ATV

Tag: NASA

  • BepiColombo arrin orbitën e Mërkurit pas 8 vitesh

    BepiColombo arrin orbitën e Mërkurit pas 8 vitesh

    Sonda hapësinore BepiColombo ka arritur të hyjë në orbitën e Mërkurit pas një udhëtimi tetëvjeçar, duke kapërcyer një problem teknik që ndërpreu manovrën kryesore të frenimit. Pavarësisht ndërprerjes së papritur, misioni konfirmoi se sonda është në një orbitë të qëndrueshme rreth planetit dhe do të vazhdojë përgatitjet për fazën shkencore.

    BepiColombo është mision i përbashkët i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Agjencisë Japoneze të Eksplorimit të Hapësirës (JAXA), i nisur në tetor të vitit 2018. Pas tetë vitesh udhëtim dhe manovrash të shumta në hapësirë, sonda arriti një nga momentet më të rëndësishme të misionit më 21 nëntor 2026.

    Manovra e hyrjes në orbitën e Mërkurit nisi sipas planit, me një ndërprerje të përkohshme të komunikimit me qendrën e kontrollit në Qendrën Evropiane të Operacioneve Hapësinore (ESOC), në Darmstadt të Gjermanisë. Gjatë kalimit pranë planetit, BepiColombo aktivizoi katër shtytësit kryesorë, të cilët duhej ta ngadalësonin sondën për ta vendosur në orbitën e Mërkurit.

    Manovra ishte planifikuar të zgjaste rreth 37 minuta, ndërsa sonda kaloi vetëm 635 kilometra mbi sipërfaqen e planetit.

    Një problem teknik ndërpreu manovrën

    Kur komunikimi me sondën u rikthye, ekipet e ESA-s konstatuan se manovra ishte ndërprerë automatikisht dhe BepiColombo kishte kaluar në modalitetin e sigurisë (safe mode), ku aktivitetet jo thelbësore ndalen për të mbrojtur sistemet e sondës.

    Analiza e të dhënave të trajektores tregoi se sonda kishte përfunduar vetëm rreth 77% të ndryshimit të planifikuar të shpejtësisë.

    “Kur e gjetëm Bepi-n në modalitetin e sigurisë, ishte sikur të ndiznim një çelës. Të gjithë u përqendruan në të kuptuarit e asaj që kishte ndodhur”, deklaroi Ignacio Tanco, drejtor i operacioneve të fluturimit të BepiColombo-s në ESA.

    Sipas ESA-s, problemi është identifikuar si një gabim softuerik që lidhet me sistemet e orientimit dhe kontrollit të shtytësve. Hetimi për shkaqet e sakta të anomalise është ende në vazhdim.

    Megjithatë, pas analizimit të të dhënave të trajektores, ekipet e misionit konfirmuan se BepiColombo kishte arritur të sigurojë orbitën rreth Mërkurit. Konfirmimi përfundimtar erdhi rreth gjashtë orë pas nisjes së manovrës.

    Manovra të tjera për orbitën e duhur

    Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, BepiColombo do të kryejë manovra të tjera të kontrolluara me shtytës, për të rregulluar gradualisht orbitën e saj dhe për të arritur pozicionin optimal për vëzhgimet shkencore.

    ESA e krahasoi procesin me frenimin e një automjeti në momentin e duhur, për të arritur pikën optimale të manovrës. Kryerja e disa manovrave më të shkurtra, në vend të një manovre të vetme të gjatë, ndihmon në kursimin e karburantit dhe lejon ekipin e dinamikës së fluturimit të përshtatë çdo manovër sipas trajektores reale të sondës.

    Sipas ESA-s, ndërprerja e manovrës nuk ka ndikuar në planin e ndarjes së dy sondave shkencore, i cili mbetet i paraparë për 9 dhjetor 2026.

    Dy sonda do të studiojnë Mërkurin

    Më 9 dhjetor, BepiColombo pritet të lëshojë dy instrumente kryesore të misionit, të cilat do të kryejnë vëzhgime të specializuara të planetit.

    Sonda Mercury Planetary Orbiter (MPO), e zhvilluar nga ESA, do të vazhdojë manovrat për të arritur orbitën e saj përfundimtare, të planifikuar për mars të vitit 2027. Operacionet shkencore pritet të fillojnë në prill 2027, me studime mbi strukturën e brendshme, sipërfaqen dhe mjedisin hapësinor të Mërkurit.

    Sonda e dytë, Mercury Magnetospheric Orbiter (Mio), e zhvilluar nga JAXA, do të fokusohet në studimin e magnetosferës së Mërkurit, pluhurit ndërplanetar dhe fushave elektrike që rrethojnë planetin.

    Arritja e BepiColombo-s në orbitën e Mërkurit shënon një etapë të rëndësishme për misionin, i cili synon të zbulojë më shumë për një nga planetët më pak të eksploruar të Sistemit Diellor.

  • Planeti me lavë mund të ketë re minerale, zbulon James Webb

    Planeti me lavë mund të ketë re minerale, zbulon James Webb

    Teleskopi James Webb zbulon se TOI-561 b mund të ketë një atmosferë reflektuese dhe re minerale që ndihmojnë në ruajtjen e saj.

    Një planet shkëmbor jashtë sistemit tonë diellor, i mbuluar nga një oqean shkëmbinjsh të shkrirë, mund të ketë një atmosferë të pasur me re minerale që reflektojnë pjesën më të madhe të dritës së yllit të tij. Zbulimi, i bazuar në vëzhgimet e teleskopit hapësinor James Webb, po sfidon pritshmëritë shkencore për mënyrën se si planetët jashtëzakonisht të nxehtë mund ta ruajnë atmosferën e tyre.

    Planeti, i njohur si TOI-561 b, është aq afër yllit të tij saqë kushtet në sipërfaqe janë ekstreme. Megjithatë, të dhënat e reja sugjerojnë se ai mund të jetë i rrethuar nga një atmosferë reflektuese, ku mund të formohen re të përbëra nga minerale silikate, të njëjtat familje përbërjesh që përfshin kuarci dhe rëra.

    Studimi u realizua nga një ekip ndërkombëtar astronomësh, ku bëjnë pjesë profesoresha e fizikës dhe astronomisë në Universitetin e Waterloo-s, Lisa Dang, dhe studiues të tjerë. Rezultatet u publikuan në revistën shkencore The Astronomical Journal.

    Teleskopi James Webb vëzhgoi planetin për 37 orë

    Për të kuptuar më mirë karakteristikat e TOI-561 b, studiuesit përdorën teleskopin hapësinor James Webb (JWST) për ta vëzhguar sistemin për rreth 37 orë, duke regjistruar pothuajse katër orbita të plota të planetit rreth yllit të tij.

    Ekipi analizoi ndryshimet në shkëlqimin dhe nxehtësinë e planetit gjatë orbitës. Kjo teknikë, e njohur si kurba e fazës (phase curve), u mundësoi astronomëve të studionin ndryshimet midis anës së ndriçuar nga ylli dhe anës që qëndron larg dritës së drejtpërdrejtë.

    Matjet zbuluan se ana e ndriçuar e planetit është dukshëm më e ftohtë nga sa pritej për një sipërfaqe shkëmbore të zhveshur dhe të errët, kaq pranë një ylli. Vëzhgimet e anës së natës treguan se ajo nuk është mjaftueshëm e ngrohtë për ta shpjeguar të gjithë këtë ndryshim.

    Sipas analizës së ekipit, TOI-561 b reflekton afërsisht 75 për qind të dritës së yllit që e godet, një nivel reflektimi i krahasueshëm me atë të Venusit.

    Këto rezultate tregojnë se planeti mund të ketë një atmosferë që jo vetëm reflekton rrezatimin, por edhe ndihmon në shpërndarjen e nxehtësisë nga ana e ditës drejt anës së natës.

    Retë silikate mund të veprojnë si krem mbrojtës ndaj rrezatimit

    Për të shpjeguar reflektimin e lartë, studiuesit krahasuan të dhënat e teleskopit me modele kompjuterike të klimës së planetit.

    Modelet sugjerojnë se në atmosferën e TOI-561 b mund të formohen re të përbëra nga minerale silikate, përfshirë dioksidin e silikonit (SiO₂) dhe silikatin e magnezit (MgSiO₃).

    Këto re mund të reflektojnë një pjesë të madhe të rrezatimit të yllit përpara se ai të përthithet nga sipërfaqja. Në këtë mënyrë, ato do të ndihmonin në uljen e temperaturës së planetit, duke vepruar si një lloj kremi mbrojtës ndaj rrezatimit.

    Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se retë minerale nuk janë identifikuar drejtpërdrejt në imazhe. Ekzistenca e tyre është një shpjegim i mundshëm i mbështetur nga modelet klimatike dhe të dhënat e vëzhgimit.

    Nëse kjo hipotezë konfirmohet, retë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e atmosferës. Duke reflektuar dritën dhe duke kufizuar energjinë që përthithet nga planeti, ato mund të ndihmojnë në mbrojtjen e gazrave atmosferikë nga humbja në hapësirë.

    Një oqean shkëmbinjsh të shkrirë mund ta ushqejë atmosferën

    TOI-561 b është një ekzoplanet me një sipërfaqe që besohet të jetë e mbuluar nga një oqean global shkëmbinjsh të shkrirë. Ky mjedis ekstrem mund të jetë gjithashtu pjesë e shpjegimit se si planeti e ka ruajtur atmosferën për miliarda vjet.

    Gazrat që çlirohen nga brendësia e shkrirë e planetit mund të furnizojnë vazhdimisht atmosferën me material të ri. Ky proces do të ndihmonte në kompensimin e humbjeve të gazrave të shkaktuara nga rrezatimi intensiv i yllit.

    Gjetjet e reja mbështesin studimet e mëparshme që kishin ofruar dëshmi për praninë e një atmosfere të dendur rreth këtij planeti. Megjithatë, mënyra se si ajo është formuar dhe si ka mbijetuar për një periudhë kaq të gjatë mbetet ende një çështje e hapur për astronomët.

    Shkencëtarët ende nuk e dinë përbërjen e atmosferës

    Një nga pyetjet kryesore është se nga cilët gazra përbëhet atmosfera e TOI-561 b. Një mundësi është që ajo të dominohet nga dioksidi i karbonit, duke i ngjarë atmosferës së Venusit, por në temperatura shumë më të larta.

    Një tjetër mundësi është prania e sasive të mëdha të dioksidit të squfurit, një gaz që lidhet me aktivitetin vullkanik në hënën e Jupiterit, Io.

    Vëzhgime të tjera me teleskopin James Webb, veçanërisht në gjatësi vale më të mëdha, mund t’i ndihmojnë studiuesit të dallojnë përbërësit e atmosferës dhe të kuptojnë më mirë vetitë e saj.

    Për studiuesit, ky planet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të kuptuar se si planetët shkëmborë mund ta ruajnë atmosferën edhe kur ekspozohen ndaj kushteve që, sipas pritshmërive tradicionale, do të duhej ta zhduknin atë.

    Studimi shkencor: Samuel Boucher et al., “A Highly Reflective Atmosphere on the Lava World TOI-561b Revealed by JWST/NIRSpec Phase Curves”, The Astronomical Journal (2026).

    DOI: 10.3847/1538-3881/ae9763

    Revista shkencore: The Astronomical Journal

  • NASA: E qeshura mund të zbulojë nivelin e inteligjencës emocionale

    NASA: E qeshura mund të zbulojë nivelin e inteligjencës emocionale

    Sipas një zbulimi interesant të përmendur në librin “Supercommunicators: How to Unlock the Secret Language of Connection” nga gazetari Charles Duhigg, NASA ka gjetur një lidhje midis mënyrës se si qeshim dhe nivelit të inteligjencës emocionale.

    Në vitet ’80, teksa përgatitej për misionet e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, NASA vuri re se konfliktet ndërpersonale po ndikuan në efikasitetin e astronautëve. Për këtë arsye, përzgjedhja e anëtarëve të rinj nisi të bazohej jo vetëm në aftësi teknike e fizike, por edhe në profilin e tyre emocional dhe shoqëror.

