ATV

Tag: OBSh

  • OBSh: Vaksinat kundër COVID-it shpëtuan 1.4 milion jetë në Evropë

    OBSh: Vaksinat kundër COVID-it shpëtuan 1.4 milion jetë në Evropë

    Të paktën 1.4 milion jetë janë shpëtuar në Evropë falë vaksinave kundër COVID-19, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke ripërsëritur se virusi ende nuk është zhdukur.

    Në rajonin evropian të OBSH-së – ku përfshihen 53 shtete, edhe ato në Azinë Qendrore – janë regjistruar 277.7 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 2.2 milionë vdekje, sipas të dhënave më të fundit, që datojnë që nga dhjetori i vitit 2023.

    “Sot, 1.4 milion njerëz në rajonin tonë – shumica të moshuar – po e shijojnë jetën me më të dashurit e tyre për shkak se u vaksinuan kundër COVID-19”, tha drejtori për Evropë në OBSH, Hans Kluge.

    “Vetëm doza e parë vlerësohet se ka shpëtuar 700.000 jetë”.

    Kluge tha se është qenësore që njerëzit të mbrohen gjatë dimrit, veçmas ata që janë më të cenueshëm.

    “Teksa ne mësohemi të jetojmë me COVID-19 dhe me viruset e tjera që prekin organet e frymëmarrjes, është absolutisht thelbësore që popullata, që është më e cenueshme që t’i rri gati vaksinimit kundër COVID-it dhe të vaksinohet edhe kundër gripit sezonal”.

    Ai insistoi që Evropë duhet të vazhdojë të investojë në sistemet e kujdesit shëndetësor.

    Kluge tha se duhen po ashtu më shumë fonde për të adresuar çështjen e mungesës së punëtorëve shëndetësorë dhe furnizimeve me ilaçe esenciale.

    Sëmundja e koronavirusit fillimisht u shfaq në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe më pas virusi u përhap në mbarë botën. Në botë janë regjistruar mbi 701 milionë raste me COVID dhe afër 7 milionë viktima./REL/

  • OBSh-ja po e vëzhgon nga afër një variant të ri të koronavirusit

    OBSh-ja po e vëzhgon nga afër një variant të ri të koronavirusit

    Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane, kanë thënë të premten se janë duke e vëzhguar nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndonëse ndikimi i tij potencial nuk dihet.

    OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh (më shumë se 30) të mutacioneve që bart”, është thënë në buletinin e kësaj organizate për pandeminë.

    Deri më tani, varianti i ri BA.2.86, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë, po ashtu, se janë duke e vëzhguar variantin.

    Shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, duke thënë se koronavirusi nuk është më aq i ashpër dhe nuk ia vlen barra qiranë – veprim që është dënuar nga OBSH-ja, duke bërë thirrje për më shumë monitorim.

    Në periudhën e fundit raportuese, në periudhën 17 korrik – 13 gusht, janë regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të reja me koronavirus, bashkë me mbi 2.300 vdekje, sipas një deklarate të OBSH-së.

    Kjo shifër e infektimeve përbën rritje prej 63 për qind, në krahasim me periudhën paraprake 28-ditore, përderisa shifra e viktimave është 56 për qind më e vogël.

    Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

    Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

    Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./REL/