ATV

Tag: LDK

  • Abdixhiku propozon Jehona Lushaku-Sadriun për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së

    Abdixhiku propozon Jehona Lushaku-Sadriun për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka propozuar deputeten Jehona Lushaku-Sadriu për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një njoftimi publik në rrjetin social “Facebook”, Abdixhiku ka vlerësuar lart figurën dhe angazhimin e Lushaku-Sadriut, duke e cilësuar atë si një deputete me integritet, përgatitje të lartë akademike dhe përvojë politike.

    Ai theksoi se ajo është një bashkëpunëtore e afërt, e ndershme dhe e përkushtuar ndaj demokracisë parlamentare, shtetit ligjor dhe orientimit euroatlantik të Kosovës – vlera që, sipas tij, përbëjnë themelin e LDK-së.

    “Jam i bindur se në këtë përgjegjësi të re do ta udhëheqë Grupin Parlamentar me përkushtim, korrektësi politike dhe respekt për njerëzit me të cilët punon,” ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se Lushaku-Sadriu do ta përfaqësojë LDK-në me dinjitet dhe do të bëjë krenarë mbështetësit e partisë dhe qytetarët e Kosovës.

    Propozimi i saj për këtë pozitë vjen në kuadër të organizimit të brendshëm të LDK-së për legjislaturën e re, ndërsa pritet që organet përkatëse të partisë të formalizojnë këtë emërim./atvlive.tv/

     

  • 16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    16 vjet nga koalicioni i parë PDK-LDK

    Më 9 janar 2008 është formuar koalicioni qeveritar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Hashim Thaçin.

    Qeveria përbehej nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra. Qeveria është formuar pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 34% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 23% të votave, Aleanca Kosova e Re (AKR) 12% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) kanë fituar nga 10%, Partia Reformiste (ORA) 4% dhe Partia e Drejtësisë (PD) 2%.

    Të trembëdhjetë partitë minoritare kanë fituar gjithsej 5% të votave. Qeveria ishte fokusuar në pavarësi dhe kushtetutë, kurse paritë politikë kanë respektuar përkushtimin e tyre për të mbetur të bashkuara në periudhën mes deklaratës së pavarësisë dhe futjes në fuqi të kushtetutës. Vëmendja e tyre ka filluar të zhvendoset kur në muajin prill Qeveria prezantoi strategjinë për 2008-2011.

    Partitë politikë opozitare kishin qëndrime më kritike ndaj qeverisë. Qeveria kishte themeluar një komision për monitorimin e implementimit të ligjeve, i cili udhëhiqej nga zëvendëskryeministri. Në prill kryeministri ka prezantuar para Kuvendit raportin për 100 ditët e Qeverisë dhe programin e Qeverisë për 2008-2011, kurse në korrik të 2008, Qeveria ka filluar të lëshojë pasaportat e Kosovës.

    Në shtator, presidenti dhe kryeministri ishin pajtuar për të caktuar dhjetë përfaqësuesit e parë diplomatikë në disa prej vendeve që e kanë njohur deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

    Sipas raportit të progresit për vitin 2008, qeverisja lokale ishte forcuar deri diku. Në qershor ishte futur në fuqi legjislacioni i ri për kufijtë administrativ komunal, vetëqeverisjen lokale dhe financat lokale qeveritare dhe decentralizimin. Përparimi i reformës për vetëqeverisje dhe rritja e kapacitetit administrativ për të lehtësuar decentralizimin ishin prioritetet kryesore në Partneritetin Evropian për Kosovën.

    Sidoqoftë, fokusi i qeverisë në çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e ka mbajtur atë larg prej adresimit të çështjeve tjera. Qeveria ishte ballafaquar me disa vështirësi në prezantimin dhe koordinimin e prioriteteve të saj strategjike. Kuvendi, përfshirë anëtarët e koalicionit qeverisës, kanë kundërshtuar programin e qeverisë 2008-2011. Në disa zona me shumicë serbe, Qeveria kishte autoritet të kufizuar në polici, gjykata, dogana, transport, kufij dhe trashëgiminë serbe.

