ATV

Tag: Mali i Zi

  • Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Dy ditë pasi deputetja e Malit të Zi, Maja Vukiçeviq, votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveritë e dy shteteve nënshkruan një marrëveshje në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar IPA III.

    Pas firmosjes së ujdisë, përmes së cilës dy vendet përfitojnë 8.4 milionë euro nga BE-ja, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja malazeze për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, qartësuan pozicionet.

    Duke krahasuar qëndrimet e deputetes Vukiçeviq me ato të Listës Serbe, Bislimi tha se Mali i Zi, si shtet, nuk votoi kundër anëtarësimit të Kosovës.

    “Ajo që është me rëndësi është që vota e zonjës Vukicevic nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Republikës së Malit të Zi, i cili qëndrim nuk ka ndryshuar nga data 9 Tetor 2008, kur Mali i Zi ka vendosur të njohë Republikën e Kosovës. Por, votat si kjo tregojnë se sa është i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit dhe margjinalizimi i veprimeve të tilla”, deklaroi Bislimi.

    Ministrja malazeze Gorçeviq, bëri dallim mes votës së bashkëvendëses së saj dhe qëndrimit shtetëror.

    “Votimi i deputetëve të caktuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk nënkupton edhe qëndrim të Qeverisë së Malit të Zi. Zonja Vukicevic atje paraqiti qëndrimin e saj dhe të partisë së saj dhe dua të përkujtoj se Qeveria e Malit të Zi, e cila ka karakter heterogjen, megjithatë, pavarësisht shumicës parlamentare, është në koalicion dhe pjesë e marrëveshjes ishin edhe disa obligime. Këtu përfshihet edhe përkrahja ndaj Kosovës si shtet sovran. Andaj dua të nënvizoj se Mali i Zi në takimin e ministrave në maj do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në të gjitha çështjet e ardhshme në aspektin e euro-integrimeve”, tha Gorçeviq.

    Jo diçka të re, i vlerësoi zëvendëskryeministri Bislimi votat kundër nga Serbia.

    “Serbia veçse i ka shkelë pothuajse të gjitha nenet e marrëveshjes bazike, por ndoshta pa qëllim ata i kanë bërë një nder Kosovës me prezencën e tyre, sepse kanë ndihmuar në formimin e kuorumit, rrjedhimisht ata i kanë bërë një shërbim indirekt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por duke shkelë në të njëjtën kohë marrëveshjen bazike dhe duke ekspozuar qëndrimin e tyre ndaj fqinjësisë së mirë që për ne përbën vlerë shumë të rëndësishme”, shtoi tutje Bislimi.

    Ndryshe, të mërkurën, dy nga tri votat e Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës ishin në favor të anëtarësimit të Kosovës.

    Marrëveshja e nënshkruar të premten, sipas qeverive të dy shteteve, do të ndihmojë në avancimin e marrëdhënieve, thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e zonave ndërkufitare, me theks turizmin./atvlive.tv/

  • Nënshkruhet sot marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për IPA III

    Nënshkruhet sot marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për IPA III

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, do të nënshkruajnë marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

    Nënshkrimi pritet të bëhet në orën 13:30. Pas ceremonisë së nënshkrimit do të mbahet konferencë për media.

    Kurse, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të mbajë konferencën përfundimtare të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II për Malin e Zi-Kosovë 2014-2020. Do të marrin pjesë ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.

  • Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi sot në Kosovë

    Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi sot në Kosovë

    Ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, sot do ta vizitojë Kosovë, ku edhe do të nënshkruajnë marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

    Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, do të ndodh pas një takimi që do ta ketë me zëvëndëskryeministrin Besnik Bislimi.

    Ajo fillimisht do të marrë pjesë në konferencën përfundimtare që organizon Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, lidhur me Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II për Malin e Zi-Kosovë 2014-2020. Në këtë konferencë, do të marrë pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zv.shef i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Alessandro Bianciardi, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, kryetarë e përfaqësues të komunave nga zona e programit, OJQ etj.

  • Kosova synon ta rikthejë nën menaxhim pronën “Ganimete Tërbeshi”, që gjendet në bregdetin e Budvës në Mal të Zi

    Kosova synon ta rikthejë nën menaxhim pronën “Ganimete Tërbeshi”, që gjendet në bregdetin e Budvës në Mal të Zi

    Në nëntor të 2020-ës, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ngriti padi në Mal të Zi, duke e kërkuar kthimin e pronësisë në një parcelë 4.5 mijë hektarëshe në Budva, që pretendon se e ka blerë më 1963.

    Por, as pas gati tri vjet e gjysmë, Avokati i Shtetit thotë se nuk ka nisur procedura gjyqësore për pronën bregdetare, të njohur si “Ganimete Tërbeshi”, në zonën kadastrale të Beçiqit.

    Kosova asokohe, këtë pronë e shfrytëzonte për t’i akomoduar qytetarët që i dërgonte për ekskursione në Budva.

    Në këtë rast, padia është ngritur ndaj Komunës së Budvës dhe kompanisë “Sunraf Beach Properties”. Këto të dyja, e as gjykata, nuk i janë përgjigjur pyetje të ATV-së për rastin.

    Sipas avokatit Visar Rrecaj, ky proces mund të marrë kohë për shkak të lëndëve të shumta të këtij lloji, kurse thotë se nuk duhet të ndikohet nga politika.

    “Mund të marrin kohë 3-4 vjet derisa të fillojnë seancat, ka shumë konteste pronësore. Është çështje civile dhe nuk do të duhej të kishte probleme politike… Meqë, pronat janë blerë në ish-sistem, është proces i ndërlikuar…”, deklaroi avokati Rrecaj.

    Avokati i Shtetit është i përfshirë edhe në një rast tjetër në Mal të Zi, pasi një qytetar e ka paditur Kosovën, për ta zgjidhur një kontratë pronësore në ish-Jugosllavi.

    Në tërësi, Agjencia Kosovare e Privatizimit pretendon t’i ketë 35 asete në shtetin malazez, në qytetet Podgoricë, Nikshiq, Cetinje, Budvë, Tivar, Tivat, Berane dhe Bjello Pole. AKP-ja synon ta kthejë kontrollin në të gjitha këto.

    Shumica e këtyre aseteve janë lokale afariste./atvlive.tv/

  • Mali i Zi u godit nga një tërmet tjetër herët në mëngjes

    Mali i Zi u godit nga një tërmet tjetër herët në mëngjes

    Një tërmet tjetër më pak i fortë e ka goditur Malin e Zi të shtunën herët në mëngjes, i cili ishte i dytë në tri ditët e fundit, njoftoi Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMCS).

    Tërmeti u regjistruar në orën 06:11 dhe, sipas të dhënave të Qendrës Evropiane Sizmologjike Mesdhetare, epiqendra e tij ishte në afërsi të një komune të Nikshiqit, qytetit qendror të Malit të Zi.

    Lëkundja nga tërmeti është ndier edhe Bosnjë e Hercegovinë. Sipas EMCS-së, tërmeti ka qenë 3.6 ballësh.

  • Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Zgjidhet Qeveria e re e Malit të Zi

    Kuvendi i Malit të Zi, mëngjesin e 31 tetorit zgjodhi Qeverinë e kryeministrit Millojko Spajiq, pas seancës plenare që zgjati tërë natën.

    Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiqit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.

    Të gjitha këto parti do të udhëheqin ministri në Qeverinë e re, përveç partisë Fronti Demokratik, subjekt që sipas marrëveshjes me Spajiqin, do të hyjë në Qeveri pas një viti. Ekzekutivi do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra, raportoi Radio Evropa e Lirë.

    Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë deputetë munguan në seancë gjatë votimit.

    Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviqit, Qeveria e së cilit u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit në gusht të vitit 2022.

    Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiq tha se “anëtarësimi në plotë” në Bashkimi Evropian, anëtarësimi “aktiv dhe i besueshëm” në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe marrja e një roli më aktiv në organizatat multilaterale do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit të tij.

    Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

    Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiqit, në këmbim që Mandiq të zgjidhej kryetar i Parlamentit.

    Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiq ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, ka kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e shtetit nga Serbia.

    Pasi u zgjodh kryeparlamentar, Mandiq u zotua për punë drejt tejkalimit të ndasive. Kritikët thanë thënë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do të pengojë ambiciet e shtetit për anëtarësim në BE.

    Një prej arsyeve që seanca për votimin e Qeverisë u mbajt gjatë natës – që është një praktikë e pazakonshme – ishte që Qeveria të mund të zgjidhej në mëngjesin e 31 tetorit, dhe të mund të mbante mbledhjen e parë për të vendosur për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

    Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar që të niste më 1 nëntor, por opozita ka kërcënuar me bojkot dhe ka kërkuar që të shtyhet për gjashtë muaj.

    Spajiq njoftoi se Qeveria e tij do ta shtyjë regjistrimin për një muaj.

    Debati parlamentar nisi pak pas mesnatës dhe fillimisht Spajiq refuzoi të paraqiste programin qeverisës.

    Pasi njoftoi shkurtimisht për përbërjen e Qeverisë, disa deputetë opozitarë e kritikuan atë duke thënë se kjo ishte një përqeshje e Parlamentit dhe shkelje e Kushtetutës, ku thuhet se është obligative që të prezantohet programi.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Andrija Nikoliq tha se kjo ishte një mënyrë e keqe për fillimin e mandatit si kryeministër.

    “Ju keni shkelur Kushtetutën, ligjin dhe treguat ambiciet për të zgjedhur Qeverinë në orët e para të mëngjesit. Ne kemi ardhur për të diskutuar për ekspozenë programit dhe ju nuk e lexuat atë”.

    Spajiq u tha deputetëve opozitarë tha se vendimi për të votuar Qeverinë në mëngjes është që të plotësojë kërkesën e tyre për të shtyrë regjistrimin e popullsisë.

    “Qëllimi im ishte i qartë. Ekspozeja ka qenë publike tash e disa ditë, kushdo që ka dashur ta lexonte, ka mundur ta bënte. Ne e kemi publikuar në rrjetet sociale”, tha ai.

    Pothuajse shumica e debatit u përqendruan në zgjedhjen e Mandiqit në postin e kryeparlamentarit.

  • Pritet të debutojë për Malin e Zi në ndeshje zyrtare përballë Serbisë, ja çfarë thotë lojtari i Ballkanit

    Pritet të debutojë për Malin e Zi në ndeshje zyrtare përballë Serbisë, ja çfarë thotë lojtari i Ballkanit

    Kapiteni i Ballkanit Edvin Kuç ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin në ATV.

    Mesfushori i lindur në Tuz së fundmi ka marrë ftesë nga kombëtarja e Malit të Zi për t`i përfaqësuar ngjyrat e kësaj kombëtare.

    Lexo po ashtu:Edvin Kuç: Prisja ftesë nga Kosova, por Gliha me la pa shpresa

    E ndeshjen e parë zyrtare për kombëtarën e Malit të Zi, 29 vjeçari pritet ta ketë përballë kombëtarës së Serbisë me datën 17 tetor.

    Më poshtë mund të shikoni se çfarë deklaroi lojtari për këtë takim./ATVLIVE.TV 

  • Edvin Kuç: Prisja ftesë nga Kosova, por Gliha me la pa shpresa

    Edvin Kuç: Prisja ftesë nga Kosova, por Gliha me la pa shpresa

    Kapiteni i Ballkanit Edvin Kuç ka qenë i ftuar në emisionin ‘A PLAY’ me Ylber Kelmendin në ATV.

    Mesfushori i lindur në Tuz së fundmi ka marrë ftesë nga kombëtarja e Malit të Zi për t`i përfaqësuar ngjyrat e kësaj kombëtare.

    Ai për ‘A PLAY’ ka deklaruar që e priste edhe ftesën e kombëtarës së Kosovës, megjithatë shpresat i kishte humbur kur trajneri Primoz Gliha, deklaroi në konferencën për media që mosha është arsyeja pse Kuq nuk merr ftesë nga Kosova.

    Intervistën e tij mund ta shikoni më poshtë.

  • Në shtëpinë e këngëtarit Nikollë Nikprelaj, në Tuz të Malit të Zi

    Në shtëpinë e këngëtarit Nikollë Nikprelaj, në Tuz të Malit të Zi

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një ndër rubrikat e shumta të këtij emisioni është edhe rubrika “A më mirë këtu, a atje”, qëllimi i së cilës është që t’i bashkojë shqiptarët kudo që ndodhen.

    Në emisionin e mbrëmshëm, ekipi i ATV-së bëri një vizitë te këngëtari dhe autori të njohur shqiptar, Nikollë Nikprelaj, në shtëpinë e tij në Tuz të Malit të Zi.

    Ai, në bisedën e tij për ATV-në, foli për karrierën e tij shumëvjeçare, por nuk munguan edhe rrëfimet nga jeta personale.

    I lumtur për vizitën e një mediumi nga Kosova, ai tregoi dashurinë e tij të madhe që ka për këtë vend, duke thënë se për të, por edhe për shqiptarët në Mal të Zi, Kosova është gjithçka.

    “Kosova për mua, por edhe për ne është gjithçka, është shkolla, është baba, është nëna, është uji, është buka, është ajri, është kënga, është gjithçka. Për mua si këngëtar në veçanti, por edhe për gjithë neve, e kam thënë shpesh se “po të mos ishte Kosova, s’e di a do të flisnim sot shqip, sepse në Kosovë janë shkollu mësuesit tanë, profesorët tanë, sepse Shqipërinë në kohëra pak më të largëta e kishim hermetikisht të mbyllur, kështu që zgjedhja e jonë kombëtare, identitete ishte Kosova”, u shpreh Nikprelaj.

    Këngëtari prezantoi edhe familjen e tij, gruan dhe dy djemtë, ku njëri ka zgjedhur të jetë këngëtar, ndërsa tjetri futbollist.

    “Për fat të keq, nuk kalojmë bashkë aq sa do duhej e sa do donim, shkaku i punëve që kemi. Unë si këngëtar, Albini si këngëtar dhe si student, Arbeni si futbollist, Drita sa andej sa këndej, por aq kohë sa na krijohen mundësitë e shfrytëzojmë maksimalisht që të jemi bashkë. Jashtë punës jemi bashkë”, tregon Nikprelaj. /atvlive.tv

    Bisedën e tij të plotë për ATV-në e gjeni në videon më poshtë:

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë: