ATV

Tag: NLB Banka

  • NLB Banka ndan 100,000€ donacion për bamirësi

    NLB Banka ndan 100,000€ donacion për bamirësi

    Çdo ditë, shumë njerëz rreth nesh përballen me vështirësi të ndryshme, qoftë dhunë, sëmundje, varfëri apo vështirësi të tjera që nuk janë të lehta dhe që nevojitet ndihmë për tejkalimin e tyre.  Kjo është arsyeja pse Grupi NLB ka vendosur të dhurojë 1.35 milionë euro në të gjitha tregjet në rajonin ku operojmë. Punonjësit e Grupit NLB propozuan rreth 100 organizata dhe në fund me votim zgjodhën më shumë se 30 përfitues, duke përfshirë shoqata të ndryshme, organizata humanitare dhe grupe për të cilat do të dhurojmë ndihmë financiare.

    Në ngjarjen e mbajtur sot në zyrën qendrore të Bankës, donacionet iu dorëzuan gjashtë përfituesve  që së bashku do të pranojnë 100,000€ donacion. Organizatat e përzgjedhura sipas votimit nga të punësuarit e Bankës mbulojnë disa fusha siç janë: kujdesi për fëmijët, kujdesi për familjet, kujdesi për të moshuarit, si dhe kujdesi për punonjësit që gjenden në vështirësi për shkak të ndonjë sëmundje të rëndë apo aksidenti.

    “Ne e shohim përgjegjësinë ndaj klientëve, punonjësve dhe shoqërisë si misionin tonë. Në të njëjtën kohë, ne e dimë se nuk mund ta ndryshojmë për mirë shoqërinë vetëm, por së bashku me individë dhe organizata humanitare që tashmë janë duke punuar në projekte të dobishme shoqërore dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës në vendin tonë. Ne jemi të lumtur kur ndihmojmë, motivojmë dhe frymëzojmë vepra të mira, dhe jo vetëm këtu po në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore ku operon Grupi NLB” tha z. Gazmend Kadriu, Kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka.

    “Jam krenar për donacionin e këtij viti, jo vetëm për organizatat e përkushtuara dhe humanitare që pasurojnë shoqërinë tonë, por edhe për kolegët e mi në Grupin NLB, të cilët me shumë përkushtim dhe krenari propozuan dhe votuan për përfituesit e këtij donacioni. NLB ka dëshmuar edhe një herë se është shumë më tepër sesa thjesht një institucion financiar rajonal, pasi rezultatet e saj të biznesit dhe operacionet e qëndrueshme janë shembull edhe për institucionet tjera në rajon” tha Blaž Brodnjak, CEO në NLB d.d.

    Këto janë organizatat përfituese në Kosovë nga ky donacion:

    1. NFK “Ndihmë fëmijëve me kancer”
    2. Hanidkos Podujeva
    3. Shoqata “Autizmi flet”
    4. Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë
    5. SOS Fshatrat e fëmijëve
    6. Fondi për të punësuarit në NLB Banka

    Në fjalimet e tyre, përfituesit e donacioneve shprehën mirënjohjen e tyre të madhe për Bankën dhe theksuan se NLB është një shembull i vërtetë i një kompanie të përgjegjshme, me vetëdije për solidaritet dhe ndjeshmëri.

    Mbështetja e aktivitetet të tilla që përkrahin komunitetin do të vazhdoj edhe në të ardhmen, me qëllim të përmirësimit së cilësisë së jetës në vendin tonë për sot dhe për të ardhmen.

  • NLB Banka dhe BERZH-i nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për kreditimin e biznesve të vogla në Kosovë

    NLB Banka dhe BERZH-i nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për kreditimin e biznesve të vogla në Kosovë

    10 milionë euro për NVM dhe gra ndërmarrëse; mbështetje nga Suedia.

    NLB Banka është tashmë bankë partnere e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, BERZH-i i ka siguruar dy kredi në vlerë totale prej 10 milionë euro për NLB Banka. Qëllimi i këtyre kredive është t’i mundësojë Bankës të mbështesë më tej klientët e saj biznese të vogëla, duke përfshirë kompanitë e drejtuara ose në pronësi të grave.

    Nga financimi i përgjithshëm, 7 milionë euro nga fondet e BERZH-it do të kanalizohen për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në mbarë Kosovën ndërsa 3 milionë euro do të mbështesin ndërmarrësinë e grave dhe do t’u ofrohen si kredi kompanive në pronësi ose të menaxhuara nga gratë. Kjo kredi është pjesë e Programit të BERZH-it Gratë në Biznes, një kombinim i kreditimit dhe shërbimeve këshilluese për gratë ndërmarrëse. Si pjesë e projektit, NLB Banka do prezantojë produkte të reja financimi të cilat do të jenë më gjithëpërfshirëse dhe më të përshtatshme ndaj specifikave gjinore. Përveç kësaj, grave ndërmarrëse do t’iu ofrohet këshillim për biznes në kuadër të Programit të BERZH-it Këshillim për Biznesin e Vogël.

