ATV

Tag: Ministria e Drejtësisë

  • Përfshirja e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë

    Përfshirja e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë

    Në nisjen e javës për Ndihmë Juridike Falas, është ngritur sërish shqetësimi lidhur me funksionimin e Agjencisë për ndihmë Juridike Falas nën funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë.

    Sipas juristëve, Agjencia do të duhej të jetë e pavarur, sepse ndryshe dikasteri i drejtësisë bën shkelje kushtetuese.

    “Futja e Agjencisë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë është konflikt interesi. Ndihma juridike, sipas Kushtetutës, është kategori kushtetuese dhe si e tillë duhet të jetë e pavarur. Në vend se të shkojmë një hap para, tash jemi një hap mbrapa. Tash e kemi situatën kur Agjencia menaxhohet nga MD, ka raste p.sh. kur qytetari supozojmë e bën një ankesë ndaj MD-së, nëse ajo bën shkelje, për shkak të veprimeve ose vendimeve administrative, por në anën tjetër kemi qytetarin që mbrohet kundër Ministrisë nga avokati i shtetit, prandaj jemi kundër”, tha Anton Nrecaj, avokat.

    Por, pavarësisht kësaj, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se rastet që kanë kërkuar ndihmë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas janë rritur.

    “Qasja në drejtësi është shtyllë themelore e drejtësisë. Kemi marrë veprime konkrete për ofrimin e ndihmës juridike falas. Falë ndryshimeve, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, për herë të parë edhe gazetarët kanë hy në këtë kategori. Në viti 2021 është dhënë ndihmë juridike për mbi 4.900 persona, në vitin 2022 kjo është rritur për 30%. Vitin e kaluar 2619 grave u është ofruar ndihmë juridike. MD-ja është në proces të krijimit të akteve ligjore, ka ende shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu.

    Sipas kryesuesve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në drejtësi.

    “E kemi mision që fati i drejtësisë të mos varet nga pavarësia financiare. Ndihma juridike falas mundëson që qytetarët të jenë të barabartë. Kosova e ka sfidë numrin e lëndëve”, tha kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj.

    Mbrojtja e të drejtës gjyqësore paraqet të drejtën e qytetarëve para ligjeve e Kushtetutës. Për KPK-në, ndër parimet kryesore është respektimi i të drejtave dhe qasja në drejtësi. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në drejtësi. Duhet të bashkëpunojmë për të ndryshuar dhe unifikuar praktikat më të mira të ndihmës juridike falas”, tha zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani.

    Sot është nënshkruar edhe rregullorja e Ministrisë së Drejtësisë për përcaktimin e kritereve për ofrimin e ndihmës juridike falas nga organizatat joqeveritare në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe për procedurën e ankesave për ndihmë juridike falas. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Lufta” mes MSH-së dhe OSHP-së për insulina

    “Lufta” mes MSH-së dhe OSHP-së për insulina

    Përkundër vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Qeveria është pozicionuar kundër nënshkrimit të kontratës për furnizim me insulina, nga kompania e përzgjedhur, e cila nuk është e pajisur me certifikatë të cilësisë së barnave.

    Në ditën kur skadon afati pesëditor që OSHP-ja i ka dhënë Ministrisë së Shëndetësisë për nënshkrimin e kontratës, ministri Arben Vitia akuzoi këtë organ dhe Prokurorinë për presion të paligjshëm ndaj tij.

    Megjithëkëtë, ai tha se nuk do ta nënshkruajë kontratën që e vlerëson të jashtëligjshme.

    “Ministria e Shëndetësisë shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm që po i bëhet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Prokuroria e Shtetit, në lidhje me aktivitetin e prokurimit për furnizim me insulina. OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata të nënshkruhet një operatori i cili as nuk ka aplikuar për autorizim marketing, i cili është obligativ, sipas Ligjit për produkte dhe pajisje medicinale dhe po ashtu është gradacioni i cilësisë së sigurisë dhe efikasitetit të barnave”, tha Vitia.

    Madje, Vitia tha se nuk do të marrin vendime të jashtëligjshme për të rrezikuar shëndetin publik.