    Komunat në veri të Kosovës patën filluar të implementojnë legjislacionin serb për qeverisje lokale. Një numër i qytetarëve të Kosovës mbështeten në shërbimet e tyre si, dokumentet e udhëtimit, edukimin. Në qershor, Qeveria ka vendosur të zgjerojë mandatin e kryetarëve në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Shtërpcë, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të UNMIK-ut për të mos i validizuar rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe, të mbajtura në maj të vitit 2008 në Kosovë.

    Rikonfigurimi i ngadalshëm i UNMIK-ut ka çuar në disa paqartësi në disa fusha si te kompetencat e qeverisë (gllabërimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit). Efektiviteti i pjesëmarrjes se qeverisë në forume regjionale dhe ndërkombëtare është i kufizuar nga fakti që legjitimiteti i saj është i kontestuar nga vendet që nuk e kanë njohur. Deklarimet për ndërhyrje politike në përzgjedhjen dhe caktimin e një numri për pozitat e rëndësishme (bordet e ndërmarrjeve publike) kanë ndikuar në kredibilitetin e qeverisë, thuhej në raport. Me tej në raport theksohet se lajmërimet e parakohshme për regjistrimin e popullatës dhe dorëzimi i parakohshëm në Kuvend i shqyrtimit të buxhetit të mesit të vitit, bie ndesh me dispozitat e kushtetutës.

    Megjithatë, më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës do të kryenin një akt historik me një rëndësi të madhe jetike për fatet e vendit; nënshkruan dhe miratuan solemnisht Deklaratën e Pavarësisë. Kjo datë shënon padyshim një nga ditët më me vlerë në historinë e shtetit.

  • Të dielën zgjedhjet brenda LDK së, dy kandidatë në garë

    Të dielën zgjedhjet brenda LDK së, dy kandidatë në garë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin e dhjetë zgjedhor të dielën e 19 nëntorit. Në këtë kuvend pritet të zgjidhet kryetari i këtij subjekti dhe kryesia e re.

    Në garë për të udhëhequr me LDK-në përpos Lumir Abdixhikut që po synon rizgjedhjen, kundërkandidat do ta ketë Faton Bislimin.

    “Ky vendim imi vjen jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj krejt atyre që kanë filluar të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, si dhe atyre që asnjëherë nuk reshten së përkrahuri vizionin e përpjekjen time për LDK-në”, tha Bislimin.

    Pavarësisht se në garë do ta ketë edhe një kundërkandidat, fitorja e Lumir Abdixhikut vlerësohet e padiskutueshme.

    Në krye të LDK-së edhe për një mandat tjetër katërvjeçar, Lumir Abdixhiku po shihet edhe nga opinionistët. Megjithatë, sipas Artan Muhaxhirit, për të qenë gati për zgjedhjet e radhës parlamentare, duhet shumë punë.

    Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars 2021, pas dorëheqjes së Isa Mustafës, si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të atij viti. LDK-ja kishte fituar vetëm 12 për qind të votave.

    Në vitin 2021, për postin e të parit të LDK-së, Abdixhikun e kishin sfiduar edhe Lutfi Haziri, Besian Mustafa e Anton Quni. Ky i fundit ishte tërhequr nga gara krejt në fund.

  • Rama: Nuk jam anëtar i LDK-së, por nuk besoj se do të kushtëzohem për zgjedhjet e tjera

    Rama: Nuk jam anëtar i LDK-së, por nuk besoj se do të kushtëzohem për zgjedhjet e tjera

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se nuk është anëtarë i LDK-së dhe se anëtarësimin nuk e ka opsion as në zgjedhjet e ardhshme lokale kur ai pretendon një tjetër mandat.

    “Që nga fillimi kemi pasur një marrëveshje të qartë që Lumiri do të merret me politikën, partinë, derisa unë do të merrem me kryeqytetin. Këtë jemi duke e bërë. Kemi raporte fantastike. LDK-së i dëshiroj sukses në zgjedhjet e brendshme. Unë nuk jam anëtarë i LDK-së. LDK-ja më ka ftuar për të garuar, dhe unë këtë e kam parë si një mundësi fantasktike”, tha Rama në ATV.

    Rama thotë se edhe në të kaluarën ka dhënë kontribut në kryeqytet duke ndihmuar kryetarët Shpend Ahmeti apo Ismet Beqiri.