    Kjo pjesë e kresidë së BERZH-it do të mbështetet nga Qeveria e Suedisë si donatore e fondeve që do të përdoren për këshillim për gratë ndërmarrëse dhe për ngritjen e kapaciteteve në NLB Banka. Mbështetja shtesë me fonde të donatorëve do të sigurohet në formën e mbulimit të një pjese të riskut dhe do të financohet nga Fondi i Posaçëm i Aksionarëve të BERZH-it.

    NLB Banka Prishtinë është anëtare e Grupit NLB, një grup lider bankar dhe financiar me seli dhe interes strategjik ekskluziv në Evropën Juglindore.  NLB Banka ka bashkëpunuar me BERZH-in në të kaluarën në kuadër të Programit për Ndërmjetësim të Tregtisë, por ky projekt është bashkëpunimi i parë në formë të kredisë.

    Kreu i BERZH për Kosovën, Sergiy Maslichenko, u shpreh se: “Jemi të kënaqur që po bëhemi bashkë me NLB Banka Prishtina për kreditimin e bizneseve të vogla. Prioriteti ynë kryesor është mbështetja e sektorit privat, i cili luan një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit. Mbështetja e NMVM-ve dhe grave ndërmarrëse të Kosovës do të thotë gjithashtu mbështetje për krijimin e vendeve të punës dhe inovacionin, sepse bizneset e vogla janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të punësimit në vend. Në shumë raste, kreditimi për bizneset e vogla mund të ketë risk më të ulët sesa parashikojnë modelet ekzistuese të bankave lokale; por ne j’u ofrojmë bankave tona partnere edhe mbulimin e një pjese të riskut, çka ua mundëson ta rrisin edhe më shumë portofolin e tyre të NVM-ve”.

    Gazmend Kadriu, kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka, u shpreh se: “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës BERZH-it për besimin dhe bashkëpunimin e tyre. Ky partneritet është shembull i përkushtimit të fortë ndaj stimulimit të rritjes ekonomike dhe promovimit të ndërmarrësisë në mbarë Kosovën. Kemi besim se kjo aleancë do të sigurojë rezultate të jashtëzakonshme, duke na lejuar të fuqizojmë NVM-të, të lartësojmë gratë ndërmarrëse, si dhe të krijojmë një të ardhme më premtuese për të gjitha palët e përfshira.”

    Deri më sot, BERZH-i ka investuar më shumë se 600 milionë euro në Kosovë.

  • NLB Banka dhuron pajisje mjekësore në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Reumatologjisë

    NLB Banka dhuron pajisje mjekësore në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Reumatologjisë

    Për të mbështetur trajtimin shëndetësor të pacientëve, NLB Banka sot ka dhuruar dy pajisje mjekësore në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës – ShSKUK. Donacioni përfshin aparatin EEG që shërben për diagnostifikimin e fëmijëve me epilepsi në Klinikën e Pediatrisë dhe aparatin Kapilariskop që bën matjen dhe vlerësimin e rrjedhes së gjakut në enët e imta të organizmit në Klinikën e Reumatologjisë.

    Këto dy pajisje do të kenë ndikim të rëndësishëm në cilësinë e kujdesit që pacientët marrin në të dyja klinikat. Duke ofruar pajisje mjekësore të avancuara, mjekët mund të realizojnë diagnoza më të sakta që ndikojnë direkt në zbulimin dhe trajtimin më të hershëm të sëmundjeve.

    “Të gjithë jemi dëshmitar për gjendjen e sistemit e shëndetësor në vendin tonë si dhe kushtet e vështira të punës, prandaj kemi vendosur që të ndihmojmë komunitetin ku veprojmë, në mënyrë që të kontribuojmë sado pak në përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor”, tha Kryetari i Bordit Udhëheqës të NLB Banka, z. Gazmend Kadriu. Ai u zotua se përkrahjet e tilla nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

    Në një fjalë rasti mbajtur para të pranishmëve, Dr. Violeta Grajçevci Uka dhe Dr. Avni Kryeziu falënderuan Bankën për donacionin e dhënë në këto dy klinika.

    “Jemi jashtëzakonisht falenderues që NLB Banka vazhdon mbështetjen e saj ndaj sistemit shëndetësor ndër vite. Këto pajisje kanë qenë të domosdoshme në diagnostifikimin e pacientëve dhe trajtimin e tyre brenda vendit.”

    Kontributi i Bankës do të vazhdoj edhe në të ardhmen në mbështetje të aktiviteteve dhe projekteve të rëndësishme që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.