    Gjatë analizës së intervistave, studiuesit zbuluan se astronautët që pasqyronin të qeshurën e intervistuesit, që qeshnin në sinkron me të kishin rezultate më të mira në bashkëpunim dhe përballim të stresit. Kjo aftësi për të reflektuar emocionet e të tjerëve, e njohur si “pasqyrim emocional”, është një nga treguesit më të fortë të inteligjencës emocionale.

    Sipas NASA-s, njerëzit që qeshin natyrshëm me të tjerët kanë më shumë gjasa të krijojnë lidhje të shëndetshme, të punojnë mirë në grup dhe të ruajnë qetësinë në situata sfiduese.

    Pra, herën tjetër që jeni në një intervistë apo takim të rëndësishëm, mos e nënvlerësoni fuqinë e një të qeshure të sinqertë.

  • Vdes astronauti i NASA-s që udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës

    Vdes astronauti i NASA-s që udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës

    Ka vdekur astronauti i NASA-s, Frank Borman, i cili udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës në Apollo 8.

    Ai vdiq në Billings, Montana, në moshën 95-vjeçare, tha agjencia, raporton BBC.

    Borman dhe dy kolegë astronautë ishin njerëzit e parë që panë ndonjëherë anën e largët të Hënës në ekspeditën Apollo 8 në 1968.

    Administratori i NASA-s, Bill Nelson e kujtoi Borman si një nga më të mirët e NASA-s dhe një hero të vërtetë amerikan me të vërtetë të përkushtuar ndaj punës së tij.

    “Dashuria e tij e përjetshme për aviacionin dhe eksplorimin u tejkalua vetëm nga dashuria për gruan e tij Susan”, tha ai.

    Apollo 8 ishte një mision themelor sepse ishte hera e parë që njerëzit u larguan nga orbita e Tokës, duke humbur nga sytë planetin e tyre.

  • NASA shënon korrikun 2023 si muajin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë që nga viti 1880

    NASA shënon korrikun 2023 si muajin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë që nga viti 1880

    Sipas shkencëtarëve në Institutin Goddard të NASA-s për Studime Hapësinore (GISS) në Nju Jork, korriku i vitit 2023 ishte më i nxehtë se çdo muaj tjetër në rekordin global të temperaturës, transmeton KosovaPress.

    Këshilltar Kombëtar për Klimën në Shtëpinë e Bardhë, Ali Zaidi, tha se presidenti Biden e ka trajtuar krizën klimatike si kërcënimin ekzistencial të kohës sonë.

    “Në sfondin e temperaturave të larta rekord, zjarreve dhe përmbytjeve, analiza e NASA-s vë në kontekst urgjencën e udhëheqjes së pashembullt të klimës së Presidentit Biden. Nga sigurimi i Aktit të Reduktimit të Inflacionit, investimi më i madh i klimës në histori, tek thirrja e Aktit të Prodhimit të Mbrojtjes për të shtuar prodhimin e energjisë së pastër vendase, te forcimi i qëndrueshmërisë klimatike në komunitetet në mbarë vendin, presidenti Biden po ofron axhendën më ambicioze të klimës në histori”, shkruan NASA.

    Sipas NASA-s, në përgjithësi, korriku i vitit 2023 ishte 0,43 gradë Fahrenheit (F) (0,24 gradë Celsius (C)) më i ngrohtë se çdo korrik tjetër në rekordin e NASA-s dhe ishte 2,1 F (1,18 C) më i ngrohtë se mesatarja e korrikut midis 1951 dhe 1980.

    Fokusi kryesor i analizës GISS janë ndryshimet afatgjata të temperaturës gjatë shumë dekadave dhe shekujve, dhe një periudhë bazë fikse jep anomali që janë të qëndrueshme me kalimin e kohës. “Normalet” e temperaturës përcaktohen nga disa dekada ose më shumë – zakonisht 30 vjet.

    “Të dhënat e NASA-s konfirmojnë atë që miliarda anembanë botës e kanë ndierë: temperaturat në korrik të vitit 2023 e bënë atë muajin më të nxehtë të regjistruar. Në çdo cep të vendit, amerikanët tani po përjetojnë drejtpërdrejt efektet e krizës klimatike, duke nënvizuar urgjencën e agjendës historike të klimës së presidentit Biden”, tha administratori i NASA-s Bill Nelson.

