ATV

Tag: Liridona Murseli

  • “Nuk i kam vërejt fëmijët, Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, detaje të reja nga dëshmia e Granit Plavës

    “Nuk i kam vërejt fëmijët, Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, detaje të reja nga dëshmia e Granit Plavës

    Ditën e djeshme në media është publikuar dëshmia e Granit Plavës, të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, me porosi të Naim Murselit, të dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023.

    Sipas kësaj dëshmie, Granit Plava ka thënë se Naim Murseli e ka porositur atë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.

    Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023, Plava ka deklaruar se Murseli ia ka ofruar 30 mijë euro për vrasjen e Ademajt.

    Biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në një pompë të derivateve në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla, i dyshuari tjetër për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares.

    Paparaci e ka siguruar dëshminë e plotë të Plavës dhënë hetuesve policorë.

    “Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava. “Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje’”.

    Plava ka thënë se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në veturë ka qenë edhe Naim Murseli.

    “Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.

    Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar në ditën e vrasjes së Ademajt dhe i ka kërkuar “që të kryhet kjo punë”.

    “Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.

     

  • Deklarata e publikuar e Naim Murselit në Prokurori, vjen reagimi nga familja e Liridona Ademajt

    Deklarata e publikuar e Naim Murselit në Prokurori, vjen reagimi nga familja e Liridona Ademajt

    Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, ka reaguar pas publikimit të dëshmisë së plotë në media të Naim Murselit për ngjarjen, dhënë hetuesve policorë më 1 dhjetor.

    Ai ka thënë se nuk e komentojnë përmbajtjen e deklarimeve të të dyshuarve para hetuesve.

    Megjithatë, ai ka thënë se janë të kënaqur me mënyrën se si prokurorja ka organizuar intervistimin dhe se kanë besim të plotë në të.

    “Drejtësia duhet dhe do të triumfojë, për Liridonën tonë dhe për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara.” – ka shkruar Ademaj.

    Ndryshe, Naim Murseli ka thënë se ka qenë në dijeni se Granit Plava ishte personi që shtiu me armë zjarri për të vrarë bashkëshorten e tij Liridona Ademajn, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të shkuar.

    Por, Murseli nuk e ka pohuar të ketë porositur vrasjen e saj, ndonëse e ka pranuar se është takuar me të dyshuarin për vrasje, Granit Plavën, në ditën kritike.

    Dëshminë e plotë të Murselit për ngjarjen, dhënë hetuesve policorë më 1 dhjetor, e ka siguruar Paparaci.

    Murseli e pranon se në ditën kritike është shoqëruar me Plavën. Thotë se atë ditë ia ka dhuruar Plavës paratë për blerjen e një arme.

    “Në ditën kritike unë isha ne Gjakovë për pune personale dhe rastësisht jam takuar me Granitin ku Kushtrimi i ka treguar se ku do te takohemi. Ne jemi takuar në Kramovik në rrugë dhe ai ishte kthyer tek vendi i punës dhe ai ka parkuar automjetin e tij ne atë lokacion tek pompa Eko ku punonte dhe ka vazhduar me mua me veturën time Land Rover me targat 07-669-CM ngjyrë e zezë, ku së bashku jemi nisur në drejtim të restorant Liqeni i Dukagjinit, por gjatë rrugës goma e veturës mu dëmtua dhe vazhduam për ta gjetur një gomister për ta rregulluar gomën, ku në afërsi të Dujakës hasëm në një autolarje dhe mekanik i fshatit i cili na ndihmoi për ta rregulluar gomën”, ka rrëfyer Naim Murseli.

    “Personi i cili na ndihmoi e pyeti Granit Plava nëse është i interesuar për armë dhe ai i thotë ‘po vetëm dua ta shoh fillimisht’. Dhe i pëlqeu, por nuk kishte para me vete dhe mi kërkoj mua dhe unë ia dhashë 250 euro aq sa edhe ka kushtuar arma, nga aty pasi u regullua goma më telefonon bashkëshortja dhe më tregon se ka mbërrit në Prishtinë pa dijeninë time. Unë nisem në drejtim të Prishtinës së bashku me Granitin por gjatë rrugës Graniti më kërkoi ta dërgoja në fshatin Kralan ku kishte për të marrë një veturë. Dhe, ndaras kemi vazhduar për në Prishtinë, ku ai me ka ndjekur mbrapa deri në afërsi të shtëpisë time, ku jemi barazuar me vetura dhe më ka thënë se unë tash e di çka bëj”, thotë Murseli.

    Derisa rrëfen momentin e vrasjes, ai thotë se ndonëse e ka ditur se vrasësi ishte Granit Plava, nuk e ka besuar “në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasëse”.

    “Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çu duart lart dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çfarë të kërkon dhe në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në momentin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë por pa e parë se çfarë ndodhi”, ka thënë ai.

    Murseli ka thënë se së fundmi i kishte dal një problem familjar.

    “Një problem familjar ku kanë dal në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore. Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolla ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty”, ka thënë ai para hetuesve.

    “Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Kjo ngjarje sigurisht që më ka rënduar dhe ndikuar në raportin tonë. Unë si bashkëshort të gjitha kushtet ia kam plotësuar dhe kam dashur që ajo të jetë e lumtur”.

  • Arrestohet edhe personi i katërt i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt

    Arrestohet edhe personi i katërt i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt

    Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e katërt që dyshohet se është përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është arrestuar për shkak se dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit Naim Murselin dhe Granit Plavën.

     

    Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj.

    Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.

    Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

  • Vrasja e Liridonës, nesër seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve

    Vrasja e Liridonës, nesër seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve

    Seanca gjyqësore ndaj Naim Murseli, i cili dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Murseli, personit me inicialet G.P, që sipas prokurorisë është dorasi, si dhe të dyshuarin tjetër me iniciale K.K., i cili është pjesëtar i FSK-së, do të mbahet nesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Seanca gjyqësore ndaj Naim Murseli, i cili dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, personit me inicialet G.P, që sipas prokurorisë është dorasi, si dhe të dyshuarin tjetër me iniciale K.K., i cili është pjesëtar i FSK-së, do të mbahet nesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Ndërkohë, lidhur me rastin ka reaguar edhe KMDLNj-ja, e cila ka theksuar se pret që hetimet të zhvillohen në përputhje me procedurat e parapara ligjore dhe se pas këtyre hetimeve, Gjykata kompetente do të merr vendim në përputhje me provat dhe ligjin.

    “Para tre ditëve në mënyrë mizore u shua jeta e një njeriu, një gruaje, një nëne, një bije dhe një motre, u shua jeta e Liridona Ademajt që shkaktoi, me të drejtë hidhërim të madh të qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës. Me këtë rast KMDLNJ- ë shpreh shqetësim të thellë për vrasjen mizore të Liridona Ademaj dhe ngushëllon sinqerisht familjen Ademaj për këtë humbje të rëndë. KMDLNj-ë, në të njëjtën kohë vlerëson lartë përkushtimin, profesionalizmin dhe efikasitetin e institucioneve përgjegjëse për mbrojtje të ligjit për zbardhjen e shpejtë të rastit dhe arrestimin e të dyshuarve për këtë krim, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që brenda një qarku të ngushtë kohor zbardhën dy raste të rënda kundër jetës, sigurisë dhe pronës. KMDLNj e njeh dhe e pranon parimin e përgjegjësisë penale individuale andaj ftonë të gjithë që të përmbahen nga deklaratat në të cilat përfshihen palët e treta, pa qenë fare të implikuara në këtë rast”, thuhet në reagim.

  • Vrasja e Liridonës, Maqedonci: Ndaj pjesëtarit të FSK-së do veprohet në përputhje me rregulloret

    Vrasja e Liridonës, Maqedonci: Ndaj pjesëtarit të FSK-së do veprohet në përputhje me rregulloret

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke iu referuar përfshirjes së pjesëtarit të FSK-së në vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se ndaj tij do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së.

    Sipas tij, të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor.

    “I tronditur kam përcjellë ngjarjen e fundit tragjike, atë të vrasjes së Liridona Ademaj. Ndërkohë që zhvillimet e fundit rreth zbardhjes së rastit kanë sjellë një situatë makabër në publik, para pak çastesh jam informuar për arrestimin e një pjesëtari të FSK-së në lidhje me rastin”, ka shkruar Maqedonci.

    “Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor ndërsa deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ndaj pjesëtarit të FSK-së do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së”, ka shtuar ai.

    Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe të gjithë qytetarëve të prekur nga vrasja e Liridona Ademajt.