    “Pavarësisht vendimeve të OSHP-së dhe presionit nga hetimet penale që po bëhen edhe nga Prokuroria Speciale në Kosovë, sipas informacioneve të fundit, edhe pse zyrtarisht nuk kemi asgjë… Ne jemi para dy zgjidhjeve si Ministri e Shëndetësisë: ose ta ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe vetë të rrezikojmë dënimin ose të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve, në emër të asaj që ne ruhemi nga dënimi potencial. Si ministër, por edhe si mjek në këtë rast, edhe në aspektin ligjor dhe moral është obligim shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha, në çdo rast dhe para çdo zgjedhjeje. (OSHP dhe Prokuroria e Shtetit) Në praktikë me këto vendime sikur janë vënë në shërbim të një mafie farmaceutike. Prapë për motive për ne të panjohura”, tha Vitia.

    Për këto arsye, Qeveria i propozoi Kuvendit shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka nxjerrë vendimin lidhur me tenderin për insulina pa certifikatë të cilësisë.

    “I propozojmë kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka marrë vendimin e dëmshëm në kurriz të qytetarëve. Nuk ka ligjshmëri e as punë për të mirën e interesit publik kur vendimmarrja anashkalon interesin e qytetarëve e aq më tepër kur ajo shkel ligjin në fuqi. Brenda kompetencave që ka, Qeveria do ta dënojë çdo sjellje e veprim të dëmshëm, pa marrë parasysh subjektin që merr vendimin”, kryeministri Kurti.

    Në këto rrethana, Vitia tha se rrezikohen më së shumti 15 mijë pacientë të varur nga insulina.

    Se duhet t’i blejnë insulinat nga xhepi i tyre e thonë pacientët dhe familjarët e tyre.

    “Jam vetë fillestare me diabet, po duhet me i ble, është shqetësuese. Institucionet duhet me bo zgjidhje për t’i siguruar e jo familjarët”, tha Drita Komati, paciente.

    “Vëllain e kom me diabet, gjithmonë shkojmë i blejnë insulinat në Ferizaj, kushtojnë koxha shumë. Insulinat i sigurojmë barnatore prej barnatore, të paktën me i dal për
    një muaj”, tha Hamdi Demiri, familjar.

    “Situata me insulina nuk është normale. Ministria e Shëndetësisë duhet me ndërmarrë diçka”, tha Luljeta Raqi, familjare.

    Ndryshe, ky tender është hapur në fund të vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm ishte Ardian Mehmetaj. Ndërsa prej vitit 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Dështon projekti i MD-së për dhomat e dëshmive

    Dështon projekti i MD-së për dhomat e dëshmive

    60 mijë euro i kishte ndarë një vit më parë Ministria e Drejtësisë, për rikonstruktimin e dhomave për ruajtjen e dëshmive, brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    Projekti që parashihej të përfundonte muaj më parë, ka mbetur në gjysmë.

    Kjo për faktin se kanë përfunduar vetëm dy lote të kontratës, ndërkaq pjesa kryesore e projektit jo.

    “Sa i përket dy lotëve tjera që ka qenë rikonstruksioni i dhomave të dëshmive dhe pajisjeve me disa rafte metalike, kjo ka dështuar, edhe pse është rishpall në të kaluarën mos gabofsha 5 herë, mirëpo ka dështuar për shkak të mos përmbushjes së kritereve ligjore nga ana e operatorëve ekonomik”, tha Ditor Halimi nga Instituti iMjekësisë Ligjore.

    Paratë e mbetura IML-ja kishte planifikuar t’i fuste prapë në këtë projekt, por që më nuk ishin përkrahur nga Ministria.

    “Ne kemi aplikuar më një projekt të ngjashëm për investime kapitale ku kemi planifikuar realisht me i fut përsëri ato dy lote mirëpo për fat të keq ky projekt nuk na është aprovuar nga ministria, kështu që tani projekti ka mbërrut në gjysme”, tha Halimi.

    Kësisoj, paratë do të përdoren për shërbime të tjera, e dhomat për ruajtën e dëshmive zor se do të bëhen siç parashihej. Dhe puna në këtë institut vështirësohet pasi duhet të kryhet me standarde Evropiane. /atvlive.tv