    “Shkenca është e qartë. Ne duhet të veprojmë tani për të mbrojtur komunitetet dhe planetin tonë; është i vetmi planet që kemi.”

  • NASA thotë se çdo vit e më shumë vera do të jetë më e nxehtë

    NASA thotë se çdo vit e më shumë vera do të jetë më e nxehtë

    Shkencëtari i NASA-s, Peter Kalmus, ka paralajmëruar se kjo verë “do të jetë më e freskëta” nga çfarë do të përjetojmë për pjesën tjetër të jetës, pasi valët e të nxehtit vazhdojnë të shkatërrojnë Evropën dhe SHBA-në, ndërsa përmbytjet, musonët dhe tajfonët godasin Azinë.

    “Shumica e njerëzve ende nuk e dinë se në çfarë rreziku janë”, tha Peter Kalmus në Twitter.

    “Kjo do të jetë vera më e freskët për sa jetë ju ka ngelur, dhe kjo nuk duhet të jetë vetëm një meme. Në fakt është e tmerrshme” shtoi ai.

    Kalmus bëri thirrje që përdorimi i lëndëve djegëse fosile të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, përpara se të sqaronte në një postim të mëvonshëm se “do të ketë gjithmonë ndryshime rajonale dhe ndërvjetore, por në një kuptim mesatar, tendencat e nxehtësisë nënkuptojnë se kjo do të jetë vera më e freskët për një kohë të gjatë”.

    Ai tha gjithashtu se nëse bota dhe shoqëria “kalojnë në modalitetin e emergjencës klimatike”, do të ishte e mundur që planeti të fillonte të ftohet deri në fund të shekullit.

  • NASA me hartë 3D e cila përshkruan planetin Mars

    NASA me hartë 3D e cila përshkruan planetin Mars

    Për herë të parë është krijuar një hartë 3D që përshkruan planetin e “kuq” në formën e tij realiste, përmes së cilës mund të lundrohet në zonat shkëmbore që zbulohen herë pas here nga automjetet e eksplorimit robotik të NASA-s.

    Tani, si shkencëtarët ashtu edhe publiku mund të studiojnë ose të shijojnë disa imazhe jashtëtokësore duke pasur një pamje sferike dhe tredimensionale të planetit Mars.

    Shpatet, shkëmbinjtë, krateret dhe madje edhe gjurmët e pluhurit të shpërndara në atmosferë janë kapur me detaje të pabesueshme në hartë.

    Ky është një projekt i bashkimit të 110,000 imazheve të regjistruara nga të gjitha anët e planetit dhe që tani japin këtë rezultat pionier.

    Iniciativa u ndërmor nga Caltech duke përdorur të dhënat nga Orbiteri i Marsit të Zbulimit të NASA-s, duke lëshuar përfundimisht hartën e famshme dixhitale.

    Të marra nga kamera bardh e zi e anijes, imazhet mbulojnë një sipërfaqe prej afro 25 metra katrorë për pixel.

    Kjo është bërë nga “Mozaiku Global CTX i Marsit” duke dhënë imazhet me rezolucionin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të planetit.

    Aftësia e tij për të kapur zona më të mëdha të peizazhit e ka bërë CTX veçanërisht të dobishëm për zbulimin e kratereve në sipërfaqen e Marsit, transmeton atvlive.tv.

    Harta është një produkt i Laboratorit Bruce Murray të Caltech për Vizualizimin Planetar dhe iu deshën gjashtë vjet dhe dhjetëra mijëra orë punë për t’u zhvilluar.

    Është aq i detajuar sa më shumë se 120 punime shkencore janë bazuar në informacionin e dhënë nga harta. Gjithashtu, dikush mund ta përdorë atë mjaft lehtë.

    “Doja të bëja diçka që të ishte e arritshme për të gjithë,” tha Jack Dixon, drejtuesi i projektit dhe një shkencëtar i përpunimit të imazhit që drejton laboratorin Murray.

    “Edhe fëmijët mund ta përdorin atë tani. Nëna ime, e cila është78 vjeçe, mund ta përdorë atë tani. Qëllimi është të zvogëlohen barrierat për njerëzit e interesuar për të eksploruar Marsin”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: