ATV

Tag: Nagip Krasniqi

  • Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që ta lirojë nga detyre ish-kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

    Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se shumë shpejt do të iniciohen procedura për shpalljen e konkursit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj korporate.

    Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij.

    Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. Në shtator, ishte liruar nga paraburgimi, por iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.

    Krasniqi më 25 prill 2023 ishte pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

  • Apeli ia anulon Nagip Krasniqit vazhdimin dymujor të paraburgimit

    Apeli ia anulon Nagip Krasniqit vazhdimin dymujor të paraburgimit

    Gjykata e Apelit ka vendosur që ta anulojë vendimin e Themelores për zgjatje të paraburgimit edhe për dy muaj ndaj kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Megjithatë, i njëjti do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, deri në një vendim tjetër të shkallës së parë.

    Në ditën kur iu bënë tre muaj paraburgim, më 19 korrik, Gjykata Themelore vendosi që t’ia zgjas këtë masë shefit të pezulluar të KEK-ut edhe për 60 ditë tjera.

    Ndaj vendimit është ankuar mbrojtja e shefit të pezulluar të KEK-ut.

    Krasniqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit, për dy kontrata njëburimore në vlerë mbi 3.5 milionë euro.

  • Nagip Krasniqit i vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit

    Nagip Krasniqit i vazhdohet edhe për dy muaj masa e paraburgimit

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit edhe për dy muaj, i cili dyshohet për korrupsion në cilësin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

    Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja për informimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Milinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.K, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

    Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

    Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.

    Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia kishte caktuar drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.

    Kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Krasniqit, me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta lirojë të pandehurin nga paraburgimi duke i caktuar një masë më të butë.

    Ndërsa, më 8 maj 2023, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, duke e lënë të njëjtin nën masën e paraburgimit, me arsyetimin se mund të ndikojë në dëshmitarë.

    Po ashtu, kërkesë për lirimin e Krasniqit nga masa paraburgimit, mbrojtja kishte ushtruar edhe në Supreme, mirëpo edhe shkalla e tretë e kishte refuzuar.

    Ndryshe, Nagip Krasniqi më 25 prill 2023 është pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut. /BetimipërDrejtësi

  • Edhe Bislimi u del në mbrojtje Nagip Krasniqit e Martin Berishajt

    Edhe Bislimi u del në mbrojtje Nagip Krasniqit e Martin Berishajt

    Në komision u thirr për të raportuar për përmbushjen e obligimeve për marrëveshjet e stabilizim-asocimit, por zv.kryeministri Besnik Bislimi, u përball më pyetje për çështje krejtësisht të tjera.

    Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, çoi në përballje zëvendëskryeministrin Bislimi me deputeten e PDK-së, Blera Deliu – Kodra.

    Sipas Bislimit, Prokuroria po merret vetëm me Krasniqin e jo me dhjetëra raste të tjera, të deponuara si keqpërdorime nga menaxhmenti i KEK-ut.

    “Rastet e fundit, shih edhe rastet në KEK dhe arrestimet e fundit në KEK, ku ne kemi përballje të rëndë të institucioneve të Kosovës me korrupsion dhe çka është edhe më e rëndë, kemi një përpjekje të qeverisë që t’i gjykojë institucionet e drejtësisë, prokurorinë e gjykatat”, tha Deliu-Kodra.

    “Ne mendojmë se ka shumë korrupsion në KEK dhe jemi të vetëdijshëm që diku 30 raste të tilla, janë deponuar në Prokurori nga ana e menaxhmentit të KEK-ut, por ja që nuk ka interes politik të një institucioni që është politik, si është KPK-ja e nuk merret me këto raste”, tha Bislimi.

    Debati mes tyre vazhdoi edhe më tej, por për një çështje tjetër.

    Sipas Deliu-Kodrës, deklarata për personat e zhdukur e dakorduar së fundmi mes Kosovës e Serbisë, është e papranueshme.

    “Shqetësimi im është edhe Deklarata e dakorduar e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vucic për personat e pagjetur. Përdorimi i togfjalëshit “të zhdukurit me forcë”, në vend të “personave të zhdukur me dhunë” natyrisht që njëson viktimën dhe xhelatin dhe për ne ka qenë shqetësim”, tha Deliu-Kodra.

    “Opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po bëhet njësimi i xhelatit me viktimën, pse po u përdorka termi i “personave të zhdukur me forcë”. Cila shkronjë e fjalisë “personat e zhdukur me forcë” çon në njësim të xhelatit dhe viktimës?”, tha Bislimi.

    Në komision nuk u la pa u përmendur edhe çështja e ambasadorit Martin Berishaj, për të cilin thuri lavde zv.kryeministri.

    “Nëse flisni për krimin dhe korrupsionin, e keni parë, e keni rastin konkret që sot ta përfaqëson shtetin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

    “Rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur ndaj tij, është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj, me shpresë se mund të nxirret ndonjë beneficion politik, apo përfitim politik”, tha Bislimi.

