ATV

Tag: Marrëveshja Kosovë-Serbi

  • BE: Roli i Ekipit Menaxhues përfundon vetëm kur të miratohet statuti

    BE: Roli i Ekipit Menaxhues përfundon vetëm kur të miratohet statuti

    Roli i Ekipit Menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet, prandaj, sipas Bashkimit Evropian, vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta shkarkuar atë është në kundërshtim me marrëveshjen.

    Kështu ka thënë të enjten në një konferencë për shtyp në Bruksel zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke u përgjigjur në disa pyetje lidhur me rolin e Ekipit Menaxhues.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, më 3 maj ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues.

    Ekipi në fjalë, i përbërë nga katër serbë nga Kosova, mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë, ku edhe paraqiti draftin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Për më tepër, Kurti tha se koordinatorja e këtij ekipi, Danijella Vujiçiq, “është në konflikt interesi”, sepse ajo ka dhënë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë.

    I pyetur se pjesë e cilit delegacion ishte Ekipi Menaxhues në takimin e fundit, Stano tha se ai ekip mori pjesë “si delegacion më vete” dhe se “ishin ftuar të vijnë dhe t’i bashkohen takimit për një pikë të rendit të ditës”.

    “Ata nuk ishin pjesë e asnjërit delegacion, as të Serbisë e as të Kosovës”, deklaroi Stano.

    Zëdhënësi i BE-së tha se përbërja e këtij ekipi “është në përputhje me marrëveshjen e dialogut”.

    “Palët ishin pajtuar rreth përbërjes së Ekipit Menaxhues. Anëtarët e Ekipit Menaxhues janë propozuar nga Serbia dhe zyrtarisht janë emëruar nga Kosova”, sqaroi Stano.

    Sipas BE-së, tha Stano, “marrëveshjet e dialogut qartë thonë se ekipet menaxhuese duhet të ekzistojnë derisa të miratohet statuti i Asociacionit”.

    “Ekipi Menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin e parë, që do të thotë se nisën procesin e jo që procesi mori fund. Prandaj, vendimi për ta shkarkuar Ekipin Menaxhues shkel tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, theksoi Stano.

    Pati edhe disa pyetje të gazetarëve rreth asaj se deri kur mund të vazhdohet në këtë mënyrë dialogu, me refuzime të njëpasnjëshme të palëve.

    “Jeta është e vështirë, e dialogu është edhe më i vështirë”, u përgjigj zëdhënësi i BE-së duke përsëritur se arritja e marrëveshjes është e domosdoshme që palët të ecin para në procesin e integrimit evropian dhe se, në rast të dështimit, do të ketë pasoja, përfshirë edhe ato financiare.

    Në pyetjen se a mund të thuhet se ekziston marrëveshja në tërësi, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur se ai “ia ka bërë të qartë BE-së se nuk do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes”, Stano ritheksoi se “Marrëveshja ekziston“ dhe se “përfaqësuesi i lartë, Joseph Borrell, e ka bërë të qartë se “Deklarata e lëshuar nga BE-ja, është parë dhe është pranuar edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nga kjo buron edhe obligimi i palëve për ta zbatuar”.

    Ky zëdhënës i Bashkimit Evropian përmendi edhe Deklaratën për të Zhdukurit si dëshmi të progresit në dialog dhe shprehu bindjen e Bashkimit Evropian se palët do të punojnë për ta zbatuar këtë marrëveshje dhe për të zbuluar fatin e personave të zhdukur gjatë luftës.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

    Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit.

    Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit./REL/

  • ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    ​Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

    Në këtë takim temë qendrore pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Po ashtu vend të rëndësishëm do të ketë edhe tema e fatit të të pagjeturve.

    Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

    Bashkimi Evropian ka thënë se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Në një intervistë për një medium kroat, Kurti ka deklaruar se pret të sheh se çfarë drafti është përgatitur.

    “Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, të hënën në mbrëmje kreu i ekzekutivit ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, me të cilin siç është shprehur Kurti, ka theksuar se marrëveshja bazë dhe aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi.

    Numri një i qeverisë mbrëmjen e së hënës ka mbledhur stafin e tij këshillues për t’u përgatitur për takimin që do të mbahet sot në Bruksel.

  • BE: Të zbatohen të gjitha nenet e Marrëveshjes së Ohrit, palët nuk mund të vendosin parakushte

    BE: Të zbatohen të gjitha nenet e Marrëveshjes së Ohrit, palët nuk mund të vendosin parakushte

    Bashkimi Evropian ka vazhduar me mesazhet e qarta se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

    Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier, ka folur për votën e Serbisë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Vëmë re se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës votoi dje pro dërgimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Asamblenë e saj Parlamentare (APKE). Këtë e vendosin anëtarët e Këshillit të Evropës. Në Dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja pret që të gjitha nenet e Marrëveshjes të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri – për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër”, ka thënë Muletier.

    Sipas saj, secila palë duhet të japë diçka për të marrë diçka në këmbim.

    “BE-ja si Lehtësues i Dialogut të Beogradit në Prishtinë është plotësisht i vetëdijshëm për ndjeshmëritë dhe kompleksitetet politike që lidhen me procesin e zbatimit, dhe për këtë arsye ne u kemi paraqitur një propozim palëve për një qasje hap pas hapi në fazën e zbatimit të t’i ndihmojë ata të zbatojnë detyrimet e tyre. Ajo ndjek një logjikë të thjeshtë që secila palë duhet të bëjë diçka për të marrë diçka. Kjo është e vetmja mënyrë realiste për t’i bërë gjërat dhe ofron një ekuilibër dhe garanci”, ka thënë ajo për RTV21.

    Muletier ka thënë se Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund t’i vihen parakushte për zbatim.

    “Kryenegociatorët nuk mundën të arrinin një marrëveshje më 4 prill në Bruksel dhe diskutimet vazhdojnë. Prandaj, liderët pritet të diskutojnë këtë çështje në takimin e nivelit të lartë më 2 maj. Ndërkohë që diskutimet vazhdojnë, asnjëra palë nuk duhet të vendosë ndonjë parakusht pasi nuk mund të funksionojë kështu zbatimi i Marrëveshjes dhe gjithashtu bie ndesh me atë që është rënë dakord”.

  • Ambasadorja e SHBA-së në OKB, bën thirrje për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes Kosovë-Serbi

    Ambasadorja e SHBA-së në OKB, bën thirrje për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes Kosovë-Serbi

    Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, vlerësoi të martën në Nju Jork marrëveshjen “historike, ligjërisht të detyrueshme të normalizimit” mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëri thirrje për “zbatimin e shpejtë të saj”.

    Sipas një njoftimi të zëdhënësit të Misionit të SHBA-së në OKB, Nate Evans, ambasadorja Thomas-Greenfeld i bëri komentet në një takim në Nju Jork me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

    “Ambasadorja Thomas-Greenfield përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e angazhimeve të tyre në drejtim të një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe paqësore”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit.

    Dy diplomatet e larta diskutuan për partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe angazhimin e tyre të përbashkët për avancimin e stabilitetit dhe mirëqenies në Ballkanin Perëndimor, sipas njoftimit të zëdhënësit të Misionit amerikan në OKB.