ATV

Tag: Nënë Tereza

  • Dodë Gjergji: Nënë Tereza është pasuruar shpirtërisht derisa ka ndihmuar njerëzit e varfër

    Dodë Gjergji: Nënë Tereza është pasuruar shpirtërisht derisa ka ndihmuar njerëzit e varfër

    Është kremtuar në Prishtinë mesha solemne e ditës së festës së Shën Terezës, në të cilën u kujtuan veprat e humanistes shqiptare.

    Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, dha mesazhe për paqe derisa përmendi kontributin e Nënë Terezës për të ndihmuar njerëzit e varfër.

    Ai e quajti atë “Nëna e botës”.

    “Nënë Tereza në gjithë jetën e saj është përpjekur që të jetë e përvuajtur deri sa i ka dhënë një gotë ujë të varfëritë atë gjë e ka bërë me përvujtërinë më të madhe të njeriut… Ajo u bë zëri më i famshëm dhe më i fuqishëm në shekullin XX, pse, sepse nuk pati frikë se do ta gjykonin të tjerët as se do të humbtë mbështetjen, se nuk do të merrte ndonjë ‘like’ siç e quajmë tani, ajo thjeshte vazhdojë t’i këndonte himnin e dashurisë me poemën e dashurisë që kishte mësuar nga libri i shenjtë. E gëzimin e zemrës së saj, lumturinë e gëzimit të vet e shprehte me këto fjalë të bukura lum ata që janë të varfër në shpirt, ose i dëshmonte ato fjalë të bukura nëse i jep një gotë ujë atyre, të vegjëlve me ke dhënë mua dhe ishte e bindur se çdo vepër e saj ishte për Krishtin, dhe çdo buzëqeshje e të varfërve është dhuratë për të” tha Dodë Gjergji.

    Po ashtu, Dodë Gjergji u shpreh se kërkesa e Nënës Terezës ishte lutja për njerëzit e varfër edhe kur ajo nuk është më.

    “Ajo kishte vetëm një kërkesë, ‘lutuni për fukaratë e mi, e le të lutemi ne bashkë me të për të gjithë të varfëritë e botës, për të gjithë njerëzit që kanë nevojë për një gotë ujë e nuk ka kush ju jep, që kanë nevojë për një copë bukë e nuk e gjejnë , që kanë nevojë për pak dashuri e nuk e kanë, që kanë nevojë për mua e unë i braktisë” shtoi Gjergji.

    5 shtatori shënon ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës misioni i së cilës ishte jeta në shërbim të të tjerëve.

    Shtatë vjet më parë Papa Françesku vendosë të shenjtërojë murgeshën katolike me prejardhje shqiptare./kp

  • ​Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra

    ​Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

    Osmani tha se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo nënvizoi se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.

    “Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta e Shën Terezës është një udhëtim nëpër paqe të historisë së saj personale, por edhe historisë së njerëzimit në përgjithësi, duke ditur faktin se ajo ishte e të gjithëve dhe për të gjithë. Përpara kemi jetën e dokumentuar të humanistes, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Përmes këtyre dokumenteve zbërthehet profili i Shën Terezës, thjeshtësia e fjalëve të saj, thellësia e bindjeve dhe fuqia e dashurisë së saj, po ashtu edhe rrënjët e saj shqiptare. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra”, tha ajo.

    Në anën tjetër, homologu i saj, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se hapja e kësaj ekspozite shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.

    “Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarave, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’iu dhënë shpresë atyre në mjerim vazhdojnë të frymëzojnë brezat. Le të vazhdojmë përpara me trashëgimin e saj që përfaqëson vlerat e vetëmohimit, mirësisë dhe dashurisë në jetë”, theksoi Begaj.

    Kjo ekspozitë është hapur me rastin e Ditës së Nënë Terezës, në 26 vjetorin e vdekjes së saj.

    Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

    Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe deri sa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

    Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë./KP/

  • Osmani e mbjellë bredhin e Nënë Terezës në oborrin e Presidencës

    Osmani e mbjellë bredhin e Nënë Terezës në oborrin e Presidencës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Nënë Terezës”, bashkë me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Skënder Asani dhe biografin e Nënës Terezë, Dom Lush Gjergji, sot në oborrin e Presidencës së Kosovës, në kujtim të Shën Terezës, mbollën bredhin me farat e bredhit të shkatërruar të Nënë Terezës.

    “Ky bredh, i mbjellë sot, simbolizon dëshminë e veprës së Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit, vullnetin e saj për t’i shërbyer atij. Nënë Tereza gjeti gjithmonë forcë që dhimbjen e saj, të popullit të saj dhe të të gjithë të vuajturve ta kthejë në dashuri për njerëzimin, në vepër të përvuajtur në shërbim të të varfërve, madje, sikur thoshte vetë, në shërbim të më të varfërve ndër të varfrit”, tha presidentja Osmani

    Ndërkaq, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, tha se bredhi dedikuar Nënë Terezës simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim.