ATV

Tag: Ndihmë

  • ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Kievit një paketë të re ushtarake, me vlerë prej 500 milionë dollarësh, njoftoi Pentagoni.

    Paketa përmban automjete tokësore, përfshirë automjete luftarake Bradley dhe transportues të blinduar të personelit Stryker.

    Qëllimi është të mbështetet Ukraina në kundërofensivën e saj dhe të forcohet mbrojtja e saj ajrore, tha Pentagoni.

    Në deklaratën e tij thuhet, mes tjerash, se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e tyre për t’i ofruar Ukrainës kapacitete, për të përmbushur nevojat e saj të menjëhershme në fushëbetejë”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi në Twitter se është “sinqerisht mirënjohës”.

    Ai tha se automjetet Bradley dhe Stryker “do ta rrisin edhe më shumë fuqinë” e ushtrisë së tij.

    Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

    Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

    Shtetet e Bashkuara janë deri më tash kontribuueset më të mëdha në këtë drejtim, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. Dërgesat, deri më tash, kanë përfshirë: tanke, obusë, sisteme raketore, dronë e të tjera./REL/

  • Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën

    Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën

    Zvicra ka thënë se do të shpenzojë 2 miliardë dollarë për të dërguar ndihmë humanitare dhe asistencë për zhvillim të Ukrainës në gjashtë vjetët e ardhshëm.

    Ky vendim është marrë, pas kritikave të Perëndimit ndaj Bernit, që të bëjë më shumë për të mbrojtur veten kundër pushtuesve rusë.

    Qeveria zvicerane ka konfirmuar për ndarje të 2 miliardë dollarëve deri më 2028, përveç 300 milionë dollarëve që tashmë i ka ndarë për këtë, dhe vitin tjetër.

    Rreth 650 milionë dollarë tashmë janë rezervuar për të ndihmuar në rindërtim të Ukrainës.

    Shumë vende e kanë kritikuar Zvicrën edhe pse nuk ka dhënë autorizim për dërgim të armëve të prodhuara nga ajo në fushëbetejën në Ukrainë.

    Mirëpo zviceranët kanë argumentuar se kushtetuta e tyre parasheh neutralitet, dhe ndalon dërgimin e armëve në zona të luftës, siç është ajo në Ukrainë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/