ATV

Tag: Masa ndëshkuese

  • Rreth 300 milionë euro të bllokuara nga masat e BE-së, po ndikojnë edhe te investitorët

    Rreth 300 milionë euro të bllokuara nga masat e BE-së, po ndikojnë edhe te investitorët

    Sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë dëmtuar vendin me rreth 300 milionë euro, derisa kjo shifër mund të rritet, pasi janë mbi tetë muaj nga vendosja e tyre. Kështu vlerësojnë disa njohës të ekonomisë, të cilët i bëjnë thirrje BE-së, t’i heqin ato.

    Të njëjtit vlerësojnë se nga këto masa, Kosova është duke humbur investitorë të huaj, pasi hezitojnë të investojnë në një vend që është i sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa thonë se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë. Megjithatë, kritikojnë edhe reformat e dobëta nga ana e qeverisë në ekonominë e vendit.

    Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna thotë se nga sanksionet e BE-së, janë rreth 300 milionë euro, projekte të bllokuara.

    Rafuna derisa bënë thirrje institucioneve të BE-së që këto masa të hiqen, kërkon edhe nga institucionet e vendit që t’i plotësojnë kushtet, dhe të jenë në koordinim me BE-në, në mënyrë që Kosova mos të jetë e sanksionuar.

    Ai thotë se projektet kanë qenë të dedikuara në shpenzime ose investime kapitale që do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

    “Kërkesa jonë është edhe për institucionet e BE-së, që të largohen sa më shumë këto masa, ndërsa kërkesa tjetër shkon për institucionet e vendit tonë që t’i plotësojnë kushtet në mënyrë që sa më të shpejtë këto masa të padrejta të na hiqen, dhe Kosova si çdo vend tjetër ta gëzojë të drejtën që të marrë pjesë në të gjitha forumet, gjitha fondet, iniciativat pa qenë e detyruar që mos të marrë pjesë si rezultat i këtyre masave. Masat padyshim që e dëmtojnë ekonominë e vendit në dy drejtime, në atë material për arsyeje se deri më sot kemi përafërsisht rreth 300 milionë euro, projekte të cilat janë bllokuar, konkretisht janë 292 milionë projekte, të cilat janë të bllokuara, mirëpo kjo shumë e këtyre projekteve do të shkojë duke u rritur në muajt në vazhdim, për arsyeje se kanë qenë projekte të parapara të implementohen dhe nuk do të mund të implementohen si rezultat i masave ndëshkuese. Këto projekte kanë qenë të dedikuara në shpenzime ose investime kapitale, që do të ndikonin drejtpërdrejt në rritje ekonomike dhe ngritje të mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës”, thotë Rafuna.

    Rafuna vlerëson se BE duhet të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, për agresionin që bëri në Banjskë gjatë vitit të kaluar.

    Ai rithekson se ka grante të cilat Kosova nuk ka mundësi t’i marrë më, siç është Fond për digjitalizimin, ku sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor morën hisen e vet, ndërsa vendi ynë ishte i përjashtuar pikërisht për shkak të masave që i kishim.

    Se këto masa janë duke e dëmtuar ekonominë e vendit e thotë edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Riinevst, Alban Hashani.

    Hashani derisa thotë se masat e vendosura nga BE, janë të padrejta, shton se vendi është duke humbur edhe shumë investitorë të huaj.

    “Masat e BE-së kundër Kosovës vlerësoj se janë të padrejta duke pas parasysh gjithë konstilacionin dhe rrethanat që janë krijuar. Megjithatë, BE i ka arsyet e veta për vendosjen e tyre dhe në anën tjetër të njëjta masa krijojnë disa telashe në Kosovë, sepse dërgojnë sinjale jo të mira, jo vetëm tek institucionet e BE-së, por gjithashtu edhe te investitorët, sepse kemi parasysh se një vend i cili përballët me masa të tilla dërgon sinjale jo të mira për investitorët. Fjala e këtyre projekteve është për pjesëmarrjen e Kosovës në programet kornizë të BE-së, e kufizon qasjen në disa lloj financime, qofshin ato që janë të ndërlidhura me fondet e para anëtarësimit, por edhe me fonde të tjera që lidhen me programin e investimeve të Ballkanit Perëndimor, e në të cilin do të mund të kishin qasje jo vetëm sektori publik, por edhe privat”, thotë Hashani.

    Hashani vlerëson se është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, pasi sipas tij, do të rrezikonte që këto masa të zgjasin me muaj të tërë.

    “Kërkesat e BE-së deklaritavisht janë të qarta. Sipas Qeverisë së Kosovës ato janë përmbushur, megjithatë ende nuk janë zhbllokuar masat. Është esenciale që të gjendet një zgjidhje para se BE të futet në ciklin e vet zgjedhor, sepse do të rrezikonte që këto masa të vazhdoheshin derisa cikli zgjedhor në BE, që do të mund të zgjaste edhe me muaj të tërë. Sipas vlerësimeve të Qeverisë, masat do duhej të largoheshin për shkak se ato kanë qenë të ndërlidhura me de-eskalimin në veri dhe sipas qeverisë këto kushte veçse janë përmbyllur, megjithatë vlerësimi i BE-së, është që këto ende nuk janë përmbyllur, dhe siç duket ka një ndërlidhje të këtyre masave edhe me rrjedhën e procesit të dialogut, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, shton Hashani.

    Anën tjetër, njohësi tjetër i ekonomisë, Florin Aliu vlerëson se ekonomia e vendit ka ngecur për shkak reformave jo të mira nga Qeveria, dhe jo për shkak të masave nga ana e BE-së.

    “Zhvillimi nuk varët prej këtyre sanksioneve, varet më shumë prej reformave që merren brenda Qeverisë së Kosovës, reforma që ajo i vendos për ekonominë tonë. Në atë aspekt po shoh ngecje, ndërsa sa i përket sanksioneve, besoj se janë kriteri bazë që e determinon zhvillimin apo një kriter shumë i parëndësishëm në zhvillimin tonë”, thotë Aliu.

    Kujtojmë se këto masa nga Bashkimi Evropian kundër Kosovës kanë ardhur për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

  • Zeka: Masat e BE-së po ndikojnë në njohje të reja e anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare

    Zeka: Masat e BE-së po ndikojnë në njohje të reja e anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare

    Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka në një intervistë për Ekonomia Online tha se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) përveç që janë duke e dëmtuar Kosovën nga aspekti monetar, po e dëmtojnë vendin edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

    Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që të punojë në kryerjen e zotimeve të saja që këto masa të hiqen.

    Zeka ka potencuar se masat e BE-së janë duke ndikuar në reputacionin e vendit marr parasysh që Kosova është një vend i ri i cili është duke kërkuar njohje nga vendet e tjera dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, dhe këto masa sipas tij, janë duke i shkaktuar pasoja vendit në këtë aspekt.

    “Përtej aspektit monetar, përtej humbjeve që Kosova ka nga mos përfitimi i asistencës se BE-së, qoftë asistencës direkte monetare apo edhe asaj që ofrohet në formë teknike, ndikimi me negativ i këtyre masave është te imazhi i vendit, te reputacioni i tij. Një shtet i ri i cili është në kërkim të njohjeve të reja edhe nga shtetet individuale anë e mbanë botës, po të njëjtën kohë përpiqet që të siguroj anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare, pa shmangshëm se ballafaqohet me pasoj momentin kur dikush kupton që Kosova po i nënshtrohet masave të cilat vijnë nga BE-ja”, tha Zeka.

    “Njerëzi po nuk bënë një analize të detajuara ata do të vënë fajin ose përgjegjësin kryekëput mbi institucionet e vendit edhe mbi shtetin e Kosovës në këtë aspekt. Po e them edhe një herë përtej humbjes së përfitimeve monetare, ajo që rendon më shumë mbi Kosovën është mbi imazhin e vendit”, është shprehur Zeka.

    Drejtori i OEAK-ut ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është duke i kryer zotimet e saja më të cilat është ngarkuar, kjo është arsyeja që sipas tij këto masa nuk janë duke u hequr.

    “Po nëse institucionet e BE-së në këtë rast e ngarkojnë me përgjegjësi qeverinë e Kosovës për mungesë të konstruktivitetit në dialog edhe mos zbatim të disa prej zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr në dialog me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja atëherë pashmangshëm se përgjigjja duhet kërkuar aty. Pra te mos kryerja e atyre zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr”, ka thënë ai.

    Zeka ka kritikuar Qeverinë edhe për moszbatim të disa prej marrëveshjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik e të cilat janë arritur në vitin 2017-2019 nga qeveritë e kaluara.

    “Të jemi i sinqerte ne shpesh herë e themi brenda Odës Amerikane se disa prej vendimeve të cilat kanë të bëjnë në zhvillimin ekonomik e cilat janë marr nga qeveritë në të kaluarën, në vitin 2017, 2018, 2019 e tutje, do të thotë hidhen poshtë nuk zbatohen. Pra po flasim edhe për zotime të cilat në ja bëjmë vetës sonë e cilat qeveritë e tjera zgjedhin që të mos i marrin parasysh. E njëjta duke se po përsëritet edhe në raport me partnerët ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.