    Krejt në fund, Bilsimi foli edhe për atë që u thirr në Komision, teksa tha se për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit gjatë vitit të kaluar, prej 235 masave janë zbatuar 136. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Apeli lë në paraburgim Nagip Krasniqin, refuzohet kërkesa e mbrojtjes

    Apeli lë në paraburgim Nagip Krasniqin, refuzohet kërkesa e mbrojtjes

    Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), lidhur me ankesën e ushtruar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar administratori i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi.

    Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

    Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia caktoi drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.

    Nagip Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. /BetimipërDrejtësi

  • Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

    Sot në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Kjo seancë është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.

    Tahiri ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

    Ky i fundit ish zyrtar i lartë i LVV’së i emëruar nga bordi i pushtetit të kësaj partie në krye të KEK’ut.

    Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

    Ndryshe, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’ dhe të njëjtit i është caktuar një muaj paraburgim.

  • Bordi i KEK-ut e pezullon Nagip Krasniqin, Përparim Kabashi emërohet ushtrues detyre

    Bordi i KEK-ut e pezullon Nagip Krasniqin, Përparim Kabashi emërohet ushtrues detyre

    Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka njoftuar të martën se e ka pezulluar nga puna kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua javën e kaluar nga Policia e Kosovës.

    Krasniqi u arrestua pas një urdhri nga Prokuroria Speciale. Ai dyshohet për përfshirje në korrupsion dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.

    Në vend të tij si ushtrues detyre është vendosur Përparim Kabashi, transmeton Paparaci.

    “Në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve (BD) të KEK-ut, të mbajtur me dt. 25.04.2023, janë marr vendimet si në vijim: BD ka marre vendim për pezullimin nga detyra e punës së Kryeshefit Ekzekutiv z. Nagip Krasniqi me efekt të menjëhershëm. Në pozitën e ushtruesit të detyrës të zv. Kryeshefit Ekzekutiv, BD ka emëruar z. Perparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    Paparaci raportoi të hënën për një kontratë në vlerë 1.6 milion euro e KEK-ut me një kompani greke dyshohet se është lidhur përmes ushtrimit të ndikimit të Nagip Krasniqit, kryeshefit të arrestuar të korporatës. Kriteret e dosjes së tenderit janë ndryshuar për t’iu përshtatur një kompanie.

    Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dy vepra të tjera penale.

    Prokuroria Speciale dyshon se Krasniqi ka lidhur kontrata të dëmshme të prokurimit publik.

    Një nga kontrata e dyshuara të dëmshme, është edhe ajo për “Riparim kapital emergjent të kaldasë, blloku A5”, me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin Sa”, me çmim rreth 3.5 milionë, duke ndryshuar kushtet e kontratës.

    Kjo, sipas Prokurorisë, ishte bërë me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik, ani se komisioni kishte rekomanduar anulimin e tij, me arsyetimin se operatori ekonomik “Litwin SA” nuk u është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues, i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta.

    Të enjten, në një seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi masë të sigurisë prej një muaji paraburgim ndaj kryeshefit të KEK-ut.

    Në seancë, Krasniqi i ka mohuar dyshimet që rëndojnë mbi të.

  • ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    ​Rrustemi: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se opozita po përpiqet ta paraqes VV-në veten e tyre. Ai teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shtoi se i njëjti është një nga profesionistët e Kosovës.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se raportet e organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë flasin për gjendjen e rëndë në atë prokurorial për dështim të trajtimit të rasteve të korrupsionit.

    “Kur jemi tek mostrajtimi i rasteve të korrupsionit dhe hedhjes së kallëzimeve penale, pushimeve të hetimeve, organi i akuzës vazhdon avazin e vjetër, tashmë në trajtë tjetër. Nëse dikur rehabilitonte korrupsionin duke e trajtuar si kundërvajtje përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta e jo-koherente, tani më nuk trajton qindra dosje të dorëzuara nga institucione të ndryshme për keqpërdorime me miliona euro”, tha Rrustemi.

    Ai ka shtuar se edhe bordi e KEK-ut ka dorëzuar lëndë flagrante në prokurori.

    “Nuk ka asnjë rëndësi se a është, a nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës. Sot shumë kryeshefa ekzekutiv po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada. Për të tjera që lidhen me ngjarjen e djeshme, zotëri Krasniqi do të përgjigjet vet dhe do ta kuptojmë të gjithë të vërtetën, por përpjekja juaj për ta paraqitur Vetëvendosjen si vetën tuaj është e dëshpëruar dhe e pashpresë”, ka shtuar ai. /kp

  • Arrestohet Nagip Krasniqi

    Arrestohet Nagip Krasniqi

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

    Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.​