    “Unë bashkë me LDK-në kemi bërë një fushatë fantastike dhe kemi fituar zgjedhjet”.

    I pari i Prishtinës thotë se e ka pasur ëndërr rregullimin e kryeqytetit dhe se moralisht nuk ka mundur të refuzojë ofertën e LDK-së.

    I pyetur nëse do të kushtëzohet nga LDK-ja nëse do të dëshiron një mandat të dytë në kryeqytet, Rama thotë se shpreson të ketë mirëkuptim nga partia për të mirën e kryeqytetit.

    “Nuk besoj se do të kem ndonjë kushtëzim pasi kam qenë i sinqertë qysh nga dita e parë. Unë jam i interesuar të rregullojë Prishtinën. Nuk jam i interesuar për të garuar për kryeministër apo diçka tjetër”, shtoi tutje Përparim Rama.

  • Haziri tregon se çka është “Rruga e Re” që po e prezanton LDK-ja

    Haziri tregon se çka është “Rruga e Re” që po e prezanton LDK-ja

    Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, ka shpalosur detaje rreth programit të ri të LDK-së “Rruga e re”.

    Ai tha se “Rruga e Re” është opsion qeverisës i projektuar mbi bazë fillimisht një projeksioni buxhetor dhe mandej identifikimi i të gjitha programeve, e cilat janë sistemore në Republikën e Kosovës.

    “Ne kemi identifikuar probleme serioze në politikën e brendshme, kemi bo një projeksion buxhetor që me vendosë mbi parime të drejta. I kemi identifikuar burimet financiare, përveç buxhetit të Republikës, i cili do të shkon në 4.5 miliardë, burime tjera alternative financiare ndërkombëtare që lejojnë dhe Kosova ka mundësi me marrë, mandej kemi listu këto 100 projekte”, tha Haziri.

    Për këtë program, Haziri tha se kanë punuar mbi 200 njerëz të profileve të ndryshme.

    “Kanë punu mbi 200 njerëz, ekspertë, lokalë, teknokratë, profesorë të institucioneve të arsimit dhe institucioneve tjera shkencore në vendin tonë. Njerëz që kanë zierë politika brenda LDK-së për disa muaj dhe në fund, ne në një punim dyditor kemi arritë një grup më të vogël të koordinatorësh kryesisht, të politikave e sektoriale me i debatu dhe me i zbardhë, sepse është në interes me ditë cila është politika ndaj energjisë, cili ka qenë opsioni i parë i para disa viteve. LDK-ja ka qenë bartëse e projektit në qeverisjen me AAK-në për Kosovën C. Kemi bo një projekt detaj, kemi identifiku nevojat e energjisë, kemi propozu politika e qarta në energji, kemi pa sfida dhe natyrisht ky projeksion mandej nuk është vazhdu nga Qeveria pasuese është reduktu, është revidu dhe sot asaj dite jemi pa projeksion”, tha Haziri.

    Ai tha se programi “Rruga e Re” ka shkaktu debat dhe ka dalë dalë përtej LDK-së.

    “Edhe në politikat e reformave të domosdoshme në sistem edhe në investime publike në të veçanti dhe e kemi nxjerrë në publik. Tani çka nënkupton kjo? Deri në Kuvendin, Konventën që e kemi quajtur programore, kemi shkaktu debat. Është dalë përtej LDK-së programi, është dalë te grupet e interesit, të dalë te odat ekonomike, është dalë te shoqatat, shoqëria civile, te ambientalistët, te grupet e interesit, kushdo që janë edhe munden me e gjetë veten. Kemi marrë komente shumë të mira, për disa nga politikat kemi marrë komente shtesë kritika dhe natyrisht ky është qëllim. Ne kemi dashtë me shkaktu pjesëmarrje më të madhe dhe deri atëherë jemi të kënaqur që t’i japim më shumë, që të prodhojmë debati, jo zhurmë”, theksoi Haziri. /atvlive.tv

  • Haziri: Kurti nuk ka bërë asgjë që ka thënë, ka bërë gjithçka çka nuk e ka thënë

    Haziri: Kurti nuk ka bërë asgjë që ka thënë, ka bërë gjithçka çka nuk e ka thënë

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin ‘DPT te Fidani’ në ATV, duke komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca se ’gara do të jetë për vendin e dytë’, tha se LDK garon vetëm për vendin e parë.

    Ai tha se eksponentët kryesorë të Vetëvendosjes ende besojnë se 15 shkurti nuk ka ndodh, por sipas tij, në vitin e tretë të qeverisjes, kjo parti nuk ka realizuar asnjë premtim të saj.

    “Nënkryetari i parë, është nënkryetari i Kuvendit, është më i matur në deklaratë se të tjerët, më i kujdesshëm nga njëherë, por kam besu që ka dalë prej 14 shkurtit si rrethanë e re, sepse eksponentë kryesorë të Vetëvendosjes besojnë që ende 15 shkurtit s’ka ndodhë. Ne jemi në vitin e tretë të qeverisjes, asnjë problem në këtë vend nuk u zgjedh, jo sipas premtimeve që i ka dhënë vetë. Por, nëse muj me parafrazu një mik timin, i cili e ka thanë në mënyrën më të mirë, zoti Kurti asgjë nuk ka ba çka ka thanë, ka ba gjithçka që nuk e ka thanë. Kurrgjë nuk ka realizu çka ka thanë, krejt çka ka ba është diçka që s’ka thanë”, tha Haziri.

    Ai tha se LDK tani ka identifikuar ‘fajin’ pse ka dalë si partia e dytë në shumicën e rasteve, por tani thotë se është rikuperu si parti.

    “LDK-ja vetëm për vendin e parë. Ne i dimë dhimbjet tona politike. Ne e kemi identifiku fajin tonë pse kemi dalë parti e dytë shumicën e rasteve, dhe njehërë parti e tretë. Ne i dimë problemet e tona. LDK-ja e ka fitu LDK-në, ndarja e dhimbshme, e cila nuk ka mundur me u shëru deri tash, por mobilizimi i LDK-së, anëtarësisë së LDK-së dhe dalja përtej nesh, në mobilizim ose në rikthim të besimit, sepse LDK-ja sot nuk flet për anëtarësinë e vet, ne e kemi rikthy humbjen e madhe të 14 shkurtit si votë e pakënaqësisë. Sipas sondazheve, sot LDK-ja është rikuperu nga ai ai defekt, sepse njerëzit tanë e kanë pa nëse ka pasë prej tyre që kanë thënë ‘pakënaqësi për shkak të zhvillimeve të brendshme, ose t’i provojmë edhe këta’. Janë provu tash, nuk ka nevojë ma shumë, nuk po them që dita e mirë shihet në mëngjes në qeverisje, po në vitin e tretë nuk ka asnjë problem të zgjidhur. Përveç kësajna, është kompliku aq shumë politikisht, janë prodhu shtatë kriza e që Kosovën e ka çu në kufizime ndëshkuese ndërkombëtare”, tha Haziri. /atvlive.tv

  • Abdixhiku thotë se “Rruga e re” do të prezantohet në një Konventë të madhe: 30 kapituj, ofrojnë alternativat tona për zhvillim

    Abdixhiku thotë se “Rruga e re” do të prezantohet në një Konventë të madhe: 30 kapituj, ofrojnë alternativat tona për zhvillim

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas dy ditësh koordinim me bartësit e ekipeve programore kanë arritur që të finalizojnë rrugëtimin e ri që sipas tij i duhet Kosovës.

    Abdixhiku shkruan se “Rruga e re” e LDK-së e shtron hapur vizionin e partisë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngulfatur vendin tash e sa kohë, që projekton rikthimin e Kosovës në vend të lirisë, demokracisë e integrimit euroatlantik dhe jo në një vend të frikës, persekutimit e izolimit.

    Siç ka shkruar Abdixhiku program i formuluar ka 30 kapituj dhe ofon alternativa për secalin sektor.

    Ai ka thënë se ky program do të bëhet publik në një Konventë të madhe programore dhe se LDK është e hapur që më pas të marr komentet dhesugjerimet e tjera.

    “Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq.

    ‘Rruga e Re’ është zgjidhja.Ju ftojë ta përcjellni shpalosjen tonë në çdo hap”, ka shkruar Abdixhiku.

  • ​LDK i vendos karton të kuq qeverisë: Duhet të shkojnë në shtëpi pas shkeljeve kushtetuese

    ​LDK i vendos karton të kuq qeverisë: Duhet të shkojnë në shtëpi pas shkeljeve kushtetuese

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar sot Qeverinë e Kosovës për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. Sipas partisë opozitare, pushteti aktual e ka kthyer në normalitet shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës, andaj simbolikisht i vendosën një karton të kuq, siç thanë, për dërgimin në shtëpi të ekzekutivit.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në konferencë për medie, tha rrëzimi i Ligjit për zyrtarët publikë nga Gjykata Kushtetuese e dëshmoi edhe një herë paaftësinë dhe tendencën autoritare të qeverisë Kurti.

    Ai përmendi disa prej ligjeve dhe vendimeve antikushtetuese të ekzekutivit, derisa tha anëtarët e qeverisë janë bërë shkelës serikë të ligjit dhe Kushtetutës.

    “Ky pushtet është pushtet i shkeljeve ligjore dhe ngeljeve kushtetuese. Po i përmendi vetëm disa nga ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës ku janë dërguar dhe shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe është dëshmuar se ky pushtet dinë vetëm të shkelë Kushtetutën. Shkelja e parë ndodhi gjatë kohës së pandemisë COVID 19, shkelja e dytë ndodhi po ashtu për vendosjen e karantinës dhe kundërvajtjeve ndaj atyre që nuk respektuan rregullat anti-covid. Shkelja e tretë e Kushtetutës u krye nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndërsa shkelja e katërt, kur Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë e ka shkelur Kushtetutën, ku e shpalli antikushtetues ligjin për Këshillin Prokurorial…Anëtarët e kësaj qeverie tashmë janë shkelës serikë të ligjit dhe kushtetutës. Ky pushtet ka hyrë në një seri të keqe të shkeljes së ligjit dhe kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

    Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj tha se gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë “karton të kuq” nga Gjykata Kushtetuese.

    Ai përmendi edhe presionin që sipas tij, po përballen zyrtarët publikë dhe administrata e shtetit nga Qeveria Kurti.

    “Gati gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të përjashtohen nga ekipi qeverisës ata mbrohen dhe çmohen nga i pari i tyre. Nga i pari që sa ishte në opozitë thoshte se ‘kush e shkel ligjin është kriminel, ndërsa kush e shkel Kushtetutën është super kriminel’…Dje Gjykata Kushtetuese i dha një karton të kuq pushtetit absolut, dje fitoi drejtësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit, administrata e shtetit dhe secili zyrtar publik. Zyrtarët publikë në secilin institucion qendror të shtetit është në presion të madh nga partia në pushtet. Presion që të vendosin në kundërshtim me ligjin për procese populiste të partisë në pushtet…Kjo qeveri çdo ditë në secilën fushë po merr karton të kuq. Dje mori një karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese dhe do të marrë edhe plot të tillë në ditën në vijim derisa kjo qeverisje është në detyrë. Kjo qeverisje antikushtetuese duhet të shkojë në shtëpi dhe ne në mënyrë simbolike ia japim një karton të kuq”, theksoi ai.

    Zemaj pasi u pyet nga gazetarët edhe për hapin e radhës për shtensionimin e situatës në veri, ku sot u bë tërheqja edhe e 25 për qind të policisë në dhe rreth objekteve komunale atje.

    Sipas tij, ky vendim është lojë e ndytë e Kurtit në raport me dështimin e tij në procesin e dialogut.

    “Kjo tërheqje shihet si një lojë e ndytë e Kurtit në raport me dështimin e tij në procesin e dialogut dhe rënies së tij në grackën e Vuçiqit. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak, fatkeqësisht”, theksoi ai.

    Ndërkaq, Zemaj iu kundërpërgjigj edhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili dje potencoi se PDK dhe LDK po i ndihmojnë Kurtit duke mos u përfshirë në mocionin e mosbesimit ndaj tij.

    “E shohim si tendencë për hapësirë opozitare. Ne e kemi rolin tonë opozitar dhe partiak, kemi agjendë politike dhe i shpalosim të gjeturat. Tentojmë të japim versione më të mira për këtë qeveri, ndërsa jemi parti që edukojmë të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare”, përfundoi ai./KP/

  • ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    ​LDK dhe AAK kundërshtojnë seancën e jashtëzakonshme

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e konsiderojnë të jashtëzakonshme mbajtjen e seancës së sotme në orën 14:00 dhe atë për të cilën thanë se kanë marr njoftim për në orën 16:00.

    Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi u shpreh se propozuesi duhet të jap arsyeshmërinë e kësaj jashtëzakonshmërie ku në një seancë të trajtohen dy çështje totalisht të ndryshme.

    Sipas tij, kjo po ndikon në negativisht në kualitetin e ligjeve.

    “Kishte qenë mirë që propozuesi me të na shpjegojë arsyeshmërinë e jashtëzakonshmërisë së këtyre dy çështjeve totalisht të ndryshme si bashkohen në jashtëzakonshmërinë e tyre, dhe ne po ashtu para disa orësh morëm një ftesët për një seancë tjetër të jashtëzakonshme por sot në ora 16:00. Çka ka të jashtëzakonshme pse duhet Kuvendi t’i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme brenda një dite të shqyrtojë tri pika të cilat janë totalisht të ndryshme dhe të paktën dy prej tyre mund të presin zakonishmërinë e seancave. Pse duhet me u bë kjo punë sepse kjo po ndikon negativisht në kualitetin e ligjeve dhe po krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshmërinë ku një grup parlamentar”, tha ai.

    Tutje ai theksoi se me këtë sjellje po i humb esenca e parlamentarizmit.

    “Unë nuk po shoh diçka të jashtëzakonshme që duhet me u mbledh sot në ora 16:00 ose ora 14:00 me I trajtua me një zakonshmëri dy çështje totalisht të ndryshme dhe po ashtu me ardhur në ora 16:00 me ftesën që e kemi marr po sot me trajtua një ligj në dy leximet po sot po i humb esenca parlamentarizmit, ky normaliteti i shkeljes së procedurave kuvendore dhe i praktikave demokratike në këtë mënyrë po fillon po bëhet I rrezikshëm”, tha ai.

    Mendim të njëjtë me Gashin paraqiti edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se është e paprecedent që të sillen ligje për shqyrtim të cilat janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Ai theksoi se kjo qasje është totalisht e paarsyeshme.

    “Ky Kuvend sot i ka thirrur tri seanca të jashtëzakonshme për tri ligje të zakonshme, për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese. Është e paprecedent dhe as në historinë e këtij parlamenti edhe të parlamentarizmit që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj i cili është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese, është totalisht e pakuptimitë dhe po të drejtohem edhe ty kryetar si thirrës i seancës që po ashtu ta trajtosh këtë çështje me shumë kujdes… 100 mijë herë kishte më qenë më urgjente të diskutohet rrezikshmëërinë e Policisë në veri të Kosovës dhe e kishte pas mbështetjen e deputetëve, por me na sjell ligje të cilat i nënshtrohen një procedure parlamentare, me na sjell një ligj që është duke u diskutuar në Gjykatë Kushtetuese kjo tregon me të vërtetë për një logjikë ose totalisht të paaftë ose seriozisht të mbrapsht. Kërkoj prej teje si kryetar dhe prej kolegëve të LVV të reflektojnë pse, pse duhet ky me u bë peng i një qeverisje totalisht in-efektive i një qeverisje me ligje anti-kushtetuese për të trajtuar ligje”, theksoi ai.

    Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti.

    Po, ashtu në këtë seancë në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128./kp

  • Abdixhiku takohet me shefin e Zyrës së BE-së, ia shpalos planin 7 pikësh për zgjidhjen e krizës në Veri

    Abdixhiku takohet me shefin e Zyrës së BE-së, ia shpalos planin 7 pikësh për zgjidhjen e krizës në Veri

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e BE-së, Tomas Szunyog.

    Në njoftim thuhet se Abdixhiku ia ka shpalosur ambasadorit Syunzog planin 7 pikësh të LDK-së për zgjidhjen e krizës në Veri dhe “përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

    Tutje, Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin edhe për ecurinë e takimeve me akterë të jetës publike në vazhdën e ndërtimit të Rrugës së Re si dhe qëndrimet e LDK-së karshi të gjitha proceseve që po kalon vendi.