane në OKB: Kosova dhe Serbia urgjentisht ta zbatojnë marrëveshjen

    Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas Greenfield, në takime të ndara me krerët e diplomacisë së Kosovës dhe Serbisë, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që ta zbatojnë menjëherë marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve.

    Në Nju Jork, më 26 prill, një ditë para seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Greenfield ka biseduar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Paraprakisht, më 25 prill, ajo ishte takuar me zëvendëskryeministren e Kosovës dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive për mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në përmbushjen e obligimeve të tyre në arritjen e marrëdhënieve të parashikueshme dhe paqësore, i tha Thomas-Greenfield ministrit serb.

    Ajo theksoi “sa e rëndësishme është që të dyja palët të zbatojnë urgjentisht angazhimet e dala nga marrëveshja historike, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin” që arritën, sipas deklaratës nga zëdhënësi i misionit amerikan në OKB, Nate Evans.

    Gjithashtu shtohet se ambasadori amerikan dhe shefi i diplomacisë serbe kanë biseduar edhe për rëndësinë e partneritetit afatgjatë mes SHBA-së dhe Serbisë.

    Siç njofton MPJ-ja e Serbisë, Daçiq, gjatë bisedës me ambasadoren amerikane ka theksuar se Serbia do të mbajë qëndrim konstruktiv sa i përket propozimit evropian dhe zbatimit të planit të veprimit për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Prishtinën.

    Përsëri, megjithatë, ka vija të kuqe për Serbinë nga të cilat ajo nuk do të heqë dorë. Ai, po ashtu, ka theksuar se për Serbinë puna e UNMIK-ut në kapacitetin e tij të plotë është e një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme në Kosovë.

    Shefi i diplomacisë serbe tha, gjithashtu, se shpreson që vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, në Serbi të realizohet në periudhën e ardhshme.

    Paraprakisht, më 25 prill, në një bisedë me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield bëri thirrje për zbatimin urgjent të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim, thuhet në deklaratën e zëdhënësit e misionit të SHBA-së në OKB, Nate Evans.

    Është bërë e ditur se ambasadorja amerikane dhe ministrja kosovar kanë biseduar për “partneritetin afatgjatë mes SHBA-së dhe Kosovës”.

    Më 2 maj, në Bruksel, Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po i zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Negociatat do të vazhdojnë mes aktivitetesh të intensifikuara diplomatike të partnerëve perëndimorë, në radhë të parë të BE-së dhe SHBA-së.

    Këto përpjekje rezultuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit – për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës./REL

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së sot diskuton për Kosovën

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së sot diskuton për Kosovën

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të enjten pasdite do të shqyrtojë raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, për punën e misionit të OKB-së (UNMIK) në Kosovë.

    Në raportin që mbulon aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimin e ngjarjeve nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, Guterres ka përshëndetur marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe aneksin për zbatimin e saj me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Ohër.

    Në raport përshkruhen edhe ngjarjet e nëntorit të vitit të kaluara, kur serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit për targa.

    Kosova përfaqësohet nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo para dy dite u takua me ambasadoren e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, me të cilën diskutuan për marrëveshjen e fundit me Serbinë.

    Sesioni i fundit i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e misionit të UNMIK-ut është mbajtur në tetor të vitit të kaluar.

    Presidencën e këtij këshilli e ka Rusia.