ATV

Tag: Ministria e Shëndetësisë

  • Grupi i specializantëve proteston edhe sot para Ministrisë së Shëndetësisë

    Grupi i specializantëve proteston edhe sot para Ministrisë së Shëndetësisë

    Grupi i specializantëve sot do ta vazhdojë protestën para Ministrisë së Shëndetësisë.

    Sipas specializantëve, kjo protestë po mbahet në lidhje me mospagesën e kujdestarive prej muajit shkurt dhe kundër detyrimit për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.

    Protesta nis në orën 10:00.

    Ndryshe edhe dje specializantët e 37 klinikave të QKUK-së u mblodhën para Ministrisë së Shëndetësisë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mospërmbushjen e kërkesave.

    “Po protestojmë sot, pasi specializantët detyrohen të paguajnë 500 euro për vit për shkollim specialistik, që për një shkollim specialistik 5-vjeçar, kjo i bie që një specializant paguan 2500 euro për një vit e që nuk ka qenë përpara. Specializantët nga muaji shkurt nuk e kanë marrë asnjë cent për kujdestaritë që i kanë mbajtë”, tha Arianit Zajmi, kryetar i specializantëve.

    Protesta të këtilla të stafit shëndetësor janë të vazhdueshme, derisa kërkohet ekzekutimi i pagesës për kujdestari. ATV-ja ndërkaq nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë nëse do t’i ekzekutojë këto pagesa.

  • MSH ja ndan 60 milionë euro për listën e barnave esenciale

    MSH ja ndan 60 milionë euro për listën e barnave esenciale

    Rreth 60 milionë euro është buxheti që ka ndarë Ministria e Shëndetësisë për listën e barnave esenciale për vitin 2023.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ky është buxheti më i lartë i ndarë për këtë kategori, për dallim nga vitet e kaluara.

    “Një listë e kostuar dhe e buxhetuar që është më shumë se dyfish rritje e buxhetit, sidomos krahasuar me vitin 2018, kur kjo shumë ka qenë 24 milionë euro dhe pastaj në vitin 2020 nga Qeveria Kurti 1 kjo listë është bërë dhe është buxhetuar në 35 milionë euro”, tha Vitia.

    Me këtë buxhet, Vitia thotë se është dërguar në votim projektligji për çmimin tavan dhe po ashtu është bërë zgjerimi i listës së barnave esenciale.

    “Përmes listës esenciale të barnave synojmë të përmbushim nevojat kryesore të popullatës që të kenë tërë kohën barna, me kosto sa më të përballueshme. Lista esenciale e barnave është zgjeruar për t’u mbuluar shtesat në nevojë. Janë shtuar mbi 70 produkte të reja për trajtimin e sëmundjeve për qytetarët, të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike dhe për t’i zgjeruar mundësitë e mjekimit për ta”, tha Vitia.

    Por, kryesuesi i grupit punues për hartimin e Listës Esenciale të Barnave, Driton Vela, nuk ka treguar se cilat barna i janë shtuar kësaj liste.

    “Ne kemi shqyrtuar rreth 134 propozime në këtë periudhë. Para kësaj kanë qenë 130 propozime nga ana e profesionistëve, duke i llogaritur edhe propozimet individuale rreth 280 total. Në shumicën e rasteve nuk i kemi miratuar propozimet për barna, pasi nuk janë të gjitha propozime për barna, por janë propozime të natyrës teknike, si dhe propozime për zgjerimin e gamës së konkurrencës”, tha Vela.

    Në Listën e Barnave Esenciale përfshihen të gjitha produktet e parapara në koncept-dokumentin për sëmundje të rralla, miratuar në Qeverinë e Kosovës në dhjetor të vitit 2022. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • MSH nënshkruan kontratë në vlerë të 780 mijë eurove, përfitojnë 22 komuna

    MSH nënshkruan kontratë në vlerë të 780 mijë eurove, përfitojnë 22 komuna

    Me qëllim të mbështetjes së nivelit të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH), përmes fondeve të projektit “Kosovo Emergency Covid-19 Project-AF”, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë për furnizim me automjete specifike për nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor.

    “Vlera e përgjithshme e kontratës është 748,000.00 Euro. Nga ky projekt do të përfitojnë 22 komuna të Republikës së Kosovës, përkatësisht 22 qendra të Kujdesit Parësor Shëndetësor do të kenë në dispozicion automjete me pajisje të integruara për transport të sigurt të vaksinave dhe për vizitë të pacientëve në shtëpi”, thuhet në njoftim.

    Ky projekt është në kuadër të objektivit kryesor të Ministrisë së e Shëndetësisë, e cila mbetet e përkushtuar që në qendër të vëmendjes të jetë pacienti dhe shërbimet të cilat i ofrohen, duke përfshirë edhe furnizimin me pajisje dhe aparaturë moderne.

    Kohë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me pajisje për shërbime akute dhe emergjente 34 Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare.